Izet Haxhia flet nga Turqia: Sapo të ekstradohem në Shqipëri, do kërkoj hapjen e dosjes

Prej katër ditësh Gjykata e Lartë turke ka vendosur për ekstradimin e Izet Haxhisë në Shqipëri. Në një lidhje me “Skype” nga Turqia, Izet Haxhia tha në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, se sapo të ekstradohet në Shqipëri do të kërkojë hapjen e dosjes.

Çfarë prisni të ndodhë me ju pas vendimit të Gjykatës së Lartë turke?
Pas vendimit që Gjykata e Lartë turke dha për ekstradimin tim, pastaj në mënyrë të rrufeshme u krye edhe miratimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë turke, e cila dha porosi për gjykatën vendore këtu që të kryhet menjëherë arrestimi im, për arsye se unë mund të largohem, sipas tyre. Por kjo nuk është e vërtetë sepse nuk kam ndonjë mendim të tillë që të largohem, pasi po të kisha dashur ta bëjë një gjë të tillë do isha larguar me kohë.

E prisnit një vendim të tillë?
Normal që e prisja, pasi në vitin 2013 gjykata vendore këtu vendosi për ekstradimin tim, pastaj pas ankesës në Gjykatën e Lartë po pritej vendimi. Por edhe këtu si në Shqipëri, ndonëse pak më ndryshe, drejtësia është e varur nga politika. Nuk është drejtësi e pavarur. Këtu gjykatës prokurorë janë ata që kanë mbaruar medresetë me kurse 6-mujore, dhe pothuajse është e njëjta gjë. Gjithçka është politike.

Ju mendoni se kjo është një marrëveshje mes dy vendeve për ekstradimin tuaj? Është marrëveshje politike?

Po patjetër, se unë kam 12 vite që mbahem peng në Turqi, sipas interesave të qeverisë turke. Një herë duan, një herë s’duan. Kur kanë ndonjë tender andej thonë ta kthejmë, kur rregullohen, thonë mos ta kthejmë. Si top futbolli të hedhin andej-këtej. Tani nuk e di se çfarë interesi kanë në lidhje me qeverinë shqiptare, por ngaqë Shqipëria është një qendër e organizatës së Gylenit, ndoshta kanë bërë ndonjë marrëveshje për këmbimin të disa eksponentëve që ndodhen në Shqipëri. Apo rasti i aeroportit të Vlorës, nuk e di, sepse politika nuk merret vesh, është shumë e vështirë ta perceptosh se çfarë mund të sajojnë këta politikanët e famshëm.

Juve kush ua komunikoi këtë vendim?

Avokati i caktuar nga shteti turk.

Kur e morët këtë vendim? Përpara 4 ditësh?

Para 4 ditësh mora vesh vendimin e Gjykatës së Lartë turke. Të nesërmen mora vesh edhe vendimin që ka dalë urdhër-arresti për mua.

Ju e keni shkruar edhe në profilin tuaj në “Facebook” se prisni nga momenti në moment që të arrestoheni. Në çastin që do të ekstradoheni në Shqipëri dhe do të vini këtu, çfarë mendoni të bëni fillimisht? Do të kërkoni një rihapje të dosjes?

Unë e thashë atë, pasi në bazë të urdhër-arrestit, të cilin e mora vesh në mënyrë private nëpërmjet miqve të mi. Ata më thanë ik, pasi presim një urdhër për të bërë arrestimin tënd brenda një kohe 30 ditore, sepse ashtu janë procedurat sipas ligjeve. Pasi të vijnë ekipet nga Shqipëria, do bëjnë dërgimin tim në Shqipëri. Sapo të kthehem në Shqipëri, puna e parë që do të bëj është që të kërkoj hapjen e dosjes, sepse edhe në bazë të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, ligjeve të shtetit shqiptar, Kodit të ri Penal, unë e kam të drejtën time legjitime që të hap këtë çështje. Kjo pasi unë jam gjykuar, dhe dënuar, në mungesë pa pasur të drejtën e mbrojtjes, hetimit, pa pasur asnjë lloj të drejte. Ndaj kjo është e drejta ime legjitime që unë të kërkoj hapjen e këtij procesi.

Kur deklaroni se vrasja e Azem Hajdarit nuk është zbardhur, çfarë faktesh dispononi ju që nuk kanë dalë deri tani? Pasi është një vrasje e veshur me mister thoni ju.

Çështja “Hajdari” është zbardhur pjesa e ekzekutorit, pasi një ka qenë. Por kjo është një çështje shumë e komplikuar, në të cilët janë përfshirë shumë segmente. Janë përfshirë segmente nga Shërbimet Sekrete, segmente të tjerë, të cilët në bashkëpunim kanë vepruar. Nuk mund ta them me siguri por edhe shërbime sekrete të huaja kanë qenë në dijeni të këtij plani për vrasjen e Hajdarit. E them këtë pasi vrasja e tij ka qenë e përgatitur, nuk ka qenë momentale. Pas shumë analizave dhe fakteve të reja që unë kam arritur të mësoj del që ajo nuk ka qenë një vrasje momentale.

Çfarë faktesh apo informacionesh keni ju? Çfarë dispononi?

Janë tabulatet e telefonave që nuk janë paraqitur deri më sot në Gjykatë. Telefonave të Berishës, dhe Hajdarit, të cilët kanë qenë të regjistruara me emra të ndryshëm. Ato tabulate ekzistojnë.

Tabulate për ditën e vrasjes?

Po, për ditën e vrasjes dhe për orët e fundit. Ato që nga ora 3 pasdite, deri në momentin që ka arritur në Tiranë. Edhe telefonata e fundit që i është bërë atij. Janë të gjitha të regjistruara, nga kush është marrë, nga cilët numra telefoni. Janë këto telefonata që do të çojnë tek zgjidhja e këtij rrjeti të komplikuar.

Të tjera

Abissnet