Ish-të përndjekurit, 1030 emrat që duhet të plotësojnë dosjen

Publikuar më 01. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Vetëm 3 muaj afat do të kenë në dispozicion trashëgimtarët për të dorëzuar dokumentet që nevojiten pranë Drejtorisë së Pagave dhe Dëmshpërblimeve. Kjo vlen për 1030 trashëgimtarë të ish-të dënuarve politikë, të cilët ende nuk kanë përfituar këstin e dytë. Ministria e Financave ka publikuar dje të tjerë emra që duhet të plotësojnë dosjen, në mënyrë që të nisë edhe ndarja e pagesave.

Dokumentet
Përkundrejt të dënuarve që jetojnë, të cilët mjaftohen duke dorëzuar vetëm certifikatë familjare dhe numër llogarie, lista e kërkesave për trashëgimtarët është më e gjatë. Nga këta të fundit për lëvrimin e çdo kësti kërkohet: kopje e letërnjoftimit, numër llogarie, certifikatë vdekjeje, certifikatë e trungut familjar, dëshmi trashëgimie dhe prokurë. Sipas Ministrisë së Financave, certifikata e vdekjes është kusht ligjor për shpërndarjen e dëmshpërblimit dhe nuk zëvendësohet me vendim gjykate që shpall të vdekur individin.

E njëjta gjë vlen edhe për certifikatën e trungut të familjes, e cila nuk mund të zëvendësohet me certifikatë negative të lëshuar nga zyrat e Gjendjes Civile. Nga ana tjetër, nëse nuk ka një përfaqësues me prokurë, procesi ndërlikohet edhe më tepër, pasi duhet që për në ndarjen e çdo pagese të gjithë përfituesit e radhës së parë dhe të dytë që kanë aplikuar të kenë bërë dorëzimin e dokumenteve. Në të kundërt, dosja mbetet e bllokuar. Është pikërisht kjo një ndër arsyet, krahas pamjaftueshmërisë së fondit, ajo që ka sjellë ngadalësim të procesit për këtë kategori.

Ish-të përndjekurit, 1030 emrat që duhet të plotësojnë dosjen by JolaAlimemaj on Scribd

N.Gj