Intervista/ Nertila Vreto: Unë, nusja e përkëdhelur në familje

Publikuar më 23. 09. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Brunilda Gorovelli

Ajo është një nga këngëtaret e ëmbla të muzikës sonë popullore, e me siguri që këngët e saj i kërcejmë e dëgjojmë në gazimet familjare. Ndonëse është prezente prej një kohë të gjatë në tregun muzikor shqiptar, Nertila Vreto nuk ngurron të sjellë për dëgjuesit e saj këngë të reja. Pikërisht në këtë intervistë jemi ndalur tek muzika popullore dhe rëndësia që ajo ka tek këngëtarja. Vreto rrëfen se që e vogël muzika popullore e ka bërë për vete, e së fundmi në këtë zhanër muzikor ajo ka bërë një këngë për vajzën e saj, Dailën. Sigurisht nuk mund të mos ndalemi tek epiqendra e familjes së saj, vajza e vogël. Këngëtarja rrëfen më tej raportet që ka me prindërit e saj dhe të bashkëshortit, sa kohë kalon me to apo dhe raporti që ka me burrin e saj, Danielin. Ndalur këtu, bashkë me Nertilën kemi kujtuar momentin kur dy muzikantët e njohën, bashkëpunimet e shumta që kanë dhe tek krijimi i familjes.

Kënga juaj e fundit është “Bekuar me fëmijë”, si është t’i këndosh fëmijës?

Kishim kohë që mendonim të realizonim një këngë për vajzën, por edhe për ta prekur në tërësi si temë, dhe sapo vajza filloi të ecte menduam të realizonim klipin sepse donim të ishte edhe vajza në klip që ajo ta ketë kujtim kur të rritet (qesh). Nuk ka ndjesi më të bukur çdo notë del nga zemra, emocioni është i madh.

I këndoni vajzës suaj jo vetëm ju si nënë, por bashkë me bashkëshortin…

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.  Ideja ishte e Danielit, ai realizoi edhe muzikën e kësaj kënge…

Kur do kemi një këngë tjetër të re nga ju?

Që të realizosh një këngë të bukur kërkon kohën e vet pas një mbingarkese të punëve të verës me dasmat dhe koncertet kishim nevojë për një pushim plus edhe vajza kërkon përkushtim, besoj se shumë shpejt do vijmë me një këngë të re.

Ju i këndoni këngëve të jugut, përse kjo zgjedhje?

Lidhja me këngën popullore të jugut është e hershme, që në fillore madje që në klasë të 4. Unë adhuroja këngët e jugut dhe aty e gjeja veten mezi prisja të bënte shkolla ndonjë organizim që të këndoja (qesh).

Keni provuar të këndoni edhe balada, ku ndjeheni më mirë?

Absolutisht tek kenga popullore, rrymat e tjera thjesht eksperimentoj, por  jo të kem të njejtën ndjesi.

Nertila tanimë ju jeni nënë, sa ka ndryshuar axhenda juaj apo jetesa në raport me muzikën dhe bashkëshortin krahasuar më herët?

Falenderoj Zotin çdo sekondë që më bekoi me një vajzë e më dha emrin nënë që besoj është ëndrra e çdo vajze. Axhenda ime nuk ka ndryshuar aspak unë njësoj i jam përkushtuar muzikës dhe duke qenë se edhe Daniel është muzikant kam pas shumë mbështetje dhe kudo kemi qenë bashkë. Gjithmonë kur ktheheshim nga koncertet apo gëzimet familjare i kërkonim falje vajzës që i munguam dhe i thonim kur të rritesh do na kuptosh(qesh).

Si nis dhe mbyllet një ditë për ju?

Nëse nuk kam angazhime të tjera dita fillon në përkushtim ndaj çupës dhe ashtu mbyllet.

Sa e lidhur jeni me familjarët tuaj dhe të bashkëshortit?

Aaa shuumë e lidhur nuk bëj dot pa prindërit e motrat e mija ata janë thesare  për mua, edhe me njerëzit e Danielit jam shumë e lidhur diskutojmë për gjithçka. Respekti është reciprok,  unë jam nusja e vetme në familje dhe ndihem e përkëdhelur (qesh).

Te ndalemi pak tek ju dhe bashkëshorti, si jeni njohur me të?

Me Danielin jam njohur në një gëzim familjar ku ishim të dy të ftuar dhe aty lindën shkëndijat e para.

Si është Nertila pa të?

Danieli është një njeri i mrekullueshëm është shumë i përkushtuar edhe ndaj çupës.  Më ndihmon në shumë gjëra edhe në gatim (qesh). Plus në muzikë është krahu im i djathtë.

Daila është kurorëzimi i dashurisë suaj, por doja t’ju pyesja cila është sakrifica më e madhe që keni bërë për dashurinë?

Daila është jeta jonë. S’më është dashur të bëj ndonjë sakrificë për dashurinë ,…

Jeni e dhënë pas ditëve të festave apo përvjetorëve? Po Daniel?

Nuk di të them pas kujt jam e dhënë më shumë por më pëlqen të festoj dhe të kujtoj gjëra të bukura. Daniel (qesh)  në një mendje jemi (qesh).

Cila është dhurata më e çuditshme që keni dhënë apo marrë?

Dhurata të çuditshme !! Se diii.. as kam dhënë as kam marrë  ndonjë të çuditshme (qesh).

Po fundjavat si janë për ju?

Deri tani kanë qenë full me gëzimet familjare, tani që liruam pak vetëm gocës po i përkushtohemi.  Ajo është gjithçka për ne.

Keni menduar për motër ose vëlla për Dailën?

Tani per tani  jo,  më vonë ç’të ketë shkruajtur Zoti.

A besoni në Zot?

Poo besoj shumë në Zot dhe e falenderoj për çdo gjë që më ka dhënë.

Cila është frika juaj më e madhe?

Vdekja…  Zoti na e ka dhënë jetën e prapë ai na merr. Por është gjëja më e vështirë që mud të përjetohet. Se dii Zoti na ruajt…

A është Nertila një femër e plotësuar?

Poo falenderoj Zotin për gjithçka kam. Faleminderit edhe ty e dashur për intervistën.