Ish-të përndjekurit, 840 trashëgimtarët që do marrin dëmshpërblimin

Publikuar më 28. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Ministra e Financave miraton listën e emrave që do të përfitojnë këstin e parë dhe të dytë. Dokumentet që duhet të dorëzohen brenda muajit dhjetor. Fondi i miratuar për 2018-n në vlerën 2 miliardë lekë

Ministria e Financave ka shpallur emrat e trashëgimtarëve të ish-të dënuarve politikë, të cilët do përfitojnë dëmshpërblimin për këstin e parë dhe të dytë. Janë 840 përfitues  të cilët do të marrin dëmshpërblim, por më parë duhet të plotësojnë dosjen me dokumentet përkatëse. Emrat publikohen pas miratimit të fondit 2 miliardë lekë, i cili do të ndahen i plotë për kategorinë joparësore përgjatë vitit 2018.

Dokumentet

Të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarve duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme.  Kur kemi ndryshim të identitetit, Emër/Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një gërmë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.

Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Ligji parashikon edhe rastet e ekzekutimeve pa gjyq. “Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq, është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.

Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëjë një gjyq fakti, të cilin edhe në këtë rast si në pikën më lart, duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative”, thuhet në njoftimin që Ministria e Financave bën për të sqaruar trashëgimtarët e ish-të dënuarve që nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin.

Ish-të përndjekurit, 840 trashëgimtarët që do marrin dëmshpërblimin by JolaAlimemaj on Scribd

N.Gj