Inceneratori, projekt vdekjeprurës për fshatin Verri

Publikuar më 12. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Një grup banorësh të fshatit Verri në Fier, denoncuan pranë partisë “Zgjidhja” rinisjen e punimeve të firmës fantazëm të qeverisë, të përfaqësuar nga Klodian Zoto, për të ndërtuar inceneratorin e djegies së plehrave.

Banorët janë kundër projektit, duke e quajtur atë vdekjeprurës, sepse po ndërtohet 700 metra larg shtëpive të tyre, ndërsa shumë prej tyre janë kërcënuar për të mos kundërshtuar, ndryshe do të procedohen penalisht.

Lexoni më poshtë denoncimin e tyre:

Përshëndetje! Jemi një grup banorësh të fshatit Verri, njësia administrative Mbrostar, Fier. Përtej halleve dhe kushteve të jetesës që sa vijnë e përkeqësohen që prej pothuajse një viti jemi në luftë me një firmë fantazëm që drejtohet nga Klodian Zoto, e cila kërkon të ndërtojë një incenerator rreth 700 metra larg fshatit tonë. Ne e kemi kundërshtuar që në fillim këtë projekt duke bërë edhe një peticion me rreth 1300 firma të fshatrave përreth si fshatrat Kallm, Vajkan dhe Verri.

Pas një pushimi disamujor firma fantazëm, pasi i hoqi të gjitha mjetet, në këtë moment po instalon të tjera. Një pjesë e banorëve të fshatit Verri jemi që nga dita e hënë dhe në këtë moment duke e kundërshtuar këtë projekt vdekjeprurës për ne, por duke parë tërheqjen e shumë banorëve nga presionet dhe procedimet penale të bëra ndaj disa banorëve dhe duke u ndjerë vetëm dhe të përbuzur nga të gjitha institucionet shqiptare për këtë çështje kemi shumë shpresë te ju që zëri ynë të dëgjohet sepse ne e duam jetën. Nuk na vjen asnjë media të pasqyrojë atë që po ndodh këtu. FALEMINDERIT!