“Indonezia ofron bursa të plota për studentët shqiptarë”

Nga Arben Rrozhani

Irma Kapllani, Konsulle Nderi e Republikës së Indonezisë, përcjell interesin e shtetit të madh në rajonin e Azisë Juglindore dhe Anëtare e G20-ës për lidhjet me vendin tonë dhe mundësinë që u jep të rinjve për t’u shkolluar

Irma Kapllani, Konsulle Nderi e Republikës së Indonezisë, deklaroi për gazetën “Shekulli” se shteti i zhvilluar në rajonin e Azisë Juglindore dhe Anëtare e G20-ës kërkon të shtojë lidhjet me Shqipërinë, për të investuar dhe për të rritur shkëmbimet tregtare, turistike dhe ato të arsimit dhe kulturës. Për të nxitur këto marrëdhnie, Indonezia hoqi edhe vizat për shtetasit shqiptarë dhe pret që që një hap të tillë ta ndërmarrë edhe Tirana. Për të ttirur shkëmbimet mes vendeve, Ministria e Arsimit e Indonezisë ofron edhe bursa të plota për studentët shqiptarë.

Znj. Kapllani nga nëntori 2017, ju jeni konsulle nderi e Indonezisë në Shqipëri. Përse një vend kaq larg nesh kërkon forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes dy vendeve?

Një nga parimet themelore të politikës së jashtme të Republikës së Indonezisë ,e shprehur tashmë qartë dhe në qëndrimet që ajo ka mbajtur për probleme të ndryshme në OKB, është kooperimi dhe marrëdhëniet e mira me të gjitha vendet në rang rajonal dhe global. Shqipëria nuk përbën përjashtim. Ajo është pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të Indonezisë per shkak edhe të rolit gjithmonë në rritje  që ka tashmë Shqipëria në Ballkan. Po t’i referohemi historikut të marrëdhënieve të Shqipërisë ndër vite do të shikojmë që Shqipëria ka patur marrëdhënie të mira diplomatike me shumë vende që janë po aq larg sa Indonezia. Largësia nuk i pengon shtetet të forcojnë marrëdhëniet midis tyre duke respektuar sovranitetin e këtyre marrëdhënieve.

Indonezia ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në Ballkan dhe më gjerë, duke e cilësuar një partner shumë të rëndësishëm sidomos në sektorin ekonomik. Në çfarë fushash mund të bashkëpunojnë vendet?

Indonezia është një nga vendet më të mëdha dhe më të fuqishme në rajonin e Azisë Juglindore. Anëtare e G20, ajo renditet e 16 sipas GDP nominale në rang botëror. Industritë kryesore të saj janë: vaji i palmës, gazi natyror dhe nafta, qymyri, pajisjet elektrike, pajisjet mjekësore, zejtari, plehrat kimike, turizmi , erëzat etj. Pse i përmenda të tëra këto? Për të treguar që fushat e bashkëpunimit ekonomik me Indonezinë mund të jenë të gjithëanshme. Unë do ta vija theksin te turizmi, agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore dhe minerare, tekstilet (dikur cilësia e pambukut dhe leshit tonë konkuronte pa frikë vende të zhvilluara, ndërsa sot as që flitet për to). Duhet të ketë një plan strategjik orientues  të zhvillimit të ekonomisë në rang vendi, që perputhet me interesat rajonale e pastaj ndërrajonale, plan, i cili, duhet të ndërthuret ngushtë me interesat e ekonomisë private ,jo për të kompetituar me njëra-tjetrën, por si pjesë plotesuese.

Tani që flasim në çfarë niveli janë marrëdhëniet ekonomike dhe sociale me vendin me popullsinë më të madhe muslimane në botë?

Po, Indonezia është vend kryesisht mysliman, fakt, i cili nuk i ka ndaluar ata të shkojnë mirë dhe të jetojnë në paqe dhe në tolerancë edhe me pakicat e feve të tjera (ka shumë të tilla si protestantë, katolikë, hindu, budistë dhe konfucistë, fe, të cilat janë të njohura zyrtarisht nga Kushtetuta e Republikës) . Shqipëria mund të krenohet për të njëjtin nivel tolerance dhe bashkëjetese të feve. Indonezianët kane një nga motot e tyre thënien “Të bashkuar në diversitet”, thënie që i ka ndihmuar vetë ata të kombinojnë atë çka private me interesin e përgjithshëm të vendit. Jemi në fillim të shkëmbimit të informacionit ekonomik,  kulturor, turistik dhe arsimor  që shpërndahet sipas grupeve të interesit siç janë forumet ekonomike rajonale dhe ndërrajonale, panaire ndërkombëtare të artizanatit indonezian etj. Ambasada që përfaqëson Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë gjendet në Sofie. Doja të theksoja se në krye të saj qëndron znj Astari Rajsid, një personalitet jo vetëm për kapacitetin e saj intelektual, por dhe një përfaqesuese e shquar dhe pikante në rang botëror e artit feminist, fituese e disa çmimeve botërore në fushën e artit, pjesëmarrëse në disa bienale në Itali me ekspozita vetjake në Londër, Hong Kong, Korenë e Jugut, Pekin dhe disa ekspozita të saj në Galerinë Kombëtare në Xhakarta, Bali etj.  Shpresojmë të organizojmë evente kulturore të këtij rangu edhe në Shqipëri.

Indonezia është shprehur se e shikon Shqipërinë si një portë strategjike për në vendet e Europës Lindore. Si mund ta shfrytëzojë vendi ynë këtë pozicion gjeografik, sipas jush, në pozicionin e konsulles së nderit?

Nuk është vetëm Indonezia që e shikon Shqipërinë si portë strategjike për në vendet e Europës Lindore. Ajo, falë Zotit, ka pozicion gjeografik lakmues, të themi, si për Lindjen ashtu dhe për Perëndimin. Por, le të mbetemi te Indonezia. Kohët e fundit flitet shumë për diplomacinë ekonomike dhe për rolin e saj në promovimin e shtetit shqiptar dhe të interesave të saj ekonomike e kulturore  në botë nëpërmjet rritjes së rolit të ambasadorëve dhe konsujve të nderit. Shqetësim i drejtë i qeverisë, sepse ambasadat përcjellin politikat ekonomike dhe kulturore  të vetë shtetit në këto vende. Sa më i lartë të jetë niveli i përcjelljes së informacioneve aq më shumë përfiton dhe promovohet ekonomia jonë. Kur flasim për diplomaci ekonomike duhet të flasim për gjëra të prekshme që gjenerojnë zhvillim. Po jap një shembull që është më shumë se një sugjerim. Parlamenti Indonezian para disa viteve hoqi vizat për disa vende, midis të cilave përfshiu edhe Shqipërinë.  Qytetarët shqiptarë mund të shkojnë pa viza në Indonezi për një periudhë 1 mujore. Lehtësi e madhe për turistët shqiptare dhe për ata biznesmenë privatë që udhëtojnë për interesa private. Por a mund të vijnë indonezianët në Shqipëri pa viza si turistë apo për interesa private për një periudhë të shkurtër ? Jo. Nga informacionet që kam shumë indonezianë duan të vizitojnë Shqipërinë të organizuar ose privatisht. Ata duhet të çojnë pasaportat e tyre në Kinë që të marrin vizat. Burokracira të tilla i detyrojnë të heqin dore nga ardhja në Shqipëri duke preferuar destinacione të tjera turistike . Imagjinoni, 261 milionë popullsia e tyre. Sikur 20 mijë në vit të vinin në Shqipëri a do ishte një fitim i prekshëm?  Sigurisht ky është një sugjerim i imi që arrihet në nivele të larta diplomatike, por a do të ishte një mundësi reale dhe e prekshme nga të gjithë?  Së dyti bashkëpunimi mund te ishte dhe në nivel local, nëpërmjet qyteteve (bashkitë). Në Indonezi ëdhtë shumë e përhapur ekonomia e ndërmarjeve të vogla artizanale si në atë të qilimave, pëlhurave, bizhuve, erëzave, perlave. Shkëmbimi i eksperiencave në menaxhimin e bizneseve të tilla do të ishte mjaft përfitues për shumë grupe të interesit. Njerëzit ankohen për punë, qeveria ankohet për profesionistë në shërbime të ndryshme. Duhen gjëra të prekshme.

Në kuadrin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Indonezia ofron bursa për studentët shqiptarë, në degë të ndryshme. Si mund të përfitojnë studentët shqiptarë dhe në çfarë kushtesh?

Pyetje e drejtë. Për këtë janë konsujt e nderit . Të çojne informacion të shpejtë dhe të saktë në grupet e interesit . Ministria e Arsimit të Larte në Indonezi ka hapur sezonin e aplikimeve për studentët e huaj në nivelet Master. Shqiperia ka mjaft studentë që kanë mbaruar shkollat e larta, por janë pa punë. Bursa të tilla janë me përfitim për të dyja palët. Bursat janë të plota dhe përfshijnë pagesat që nga udhëtimi vajtje-ardhje, akomodim, pagesa e shkollës, shpenzime personale etj. Studentet e interesuar aplikojne në deget e tyre të preferuara. Janë 5 degë themelore me 6, 10, 12 dhe 13 nëndegë. P.sh.: Inxhinieria ka nëndeget e saj, 13 të tilla si inxhinieri mekanike, elektrike, gjeologji-miniera, inxhinieri anijesh, arkitekturë etj..

Në materialin që disponon zyra e juaj vihet re një larmi degësh ku mund të ndjekin masterin studentët shqiptarë. Ju çfarë u sugjeroni studentëve shqiptarë për të ndjekur në universitetet indoneziane?

Zgjedhjet janë personale dhe sipas kapaciteteve intelektuale të çdo studenti . Por (ky është sugjerim personal). Duke qenë se bursat jepen për studentë deri në moshën 35 vjeç mund të ketë të rinj që janë në marrëdhënie pune dhe duan të kualifikohen sipas interesave të punëdhënësve që mund të jetë shteti ose privati. Këta të rinj mund të bëjnë marrëveshje me shtetin ose me privatin që të kthehen përsëri në vendet e tyre të punës pas mbarimit të masterit. Shteti dhe privati punojnë gjithmonë për perspektivën. Njerëzit e kualifikuar janë asete të çmuara për të dyja palët. Një pjesë kualifikohen dhe në vend të tyre punësohen part-time (kohë të pjesshme të rinj të tjerë. Shteti dhe privati duhet të kenë politika kualifikimi afatgjata dhe afatshkurtra. Prandaj unë e konsideroj informacionin si shumë të rëndësishëm kur ai arrin te grupet e interesit.

Bursat e plota

Degët ku mund të studiojnë studentët shqiptarë

Sipas lajmërimit të Konsullatës së Nderit të Indonezisë në Shqipëri. Ministria e Arsimit të Lartë, Teknologjisë dhe e Kërkimeve në Republikën e Indonezisë ka hapur sezonin e aplikimeve për bursa (scholarships )në nivelin Master në fushat e mëposhtme:

1 Studime Klasike (6 degë).

2 Inxhinieri (10 degë).

3 Shkenca Ekzakte (13 degë).

4 Shkenca Shoqërore (12 degë).

5 Arsim (12 degë).

Kushtet e pranimit :

Studentët që aplikojnë duhet të jenë nën moshën 35 vjeç.

Bursa është e plotë dhe mbulon të gjitha shpenzimet e mundshme siç janë: udhëtimi, akomodimi, studimet, shpenzimet mujore etj.

Për një  informacion më të plotë si dhe për formularet e aplikimit mund të drejtoheni në:

Website scholarship-http://knb.ristekdikti.go.id/.

Të tjera

Abissnet