Insuficienca kardiake, komplikacionet, parandalimi dhe trajtimi

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Elona Tereziu

Elton Qeli, mjek kardiolog, tregon rastet kur insuficienca kardiake manifestohet në formë akute/me vështirësi në frymëmarrje të menjëhershme, parandalimi dhe trajtimi përmes një mjekimi shumë të kujdesshëm dhe afatgjatë. Pacientët duhet të ndjekin me rigorozitet këshillat e mjekut kardiolog dhe të kryejnë vizita të rregullta, në mënyrë që të ulet sa më shumë mundësia e shkuarjes në urgjencë dhe numri i shtrimeve spitalore.

Insuficienca kardiake, apo e thënë ndryshe pamjaftueshmëria e zemrës, është një gjendje mjekësore serioze ku zemra nuk arrin të pompojë gjakun në trupin e njeriut siç duhet. Si sindromë klinike, ajo zhvillohet mbi bazën e një dekursi afatgjatë të një sëmundje (kardiake ose ekstrakardiake) që në vetvete është kronike, siç mund të jetë hipertensioni, sëmundja ishemike e zemrës, sëmundja e artereve koronare, aritmitë e ndryshme, problemet kongenitale të zemrës etj.

Ndër shenjat klinike të saj, mund të përmendim vështirësinë në frymëmarrje, që mund të manifestohet në sforco të caktuara fizike, të lehta ose të moderuara, por edhe në kushte qetësie, lodhjen e shprehur/këputjen trupore, mungesën e oreksit, fryrjen e venave jugulare nga mos mbushja siç duhet e zemrës me gjak, ënjtjen e gjymtyrëve të poshtme etj.

Elton Qeli, mjek kardiolog, tregon për gazetën “Shëndet+” se në rastet kur insuficienca kardiake manifestohet në formë akute/me vështirësi në frymëmarrje të menjëhershme, kur pacienti ka çrregullim të parametrave që hyjnë tek emergjencat kardiake, siç mund të jetë një krizë hipertensive, një tension arterial mbi 180 mmHg, një aritmi akute ose një aritmi kronike me frekuencë shumë të lartë të rrahjeve mbi 110-120, sëmundja merr karakter urgjent dhe pacienti duhet trajtuar në kushte spitalore.

Ndërkohë që flet për parandalimin, ndalet në mënyrë të veçantë edhe tek trajtimi, ku thekson se insuficienca kardiake kërkon një mjekim shumë të kujdesshëm dhe afatgjatë. Pacientët duhet të ndjekin me rigorozitet këshillat e mjekut kardiolog dhe të kryejnë vizita të rregullta, në mënyrë që të ulet sa më shumë mundësia e shkuarjes në urgjencë dhe numri i shtrimeve spitalore.

Çfarë është insuficienca kardiake?

Insuficienca kardiake (IK) është pamjaftueshmëria e zemrës për të pompuar gjakun në trupin e njeriut siç duhet, si rezultat i pakësimit të eficencës/funksionit pomp që ka zemra, për shkaqe nga më të ndryshmet.

Klasifikohet në dy ndarje të rëndësishme:

 

  1. Insuficiencë kardiake sistolike
  2. Insuficiencë kardiake diastolike

Cilat janë shenjat klinike të sëmundjes?

Insuficienca kardiake ndër shenjat klinike kryesore të saj ka vështirësinë në frymëmarrje, e cila mund të manifestohet në sforco të caktuara fizike, të lehta ose të moderuara, por edhe në kushte qetësie. Për këtë arsye, ajo ndryshe klasifikohet si insuficiencë kardiake në katër klasa të rëndësishme, që janë klasa 1, 2, 3, dhe 4 varësisht momentit kur shfaqet vështirësia në frymëmarrje në lidhje me sforcimin fizik ose efortin. Përveç vështirësisë në frymëmarrje, ankesa të tjera që paraqesin personat me insuficiencë kardiake janë lodhja e shprehur/këputja trupore, mungesë oreksi si rezultat i stazës së gjakut venoz në stomak ose zorrë dhe enjtja e gjymtyrëve të poshtme.

Këto janë shenjat/ simptomat subjektive, pra që na i referon vetë pacienti gjatë vizitës, pasi kemi edhe shenja objektive që konstatohen nga mjeku gjatë ekzaminimit klinik. Ndër këto shenja mund të përmendim ngarkesën e mushkërive në formën e raleve, që mund të jenë rale krepitante, mund të dallojmë fyerjen e venave jugulare nga mos mbushja siç duhet e zemrës me gjak, ënjtjen e gjymtyrëve të poshtme/ edemat, ndonjëherë mund të kenë edhe versament pleural.

Sa shpesh haset kjo patologji?

Insuficienca kardiake është një sindromë klinike që në përgjithësi haset si rezultat i një ecurie kronike afatgjate të një sëmundje të caktuar primare të zemrës. Pra, insuficienca kardiake si sindromë klinike ka një bazë primare nga e cila zhvillohet, që do të thotë, mund të jetë një pacient me hipertension për shembull ose që ka vite që mjekohet me hipertension, por që me kalimin e kohës ka zhvilluar kardiopati hipertensive dhe kjo pastaj mund të klasifikohet klinikisht edhe si insuficiencë kardiake.

Ndërkohë që insuficienca kardiake mund të manifestohet edhe në kuadrin afatgjatë të një sëmundje ishemike të zemrës ose një sëmundje të artereve koronare, pacient i cili mund të ketë kaluar një infarkt të mëparshëm, mund të ketë pësuar zemra rimodelim (zmadhim), çrregullime të lëvizshmërisë segmentare, të mureve të zemrës.

Të gjitha këto me kalimin e kohës bëjnë që të kemi një ulje të funksionit sistolik ose të funksionit pompë të zemrës, dhe klinikisht mund të manifestohet me insuficiencë kardiake. Insuficienca kardiake mund të jetë një gjetje klinike edhe në rastet kur një pacient ka aritmi (çrregullime të ritmit të zemrës), dhe kur kjo vazhdon për një periudhë të gjatë dhe frekuenca ngelet e lartë, ata mund të manifestojnë edhe insuficiencë kardiake e cila bazën mund ta ketë tek aritmia.

Patologjitë e tjera

Por, insuficienca kardiake haset dhe në patologji të tjera të cilat ne mund t’i hasim jo shpesh në shërbimin parësor, por që kur i hasim janë patologji specifike ose patologji që mund të shoqërohen me insuficiencë kardiake, siç mund të jetë sarkoidoza,  amiloidoza e zemrës, pra janë sëmundje sistolike por që mund të prekin dhe zemrën në deskursin e tyre. Mund të jenë hemokromatoza, por insuficienca kardiake ndërkohë mund të shfaqet si sindroma klinike edhe atëherë kur nuk ka një patologji primare bazë të zemrës, por mund të ketë problem të tjera të cilat klinikisht mund të shoqërohen me dispne, siç mund të jetë për shembull një anemi e rëndësishme, ku kemi një rënie të kuadrit të hemoglobinës dhe në këtë rast pacientët mund të manifestojnë vështirësi në frymëmarrje.

Një gjetje tjetër që unë e has shpesh në praktikën klinike janë dhe pacientë që kanë problem me funksionin e gjëndrës tiroide, sidomos ata që kanë hipertirozë, pra rritje të funksionit të tiroides. Në shumë raste këto shoqërohen me çrregullime të ritmit të zemrës dhe kryesisht me takikardiomiopati, dhe kjo bën që në një dekurs afatgjatë të sëmundjes pacienti të ketë rrahje të shpejta të zemrës, si edhe vështirësi në frymëmarrje, pra klinikisht të ketë edhe insuficiencë kardiake, por që baza mbetet gjithmonë një problem ekstrakardiak. Sikundër mund të ketë dhe probleme të tjera, siç mund të jetë një gjendje febrile, një gjendje me temperaturë të lartë ose një gjendje me një infeksion bronkopulmonarë akut që mund të shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje.

Në këtë rast, kjo ka vlerë në pacientët që kanë probleme kronike të zemrës, sepse një infeksion bronkopulmonarë mund të ndodhi dhe në një subjekt të ri/ të pa sëmurë ndonjëherë më parë dhe që nuk ka probleme bazale të zemrës. Në këtë rast kjo shoqërohet me insuficiencë kardiake, ndërsa nëse një infeksion bronkopulmonarë me bronkopneumopati akute zhvillohet mbi bazën e një problemi kronik të zemrës, në shumë raste ai shoqërohet me  një ekzacerbim (shpërthim) të këtij problemi  dhe insuficencë kardike, sidomos tek pacientët që kanë problem kronike me zemrën me rimodelim të saj, me kardiomiopati të dilatuar ose zemër të zmadhuar, tek këto raste duhet të kenë kujdes dhe të mbrohen nga infeksionet bronkopulmonare, sepse vetë këto infeksione mund të zhvillojnë insuficiencë kardiake ose ta rëndojnë kur ajo është e shfaqur tek këto subjekte.

Kë prek më shumë dhe ku haset më tepër? 

Duke qenë se insuficienca kardiake shfaqet si një dekurs klinik i një problemi bazë kardiak ose ekstrakardiak, zakonisht ne e hasim në mosha mbi 60 vjeç, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi pacientë me insuficiencë kardiake edhe në mosha më të reja. Nëse këta individë kanë zhvilluar probleme kardiake më herët, sidomos sëmundje ishemike të zemrës që zhvillon kardiomiopatinë ishemike, ndodh që insuficienca kardiake të haset edhe më herët se 60 vjeç.  Në përgjithësi insuficienca kardiake haset në të dyja gjinitë, në forma të ndryshme, por që tek femrat incidenca e shprehjes është pak më e lartë se tek meshkujt. Megjithatë kjo varet dhe nga forma e insuficiencës kardiake, pasi siç e theksuam më lart, kemi dy forma të rëndësishme të insuficiencës kardiake, sistolike dhe diastolike, të cilat ndahen midis tyre përmes ekzaminit eko kardiografik (ekos së zemrës), ku nga studime të shumta, por edhe nga ajo që ne shohim përditë në shërbimin ambulatorë, vihet re që femra ka një incidencë më të lartë të insuficiencës kardiake diastolike. Po ashtu, kjo tendencë për insuficiencë kardiake diastolike vihet re edhe tek pacientët me diabet dhe hipertension, ndërkohë që tek pacientët me sëmundje ishemike ose sëmundje të enëve koronare ka një prirje që të zhvillohet insuficienca kardiake me komponent sistolik.

Kur konsiderohet insuficienca kardike e rrezikshme, rast për urgjencë?

Në rastet kur ajo manifestohet në formë akute/ me vështirësi të menjëhershme në frymëmarrje, kur pacienti ka çrregullim të parametrave që hyjnë tek emergjencat kardiake, siç mund të jetë një krizë hipertensive, një tension arterial mbi 180 mmHg, një aritmi akute ose kronike me frekuencë shumë të lartë të rrahjeve mbi 110-120, një sindromë koronare akute që mund të shoqërohet me insuficiencë kardiake akute në formën edem pulmonare akute ose shok kardiogjen. Në të gjitha këto raste insuficienca kardiake merr karakter urgjent dhe duhet trajtuar në kushte spitalore.

Si bëhet diagnostikimi i sëmundjes?

Gjëja e parë është ekzaminimi klinik/ vizita mjekësore tek mjeku specialist kardiolog. Kryerja e ekos kardiake. Bilanci biokimik i përgjithshëm i analizave për të parë nëse pacienti vuan nga probleme të tjera shëndetësore, të cilat, për llogari të tyre, mund të japin insuficiencë kardiake. Ekzaminimi i funksionit të tiroides gjithashtu është shumë i rëndësishëm, ekzaminimi i formulës së gjakut për të parë nëse pacienti ka anemi ose jo dhe sa është niveli i anemisë, ekzaminimi i komponentëve të tjerë nëse ka komponentë inflamatorë, ekzaminimi i markuesve për insuficiencë kardiake siç mund të jenë proBNP që është një ekzaminim shumë i rëndësishëm për të diagnostikuar pacientët me insuficiencë kardiake, dhe nëse janë aktualisht të diagnostikuar për të parë ecurinë ose prognozën e tyre. Radiografia e mushkërive është gjithashtu shumë e rëndësishme për të parë si është situata kardiake, raporti kardiotorakal për të parë nëse ka komponent të mushkërive, të cilët mund të ndikojnë apo jo në klinikë të ndonjë vështirësie në frymëmarrje. Radiografia e mushkërive është shumë e rëndësishme dhe për të bërë diagnozën diferenciale ose përjashtimin e problematikave të tjera shoqëruese.

Ekzaminime të tjera shtesë mund të jenë edhe një skaner torakal ose rezonanca magnetike, e cila është shumë e rëndësishme për të vlerësuar saktësisht funksionin sistolik të zemrës, si dhe për të parë në përgjithësi strukturat torakale, apo siç mund të jetë dhe koronarografia në rastin kur ke një problem të urgjencës që ka të bëjë me sëmundjen ishemike të zemrës. Deri në koronarografi mund të shkojmë. Ndërsa problemet valvulare të zemrës, që bëjnë një bazë të rëndësishme për të bërë insuficiencë kardiake, nuk diagnostikohen vetëm me ekon e thjeshtë kardiake transtorakale por edhe me ekon transezofageale, e cila është një lloj ekoje e cila vlerëson me saktësi dhe precesion të lartë problemet valvulare tek të cilat ne mund të kemi jo vetëm probleme valvulare por edhe problem të tjera të zemrës, probleme kongenitale etj, kur me ekon e parë transtorakale kemi dyshime.

Trajtimi?

Insuficienca kardiake nuk është e vështirë për t’u diagnostikuar, por, për sa i përket menaxhimit afatgjatë, këtu ngelet sfida e mjekëve kardiolog. Insuficienca kardiake kërkon një mjekim shumë të kujdesshëm dhe afatgjatë. Pacienti duhet t’i ndjekë me rigorozitet këshillat e mjekut, qoftë në marrjen siç duhet të shkarkuesve që janë baza e mjekimit. Bazë tjetër për mjekimin e insuficiencës kardiake janë ACEI, betabllokuesit, spirolonactoni ose antogonistët e aldosteronit siç quhen ndryshe, dhe varësisht pastaj situatës klinike mund të japim edhe diuretikët tiazidike ose të anses (Lasix). Medikamente të tjera që kanë dalë kohët e fundit për të mjekuar insuficiencën kardiake janë edhe Entresto, një kombinim i sacubitril me valsartan, shumë i mirë, sidomos tek pacientët që kanë insuficiencë kardiake me fraksion injeksioni të ulur poshtë 40%.

Këshilla?

Unë do e vija theksin tek vlerësimi dhe kontrollet e herë pas hershme që duhet të bëjnë pacientët me insuficiencë kardiake. Vizita të rregullta tek mjeku i familjes dhe më pas tek mjeku kardiolog, në mënyrë që të ulet sa më shumë mundësia e shkuarjes në urgjencë dhe numri i shtrimeve spitalore. Këta pacientë duhet të zbatojnë në mënyrë rigoroze këshillat e mjekut kardiolog. Të ruajnë peshën nën kontroll, pra të bëjnë herë pas here peshime për të parë nëse kanë nevojë për të marrë shkarkues më shumë ose jo. Të bëjnë aktivitet fizik të reduktuar, të ruhen nga virozat e stinës dhe infeksionet pulmonare, sepse tek pacientët që kanë probleme kronike të zemrës këto janë raste për të zhvilluar shpërthim të insuficiencës kardiake. Gjithashtu këshillohet të reduktohet sa më shumë kripa në ushqime.