Intervista/ Eksperti i Moody’s: Do të ketë dhimbje para se të shihet drita në fundin e këtij tuneli të frikshëm!

Covid-19 po prek ekonominë globale dhe atë shqiptare, por si do të dalë Shqipëria nga kjo situatë?  Flet për “Shekulli”-n Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar pranë Korporatës Moody’s.

Briselda Hoxha

Për shkak të situatës së krijuar në Shqipëri, pritet që vendi ynë të përjetojë dëme të mëdha ekonomike. Eksperti i Moody’s, Ilir Hysa, thotë se kohëzgjatja e pandemisë ‘Covid-19’ do të jetë vendimtare për të përcaktuar përmasat e dëmeve në ekonominë e vendit, në thellimin e varfërisë, në rritjen e papunësisë, tek bizneset dhe mbi të gjitha, tek humbja në njerëz. Hysa thotë se Organizmat Ndërkombëtare që konsultojnë Shqipërinë, kanë nxitur stabilitet të çmimeve, një inflacion rreth 2%, por këto nuk janë kohë normale dhe pavarsisht përpjekjeve të qeverisë për të ndëshkuar abuzuesit, rritja e çmimeve do të mbetet realitet i këtyre kohëve të trazuara. Përsa i përket ekonomisë globale, eksperti thotë se për të, rënia e aktivitetit dhe recesioni është pothuajse i paevitueshëm. Më tej Hysa thotë se një e treta e popullsisë së Shqipërisë jeton nën nivelin zyrtar të varfërisë dhe për këtë arsye, vështirësitë e reja financiare vetëm do t’a përkeqësojnë situatën. Në lidhje me Covid-19, eksperti mendon se nëse kufizohet shpëndarja e virusit, duke respektuar thirrjen për të qëndruar në shtëpi dhe duke u trajtuar të infektuarit, ne do të mundemi t’a mbyllim me më pak dhimje këtë kapitull të errët dhe thotë se kjo gjë kërkon që të rinjtë të kufizojnë lëvizjet sepse virusi mund të shpërndahet në mënyrë krejt të pavullnetshme. Por çfarë masash duhet të merren, a do të ketë Shqipëria të njëjtin fat si Italia? Përsa i përket masave, eksperti thotë se e përshëndet qeverinë për masat që ka marrë por kjo gjë mund të bëhej edhe më mirë sesa kaq, gjithsesi ai mendon se ky nuk është momenti i duhur për të diskutuar për këtë, pasi ky është moment për solidaritet e bashkëpunim dhe sipas tij, çdo qytetar duhet të kuptojë se veprimet, e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, kanë pasoja, ndaj ndjekja e rregullave mbi lëvizjen e kufizuar duhet zbatuar. Në të kundërt, për fat të keq, humbja do të jetë e madhe. Për më tepër detaje, lexojeni intervistën e dhënë për “Shekulli”-n të Drejtorit të Asociuar pranë Korporatës Moody’s, Ilir Hysa.

 

Z. Hysa, si pritet të preket ekonomia shqiptare nga Covid-19?

Shumëçka mbetet fluide dhe një përcaktim i saktë i dëmit të shkaktuar do të ishte i nxituar, por ja çfarë mund të thuhet me siguri: Deri para pak ditësh, numri i ekonomistëve që e shihnin hyrjen e ekonomisë globale në recesion si një ngjarje me probabilitet rreth 50% ishte i vogël. Tashmë, kjo ka ndryshuar. Ka një konsensus të gjerë rreth fatit të ekonomisë globale në muajt që vijnë dhe ai është rënia e aktivitetit dhe recesioni pothuajse i paevitueshëm.

Po ashtu, deri para pak ditësh, edhe në skenarin më të keq të mundshëm, pakkujt i kishte shkuar ndër mend t’a krahasonte tkurrjen ekonomike me atë gjatë Krizës Financiare Globale të vitit 2008. Mjerisht, tani skenarët më të zymtë jo vetëm që i tejkalojnë dëmet e asaj krize por ngjasojnë me ‘Depresionin e Madh’ të viteve 1930, kohë gjatë se cilës bankat deklaronin “Bank Holidays” dhe mesatarisht, në çdo katër punëtorë njëri ishte i papunë.

Pse ky evoluim në të menduarit e ekonomistëve? Informacioni i ri po lejon që të kuptohen më mirë përmasat e problemeve të krijuara. Them problemeve sepse situata e krijuar është shumëdimensionale. Së pari, kemi të bëjmë me një krizë në fushën e shëndetin publik. Rritja e numrit të personave të infektuar i ka vënë sistemet shëndetësore, madje edhe ata më të mirët në botë, në pozitë tejet të vështirë. Por përtej shqetësimeve që po përjetojnë bluzëbardhët, kjo është edhe një krizë ekonomike e cila mundet potencialisht të vijë me dëme shumë të mëdha. Sikur të mos mjaftonin këto shqetësime madhore, pasiguria e madhe në eter rreth shtrirjes kohore të krizës është po aq e dëmshme sa edhe vetë gjërat shqetësuese që kanë pushtuar ciklin e lajmeve të ditës.

Pas kësaj paranteze të gjatë, le të kthehemi me konkretisht tek Shqipëria. Shqipëria do të përjetojë gjithashtu vështirësi ekonomike por një vlerësim i saktë i rritjes apo rënies ekonomike do të ishte i pamundur në mungesë të informacionit mbi kohështrirjen e krizës. Kjo edhe pse tani kemi njëfarë ideje mbi reagimin e qeverisë.  Një faktor tjetër komplikues janë fondet e ndihmave për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. A do të vihen ato në punë? Një element tjetër pasigurie është ndonjë tërheqje e mundshme e donatorëve të tubuar në 17 shkurt 2020 në konferencën e donatorëve që Bashkimi European organizoi për Shqipërinë në Bruksel. Por nëse hamendësojmë se lëvrimi i fondeve nga donatorët nuk ndyshon dhe, sipas gjasave, se aktiviteti ekonomik që buron nga rindërtimi vonohet si pasojë e virusit, atëhere rritja ekonomike prej 4% e parashikuar nga FMN-ja nuk do të materializohet. Kjo pjesërisht si pasojë e ndërprerjes së aktivitetit ekonomik të shumë entiteteve ekonomike dhe së dyti si pasojë e rritjes së çmimeve, gjë që do të peshojnë mbi kërkesën. Organizmat ndërkombëtarë që konsultojnë Shqipërinë kanë nxitur stabilitet të çmimeve, një inflacion rreth 2%, por këto nuk janë kohë normale. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të ndëshkuar abuzuesit, rritja e çmimeve do të mbetet realitet i këtyre kohëve të trazuara.

Por ky nuk është i vetmi skenar i mundshëm. E them me keqardhje, dhe kjo analizë nuk synon të krijojë panik, por duhen konsideruar edhe skenarë të tjerë të mundshëm e më të zymtë për ekonominë globale. Ata janë pjesë e punës sonë në ditët që vijnë.

Me masat që janë marrë deri tani, a mendoni se Shqipëria do të dalë pa u ‘lagur’ shumë nga kjo epidemi që e ka prekur?

Masat që janë marrë deri tani në Shqipëri duhen përshëndetur, por për arsyet që sapo përmenda, Shqipëria nuk ka shanse të dalë pa u dëmtuar nga kjo situatë e vështirë. Qëllimi kryesor duhet të jetë të minimizohet dhimbja kolektive dhe sidomos e familjeve dhe individëve në nevojë.

Sa mendoni që do të ndikojë kjo situatë në thellimin e varfërisë dhe në rritjen e papunësisë?

Kjo është pyetja që duhet t’i preokupojë të gjithë qytetarët dhe dashamirët tanë në Shqipëri dhe jashtë saj. Kjo krizë mbart me vete potencialin e trishtë të shndërrimit në një krizë humanitare. Sipas Bankës Botërore, një e treta e popullsisë së Shqipërisë jeton nën nivelin zyrtar të varfërisë. Vështirësitë e reja financiare vetëm do t’a përkeqësojnë situatën, ndaj aktet qeveritare dhe solidariteti qytetar mbeten e vetmja shpresë për shumë familje në nevojë.

Po me shkëmbimet tregtare, me importin dhe eksportin, çfarë pritet të ndodhë?

Qeveritë e vendeve të rajonit e kuptojnë nevojën jetike të shkëmbimeve tregtare dhe me siguri do të bëjnë gjithçka që është e mundur që masat dastike që kufizojnë lëvizjen të jenë minimale ose të mos ekzistojnë për mallrat. Megjithatë, një kanal tjetër, ai i lëndëve të para, mund të prodhojë dëme të konsiderueshme. Lëndët e para, për prodhuesit shqiptarë dhe të rajonit, mund të bëhen më të kushtueshme dhe të vështira për t’u gjetur. Kjo do të mjaftonte për të ndadalësuar prodhimin e tregtinë. Këtu është edhe thelbi i shqetësimit në rritje mbi një krizë të mundshme humanitare, sepse Shqipëria prodhon pak dhe është e orientuar nga importet.

A do të ketë biznese që do të falimentojnë?

Fatet e bizneseve, sidomos atyre të vogla e të mesme, do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë së COVID-19. Paketa lehtësuese e qeverisë do të ndihmojë, por ajo do të shërbejë si “medikament” për të mjekuar plagët por nuk do ti prekë të gjitha.

Duke e krahasuar me shtetet e tjera të prekura, si ju duken masat që ka marrë qeveria jonë?

Masat e qeverisë kanë qenë të mira. Le ti ruajmë kritikat rreth PPP-ve, kriminalitetit e vrasjes së shpresës e të eksodit pafund për më vonë. Në këto kohë të trazuara, për të mirën e Shqipërisë, çdo shqiptar duhet ti urojë qeverisë sukses! Fundja, një qeveri e një vendi të vogël si Shqipëria nuk ka pse të ndjehet inferiore në këtë rast, kur edhe “vendet e fuqishme u zunë gafil”, siç tha Kryeministri Rama, dhe sisteme superiore të shëndetsisë u gjunjëzuan keqas. Mjafton të hedhësh sytë nga ana tjetër e Adriatikut…

Por po të fillonim një analizë të thelluar, mund të gjenim edhe gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Për shembull, qeveria mund të kishte qenë edhe më proaktive dhe të kishte ndalur më herët fluturimet  ajrore dhe mënyrat e tjera të lëvizjes nga Italia. Por një analizë e tillë duhet bërë më vonë, jo tani, kur fokusi duhet të jetë në situatën që kemi, jo atë që do të dëshironim të kishim.

A ishte ky plani financiar, me 7 pika, kundër Covid-19 që ju prisnit të prezantohej nga qeveria dhe a mendoni se me këtë plan do arrihet të kompensohen të gjithë të prekurit nga koronavirusi që përmendi kryeministri?

Plani financiar fillestar i qeverisë nuk do ti zgjidhë të gjitha problemet, dhe jo sepse është plan i keq, porse natyra e problemit është tejet komplekse. Në fakt, asnjë paketë stimuluese, përfshirë këtu atë $1 trilionëshe në Sh.B.A., nuk i zgjidh të gjitha problemet.

Ndaj, plani i qeverisë Rama duhet parë si përpjekje e mirë në realitetin shqiptar, edhe pse një studim më i hollësishëm do të nevojitej para daljes në konkluzione mbi të. Një shprehje e përdorur shpesh këtu në SHBA, kur bëhet fjalë për paketat fiskale, thotë se djalli është në detaje (the devil is in the details), dhe kështu që efekti lehtësues për bizneset nuk do të matet nga doza e retorikës qeveritare por nga implementimi i masave konkrete të parashikuara në paketë.

Por gjithësesi, qeveria ka shtrirë dorën për bashkëpunim dhe duhet mbështetur sepse alternativa do të ishte shumë më e zymtë. Në një ditë normale, pika 6, ajo e faljes së kamatë-vonesave dhe që lejon të përfitojnë 211024 abonentë do të ngjallte debat, por këto nuk janë ditë normale.

Do të jetë paketë që do e ndihmojë ekonominë e Shqipërisë apo thjesht një paketë që i jep një “dorë” situates aktuale?

Sikurse çdo paketë COVID-19 e miratuar këto ditë, përfshirë ato të vendeve të zhvilluara, nuk do t’a zhbëjnë dëmin e pandemisë kërcënuese. Paketat vetëm se do të ndihmojnë në zbutjen e dhimbjes së krijuar nga ndërprerja e aktivitetit ekonomik, por duhet thënë shkoqur se do të ketë dhimbje para se të shihet drita në fundin e këtij tuneli të frikshëm.

Numri i viktimave që janë shënuar në Itali deri tani po na tmerron, duke menduar që Italinë e kemi kaq afër, a mund të ketë edhe Shqipëria të njejtin fat?

Ashtu është. Por mjerish, çfarë ka ndodhur nuk mund të zhbëhet. Mendoj se nëse kufizohet shpëndarja e virusit, duke respektuar thirrjen për të qëndruar në shtëpi, dhe të monitorohen/trajtohen të infektuarit, ne do të mundemi t’a mbyllim me më pak dhimje këtë kapitull të errët. Por kjo kërkon që të rinjtë e të shëndetshmit të kufizojnë lëvizjet dhe të mos mendojnë vetëm për vete. Virusi mund të shpërndahet në mënyrë krejt të pavullnetshme. Për shembull, 4 në çdo 5 të infektuar në SHBA e kanë marrë virusin nga dikush që nuk e ka ditur se është i/e infektuar. Kjo është drama e kësaj lufte të lodhshme psikologjike.

Çfarë masash shtesë duhet të merren në vendin tonë që të dalim sa më mirë nga kjo situatë?

Një pyetje e tillë mund të interpretohet si e dyfishtë. Njëra anë ka të bëjë më higjenën personale, sidomos larjen e shpeshtë të duarve, dhe ndjekjen e këshillave të tjera të specialistëve të shëndetsisë. Tjetra lidhet me nevojën për një sens përgjegjësie qytetare e bashkëpunimi. Çdo qytetar duhet të kuptojë se veprimet, e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, kanë pasoja. Ndaj, e përsëris, ndjekja e rregullave mbi lëvizjen e kufizuar duhet zbatuar.

Si e prisni vitin e ardhshëm (2021) në aspektin ekonomik dhe në mirëqenien e qytetarëve?

Në rastin e një pandemie që venitet së shpejti, viti i ardhshëm do të shënonte fillimin e rekuperimit, rritjen e investimeve, në një kohë kur interesi i një kredie do të jetë afër rekordeve të ulëta historike. Kjo do të nxiste punësimin dhe do të mbështeste të ardhurat dhe konsumin. Në një skenar më të zymtë të shtimit apo rikthimit të rasteve infective, viti 2021 do të ishte jo shumë më inkurajues se sa ky vit.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet