Incident fushate/ Motër e vëlla kërcënohet me pistoletë nga tre djem: Mos shpërndani para për vota

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Dionis Xhafa

Vazhdojnë incidentet e fushatës elektorale në Lezhë. Motër e vëlla kanë bërë denoncim të polici se janë kërcënuar nga tre djem të rinj. Me pistoletë në dorë ata i kanë kërcënuar me pretekstin se po shpërndajnë para për fushatë. Lajmi u bë i ditur nga policia e cila tha se ka identifikuar autorët dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Ngjarja sipas policisë së Lezhës:

Nga hetimet e deritanishme rezulton se rreth orës 14:30 të ditës së diel shtetasja M.N. së bashku me vëllain shtetasin E.N., kur po lëviznin me automjetin e tyre në fshatin Gjadër janë ndaluar nga një mjet fuoristradë tip ‘Benz’, nga ku kanë zbritur 3 persona. Sipas kallëzimit të shtetases M.N., njëri prej tyre nën kërcënimin e armës së zjarrit pistoletë i ka kanosur ata dhe familjarët e tyre, me motivin që mos të shpërndanin lekë për fushatë elektorale.

Nga veprimet hetimore rezulton se autorë të dyshuar të kësaj vepre penale janë shtetasit:
– S.N. 19 vjeç, banues në Lezhë
– G.M. 21 vjeç, banues në Lezhë
– A.M. 24 vjeç, banues në Lezhë

Veprimet në lidhje me këtë ngjarje janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje. Strukturat e Policisë po punojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
/Opinion.al

/D.Xh/