Intervista/ Neritan Liçaj: Të mos preket Butrinti, historia kombëtare dhe botërore

Publikuar më 28. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Brunilda Gorovelli

Rrëfimi 360 gradë i aktorit, nga jeta si pedagog, aktrimi, familja, dhe Shqipëria. Revolta për ndërtimin skandaloz në trashëgiminë tonë kombëtare dhe dëshira për të mos iu ndarë artit figurativ

Atë gjithmonë jemi mësuar ta shohim në skenën e teatrit, në ekranin e madh të kinemasë ose në ekranin e vogël të televizionit. Jemi duke folur për aktorin Neritan Liçaj, i cili vjen në këtë intervistë të gazetës “Shekulli” si aktor, baba dhe bashkëshort i përkushtuar. Bashkë jemi ndalur projektet që Liçaj është duke punuar, tek fundjavat familjare të tij dhe tek hobet. Një nga dashuritë më të mëdha të aktorit mbetet arti figurativ, të cilin ai herë pas herë në një pjesë të vogël të banesës së tij, ulet dhe hedh në letër bojëra të ngjyrave të ndryshme. Neritani është shumë i ndjeshëm ndaj problemeve kombëtare, sidomos kur bëhet fjalë për objekte apo tematike kulturore kombëtare dhe botërore, siç është rasti i Butrintit.

Për cilën shfaqje jeni duke punuar aktualisht?

Aktulisht jam duke punuar për shfaqjen  “Ëndrra e  një nate vere”, e cila është me një regjisore amerikane. Është caktuar si periudhë që të shfaqet premiera në muajin dhjetor. Data fikse ende nuk është vendosur por pritet që të jetë në fillim të dhjetorit.

Ju jeni kontribues edhe në film. Kur do kemi një të ri nga ju?

Sapo kam mbaruar një film me Besnik Vishon, i kemi mbaruar xhirimet para dy javësh. Është ende në postproduksion, ndaj ende nuk është gati për t’u parë me publikun. Postproduksioni apo para produksioni është një proces pak më i gjatë se xhirimi, në momentin që të përfundojnë do ketë edhe një datë për premierën e tij. Gjithashtu jam përzgjedhur që të jem pjesë e filmit të një regjisori rus, me një rol shumë shumë interesant, të cilin nuk e kisha menduar ndonjëherë ta luaja. Nuk dua të flasë më shumë për këtë pasi ende është shumë herët.

Shumë vite në teatër dhe film, cili është roli  që ju ka dhënë kënaqësi të pazëvendësueshme?

Që të them që një rol ka qenë më i mirë dhe një një rol ka qenë i keq, këtë nuk mundem ta bëj. Gjithmonë kur më është besuar një rol jam përpjekur të bëj më të mirën, jam përpjekur me mish e me shpirt t,i shkojë sa më afër kërkesave të regjisorit dhe dramaturgut. Pra, roli të jetë sa më i besueshëm, sa më afër kërkesave të regjisoriale dhe dramaturgjike. Por,  mund të them se kam pasur më tepër sukses në role klasike, të autorëve klasik, si duket kjo është edhe ndikim i dramaturgjisë. Mund të përmend Bomasheh, Shekspir, Molier, Çehov. Gjithashtu ka pasur edhe nga autorë jo klasik si psh Vanja te Zonja Masha… Ka pasur goxha role që kanë rezultuar të suksesshëm.

Rolet që i besohen një aktori janë nga më të ndryshmet. Për një rol të caktuar ju duhet shumë punë apo brenda njeriut jetojnë grimca të  vogla cilësisht që personazhet kanë?

Njeriu është i një enë e madhe e mbushur me ujë, i ka pak a shumë të gjitha pjesët brenda. Çdo njeri e ka të mirën dhe të keqen, ka përzgjedhjen e mirë dhe të gabuar. Njeriu për mendimin tim ka shumëllojshmëri cilësish, por është jeta pastaj që ndërton drejtimet pasi te çdo njeri në botë ka pak diktator që fle brenda. Ti nuk e zgjon brenda vetes, dhe mirë bën, por në një moment mund ta zgjosh dhe mund të bëhesh i tillë. Njeriu ka edhe dashurinë, edhe urrejtjen, edhe lumturinë, dhe dhimbjen dhe trishtimin euforinë, i kemi të gjitha emocionet brenda vetes sonë Mund të them se aktori i gjen ato brenda vetes, i kultivon, i punon për të arritur tek ajo figurë, tek ai personazh apo për të arritur kërkesat regjisoriale.

Më e vështirë të realizosh një film apo një shfaqje në teatër në vendin tonë?

Është më e vështirë të realizosh një film, kjo sepse filmi përveçse është art është edhe industri.Sigurisht që kërkon edhe para, e për fat të keq financimet e filmave në Shqipëri nuk janë nga më të mirat. Janë financime që lenë për të dëshiruar. Këtë e dinë të gjithë, kineastët, regjisorët edhe vetë qeveria e di që financimet nuk janë të mjaftueshme. Kjo krijon pak problem, nga ana tjetër teatri kërkon më pak fonde.

Teksa keni qenë me xhirime, cila ka qenë momenti më i sikletshëm apo çuditshëm që ju ka ndodhur ku ju është dashur të ndërpriten xhirimet?

Gjatë xhirimeve ndodhin stituata të tilla, disa të ardhura për shkak të kushteve atmosferike e disa për shkak të teknikës. Në filmin e fundit na duhej të filmonin një perëndim dielli, por nuk mundëm pasi filloi shiu dhe u desh që të spostoheshim në një vend tjetër për ta realizuar. Po ashtu mund të kujtoj tek filmi “Sekreti”,ku ndodhi që objektivi i kameras mori një njollë, kjo jo për shkak të motit, por as për shkak të teknikëve.  Brenda e objektivit ishtë një pikë e vogël njolle që në ekranin  e madh të kinemasë duket mjaft e madhe. U detyruam të ndërprisnim xhirimet, ndërsa kamera u çua në Gjermani. Pa kamera nuk mund të bënin dot gjë, ndaj për dy ditë nuk u bënë xhirime.

Ndërkohë Neritan, ju një periudhë kohe keni qenë edhe pedagog. Si e kujton atë periudhë?

Periudha kur unë kam qenë pedagog ishte mrekulli, ka qenë një periudhë shumë e bukur. Për fat unë kam pasur kurse shumë të mira. Në fakt ishte për tu habitur pasi po flasim për periudhën ‘97 ku vendi ishte në rrënim total, kishte akoma studentë dhe të rinj pasionantë. Gjëja më mirë ishte se unë mësoja shumë nga ata, jo vetëm i mësoja. Ka diçka, studenti është i virgjër nga ana profesionale dhe ka ide fantastike sa ti thua “ua po ku e gjeti”. Shumë të rinj me energjinë, mentalitetin, mendjen e hapur të tyre, maturinë, mençurinë dhe idetë me jepnin goxha. Një pjesë të tyre i kam kolegë madje bisedojmë duke kujtuar me shumë mall. Disa janë të realizuar në profesionin e tyre.  Në këtë pikë një pjesëz të vogël merite e kam dhe unë pasi merita padiskutim u takon atyre. Më kujtohet kur na thoshte i madhi Vangjush Furxhiu, “shkolla është abetare ndërsa me profesionin rritesh apo maturohesh kur del në stadin e prodhimit të një shfaqje” dhe kishte të drejtë.

Si nis dhe mbyllet një ditë e juaja?

Dita nis me familjen dhe mbyllet me familjen. Të gjithë në mëngjes zgjohemi dhe bëhemi gati dikush për në punë, dikush për në shkollë. Djemtë tani janë rritur dhe i kemi edukuar që gjërat duhet t’i bëjnë vetë pra të përgatiten, të rregullojnë krevatin, të lajnë dhëmbët (qesh). I kam edukuar se në shtëpi nuk ka shërbëtor, prindërit nuk  janë shërbëtorë. Unë zakonisht dal i fundit sepse provat i kemi pak më vonë,ndërsa ata nxitojnë në mëngjes. Unë bëj këtë që kur janë pak vonë si djemtë apo bashkëshortja i them “s’ka gjë, vazhdoni se i bën babi”. Ndërkohë pasditja të gjithëve na mbledh në shtëpi djemtë vijnë, bëjnë mësimet, shkojnë nëpër kurset që kanë. Kur të gjithë jemi në shtëpi bisedojmë, luajmë, bëjmë shaka, ndonjëherë edhe grindemi (qesh). Familja është e bukur, është mrekulli.

Përse ke zgjedhur që fëmijët tuaj të jenë në kurs për gjuhë të huaja, art dhe sport?

Mendoj që gjuhët e huaja janë të domosdoshme dhe janë një pasuri e madhe. Kam zgjedhur basketboll sepse është një sport shumë i mirë, inteligjent, i zhvillon, i forcon karakterin, të jep dëshirën për të luftuar. Të jep frymën e skuadrës, shpirtin e garës, lojën e ndershme. Pra, kalit shumë cilësi karakteriale përveç fizikut. Gjithashtu, ata ndjekin mësime pianoje dhe kitare. Kjo jo sepse dua të bëhen muzikantë,por një instrument është i bukur. Ata e kanë gjithë jetën ndoshta në gëzimet familjare mund ta përdorim. Muzika është jetë, të kultivon shije të mira, të zbut shpirtin, të zbukuron mendjen.

A kanë shprehur dëshirë që të jenë në aktrim?

Janë shumë të vegjël për të thënë këtë gjë, por mund të them që ata kanë luajtur pjesë të vogla, në teatër i kanë marrë nja dy herë për lexime sepse kanë qenë në moshën e personazheve që kanë dashur. Edhe tek “ Shtëpia pa dritare” ishin partnerë me mua në skenë. Jo sepse unë nuk dua të zgjedhin gjurmët e mia, nuk do ndikoj aspak në këtë gjë, le ta zgjedhin vetë. Detyra ime është që si prind ti bëj një qytetarë të mirë, të edukuar që di të njohi ndhe zbatojnë rregullat, të respektojnë shtetin, sikurse të kërkojnë drejtat e tyre nga shteti.

Fundjavat tuaja familjare apo me miqtë janë shumë të veçanta. Ku ishit herën e fundit?

Herën e fundit ishim në Mal të Zi, ku pamë Plavën dhe Gucinë. Ishte një mrekulli… Djali im, i vogli u shpreh” babi tani po e kuptoj pse serbët dhe malazezët i kanë marrë shqiptarëve Plavën dhe Gucinë”. Ndërsa unë e pyeta “përse”. “Sepse këtu natyra qenka kryevepër o ba”, më tha. Në malet tona janë ngjyrat e vjeshtës që janë shumë të bukura, ajri i pastër, ushqimi i mirë, jetë e shëndetshme. Unë dua që fëmija im të mos njohë më mirë Barcelonën se Shqipërinë ose Romën se Shqipërinë. Tanimë kushtet janë ta njohim vend tonë, është mëkat të mos e njohësh. Unë dua që fëmijët e mi ta njohin vendin e tyre pëllëmbë për pëllëmbë sepse janë shqiptar dhe për këtë unë jam krenarë. Dua që fëmija im të ketë koshiencë për origjinën e vetë, pasaj se ku do jetojnë e zgjedhin ata.

Jashtë aktrimit dhe udhëtimeve çfarë bën tjetër Neritani?

Unë duke qenë se kam mbaruar për Art Figurativ, në shtëpi kur kam kohë pikturoj dhe bëj skulptura. Piktura është një nga dashuritë e mia më të mëdha, por unë isha më i mirë në rrugën që kam zgjedhur të bëj që është aktrimi. Pikturat nuk i bëj se kam qëllim t,i publikoj, e bëj për hobi dhe pastrim. Vizatimi, hedhja e ngjyrave, figurimet e skulpturës të përqëndrojnë, të ridimensionojnë si njeri sidomos kur e ke pasion. Piktutrat janë nevojë e imja e brendshme për të shprehur diçka dhe mbetet aty. Ky aktivitet i imi varet gjithmonë nga angazhimet, unë do doja të meresha përditë nga pak, por jo gjithmonë jemi padronë të kohës, në kuptimin që kur je i ngarkuar je i detyruar që ta lesh pak mënjanë. Zakonisht kur jam më i lirë dhe nuk kam ndonjë prodhim në dorë, libri dhe arti figurativ janë gjithmonë të pranishëm tek unë. Në fakt librin e kam thuajse çdo ditë… Pikturat i ruaj duke i dhënë një raft në një nga dollapet tona (qesh).

Ju keni reaguar përmes rrjeteve sociale për Butrintin…

Po. Jam vërtet i zemëruar sepse ka disa gjëra që nuk preken. Zotërinjtë e pushtetit duhet të jenë zotërinj shteti,të respektojnë vendin e tyre, të respektojnë ligjet, jo ta ndjejnë veten mbi to dhe të mos i respektojnë.  Në fakt askush nuk ka informacion çfarë po bëhet vërtetë, por të gërmosh një gjysmë metri më thell pale çfarë mund të gjesh. Butrinti është pasuri kombëtare dhe botërore, të gërmojnë për të gjetur diçka. Imagjinoje të çohej Enea nga varri dhe të vinte aty dhe të gjente një lokal me qofte, me çfarë do i paguante pasi nuk njeh as lekun, as euron apo me lëkurë deleje. Jo pa qëllim e përmenda këtë, pasi dua të theksoj që Butrinti duhet të mbrohet sepse është një vend i shenjtë historik, një jehon i kohërave. Për asgjë në botë ai nuk duhet të preket. Aty është rritur dhe edukuar Perandori i parë romak, Augusti, atje ka qenë kur u vra Çezari. Pra, aty kemi edhe histori botërore.

Profesioni yt dhe i bashkëshortes suaj duket sikur nuk kanë pika ngjasimi. Sa kontribuoni ju tek profesioni i njeri tjetrit?

Unë di të them këtë që si unë ashtu edhe ime e shoqe punojmë me shumë pasion. Sa kontribuojmë këtë e tregon vepra jonë dhe koha, por një gjë jam i bindur ajo është shumë pasionante, me energji, ide në punën e saj. Një mikesha jonë i thotë Holtës “milingona punëtore”. Ajo ndihmon gjatë gjithë kohës target grupet në nevojë. Për mua ajo është një Nënë Terezë në mënyrën e vetë, kjo më bën shumë krenar. Në punën e saj sa herë kam kohë të lirë shkoj edhe unë. Jam krenar për punën që bën, jam krenar kur shikoj që njerëzit e duan me zemër dhe me shpirt, jam krenar  që ajo i jep një fije shprese atyre njerëzve që kanë vërtetë nevojë. Jam krenar për të si njeri, është njeri me zemër të madhe.

Të ndalemi pak tek raporti juaj me Holtën, u bënë shumë vite bashkë. Si ndjeheni pas kaq shumë kohësh?

Raporti ynë ka ardhur gradualisht duke prekur etapa të ndryshme. Në fillim nisi si marrëdhënie dashurie dhe nuk u nisëm me atë që patjetër duhet të përfundojmë bashkë, kjo rezultoi një marrëdhënie dashurie e fortë që na solli këtu ku jemi sot. Në fakt ne të gjitha gjërat nuk i kemi bërë aspak në mënyrën klasike apo tradicionale, nuk kemi bërë as shkëmbim unazash, as dasmë. Dua të them këto zakone janë shumë të bukura, por unë dhe Holta nuk jemi për këto, në këtë pikpamje jemi antikonfromist. Me kujtohet një herë duke bërë shaka u shprehëm “si s,bëmë një dasmë, po mirë kur të rriten të na e bëjnë djemtë”. Këto janë shumë të bukura shkëmbimi i unzave, dasma etj. Nganjëherë më vjen inat me veten se përse s,jam kështu, por nuk jam as unë dhe as ime shoqe.Gjithçka mes meje dhe Holtës ka ardhur në mënyrë shumë të natyrshme.

Çfarë nuk të pëlqen në Tiranën monotone dhe ritmin e shpejtë të saj?

Kaosi. Qytetet e mëdha në botë kanë trafik, por nuk janë kaq kaos. Njerëzit zbatojnë rregullat, nuk bërtasin, kur dalin në rrugë zbatojnë semaforin. Kurse ne jo, kemi filluar të disiplinohemi pak, por jemi larg të qenit urban. Më vjen keq që qyteti ku jam lindur dhe rritur më lodh gjatë javës dhe në fundjavë unë gjithmonë shkoj diku tjetër për t’ju shmangur kaosit.  Kjo ndodh sepse jemi një popull i padisiplinuar.

Ju pëlqen rregulli, të ka ndodhur të nervozoheni me rrëmujën që keni gjetur në shtëpi?

Kjo ndodh sepse ime e shoqe është me atë vrullin e saj dhe flakën e vetë, duke i lënë më vonë t’i regullojë gjërat. Kjo me nxeh  (qesh). Jo! Nëse ka diçka për ta rrëgulluar, rregulloje tani! Erdhe në shtëpi vare pallton në kremastar jo ta vendosësh mbi divan dhe rri dy orë aty (qesh). Por, tani unë jam mësuar me këtë gjë dhe kënaqem me rrëmujën që bën dhe i them “si arrin  që në 5 minuta të bësh rrëmujë shtëpinë”. Këto janë gjërat e bukura në çift. Unë jam ndryshe, im atë ka qenë ushtarak dhe jam rritur me rregullin apo gjërat e sistemuara.

Si e jetuan prindërit tuaj, motra dhe familjarët e Holtës çastin kur ju u bëtë me fëmijë?

Prindërit e mi kishin pasur edhe fëmijët e Elvirës më përpara, por ama kur erdhën fëmijët e djalit ishte tjetër gjë. Kurse Elvira ishte me krahë sepse u bë hallë. Ata nuk i thërrasin hallë dhe ajo nuk thotë që janë nipërit e mi, sepse kanë krijuar një raport të tillë miqësor. Ajo tani më tepër flet me ata se sa me mua, u jep shumë vëmendje. Mund të them se Elvira është një zonjë shumë e mençur.  Djemtë e mi janë fëmijë që e duan familjen, dajën, gjyshërit si të Holtës dhe prindërit e mi.  Kur mërziten në shtëpi me patjetër do shkojnë tek shtëpia e nënës. Nënat për to lënë gjithçka. Ato shkojnë atje sepse kanë qejf dhe kënaqen me bisedat për letërsinë. Janë pikërisht këto bisedat që fëmijët janë mësuar të bëjnë në shtëpi, të cilat i bëjnë edhe në shtëpinë e gjyshit.

Jeni kontribues edhe në gatim…

Po unë gatuaj dhe nuk gatuaj keq (qesh). Në ndryshim nga burrat e tjerë shqiptarë mua më pëlqejnë punët e shtëpisë, ndoshta është edhe nga fryma e famlijes, shembulli që më ka dhënë babi. Babi duke qenë ushtarak ishte shumë prezent në familje dhe me këto gjëra. Edhe pse ishte shumë i lodhur ai nuk ulej në tavolinë po të  mos ulej mami. Punët e shtëpisë janë qef. Mua më pëlqejnë pastat gatimet shqiptare, kam qejf gjërat tradicionale (përshesh me kulaç, musaka), peshkun, djathërat, po nuk pata djath nuk shkon vakti, peshkun e gatuaj vetëm në zgarë, jo në tavë.

Çfarë mban gjithmonë me vete?

Celulari, syzet, portofoli janë gjithmonë me vete. Cigaren nuk do doja ta kisha, por do e lë. Celulari është kushtëzues në jetë, por është i domosdoshëm. Pra është një e keqe e mirë! (qesh)