Itali/ Nis aplikimi për 18 mijë punonjës sezonalë, ja ku kërkohen shqiptarë

Publikuar më 20. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Italia, ashtu si vitin e shkuar, vë në dispozicion 30.850 kuota për të mundësuar punë të varur sezonale të punonjësve të huaj si dhe konvertime lejesh të ndryshme qëndrimi në leje pune, të të huajve tashmë rezidentë në Itali. Është përcaktuar gjithashtu edhe kalendari i kërkesave, që do të përgatiten e do të paraqiten, si gjithmonë përmes portalit të Ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it.
Më saktësisht, 30.850 kuotat janë të ndara si më poshtë:
Hyrje
– 18.000 për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik (2.000 nga këto u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare). Punonjësit mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Herzegovina, Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldova, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.
– 500 hyrje për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;
– 100 punonjës të pavarur apo të varur josezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
– 2.400 hyrje për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të hapin aktivitetin privat në Itali apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.
Konvertime
Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:
– 4.750 lejeqëndrimeve për punë sezonale;
– 3.500 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 800 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;
Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:
– 700 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 100 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.
Paraqitja e kërkesave
Kërkesat për punonjësit josezonalë dhe të pavarurit do të mund të nisen online nga ora 9:00 e 23 janarit 2018., njofton Shqiptari i Italisë. Do të mund të përpilohen dhe të ruhen nga 18 janari 2018 nga ora 9:00 kur ministria e Brendshme do të vërë në dispozicion online formularët e vlefshëm për paraqitjen e kërkesave.
Kërkesat për punonjësit sezonalë do të mund të nisen nga ora 9:00 e 31 janarit 2018, por do të mund të përgatiten nga ora 9:00 e 24 janarit kur ministria e Brendshme do të vërë në dispozicion online formularët.
Për të gjitha llojet e hyrjeve dhe konvertimeve, do të mund të paraqiten kërkesa deri në 31 dhjetor 2018. Kuotat do të jepen sipas rendit të trajtimit të kërkesave që do të ndjekë atë të nisjes së tyre. Megjithatë, vështirë që kuotat të mbarojnë menjëherë sepse nga çka ndodhur vitet e fundit duken mëse të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat.