Ish-presidenti rumun akuzohet për krime kundër njerëzimit

Ish-presidenti rumun Ion Iliesku u akuzua zyrtarisht të hënën për krime kundër njerëzimit nga kryeprokurori i vendit.

Akuzat janë përfundimi i një hetimi mbi revolucionin kaotik dhe të përgjakshëm antikomunist të vitit 1989.

89 vjeçari Iliesku, ka thënë në mënyrë të përsëritur se është i pafajshëm. Ai gëzonte mjaft popullaritet pas revoltës kundër diktatorit Nikolae Çaushesku, i cili u rrëzua dhe u ekzekutua në dhjetor 1989. Por në këtë proces gjetën vdekjen qindra njerëz dhe kundërshtarët e Ilieskut e akuzojnë atë se ia grabiti revolucionin popullit.

Aktakuza zyrtare ngrihet pasi prokurorët e akuzuan Ilieskun dhjetorin e kaluar si ideator i krijimit të një grupi në dhjetor 1989, për të fituar pushtet dhe legjitimitet politik.

Prokurorët thanë se grupi, duke përdorur deklarata të ndryshme dhe televizionin, u angazhua në “veprimtari të gjera dhe komplekse mashtruese për diversion dhe dizinformim”, pas ikjes së Çausheskut nga kryeqyteti më 22 dhjetor 1989.

Iliesku u konfirmua si president i përkohshëm nga parlamenti në shkurt 1990 dhe dha dorëheqjen në vitin 2004, shkruan VOA.

Kritikët brenda dhe jashtë vendit e akuzojnë Ilieskun dhe politikanë të tjerë kryesorë se janë përpjekur për të bllokuar reformat si dhe të ruajnë trashëgiminë politike dhe elitën sunduese të sistemi komunist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet