Individualizmi dhe përgjegjësia për tjetrin

Publikuar më 24. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Marsida Simo

Në ditët e sotme ku rrjedha e jetës kërkon vendime të njëpasnjëshme dhe përgjegjësi të lartë, ankthi dhe pasiguria janë gjithmonë bashkë shoqëruese. Dikur njerëzit ecnin me moton “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”. Në këtë mënyrë, shumë ngjarje dhe vendime ishin po aq personale dhe njëkohësisht i përkisnin rrethit shoqëror ku njerëzit jetonin. Mjete të tilla ishin një formë e mbijetesës ndaj vështirësive që paraqiteshin gjatë jetës. Nëse dikush kishte probleme financiare apo familjare, shoqëria i vinte në ndihmë dhe e përkrahte pothuajse gjithmonë. Faktikisht sociologu Emile Durkheim e shihte evolucionin shoqëror si një lëvizje nga solidariteti mekanik i shoqërive fisnore, në solidaritetin organic, karakteristik për shoqëritë industriale. Ai argumentonte se shoqëritë primitive karakterizoheshin  nga një vetëdije e fuqishme kolektive, të cilën ai e definoi si tërësi e besimeve dhe ndjenjave të përbashkëta të qytetarëve mesatar të së njëjtës shoqëri.

Me rritjen e ndarjes së punës, rritet edhe dukuria e individualizmit, e cila është shfaqur edhe në shoqërinë shqiptare, kryesisht pas viteve 1992. Individualizmi solli konkurencën që më parë nuk njihej nga shoqëria jonë. Gjithashtu kjo dukuri mbarti me vete lirinë personale, hapi portat e të menduarit në mënyrë të ndryshme, të gjitha këto drejt rrugës së pa shmangshme të një epoke të re jetese. Raporti që kanë njerëzit me veten dhe tjetrin nuk është më si më parë. Koncepti i hapsirës publike dhe private sot kanë marrë një kuptim më të plotë. Nëse më parë hapësirë private konsiderohej pronësia e të mirave materiale të fituara nga vetë individi, në ditët e sotme ky koncept është zgjeruar deri në kufirin shpirtëror. Shoqëria shqiptare ka kaluar vite të gjata tranzicioni politik ekonomik dhe shoqëror. Në aspektin shoqëror ndryshimet janë krijuar në varësi të përshtatjes që kanë mundur të bëjnë njerëzit, pasi disa nga vlerat kulturore ende janë të injektuara në mënyrën e jetesës sonë. Megjithatë ndikimet nga kulturat e huaja kanë arritur të heqin disa pjesë të traditës. Jo vetëm kaq, por edhe kërkesat e jetës kanë ndryshuar. Të gjendur përpara zhvillimeve dhe rikonceptimeve të shumë dukurive jetësore, njerëzve i është dashur të zmadhojnë hapësirën ndarëse me shorërinë. Tjetri si pjesë përbërëse e shoqërisë është domosdoshmërisht i nevojshëm për njohjen e vetes dhe anasjelltas. Madje bashkëjetesa me tjetrin vjen në mënyrë të natyrshme dhe të pashmangshme. Njeriu është një qënie që gjithmonë është në kërkim të më të mirave. Këto kërkesa janë të pafundme dhe të vazhdueshme. Të gjitha këto dëshira ai duhet t’i balancojë në peshoren e mundesivë që ai ka. Shpesh herë individi gjendet në dilemën, për të bërë atë që do apo atë që duhet . Këto janë dy elemente që jo gjithmonë përputhen më së miri me njera tjetren. Lufta me vetveten është bërë më e vështirë, pasi dihet se vendimet e sotme do të jëne tullat e shtëpisë që do të ngihen nesër. Kuptohet se përmbushja e interesave vetjake lidhet ngushtë me egon që ka në vetvete individi. Më pas, në varësi të mirë përdorimit apo keq përdorimit të egos, krijohen ambiciet personale për realizimin e objektivave. Nevoja për tjetrin duket se sa vjen e po zbehet.

Të lodhur nga orët e gjata të punës, të etur për më shumë të mira materiale, koha që i kushtohet tjetrit apo shoqërisë sa vjen e zvogëlohet. Marrëdhëniet fqinjësore që dikur kanë qënë të rëndësishme, sot kanë një tjetër kuptim. Fqinji sot është thjesht dikushi që banon afër nesh. Sot të rinjtë kanë më pak vetëdije për përgjegjshmëri të hapsirës publike, më pak vullnet për solidaritet dhe zbehje të dëshirës për të ndihmuar tjetrin. Përgjithsisht, marrdhëniet shoqërore janë të ndërtuara në rrethin e punës ku njerëzit punojnë. Të rrethuar nga katër muret e shtëpisë, me dëshirën për të patur mobilje moderne dhe oriendi të çmuara, njerëzve nuk iu intereson se cfarë ndodh jashtë saj. Individualizmi shpesh herë merr ngjyresa indiferentizmi aq sa mendohet se hapësira publike i përket gjithmonë tjetrit. Por nuk duhet harruar se njeriu është dy herë përgjegjës për veprimet e tij ndaj vetes, po aq dhe ndaj të tjerëve të cilët mund ta pësojnë pa shkak. Kjo do të thotë se njeriu është një qënie sociale që ka nevojë për socializim dhe njëkohësisht i duhet të japë kontributin e tij shoqërisë. Njeriu nuk mund të jetojë si një qënie e izoluar apo e vetmuar. Ai ka nevojë të ofrojë e të kërkojë, pra të shkëmbejë me të tjerët. Njeriu jeton brenda një shoqërie të caktuar, i përgjigjet rregullave të saj, ndajnë vlera kulturore të përbashkëta, ndaj cdo zgjedhje vetjake nuk mund të jetë aq vetjake në mënyrën më absolute. Shumë nga vendimarrjet duhen parë në një aspekt më të gjerë. Kujdesi qëndron se çdo vendimarje, nuk duhet të prekë të drejtat ose liritë e tjetrit  Individualizëm nuk do të thotë papërgjegjësi për komunitetin, pasi mospërfshirja është e barabartë me shkatërim të hapësirës publike që i përket çdo kujt. Me këto që u përmëndën më lart nuk nënkuptohet që njerëzit duhet të kenë marrdhënie detyrimisht të mira me fqinjët e tyre, por të kontribuojnë për mirëmbajtjen e terrenit ku jetojnë, ose së paku mos ta dëmtojnë atë. Nga njëra anë, hapësira private përfshin një territor personal po dhe aq intim që i përket gjithsecilit të vendosë. Ndaj nuk duhet lejuar që individualizmi të shtrembërohet nga kuptimi i tij i vërtetë duke i bërë njerëzit më pak përgjegjës për tjetrin dhe komunitetin. Nëse do të vazhdojmë më rritjen e dozës të mos kujdesit dhe mungesës së solidaritetit, rrjedhshmërisht do të kthehemi në një shoqëri jo të shëndetshme.