Intervista/ “AMF ka bërë hapa pas, drejtohet nga persona politikë”

Publikuar më 06. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Recesion/ Ligjet për kontratën e sigurimit në të drejtën shqiptare të pakompletuara, doktor Silvana Bello bën propozime të rëndësishme legjislative në librin “Kontrata e Sigurimit në të drejtën rumune dhe shqiptare”

Jeta jonë gjithmonë e më shumë është e lidhur me një prej instituteve më të rëndësishme juridike të së drejtës civile, kontratës. Më në fund për lexuesin shqiptar, doktor Silvana Bello, sjell një analizë të kompletuar të kontratës së sigurimeve, duke analizuar kontratën e sigurimit në të drejtën rumune dhe në të drejtën shqiptare.

Jo vetëm kaq, në librin “Kontrata e Sigurimit në të drejtën rumune dhe shqiptare”, (botim i UETpress) autorja nëpërmjet studimeve të thelluara e madje dhe shembujve konkretë nga praktika gjyqësore në të dy vendet, arrin në përfundimin se duhen rregullime të reja  ligjore të kontratës së sigurimit në të drejtën shqiptare, pasi në Kodin tonë civil nuk janë rregulluar të gjitha kontratat e sigurimit që ofrohen nga shoqëritë e sigurimit në treg.

Një libër kushtuar kontratës së sigurimeve, i bazuar në studime shumëdisplinore, si filozofi, teoria e përgjithshme e së drejtës, e drejta kushtetuese, në referime interesante historike, shkenca ekonomike, shkenca politike etj. Për të gjithë ju që keni vendosur të lidhni një kontratë sigurimi për pasurinë, jetën, përgjegjësinë civile etj., ky punim qartëson ligjet e së drejtës së sigurimeve, duke shmangur kështu që në të ardhmen të bëheni viktimë e abuzimit nga shoqëritë e ndryshme. Mos e lini veten të painformuar përballë natyrës komplekse të operacioneve të sigurimit, por informohuni duke nisur nga dëshmia e kontratës, polica e sigurimit, si dhe njohja e elementëve të detyrueshëm të saj në të drejtën shqiptare.

Mësoni nëpërmjet këtij libri detyrimet thelbësore të personave që sigurohen, mospërmbushja e së cilave, i jep të drejtën siguruesit të shmangë dëmshpërblimin. Kështu sigurohuni përpara se të lidhni kontratën se e keni njoftuar siguruesin për të gjitha rrethanat, si dhe natyrën e masën e rrezikut që i kanoset objektit të sigurimit. Janë të shumtë ata që mendojnë se edhe në fushën e kontratës së sigurimeve prova me dëshmitarë mund të quhet e vlefshme para ligjit.

Por përse ky arsyetim është i gabuar edhe në rastin e ekzistencës së një fillimi prove me shkresë? Bello shpreh pikëpamjen e saj, duke u mbështetur edhe në praktika gjyqësore. Kështu pasi ajo sqaron në bazë të argumenteve se pse kontrata e sigurimeve nuk mund të jetë solemne, por vetëm një kontratë konsensuale e pranueshme nga të dyja palët, na tregon një rast konkret që e vërteton këtë, duke gjetur mbështetje në praktikën gjyqësore. Në një shembull konkret gjykata shqiptare i ka lejuar njërës palë që kishte humbur policën e sigurimit të vërtetonte ekzistencën e kontratës së sigurimit nëpërmjet formave të tjera (të konfirmuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë).

Disa të drejta të tjera specifike për të gjithë ju që do të siguroheni përveçse të pretendoni dëmshpërblimin nga siguruesi, por mbi të gjitha çfarë masash duhet të merrni nëse shoqëria e sigurimeve refuzon në mënyrë të pajustifikuar vendos të mos ju paguajë janë: e drejta për të lidhur sigurim shtesë, për të kërkuar ndryshimin e kontratës ose ndryshimin e përfituesit të dëmshpërblimit të sigurimit. Interesant është ilustrimi i një situate të tillë nëpërmjet një rasti konkret në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë.

Një person i siguruar është detyruar të marrë me qira një makinë të ngjashme me makinën e dëmtuar, pasi siguruesi nuk ka paguar dëmshpërblimin për dëmet për një periudhë të gjatë kohe. Zgjidhja e Gjykatës konsiston në detyrimin e shoqërisë së sigurimit të paguajë kundërvlerën e marrjes me qira të kësaj makine, pasi dëmi i shkaktuar personit të siguruar është një dëm i drejtpërdrejtë, dhe siguruesi është fajtorë që nuk ka respektuar detyrimet kontraktuese.

Një vëmendje e veçantë u kushtohet edhe efekteve të kontratës së sigurimit ndaj palës së tretë, që po praktikohet gjithmonë e më shumë edhe në vendin tonë veçanërisht në rastet e sigurimit të jetës, por jo vetëm. Bello ka ilustruar me një shembull konkret nga praktika gjyqësore në vendin tonë, se si gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apeli kanë rrëzuar të paarsyetuar dhe të pabazuar në ligj dhe në prova pretendimin e palës paditëse për shpërblimin e dëmit nga kontrate e përgjegjësisë civile, kundrejt të tretëve të lidhur midis siguruesit dhe një shoqërie tregtare.

Ajo ka argumentuar bazuar në doktrine dhe në kontratën respektive pse kërkesa e palës për dëmshpërblim është një kërkesë e drejtë. Kjo palë edhe pse nuk është palë në kontratë duhet të përfitojë dëmshpërblim pasi kontrata e sigurimit është lidhur pikërisht për të prodhuar efekte juridike vetëm për përfituesin, kontrata në dobi të palës së tretë. Pasi ka sqaruar detyrimin për informim të personave që sigurohen dr. Bello shqyrton detyrimin e ndërsjellët të operatorëve ekonomikë.

Në rast se detyrimi për informim nuk përmbushet atëherë parashikohen sanksione specifike. Për shembull, nëse shoqëria e sigurimit nuk ju informon gjatë lidhjes së kontratës për detyrimet kontraktore, si shuma maksimale e sigurimit, primi i sigurimit, (shuma e paguar nga i siguruari në favor të siguruesit), rreziku i sigurimit si dhe sanksionet në rast të mospërmbushjes së tyre atëherë mund të aplikohet pavlefshmëria relative e kontratës. Mirëpo kusht i domosdoshëm për këtë është që pala që ngre pretendimin për ekzistencën e mashtrimit të provojë se ai ka ndodhur pasi prezumimi i mashtrimit nuk njihet.

Autorja nuk ngurron të kritikojë haptazi në bazë të argumenteve vendime të instancave supreme, si rasti i mëposhtëm që i përket Gjykatës së Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë. Në një rast konkret klauzola e një kontrate sigurimi parashikon që i siguruari duhet të reklamojë ngjarjen brenda 5 ditëve dhe nëse këto dispozita nuk respektohen shoqëria e sigurimit ka të drejtë të refuzojë dëmshpërblimin.

Duke qenë se nuk është mundur të përcaktohet shkaku i ndodhjes së rrezikut të sigurimit, madhësia apo shtrirja e dëmit (siguruesi nuk provoi pamundësinë për t’i vërtetuar) brenda afatit zgjidhja e gjykatave të ulëta ka qenë rrëzimi i padisë të të siguruarit për dëmshpërblim, duke e konsideruar të paligjshme, për më tepër që edhe barra e provës i takon atij. Po ky, sipas autores, është një vendim i kritikueshëm, pasi ligjvënësi ka ndjerë nevojën e një dispozite të veçantë, që i jep mundësi siguruesit të lehtësohet nga detyrimi për pagesën e dëmshpërblimit.

Të gjitha këto edhe më shumë do t’i gjeni në librin “Kontrata e Sigurimit në të drejtën Rumune dhe Shqiptare”, të cilin një nga figurat më të shquara akademike rumune, Ion Dogaru (doktor në drejtësi), ua sugjeron në veçanti atyre që punojnë në fushën e teorisë dhe praktikës së sigurimeve, studentëve të juridikut dhe ekonomikut, si dhe studentëve të shkencave sociologjike e politike.

Një studim, që sipas tij, ngjall interes gjithashtu për një sferë më të gjerë të lexuesve dhe publikut në tërësi, për të njohur më mirë institutet juridiko-ekonomike, por edhe politike, pasi lidhen drejtpërdrejti ose në mënyrë të tërthortë me jetën dhe të mirat e tyre materiale.

Kontrata e sigurimit dhe problematikat kryesore sipas Silvana Bellos.

 “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë hapa pas, drejtohet nga persona politikë”

Në një kohë që veprimtaria e sigurimit vjen çdo ditë duke u zgjeruar, duke sjellë me vete rreziqe dhe paqartësi, edhe për shkak të vakumit ligjor në legjislacionin tonë, dokt. Silvana Bello sjell për lexuesin shqiptar një punim të thelluar ku informon dhe mbi të gjitha bën propozime konkrete për përmirësimin e legjislacionit. Në librin “Kontrata e sigurimit në të drejtën rumune dhe shqiptare” ajo bën një analizë të mirëfilltë të veçorive juridike të kontratës së sigurimit, dhe nëpërmjet kësaj interviste për “Shekulli”-n, na shpjegon mangësitë kryesore të konstatuara në legjislacion, si dhe jep përgjigje për disa nga çështjet më shqetësuese që hasin palët në lidhje të një kontrate sigurimi. Një tjetër problematikë, që Bello vë në dukje është regresi në drejtimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pasi pas tij qëndrojnë persona politikë të përzgjedhur nga parlamenti. Cilat disa nga rreziqet kryesore që personat e siguruar hasin, të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe të shoqërive të sigurimit? Si një eksperte për më shumë se një dekadë e gjysmë dokt. Silva shpjegon disa nga problematikat kryesore.

Zonja Bello, sapo keni botuar librin “Kontrata e sigurimit në të drejtën Rumune dhe Shqiptare”. Cili është qëllimi i këtij studimi?

Qëllimi i këtij studimi është të analizojë kontratën e sigurimit në të drejtën shqiptare dhe rumune, duke nxjerrë vakumet ligjore në legjislacionin tonë edhe, duke konkluduar edhe me propozime konkrete për përmirësimin e legjislacionit, respektivisht Kodit Civil i adoptuar në vitin 1994. Duke qenë se veprimtaria e sigurimit është zgjeruar ndjeshëm çka pasqyrohet me ofrimin e produkteve të reja të sigurimit, kontrata e sigurimit nga shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, legjislacioni ka mbetur pas, pasi këto kontrata të reja nuk gjejnë rregullim ligjor në Kodin Civil. Kodi civil shqiptar ka parashikuar vetëm tre lloj kontratash sigurimi, kontrata e sigurimit të pasurisë, kontrata e sigurimit të jetës dhe kontrata e sigurimit nga aksidentet në punë.

Në libër, sillni shembuj për përmirësimin e legjislacionit shqiptar në aspektet e së drejtës (duke ju referuar një sistemi të panjohur nga doktrinarët rumunë). Cilat janë disa nga mangësitë thelbësore që mund të na përmendni?

Mangësia kryesore e konstatuar edhe në këtë studim pas analizës së veçorive juridike të kontratës së sigurimit, është konsiderimi i kontratës së sigurimit jo si kontratë formale solemne, por si kontratë konsensuale. Në të drejtën kontinentale, kjo kontratë trajtohet si kontratë konsensuale ku pajtimi i vullnetit të palëve është i mjaftueshëm për vlefshmërinë e saj.

Operacionet e sigurimit janë komplekse dhe shpesh i siguruari mund të bëhet viktimë e abuzimit nga shoqëritë e sigurimeve. Sipas jush, sa të mbikëqyrura janë te ne këto shoqëri dhe a kemi ne autoritete administrative, që merren me këtë çështje?

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është autoriteti publik i krijuar me ligjin për mbikëqyrjen e veprimtarisë së shoqërive të sigurimit me qëllim krijimin e një tregu të qëndrueshëm, transparent të besueshëm në mbrojtje të interesave të investitorëve dhe personave të siguruar. Duke qenë një aktivitet shumë specifik, i cili kërkon njohuri të posaçme kërkon në të njëjtën kohë edhe përgatitjen dhe trajnimin e vazhdueshme të stafit të Autoritetit Mbikëqyrës, për të qenë personel me aftësi profesionale të spikatura dhe integritet moral. Aktualisht, konstatohet një regres dhe janë bërë hapa prapa pasi në drejtimin e këtij institucioni janë përzgjedhur nga parlamenti persona politikë.

Në raste të veçanta sa përgjegjësi mban nëse i siguruari firmos pa u informuar, si duhet për kushtet dhe detyrimet e kontratës?

Ligji i ri për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit 52/2014, ka parashikuar për herë të parë detyrimin e shoqërive të sigurimit për të informuar të siguruarin paraprakisht para lidhjes së kontratës me qëllim pajtimin e vullnetit të palëve nënshkruese, për të cilën është parashikuar edhe pavlefshmëria e kontratës së sigurimit dhe detyrimi i saj për t’i paguar të siguruarit dëmin e shkaktuar. Është detyrim i çdo shoqërie sigurimi për të përgatitur një manual të thjeshtë për informimin e të siguruarve para nënshkrimit të kontratës nga njëra anë dhe detyrë e AM-s për të kontrolluar, që ky parashikim ligjor të mos mbetet vetëm në letër. Nga ana tjetër mendoj se AMF-ja duhet të sensibilizojë dhe ndërgjegjësojë publikun që mos të lidhin asnjë kontratë sigurimi, nëse shoqëria nuk jep paraprakisht informacionin e parashikuar në ligj.

Ndodh që personat që sigurohen nuk deklarojnë gjatë lidhjes së kontratës masën, rrethanën dhe natyrën e rreziqeve në lidhje me objektin e sigurimit të tyre. përse një veprim i tillë është në dem të tyre? Çfarë rrezikojnë ata?

Është shumë e rëndësishme për të siguruarin dhënia e informacioneve të kërkuara në lidhje me objektin e sigurimit, pasi nëse nuk jepet ky informacion siguruesi zgjidh kontratën e sigurimit, mban primin e paguar dhe në rast të ndodhjes së ngjarjes së sigurimit redukton shumën e sigurimit në rast se gjatë periudhës së vlefshmërisë së kontratës kanë ndodhur ndryshime të rrethanave thelbësore, që reduktojnë shumën e dëmshpërblimit. Kodi civil shqiptar ka parashikuar detyrimin e të siguruarit për të dhënë informacione në lidhje me objektin e sigurimit dhe në rast se i siguruari nuk informon siguruesi, ky i fundit zgjidh kontratën e sigurimit, duke i mbajtur të siguruarit primin e sigurimit. Po ashtu është parashikuar me ligjin e ri 52/2014 edhe detyrimi i siguruesit për të informuar të siguruarin nën sanksionin e pavlefshmërisë relative të kontratës së sigurimit dhe detyrimin e pagesës së dëmshpërblimit nga ana e siguruesit.

“Ju rrëfej dy personalitetet, që kanë mbetur në mendjen time”

 

Silvana Bello rrëfen ëndrrën e saj të kahershme, drejtësinë, të cilën e plotësoi vetëm në Bukuresht. Gjithashtu tregon edhe për jetën e saj, si nënë dhe bashkëshorte. Shën Tereza dhe mentori i saj,  prof. dr. Ion Dogaru, anëtar i Akademisë Rumune janë dy personat, që kanë lënë gjurmë në jetën e saj

Është diplomuar fillimisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por drejtësia ka qenë një ëndërr e saj e kahershme, të cilën mundi ta realizonte në Bukuresht. Për më shumë se një dekadë e gjysmë dokt.Silva Bello ka punuar në fushën e të drejtës kryesisht në të drejtën e sigurimeve, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për t’u përditësuar për të rejat në këtë fushë në Shqipëri dhe jashtë saj. Gjatë rrugëtimit të saj profesional dhe jetësor rrëfen se ka pasur takime me shumë figura të larta, por ata që i kanë lënë më shumë mbresa janë Shën Tereza dhe mentori saj prof.dr.Ion Dogaru, akademik dhe personalitet i së drejtës në Rumani, i cili shpreh për librin e Bellos, “Kontrata e sigurimit në të drejtën rumune dhe shqiptare”, konsideratat më të larta.

Zonja Bello, fillimisht keni kryer studimet e larta për Kimi Industriale. A mund të na tregoni, se si lindi dëshira për të bërë një kapërcim nga profili shkencor në atë të drejtësisë?

Drejtësia ka qenë një ëndërr e imja e kahershme të cilën e plotësova vetëm në Bukuresht. Shkenca nuk ka qenë pasioni im, por duhet ta pranoj se ajo më ka ndihmuar për arritjet e mija, se siç thotë edhe mentori im profesor Dogaru: “Drejtësia është shkenca e arsyes”.

Tashmë keni rreth 15 vjet eksperiencë në fushën e sigurimeve, si specialiste (2 herë anëtare bordi e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare) dhe drejtuese departamenti. Po çfarë mund të na tregoni më tepër për rreth kësaj eksperience, vështirësitë, por edhe lehtësirat që keni hasur?

Eksperienca ime është në fushën e të drejtës civile kryesisht në të drejtën e sigurimeve, e cila bashkon edhe të drejtën tregtare. Vështirësitë e punës janë bashkudhëtare të saj, por duhet të pranoj se kam patur edhe lehtësira, të cilat i dedikohen formimit tim shkencor-juridik, eksperiencën e gjatë në fushën e sigurimeve, por jo vetëm dhe mbi të gjitha përpjekjet e mia të vazhdueshme dhe këmbëngulëse për t’u përditësuar me të rejat në këtë fushë jo vetëm në Shqipëri.

Normalisht, që gjatë këtyre viteve keni pasur fatin që të bashkëpunoni me njerëz të ndryshëm. A mund të na veçoni bashkëpunimin, që ka lënë më tepër gjurmë në karrierën tuaj profesionale?

Kam patur fatin e madh, falë edhe funksionit të bashkëshortit, Marko Bello, si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Rumani dhe më vonë, si deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe anëtar i  KM-s, duke më dhënë mundësi të jemi në rrethe shoqërore të tilla, që kanë ndikuar në personalitetin tim. Në këtë rrugëtim të gjatë kam takuar personalitete të larta, por në mendjen time kanë mbetur dy personalitete, njëra është Nënë Tereza, të cilën e kam takuar në vitin 1992 dhe mentori im prof.dr.Ion Dogaru, anëtar i Akademisë Rumune, një personalitet i së drejtës në Rumani, i cili më ka inkurajuar dhe mbështetur për të thelluar njohuritë e mia në shkencat juridike dhe të cilit i jam shumë mirënjohëse. Do doja të ndaja me lexuesit tuaj të nderuar një mesazh që prof. Dogaru u përcjell studenteve të tij: “Te duash jetën, është fare pak, ta urresh atë, thjesht i provon vetes dhe të tjerëve se nuk mundesh dot t`i zbërthesh asaj kuptimet, dimensionet dhe vlerat e saj. Ta jetosh atë si mision për përmbushjen e idealeve të shtrenjta për popullin të cilit i përket, t’i zbulosh asaj kuptimin e thellë, t`i vesh vetes qëllim të veprosh në përputhje me vlerat, që ajo përcjell dhe t`i lësh diçka brezave që vijnë, ky mendoj është kuptimi i jetës. Mund të synosh drejt idealeve të tilla, mund të realizosh ëndrrat e tua më të guximshme, vetëm nëse punon me përkushtim dhe vullnet shembullor. Përpiqu, këmbëngul, mos u dorëzo dhe atëherë do te shikosh se si do të shpërblehem mundi, vuajtjet dhe përpjekjet e tua të pareshtura”.

Silvana, një femër në karrierë, nënë, por edhe bashkëshorte. Çfarë do të na tregonit më tepër rreth këtyre dy roleve?

Jam përpjekur për t’i mbajtur në ekuilibër karrierën  dhe familjen. Nuk e di sa ia kam arritur, por një gjë mund të them me siguri se atë që bëj dua ta bëjë me dashuri. Një poet i madh rumun Marin Preda shprehej: “Nëse nuk ka dashuri asgjë nuk ka”.

Mendoni se deri më tani, çdo gjë e keni bërë siç duhet, në secilin nga rolet e mësipërm, apo mendoni se ka gjëra që mund të ishin bërë edhe më mirë?

Patjetër ka vend për më mirë.

Dhe së fundmi, a mund të na veçoni disa nga momentet tuaja më të lumtura gjatë këtij rrugëtimi?

Momentet me të lumtura janë ato që projektojnë të ardhmen e çdo individi, si shkollimi, krijimi i familjes, karriera dhe edukimi i vazhdueshëm, për të qenë i dobishëm për familjen dhe shoqërinë.

Biografi

Silvana Bello (1965) ka lindur në Tiranë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit Shtetëror të Tiranës, dega Kimi Industriale (1984-1989). Ka kryer studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Bukureshtit (1994-1999) dhe është lincensuar në shkencat juridike (2000). Master në Administrim Biznesi në Fakultetin e Ekonomisë Tiranë, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës SHBA (2005-2007). Ka fituar gradën shkencore “Doktor në drejtësi” nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Administrative, Universiteti Publik i Krajovës, Rumano (2012-2-16). Ka një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e sigurimeve; ka punuar në disa kompani të sigurimeve në Shqipëri, si specialiste edhe drejtuese departamenti. Për dy vjet (2003-2005) ajo ka qenë anëtare bordi dhe nënkryetare e Komisionit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë, ndërsa në periudhën 2006-2008, znj.Silvana Bello ka qenë anëtare bordi e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) me vendim të Kuvendit të Shqipërisë. Silvana Bello është bashkautore e legjislacionit të sigurimeve, si dhe autore e një sërë artikujsh mbi kontratat, sigurimin e detyruar dhe vullnetar, përgjegjësinë civile nga aksidentet automobilistike etj. Avokate që nga viti 2003.