Infertiliteti si problem madhor i çifteve, shkaqet dhe trajtimi

Nga Fatmir Gjolena 

Trajtimi i infertilitetit është i vështirë dhe kërkon durim të madh për nga kohëzgjatja dhe nga kostoja. Shpesh shumë çifte e humbin durimin, sepse paraqiten shumë herë tek mjeku ose në spitale, dhe kjo i nervozon shumë. Infertiliteti është një problem madhor social, shoqëror dhe psikologjik. Për të rriturit, është e nevojshme të shmangin abuzimin me duhanin

 

Trajtimi i infertilitetit është i vështirë dhe kërkon durim të madh për nga kohëzgjatja dhe nga kostoja. Shpesh shumë çifte e humbin durimin, sepse paraqiten shumë herë tek mjeku ose në spitale, dhe kjo i nervozon shumë. Infertiliteti është një problem madhor social, shoqëror dhe psikologjik. Shumë çifte nuk këshillohen me mjekun për problemin e tyre, dhe shpesh bien pre e informacioneve të gabuara. Është gjithashtu dhe një problem psikologjik i çifteve, duke u nisur nga paragjykimi që u bëhet këtyre  rasteve. Femrat në përgjithësi konsultohen me mjekun gjinekolog apo endokrinolog për problemin, por meshkujt e kanë më të vështirë, duke u nisur nga paragjykimi shoqëror. Shpesh meshkujt  e paragjykojnë edhe veten e tyre. Ne iu themi se infertiliteti është një fat i tyre dhe si i tillë duhet të trajtohet. Rekomandojmë gjithmonë të konsultohuni me mjekun tuaj, shokun tuaj të sinqertë dhe psikologun për problemin që keni. Bashkëbisedimi i ngrohtë me partneren ka një rëndësi të veçantë në trajtimin e infertilitetit, si dhe inkurajimi reciprok.

Koncepti i infertilitetit

Infertiliteti (steriliteti, shterpësia) përkufizohet si paaftësia e një çifti për të arritur një shtatzëni për periudhën rreth 1 viti (mosha nën 35 vjeç) dhe 6 muaj (mosha mbi 35 vjeç), kur kanë kontakte seksuale të pambrojtura (të paktën 2 herë në javë). Steriliteti konsiderohet primar dhe sekondar. Steriliteti quhet primar kur çifti nuk ka pasur asnjëherë shtatzëni. Steriliteti sekondar konsiderohet kur një çift ka pasur më parë një shtatzëni, qoftë dhe abort me partnerin aktual apo tjetër partner. Gjithashtu infertiliteti mund të jetë vetëm mashkullor ose vetëm femëror, ose te dy partnerët njëherazi. Burrat dhe gratë preken në mënyrë të barabartë nga infertiliteti. Statistikisht, shkaqet janë identifikuar në 90% të pacientëve dhe  rezultatet e shtatzënisë në 40% të tyre, ku 30% e çifteve kanë faktorë mashkullorë dhe femërorë. Mosha e riprodhimit për gratë në përgjithësi është 15-44 vjeç. Fertiliteti është afërsisht i përgjysmuar ndërmjet viteve 37 dhe 45 vjeç për shkak të ndryshimeve në ovulacion. Me trajtimin e duhur 85% e çifteve sterile mund të presin që të kenë një fëmijë.

Shkaqet e infertilitetit

Droga, duhani, problemet shëndetësore, rrezatimi, kimioterapia, mosha, faktorët mjedisorë, pesticidet, alkooli dhe infeksionet janë disa nga faktorët e riskut që ndikojnë në infertilitet tek meshkujt. Ndërkohë tek femrat, faktorët që ndikojnë tek pamundësia për të pasur një shtatzëni janë: mosha, stresi, dieta e varfër, aktiviteti i shtuar fizik (sportistët), mbipesha, nënpesha dhe duhani.  Për të përcaktuar aftësinë e një mashkulli për fertilitet, mjafton një analizë e thjeshtë e spermës së tij në laborator, e marrë kjo pas një abstenimi prej 2-3 ditësh (moskryerja e kontaktit seksual). Shkaqet për një analizë jo normale të spermës janë të mundshme dhe një pjesë të korrigjueshme. Këto varen kryesisht nga stresi, infeksioni, lëvizshmëria jonormale, faktorët imunologjik, infeksioni në strukturën e spermës, lëngu i varfër etj. Problem tjetër që mund të çojë në infertilitet, dhe që shpesh neglizhohet nga vetë pacientet, është varikoçela. Varikoçela është një grumbullim i gjakut në vazot testikulare (kryesisht venat) dhe që nuk jep shenja të dukshme të sëmundjes. Varikoçela është shpesh e akuzuar për dëmtim të spermatogjenezës dhe për pasojë infertilitetin.

Diagnostikimi dhe trajtimi kirurgjikal i hershëm i saj ka efekt mjekues të infertilitetit tek meshkujt. Prandaj, këshillohet një ekografi e testeve për ta diagnostikuar dhe me tej trajtuar këtë patologji. Duhet theksuar se trajtimi duhet të bëhet para moshës 30 vjeç. Ndërkohë, rëndësi të veçantë marrin trajtimi në kohë i infeksioneve, si ato gjinekologjike dhe të përgjithshme. Nga ana tjetër, problemet e infertilitetit femëror janë më të komplikuara dhe kërkojnë një eksplorim më të gjerë diagnostikues. Shkaqet janë nga më të ndryshmet dhe trajtimi është nganjëherë shumë i vështirë. Është mirë që trajtimi të fillojë nga më i thjeshti dhe gradualisht të kalojë tek metodat më të sofistikuara. Gjithmonë duhet të tentohet në arritjen e një shtatzënie në mënyrë natyrale dhe, kur nuk mund të arrihet pas përpjekjesh të shumta, të kalojë në mënyrat e fertilizimit in-vitro (artificiale).

Trajtimi i sterilitetit (infertilitetit)

Trajtimi i sterilitetit varet shumë nga shkaku i tij. Përpara se të vendoset mënyra e trajtimit, duhet në radhë të parë të vendoset një diagnozë e saktë e sterilitetit. Në varësi të diagnozës, vendoset mënyra e trajtimit. Është mirë që të vendoset një trajtim sa më i përshtatshëm për çiftet dhe arritjen në mënyrë natyrale të shtatzënisë. Sot mundësia e çifteve për t’u trajtuar është e madhe. Në Shqipëri ka shumë spitale dhe klinika që bëjnë të mundur trajtimin bashkëkohor, me standarde dhe protokolle mjaft të larta të infertilitetit. Në këto institucione realizohen gjithashtu ndërhyrje të një niveli të lartë, si kirurgjikale ashtu edhe ato mini-invazive. Këshillohet që të gjitha nënat të kontrollojnë fëmijët e tyre edhe nga organet gjenitale. Për të rriturit është e nevojshme të shmangin abuzimin me duhanin apo drogat e tjera si dhe përcaktimi i një diete të kontrolluar, kombinuar kjo edhe me ushtrime fizike.

Ndikimi Emocional

Steriliteti vendos një barrë të madhe emocionale tek çifti jopjellor. Nevoja për të pasur një fëmijë bëhet forca lëvizëse e marrëdhënieve të çifteve. Ankthi mendor që lind nga infertiliteti është gati si paaftësi, si dhimbja e sëmundjeve të tjera. Është e rëndësishme për të adresuar nevojat emocionale të këtyre pacientëve.

Dëmtimi i tubave uterine nga infeksionet e krijuara si pasojë e ndërhyrjeve kirurgjikale mund të shkaktojnë gjithashtu infertilitet.

 

Disa nga shkaqet shtesë të infertilitetit tek femrat

Krahas atyre që përmenda, janë anomalitë e lindura të traktit gjenital, anomalitë e ovulacionit çeljes së vezës, obstruksioni (bllokimi) i rrugëve gjenitale (tubave), infeksionet (sidomos klamidia) dhe infertiliteti i panjohur (i pashpjegueshëm). Anomalitë e lindura përbëjnë një problem madhor për fertilitetin, sepse shpesh ato janë edhe të pa korrigjueshme. Nënat e kujdesshme duhet të kontrollojnë fëmijët e tyre që në moshë të hershme. Qafa e mitrës ka një rol të rëndësishëm në mundësinë e ngeljes shtatzënë. Zakonisht një grua ka shansin të mbetet shtatzënë në ditët 12-17 nga dita e parë e fillimit të menstruacioneve.

Në këto ditë, si pasojë e rritjes së valës së prodhimit të një hormoni, mukusi i qafës së mitrës bëhet më i përshtatshëm për pritjen e spermatozoideve. Duhet theksuar se në qafën e mitrës krijohen dhe antitrupa anti-sperme, të cilët e koagulojnë (vrasin) atë. Fibrinoidet (që në gjuhën popullore quhen mishi i huaj) janë shkak  për infertilitet, por që korrigjohen me heqjen e tyre kirurgjikale. Dëmtimi i tubave uterine nga infeksionet e krijuara si pasojë e ndërhyrjeve kirurgjikale mund të shkaktojnë gjithashtu infertilitet. Prishja e lëvizshmërisë së tyre sjell infertilitet, por edhe gravidancë ekstra uterine (barrë jashtë mitre).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet