Italianët godasin grupin që komunikonte me Genci Ballën

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Italianët e antiterrorist kanë vënë nën shënjestër një grup të dyshuar për financim terrorizmi. Operacioni është kryer në zonat e Riminit dhe të Ravenas, ndërsa mësohet se në lojë kanë hyrë ekspertët e prokurorisë së Bolonjës, një prej skuadrave Antiterror më të njohura në Itali. Grupi, i cili mësohet se mbahet nën mbikëqyrje dhe përgjim që prej tri vitesh, që në kohën kur u godit grupi i konsideruar si xhihadistë në vendin tonë. Në mes të prangosurve mësohet se janë edhe dy shtetas shqiptarë, një maqedonas dhe 6 të tjerë janë nga vende si Maroku apo edhe Tunizia. Ekspertët gjatë hetimeve janë ndaluar tek përgjimet dhe kanë mësuar se në vitin 2014, njëri nga të prangosurit e operacionit të fundit ka kaluar në shërbim të luftëtarëve të ISIS jo pak po më shumë se 1 milion euro. Sipas të dhënave ata janë biznesmen në këto dy qytete, njihen me njëri-tjetrin dhe madje në përgjime ata flasin edhe për hoxhën Genci Balla, i njohur prej tyre si Abdurrahim Balla.

Operacioni     

Referuar mediave italiane bëhet me dije se orëve të para të së mërkurës, m urdhër të Prokurorisë së qytetit të Bolonjës, Drejtoria e Antiterrorizmit në shtetin italian ka ekzekutuar gjatë orëve të fundit të ditës së djeshme një operacion policor duke vënë nën hetim 9 shtetas të huaj, sipërmarrës dhe tregtarë të vegjël në sektorin ushqimor, me dyshimin e pjesëmarrjes në organizim me qëllim terrorizmi e prishje të rendit publik. Mes personave të vënë nën hetim janë 2 shtetas shqiptarë, me inicialet P.R, 42 vjeç, banues në Rimini, dhe L.K, 39 vjeç, banues në Ravenna, shtetasi maqedonas me inicialet N.N 49 vjeç , një shtetas tunizian e 5 marokenë, banues në provincën e Riminit e Cesenas. Skuadra e antiterrorit italian ka kontrolluar imtësisht banesat dhe selitë e sipërmarrjeve të tyre duke sekuestruar gjithë materialet informatike si dhe telefonat celularë. Sipas mediave lokale, dyshohet se 9 personat e vënë hetim kanë financuar me qindra mijëra euro terrorizmin islamik. Policia italiane ka verifikuar shuma të mëdha parash që këta persona dërgonin në destinacione si Maroku, Algjeria, Tunizia, Belgjika, Gjermania e Franca. Njëri prej personave të vënë nën hetim vetëm gjatë vitit 2014 ka dërguar në këto shtete rreth 1 milionë euro.

Përgjimet

Po sipas dyshimeve të investiguesve italianë, 9 të hetuarit kishin nisur në territorin e provincës së Riminit një fushatë rekrutimi të rinjsh për t’i dërguar në Egjipt për të studiuar Kuranin e besimin islam. Sipas autoriteteve italiane 4 prej tyre kanë favorizuar kundrejt pagesës emigracionin klandestin, dhe paratë e fituara i kanë përdorur për të financuar aktivitetin terrorist. Mediat lokale italiane përcjellin përgjimet telefonike të policisë italiane ndaj shqiptarit 39-vjeçar L. K banues në Ravenna. “I pe materiale që të nisa sot- thotë shqiptari… Janë shumë të bukura, më habitën… Po materialin e (….) që ma solli një pasardhës i Abdurrahim Ballës, (imami shqiptar i dënuar me 17 vjet burg për xhihadizëm)?”. Në bisedat telefonike të shqiptarit, i referohet një shkëmbimi pamjesh filmike me një tjetër shqiptar me emrin Osman, banues në territorin e Ferraras e nën mbikëqyrjen e policisë italiane si një person i rrezikshëm për vendin. Analizimi i materialeve informatike e të telefonave celularë të sekuestruar do të ndihmojnë ekspertët e Antiterrorit italian në zbardhjen e plotë të aktivitetit të 9 personave të ndaluar!

Dy vite më parë

Ishte fillimi i vitit 2015, kur mediat italiane, nisën publikimin e disa artikujve, për sa i përket një grupi me shqiptarë e kosovarë që jetonin në Itali, të njohur me emrin “tjerrësit e Ballkanit”. Ata akuzoheshin që po merreshin me rekrutimin e xhihadistëve të rinj për t’iu bashkuar grupeve ekstremiste në Siri. Ndërkaq, terrorizmi islamik dhe kërcënimi që vjen nga “zinxhiri i Ballkanit” ishte një nga temat e diskutuara aso kohe në takimet e mbajtura prej zëvendësshefit të policisë italiane, Fulvio Della Rocca, gjatë një vizite në Tiranë, ndërsa në fokus të bisedave ishte një grup xhihadistësh shqiptarë dhe kosovarë që jetonin në Itali, me lidhje me vendet e tyre të origjinës, të cilët mund të nisnin vullnetarë përmes rrugës ballkanike (Itali, Greqi, Turqi, Siri). Bazat e grupit salafist,aso kohe u thanë se janë në Romë, në zonën e quajtur Centocelle, por edhe në Siena, Lucca dhe Milano. Teksa flitej për masat parandaluese u tha se kishte dyshime që dy imamët e vetëshpallur, Genci Balla dhe Bujar Hysa edhe nga burgu dyshoheshin se kishin vijuar të rekrutonin luftëtarë për në Siri!