Banorët e lagjes “5 Maj” dhe Laprakës në Tiranë janë mbledhur këtë mëngjes në protestë përpara Parlamentit. Banorët e 5 Majit kanë kërkuar nga Qeveria dhe institucionet transparencë lidhur me projektin e rindërtimit, ndërsa javën e kaluar disa qindra forca policore mësynë në zonë duke nxjerrë dhunshëm banorët nga banesat, të cilat më pas u rrafshuan nga fadromat. Për këtë arsye ata kërkojnë kontratë.
Simbol i protestës së banorëve të ‘5 Majit’ ishte Nënë Liza, e cila edhe pse ishte rreth 80-vjeçare, po e mbronte me çdo forcë pronën e saj, ndonëse nuk ia doli.
Sot ajo është rikthyer sërish në protestën përpara Kuvendit, e ndërsa një pankartë i është dedikuar sot asaj. Nënë Liza sërish ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. “Nuk ka ardhur kush a është gjallë a ka vdek, ky është shteti, s’i rr*het për plakat. Dua të dal para parlamentit, ta marrë vesh Rama dhe këto deputetët bukuroshë”, tha Nënë Liza.
Një prej protestues i zonës së Laprakës që i shembur shtëpia i është drejtuar Lulzim Bashës, si kryetar i opozitës që të vijë dhe të takojë popullin. “Ku është Basha që nuk vjen te populli, një pjesë e ka votuar edhe atë Lul Bukuroshin, që lyen flokët, s’po kërkojmë luksin e Bashës, që për 4 vite ka bërë super vila, s’po kërkojmë luksin e kryeministrit apo të kryebashkiakut”, tha protestuesi. Sakaq, përpara Kuvendit ka edhe prezencë të forcave të policisë që po ndërhyjnë për t’u liruar rrugën deputetëve.
Leave a Reply