Incidentet në fushatë, zbulohet telegrami i Çakos për drejtuesit e policisë

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Denis Tahiri

Ndërkohë që ka mbetur më pak se një javë nga mbyllja e fushatës zgjedhore, incidentet elektorale kanë qenë më të shpeshta.

Për këtë arsye Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, u ka drejtuar një telegram udhëzues të gjithë drejtuesëve vendorë të policisë.

Telegrami udhëzues që Çako i ka dërguar drejtuesve vendorë të policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako gjatë paradites së sotme iu ka nisur një telegram me udhëzime drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë.

Drejtues të strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, në vlerësim të ngarkesës aktuale dhe në zbatim të detyrave për prioritetin e rëndësishëm ligjor të menaxhimit të procesit zgjedhor; në kushtet e përballimit të ditëve të fundit të fushatës zgjedhore ku intensiteti i aktiviteteve dhe i incidenteve me motive politike duket në rritje, Ju udhëzoj:

– për angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative

– të kryeni vlerësim të menjëhershëm, objektiv, intensiv dhe profesional të ngjarjeve, situatave dhe pretendimeve, kallëzimeve të subjekteve politike ose individëve në kuadrin politik.

– në të gjitha rastet të njoftohen Prokurorët e rretheve gjyqësore, të kryhen veprime konform ligjit për Policinë e Shtetit dhe Kodin e Procedures Penale

– të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore

– të përcillet informacion objektiv dhe real për çdo veprim policor dhe situatë në qendrën e koordinimit të procesit zgjedhor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Drejtues Madhor Haki Çako