INSTAT: Shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri ra me 16.5% në 2017-n

Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2017, rezulton 7.931, duke shënuar një rënie me 2,3 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016, thuhet në raportin e ri të INSTAT. Gjatë vitit 2017, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2,7 %, krahasuar me një vit më parë.

Numri i vdekjeve për tremujorin e katërt 2017 rezulton 5.408, duke shënuar një rënie prej 6,9 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Numri i vdekjeve në vitin 2017, është 22.232 persona, duke shënuar një rritje me 3,9 %, krahasuar me një vit më parë.

Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt 2017 është 2.523 dhe rezulton me rënie 8,0 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Ky tregues për vitin 2017 është 8.637 dhe rezulton me rënie 16,5 % krahasuar me një vit më parë.

Në tremujorin e katërt 2017, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.191 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet qarku i Durrësit me 375 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga qarku i Dibrës me 257 lindje më shumë se vdekje.

Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e katërt 2017, regjistron vlerë negative vetëm në dy qarqe (Gjirokastër dhe Korçë). Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 41 numrin e lindjeve.

Bashkë me emigracionin e lartë, rënia e lindshmërisë në nivelet më të larta historike është tregues i qartë se shoqëria po përjeton një fazë depresioni, me pasoja të rënda në të ardhmen (koment i Monitor). Bizneset e arsimit parashkollor shumë shpejt do të vihen në vështirësi dhe tregu do të përballet me humbjen e forcës së aftë të punës.

Lindjet

Sipas INSTAT, Numri më i ulët i lindjeve për tremujorin e katërt 2017 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, 158 lindje, me një rënie prej 6,0 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 2.529 lindje, të cilat shënojnë rritje me 2,8 % në krahasim me tremujorin e katërt 2016.

Shtatë qarqe pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e katërt 2017, krahasuar me tremujorin e e katërt 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Elbasanit me 15,0 % dhe qarku i Beratit me 13,7 %.

Vdekjet

Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e katërt 2017 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.338 vdekje, me një rënie prej 7,5 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 142 vdekje, me një rritje prej 0,7 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2016.

Rënia më e madhe e numrit të vdekjeve në krahasim me tremujorin e katërt 2016, është regjistruar në qarkun e Dibrës me 41,9 %. Në tremujorin e katërt 2017, gjithashtu, me rënie të numrit të vdekjeve paraqitet qarku i Beratit me 15,9 %, qarku i Durrësit me 8,3 % dhe qarku i Fierit me 8,1 % krahasuar me tremujorin e katërt 2016.

Të tjera

VERTIGO

Gazetarja dhe kritikja e artit Elsa Demo bën një rrugëtim në skenën e re të ArTurbinës duke e krahasuar me…

Abissnet