Intervista/ Eni Jani: Nuk shkëputem dot nga teatri, ju tregoj projektet e reja

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Brunilda Gorovelli

Aktorja dhe regjisorja Eni Jani vjen me një rrëfim interesant për jetën e saj familjare dhe profesionale këtë të shtunë për lexuesit e gazetës Shekuli. Ajo tregon përse vendosi që vajzat e saj të mbanin emrat Stina dhe Ajri

Ndërsa e takon shikon që tek ajo nuk ka ndryshuar asgjë përveç flokëve, të cilat i ka dhënë një ngjyrë bjonde të theksuar. Por, teksa fliste për intervistën tonë, ishte po i njëjti zë që pjesa më e madhe e shqiptarëve e ka dëgjuar tek seriali “Njerëz dhe fate”. Besoj e kuptuat që bëhet fjalë për Eni Jani Fuga, e cila tek seriali kishte rolin e Erës. Bashkë zhvilluam një bisedë të gjatë, miqësore dhe të ngrohtë, ndërsa flisnim për këto ditë të ftohta nëntori, projektet në televizion, teatër apo film, flisnim për agazhimin e saj në familje, përkushtimin ndaj vajzave, kthimin pas në kohë për t’u ndalur tek momentet më të bukura të dashurisë së saj me Gencin.

Si nisin ditët tuaja me angazhimin tashmë prej disa kohësh në TVSH?

Dita ime nis me zilen e celularit që më zgjon (qesh), prioritet është të përgatisë vajzën e madhe, e cila është 10 vjeç. Meqenëse edhe unë duhet të jem më herët në punë, Genci duke qenë pedagog në Akademi fillon më vonë mësimin diku nga ora 09:00, me përgatijen e vajzës së madhe merrem unë, ndërsa ai merret me vajzën e vogël që është vetëm 3 vjeç. Në mëngjes lë gati gjërat që i duhen vajzës së vogël,  pastaj të madhen e çoj në shkollë dhe përfundoj në punë. Pra, janë këto vrapet e mëngjesit, ndërkohë që vjen në punë, puna ka rutinën e vetë.

Do merresh me emisionet që do kesh, diskutimet për mbledhjet  e momentit apo  punë në montazh dhe gjëra teknike të vogla. Pra, varet si vjen dita. Tani mua më duket e thjeshtë pasi më është kthyer në ritunë timen dhe sa bie zilja në mëngjes, hapen sytë, çohesh nga krevati… është një çik problem tani në dimër i ftohti sa fillojnë lëvizjet e ditës se pastaj harrohet. Unë nuk e kam problemin te zgjohem se sa ndjeshmëria që kam ndaj të ftohtit. Jam pak mërdhace, e po kalitemi me këtë (qesh).

Së fundmi në TVSH keni kaluar në regjin e një emisioni politik. Si ndiheni në këtë fushë duke qenë se deri më tani keni qenë e përfshirë në emisionet e mëngjesit më së shumti?

Sapo ka filluar një emision i ri politik me titullin “Java”, të premten që shkoi është bërë puntata e parë. Jam regjisore e emisionit, i cili prezantohet nga Lorenc Vangjeli, Artan Hoxha dhe Preç Zogaj. Gjithashtu kam patur emisione sezonin e kaluar që priten të fillojnë ose më saktë tani është momenti duke qenë se po ndahen emisionet pres që të përcaktohet çfarë do kem. Emisioni “Mirësevjen”  nuk do të jetë më dhe për këtë më vjen keq sepse ishte i bukur që nga titulli, ishte diçka komplet ndryshe dhe i veçantë.

Me këtë emision synimi ishte që njerëzit të zgjoheshin më me sportivitet. Ndërkohë, emisioni “Java”është diçka e re, unë nuk jam marrë me politikën në kuptimin që të kem qenë afër, por kaq shumë sa po na vjen pranë politika tek telefoni apo tek  shtëpia, madje pa trokitur fare, më duket sikur edhe të mos duash të dëgjosh diçka politike vjen vetë (qesh). Nuk e shoh fare si vështirësi dhe nuk dua ta marrë si të atillë, mëë shtë dhënë si detyrë dhe përse të mos e bëjmë.

Kur do luani një film bashkë me Gencin?

Se di… Kur ta sjelli fati, në skenë rastisi që luajtëm tek komedia “10 vjet martesë”, kurse në film nuk e di. Nuk e kemi pasur qëllim që të jemi në një film të dy. Kjo ndodh se unë nuk shquhem shumë për tek pjesa e komedisë, ndërsa Genci është më tepër këtu, ndaj mendoj që kur bëhen zgjedhjet nuk na shohin asnjëherë bashkë,  vetëm po të rastisi ndonjë skenar që mund të jetë një personazh komik dhe një më serioz.

Ditët gri nuk ju pëlqejnë, me të ftohtin si keni mirë “raportet” si motivoheni apo frymëzoheni përpara  një tabloje të tillë?

Jeta është shumë e çuditshme dhe kam përshtypjen se kjo ndodh me çdo njeri. Çdo njeri ka momente shumë të mira të vetat, ka momentet ku nuk ndjehet mirë me situatën, punën. Në fakt në ditët e sotme është luks dhe fat që të punosh në një vend pune që ti e do, pra nuk punon për hall. Mbase nuk është deri në fund ajo që dua, pasi dua shumë teatrin, nuk jam shkëputur nga ai dhe patjetër që do punoj me regjinë e teatrit.

Unë e kam bërë tentativën e parë më Sartrin me “Dyert e mbyllura” dhe aktualisht po punoj vetë me një vepër tjetër, kur ta kem të kopsitur në mendjen time do filloj ta konkretizoj… Por njeriu gjithmonë një pjesë të vetes së tij nuk e shpreh dhe mbase-mbase me asnjë janë këto gjëra që unë nuk i shpreh, që janë dëshira të miat, më motivojnë. Nuk jam natyrë që them “unë do ta bëj…” por nuk dorëzohem pasi brenda vetes sime e di që do vij momenti,çasti i duhur dhe unë do ta bëj këtë gjë. Duke e dashur shumë gjënë, duke patur shumë besim tek vetja kjo më mban me dëshirën dhe shpresën… Gjëra të bukura mund të bësh edhe në televizion pavarësisht se nuk meresh dot me teatrin.

Pas kaq vitesh bashkë me Gencin si ndjeheni teksa keni përjetuar momente të ndryshme?

Gencin e kam pasur profesor dhe më ka dhënë mësim. Në atë kohë nuk iu duka interesante (qesh).Ka qenë një film që po e xhironim jashtë vendit, “Nata pa hënë” ku ishim në raportin aktor dhe unë që vazhdoja ta thërrisja profesor. Nga ana tjetër Genci më thoshte gjithmonë të mos e thërrisja ashtu, mbase që në atë kohë kishte filluar të më shihte me sy tjetër por unë nuk e kisha kuptuar.

Ndodh pas kësaj filmi tjetër e shikoja që nuk ishte ajo marrëdhënia e pedagogut, unë vazhdoja t’i thërrisja profesor. “Mos më thirr më profesor” më thotë, ndërsa unë që i them “nuk të thërrasë dot ndryshe”. Ndërsa rrinim qëndronte më i shpenguar, nuk mbante atë distancën që duhet të mbante. Mënyra se si po sillej dhe fliste më dukej e çuditshme, por e argumentova me faktin që ishim kolegë. Fillova të shkoja ndryshimet derisa gjërat u bënë më të qarta dhe të kuptueshme.

Duket shumë familjarë, aq sa mund t’ju ndihmojë dhe me punët e shtëpisë…

Po po ashtu është. Neve çdo gjë e kemi bërë vetë dhe e kemi zgjedhje. Siç e përmenda mëngjesi fillon me ndarjen e punëve, Genci nuk është natyrë që ka kompleks të bëj pazarin, nuk ka kompleks të marë gocën nga çerdhja. Pra atë që shpreh apo reflekton është e vërtetë. Ndryshe nuk do ia dilnim dot ose unë nuk do ia dilja dot. Madje ka raste që me darkën merret Genci ngaqë darka është më e lehtë dhe i pëlqen të merret vetë. Na rastisi njëherë kur na tha një ditë “do ju bëj petulla sot”. I ka bërë kaq të mira sa gocat ia kërkojnë vetëm atij t´i bëj.

Po ju sa amvisë e mirë jeni?

Unë nuk e kam luksin që të  hap librin e kuzhinës të shoh një recetë të veçantë dhe ta bëj për qejf sepse nuk kam kohë. Më duhet të vrapoj gjatë gjithë kohës, edhe pasditja është e ngarkuar duke iu përkushtuar vajzave, por mund të them që di të gatuaj shumëllojshmëritë e gjellëve.

Po Eni nënë si është?

Përkushtimi ndaj familjes, vajzave dhe Gencit sigurisht që është primar. Mbase dhe kam “sakrifikuar” nuk gjej fjalë tjetër pasi ajo që bën për fëmijën nuk quhet kurrë sakrificë. Mund të them që mund të kem zgjedhur mëmësinë pra të jem pranë vajzave, duke refuzuar një projekt. Unë jam egoiste tek puna ime por jo aq sa ndërmjet këtyre të dyjave të zgjedh karrierën apo pjesën e një shfaqjeje. Mendoj që çdo njeri që i ka fëmijët në moshën që i kam unë, patjetër që do shkëputet nga diçka nga puna e vetë dhe do i përskushtohet fëmijëve.

Unë nuk mendoj që përkushtimi humbet me rritjen e fëmijëve pasi çdo moshë ka problematikat e veta, por që janë  më të rritur dhe janë më të zotët e vetes dashur pa dashur ti ke mundësi që të mereshn me punët. Mendoj që edhe pak më duhet për ta kaluar këtë fazë që unë të jem totalisht e përkushtuar te puna. Kështu që kur vajzat të rriten edhe pak unë do kem më shumë hapësirë (qesh).

Cila nga vajzat është në natyrë si Eni dhe cila është si Genci?

Gocat tona janë të përziera sepse kanë marrë nga të dy ne. Po i referohem Stinës, ka momente që rri e shikoj dhe më kujton veten kur kam qenë e vogël dhe ka momente që reagon Genci kështu. Shikoj gjëra që i ka të Gencit dhe shikoj gjëra që i ka nga unë. Ajri është vetëm 3 vjeç, shtë shumë më lozonjare, psh nëse ndodh që mund të bëj ndonjë “gabim” e shikon që ti në portret je shumë serioze dhe përpiqet që të qeshë, të marë me të mira, dëshiron ta marrë kalanë nga brenda. Është “dredharake” për ta shmangur gabimin që ka bërë, ndërkohë Stina ka qenë  natyrë që nëse e bënte e pranonte që e kishte bërë. Stina është natyrë më e heshtur dhe shumë e ndjeshme, psh nëse unë do ti flasë për ndonjë gjë ajo fillon qan përnjëherë, kështu kam qenë edhe unë. Qaja shumë nga filmat, edhe pse mund t’i kisha parë shumë herë unë sërish qaja. Së fundmi isha me një mikeshëm time në teatër për të parë shfaqjen “Çifti i çuditshëm”. Kur dolëm nga shfaqja unë qaja, ndëkohë që ajo më thoshte “çfarë ke që qan sepse ishim në komedi” ndërkohë qeshte me mua. “Po e shikoj në një tjetër dimension” i thashë. Kështu jam unë, kështu i shoh gjërat…. më kujtohet kur kam qenë e vogël shikoja filmat e antikitetit si “Herkuli” apo “Arritën Titanët” në TVSH qaja për kuajt. Nuk më shpëtonte asnjë film apo teatër kur isha e vogël madje qëndroja shumë afër televizorit sa më thonin të afërmit “kujdes se do qërrohesh”.

Stina dhe Ajri, përse keni zgjedhur këto dy emra për vajza tuaja?

Jam shumë e kënaqur që i kemi vënë këto emra. E para ka qenë kusht që do ishin emra shqiptar, unë e dua shumë vendin tim, pavarësisht se mund të ketë një mijë e një të zeza. Madje kur dëgjoj njerëz që e shajnë gati futem në debat me to, edhe  pse ato kanë të drejtën e tyre të mendojnë ndryshe. Gjithsesi, edhe Genci e pëlqente këtë gjë, që emrat të ishin shqiptar. Mbase këtu ndikon njëçik pjesa e të qenit artist, e doja të veçantë se ka plot emra shqiptar. Kam qenë diku 6 apo 7 muajshe shtatzanë dhe emrin akoma nuk e kishim gjetur, ndërkohë që vjen një shoqja jonë nga Danimarka.

Ajo sapo ishte martuar në Danimarke dhe po tregonte përshtypjet  e veta për të, në një moment thotë se atje kanë një emër që e kanë shumë të përhapur dhe është emri Stina, kuptimi i të cilës ishte aromë. Kuptohet nuk e thonë me theksin shqiptar Stina, por mua më goditi sapo e dëgjova sepse më tingëllonte në shqip. Kur ndahemi  i them Gencit “si të duket emri Stina”.  Ishte i padëgjuar, tingëllonte çuditshëm edhe kur e testoja tek njerëzit  thonin “ç’është ky emër” (qesh).

Gjithsesi, nga njëra anë thoja sa mirë që nuk e pëlqejnë se nuk do përhapet shumë, ndërkohë brenda vetes e kisha  të vendosur që e doja për vajzën. Kjo sepse e para është shqiptar, përcakton diçka të përjetshme stinët, ka ngjyrat e të gjitha stinëve, klimën mikse duke qenë se përmblidhte kaq shumë gjëra të bukura në vetvete dhe ishte kaq i veçantë u vendos. Por,  problemi më i madh ishte kur mbeta sërish shtatzanë dhe mësova që ishte vajzë sepse duhej sërish një emër shqiptar por në nivelet e emrit Stina.

Ajrin e kam pasur shumë të vështirë të ma përcaktojnë si gjini për shkak të pozicionit që kishte. Mirëpo doja të dija me patjetër dhe shkova në maternitet ku si përfundim u pa që ishte vajzë. Ky çast është një kujtim shumë i bukur, mbaj mend që Stina kishte blerë  një tufë lule të cilat mi dha pasi mësuam gjinën e bebit. U ulëm pimë një kafe, e pranishme ishte edhe një mikja jonë. Shkëputem pak nga ata.

Nuk e kërkoja emrin, thosha  do më vijë natyrshëm… Në ato momente përsërisja Stina, Stina ndërkohë që më pas thashë “Ajri”. Stina dhe Ajri kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe shkoj i them Gencit, vajzës dhe mikeshës sime “si ju duket emri Ajri”? Të gjithë e pëlqyen dhe ndaj u vendos që vajzën e dytë ta quajmë kështu. Nuk kam çfarë të shpjegoj për Ajrin pasi i përmbledh të gjitha, ishte në nivelet e emrit Stina. Stinë-ajër janë njësh, të përjetshme të dyja.

Çfarë të pëlqen më shumë tek Genci?

Qetësia. Unë jam e kundërta, jam gjakënxehtë. Këtu po ndaj dhe një sekret me ju (qesh). Genci është natyrë shumë më e qetë saqë ka pasur momente në fillim ndihesha keq sepse ai gjithmonë i merrte gjërat me një qetësi dhe thosha ndonjëherë po “mirë unë kaq e pazonja jam që se kontrolloj veten”. Po jam sanguine, jam natyrë që reagoj menjëherë, jam shumë e drejtëpërdrejtë mbase për shumë gjëra nuk duhet të them jo se më duket gabim, por se realiteti ku jetojmë e detyron njeriun që duhet të heshti për një gjë që është e vërtetë për t’u thënë. Dhe ky quhet një kompromis dhe mua nuk më pëlqen fare. Një nga gjërat që e ka shumë të mirë me shumë të tjerave është kjo qetësia dhe objektivitet.

Kujtoni një moment shumë të bukur nga dashuria juaj?

Në memorien genetike timen unë mbaj dhe kujtoj gjithmonë një moment që për mua është shumë i bukur, ndoshta për shumë të tjerë nuk mund të rezultoj kështu. Por, për mua është i atillë. Ne kemi qenë duke shëtitur diku jashtë, jo në Shqipëri, përpara nesh ishte një peisazh mahnitës, ku shihje të gjitha ngjyrat e mundshme që kishte vjeshta, ndërsa ne shëtisnin filloi të binte borë, duart i kishim akull por të ftohtin nuk e ndjenim. Ajo shëtitja, ato ngjyra, ai mot, ato flokët e borës, ato gështenjat e pjekura që blemë për mua janë të magjishme. Edhe aroma që ishte përrreth ishte një mrekulli që unë e kam shijuar dhe e kam tek gjërat e mia të bukura. Ishte një shëtitje shumë e gjatë, ndërkohë shëtisnim sepse po na pëlqente të dyve. Kjo shëtitje është një nga gjërat e bukura që unë kam me Gencin.

Projektet?

Kam projektie në teatër dhe në film. Kam bërë disa audicione dhe paraqitje,  ende nuk janë konfirmuar ndaj jam në pritje të tyre. Kur të vij momenti i duhur do të flasë më shumë rreth tyre.