Incidentet, Tejler: Monitorojmë çdo gjë në këtë fushatë

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri janë vetëm 1 javë larg dhe pritshmëria për to është e lartë, si nga aktorët vendas por edhe nga të huajt, sidomos nga OSBE-ODIHR, i cili ndodhet tashmë prej më shumë se 1 muaj në misionin e tij të 13 për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri. Shqipëria ishte vendi në të cilin OSBE vëzhgoi për herë të parë në historinë e saj një palë zgjedhje, megjithëse çdo palë zgjedhje në Shqipëri kanë historinë e tyre.

Kreu i misionit për zgjedhjet e 25 qershorit, suedezi Peter Tejler e di këtë dhe ka nisur punën fillimisht për të kuptuar realitetin shqiptar. “Ne po fillojmë të kuptojmë realitetin por prapë na duhet të kemi një tablo të plotë për të gjithë vendin. Nuk është vetëm Tirana, ne jemi kudo dhe po fillojmë të kuptojmë realitetin. Na duhet një kuptueshmëri e plotë për të gjithë procesin. Procesi nuk përfshin vetëm atë që po bëjnë politikanët por edhe atë që po bën media, KQZ, etj”, shprehet Tejler.

Misioni i OSBE këtë herë është i qartë, asnjë krahasim me zgjedhjet e kaluara dhe zbatim i përpiktë i metodologjisë së vëzhgimit të zgjedhjeve. “Ka një metodologji, ne monitorojmë zgjedhjet, KQZ dhe sigurisht gjatë procesit ndodhin gjëra dhe si kjo ishte dhe marrëveshja politike. Ne na duhet t’i hedhim një sy asaj për të parë se çfarë mund të vëzhgojmë më nga afër, legjislacioni për të cilin u ra dakord, megjithëse kemi në të njëjtën kohë edhe kodin elektoral. Pra, këto diskutohen në skuadrën time prej 13 vetash, diskutojmë dhe mundohemi të rifokusohemi për shkak të zhvillimeve të fushatës”, thekson ai.

Zyra qendrore e OSBE, e vendosur në Tiranë, për të kontrolluar zbatimin e plotë të ligjit, kryen edhe monitorimin e mediave në një sallë të veçantë. Ndërsa Andrea Malnati, zëdhënës i misionit thotë më tej për Ora Neës se: “ne monitorojmë një kampion të medias shqiptare ku përfshihen 5 televizione, një gazetë dhe 3 portale online.

Monitorojmë televizionet nga ora 18:00 deri në mesnatë për të parë mbulimin e partive dhe kandidatëve për të parë nëse janë në përputhje me ligjin”. Misioni i OSBE funksionon me 30 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të përcjellin të dhënat nga të gjitha pikat e votimit në Shqipëri, për të përpiluar edhe raportin përfundimtar të këtij misioni, që do të vlejë shumë për certifikimin e zgjedhjeve.

“Ne kemi vëzhgues afatgjatë në 12 qarqet. Kemi dialog të vazhdueshëm brenda skuadrës sime dhe me vëzhguesit afatgjatë. Ajo që është e rëndësishme për t’u kuptuar se ata zhvillojnë gjithashtu takime me komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve.  Ne nuk takohemi vetëm me partitë politike. Ne takohemi me një përfaqësi të gjerë të shoqërisë shqiptare, që mund të jetë KQZ, shoqërinë civile, organizatat, vëzhguesit vendorë, gazetarët.

Përpiqemi të kemi një pamje sa më të gjerë të fushatës”, thekson Tejler. Më tej ai shton se “ky mision është i paanshëm, nuk bën komente përpara kohe. Është e rëndësishme të kuptohet se si punojmë por edhe ndryshimin midis këtij misioni që është këtu për zgjedhjet dhe prezencës së OSBE. I përkasim të njëjtës familje por jemi totalisht të pavarur. Kemi mandat të ndryshëm”.