INTERVISTA/ Tashmë shqiptarët zgjedhin talentet e reja në Itali, balerina: Rrugëtimi im drejt suksesit

Ndryshe nga ç’ndodhte disa dekada më parë, tashmë janë balerinët shqiptarë ata që japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e talenteve të reja në Itali. Balerina e parë e “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”, Adela Muçollari, rrëfen në një intervistë për “Shekulli-n”, eksperiencën e saj në zgjedhjen e balerinëve të rinj dhe rrugëtimin drejt suksesit jashtë kufijve shqiptarë.

Lorena Resulaj

Janë të shumta historitë e suksesit të balerinëve shqiptarë që nisën karrierën e tyre nga shteti fqinj, Italia, duke e parë atë si vendin e mundësive. Shumë prej atyre, që janë të njohur në fushën e artit, vite më parë u spikatën si talente nga figurat më të njohura italiane dhe tani kanë ndërtuar një karrierë mjaft të suksesshme në vendin fqinj.

Por vitet e fundit situata ka ndryshuar krejtësisht, pasi shumë balerinë shqiptarë të formuar në vendin tonë kanë mundësinë të përzgjedhin talentet e reja në Itali. Kjo sigurisht që është një arritje shumë e madhe, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për balerinët tanë.

Një ndër ata që kanë pasur mundësinë të provojnë një eksperiencë të tillë janë dy balerinët e njohur të “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”, Adela dhe Anxhelo Muçollari. Motër e vëlla, pak ditë më parë ishin të pranishëm në akademinë italiane “Comacchio in Danza”, për të mësuar disa fëmijë mbi baletin klasik dhe për të përzgjedhur 5 më të talentuarit për bursa në Madrid. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, balerina e parë e “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”, Adela Muçollari ka rrëfyer si ndihet që sot janë shqiptarët ata që zgjedhin talentet  e rinj në Itali dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen me bashkëpunimet me vendin fqinj.

Adela, si e morët ftesën ti dhe Anxhelo nga akademia italiane “Comacchio in Danza”?

Sara Parmiani u bë disa vite që na ndjek dhe kjo ftesë ka ardhur që në vitin 2018-të, por duke qenë se unë dhe Anxhelo kemi pasur një kalendar të ngjeshur artistik, dëshironim të gjenim një periudhë më të përshtatshme për të qenë me stage pranë akademisë italiane. Dhe më në fund 2020-ta ishte viti i konkretizimit të këtij stage, si për mua dhe për Anxhelon, gjithashtu dhe për Sarën. Duke qenë se atje shkojnë balerinët më me emër të baletit klasik, për ne të dy ishte privilegj i madh të ishim të renditur ndër ta.

Çfarë ndjesie ishte për ty dhe Anxhelon që të zgjidhnit talentet e reja në Itali, duke qenë se më parë ishin italianët ata që zgjidhnin talentet shqiptare?

Të vlerësosh talentin duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët ne jemi shumë të ndjeshëm dhe nuk duam asnjëherë që meritokracia të mos shkojë në vend. Duke qenë se kanë qenë italianët dikur që vinin këtu dhe ne shqiptarët i adhuronim, për ne ishte një përgjegjësi akoma dhe më e madhe përzgjedhja e talenteve. Tani kjo gjë nuk ekziston më, sepse shqiptarët janë promovuar, pa diskutim, janë vlerësuar dhe tashmë ata që jetojnë në Itali janë nga emrat më të njohur të baletit dhe ne jemi renditur ndër ta. Kështu që është kënaqësi akoma më e madhe të përzgjedhësh talentet e reja në Itali.

Sa e vështirë ishte për ju përzgjedhja e 5 më të talentuarve në akademinë italiane?

Italia ka shumë talente dhe pa diskutim që është shumë e vështirë, por unë dhe Anxhelo vendosëm që këto bursa t’ua jepnim talenteve më të mira. Ne zgjidhëm personat që ishin më afër baletit, të cilët kishin një dëshirë, pasion më të madh, pasi unë mendoj se të gjithë fëmijët janë të mirë edhe kujtdo duhet t’i jepet një dorë që ai të shkëlqejë në të ardhmen. Pra, jam gjithmonë e idesë për t’i përkrahur të rinjtë. Kështu që ishte shumë e vështirë përzgjedhja, por mendoj se unë dhe Anxhelo ja arritëm me sukses, të gjithë fëmijët mbetën të kënaqur dhe gjëja më e rëndësishme për ne është që fëmijët të mbushen me pozitivitet.

Si ishte kjo eksperiencë për ju dhe a do të vazhdojë më tej bashkëpunimi me “Comacchio in Danza”?

Kjo është një eksperiencë e re që sapo ka nisur për ne dhe shpresojmë që të vazhdoj në të gjithë Europën. Stage-t janë vërtetë interesante, pasi aty mëson brezin e ri. Po, bashkëpunimi me “Comacchio in Danza” do të vazhdojë edhe më gjatë, janë disa projekte që pritet të realizohen në të ardhmen.

Tashmë që jeni të njohur edhe jashtë kufijve shqiptarë, keni menduar ndonjëherë ti dhe Anxhelo të shpërnguleni përfundimisht nga Shqipëria për të nisur karrierën në një vend tjetër?

Kjo ka qenë një dilemë shumë e madhe e jona, pasi ne jemi shumë të lidhur me familjen dhe vendin tonë. Ne duam shumë të kontribuojmë në vendin tonë, në kulturën dhe artin tonë të bukur. “Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit” për ne është shtëpia jonë, vendi ku ne u krijuam dhe ndihemi shumë mirë në shtëpinë tonë.

Pak ditë më parë keni publikuar një video me momentet më të bukura në skenë të tuat dhe të Anxhelos dhe në të shkruhej “Vjen së shpejti”. Do të kemi ndonjë projekt në të ardhmen nga ju si vëlla e motër?

Ky do të jetë viti i surprizave për të gjithë, unë dhe Anxhelo kemi shumë gjëra për të zbuluar për 2020-tën, por çdo gjë do të vijë në kohën e vetë. Këtë vit e kam konsideruar si vitin tonë dhe po punojmë për shumë gjëra të bukura. Shpresoj që çdo gjë të shkoj siç duhet.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet