Investigimi/Veliaj me diplomë false në Angli, mungon vula

Diploma e Masterit të krybashkiakut të Tiranës nuk e ka vulën origjinale të universitetit. Në diplomën e Bachelorit mungojnë elementet e sigurisë. Universiteti as nuk e pohon, as nuk e mohon. Ish-ministri jep detajet

Enida Vërca

Eksperti dhe ish zv/ministri i arsimit, Taulant Muka publikoi dy ditë më parë dy diploma të lëshuara në të njëjtën ditë nga Universiteti i Sussex, ku njëra prej tyre është diploma e Erjon Veliajt dhe ajo është pa vulë. Veliaj e bëri publike diplomën në Twitter në vitin 2015 për të treguar se ka mbaruar masterin në Universitetin e Sussex. Sipas të diplomuarve në këtë universitet dhe që kanë marrë këtë lloj diplome, para apo pas diplomimit të Veliajt, ka shumë elementë që e bëjnë të dyshimtë dokumentin e prezantuar nga Veliaj. Sipas tyre, diploma e masterit ka disa vula të pakopjueshme, kurse ajo e kryebashkiakut nuk ka asnjë lloj vule. Aty mungon vula e bardhë e shtypur me formën e emblemës së universitetit, pak a shumë si vulë noteriale. Kjo vulë e thatë është e pranishme në të gjitha Universitetet Britanike në diplomat master dhe është e pamundur të kopjohet.

Kërkimet

Përveç diplomës së marrë nga Universiteti i Sussex, kryetari Veliaj ‘gëzon’ dhe një tjetër diplomë të marrë në Grand Valley State University (GVSU) në Amerikë. Nga diploma e publikuar rezulton se ai është diplomuar për Arte, në sistemin Bachelor. Ajo që vihet re, është firma zyrtare në diplomën e Veliajt, e cila është identike me atë që universiteti shet online. Gazeta “Shekulli”, në datën 25 mars, i dërgoi një e-mail zyrtar universitetit, teksa shkruajmë: “Gazeta jonë ka nisur kërkimet, për diplomën e z. Erion Veliaj (kryetar bashkie në Tiranë, Shqipëri). Ai deklaron se këtë diplomë e ka marrë në universitetin tuaj, për këtë arsye, donim t’u pyesnim: A është kjo një diplomë origjinale që e ofron universiteti juaj? E menduam këtë fakt, kur pamë se nënshkrimi është identik me diplomën në faqen tuaj elektronike (https://gvsu.universityframes.com/#gallery-11), ku nënshkrimi në Diplomë duhet të shfaqë bojën aktuale, në vend të një nënshkrimi të kopjuar për të siguruar legjitimitetin”, shkruan “Shekulli” më 25 mars.

Përgjigjet

Vetëm në pak orë, universiteti i Grand Valley State University, na udhëzoi procedurat që duhet të ndjekim për të verifikuar të gjithë të diplomuarit të cilët kanë qenë në vitin paralel, me kryetarin e bashkisë. Edhe pse verifikimi mund të bëhet lehtë nëpërmjet këtij siti (www.nslc. org) ku rezulton se diploma është marrë prej tij, ajo që mbetet ende pa përgjigje është vlefshmëria e saj. Pas kësaj, ne folëm sërish me universitetin teksa e pyetëm për elementët e sigurisë dhe legjitimitetin e saj. Pas më shumë se një jave pritje, ne i dërguam sërish një e-mail në të dyja adresat zyrtare, ([email protected] dhe [email protected]). Në të dyja e-mailet, ku patëm komunikim për sqarimin e kësaj çështjeje, universiteti nuk u përgjigj më ne lidhje me rastin në fjalë. Alternativa jonë e fundit, ishte një komunikimin nëpërmjet telefonit, ku më 3 prill i telefonuam në numrin e tyre zyrtar (6163313327) në mënyrë të herë pas hershme. Në telefonatat e bëra, thirrjes sonë nuk iu përgjigj askush.

Taulant Muka

Ish zv/ministri i Arsimit, Taulant Muka, shprehet për “Shekulli”-n se Erion Veliaj është akuzuar disa herë në media që nuk është diplomuar dhe kjo e ka shtyrë atë të nisë kërkimet mbi diplomimin e tij. “Është shumë e rëndësishme të dimë nga kush qeverisemi, dhe nëse këta persona mashtrojnë mbi arsimin e tyre, duhet të mbajnë përgjegjësi. Duke kërkuar në “Google”, zbulova që Erion Veliaj vetë kishte publikuar në 2015 në profilin e tij në Twitter dy diploma, një diplomë Bachelor të marrë në Amerikë, dhe një Diplomë Masteri të marrë në Universitetin e Sussex-it në Angli. Në të dyja rastet, diplomat nuk përmbajnë elementët më minimal të sigurisë, sikurse është edhe vula. Edhe pse në Amerikë Erion Veliaj ka arritur të diplomohet (sikurse e tregon dhe vërtetimi që kam marrë nga institucionet përkatëse), ende ngelet e paqartë pse ai ka publikuar një diplomë që nuk duket të jetë origjinale dhe që mund ta blesh në faqen online të universitetit. Dy herë i kam nisur e-mail universitetit mbi këtë çështje, dhe nuk më kanë kthyer përgjigje. Unë e kam konsultuar diplomën e Veliajt në Amerikë me një amerikane të diplomuar në të njëjtën periudhë me Veliajn në të njëjtin universitet, dhe ajo më tregoi se diploma e Veliaj nuk mund të ishte origjinale dhe se i ka nisur e-mail universitetit, por gjithashtu pa përgjigje deri më sot. Në diplomën që Veliaj pretendon të ketë marrë në Universitetin e Sussex, jo vetëm që mungon vula, por nga kërkimet e mia rezulton që Universiteti nuk ka pasur ndonjëherë një program të akredituar masteri në Politikën Evropiane. Unë kam shkëmbyer disa email-e me universitetin pasi ka disa politikanë në Shqipëri që pretendojnë të kenë një diplomë të ngjashme si Elisa Spiropali apo Arbjan Mazniku; Universiteti aktualisht është duke e hetuar çështjen dhe për arsye konfidencialiteti në këtë moment nuk mund të nxjerrë më shumë informacione përveç atyre që kam bërë publike””, deklaron ai për “Shekulli”-n.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet