“Inceneratori, goditja e dytë, kemi gjithë familjen të sëmurë”

Nga Xhensila Demollaj

Banorët e Verrisë vijojnë me shqetësimin për dëmet që mund të sjellë ndërtimi i inceneratorit të plehrave në zonë. Vangjel Bita tregon se problemet me ndotjen ekzistojnë në fshat

Në qendër nuk kishte shumë njerëz. Shumë prej zhurmave vinin nga shkolla që ndodhej aty pranë. Është kohë dreke dhe një varg i madh nxënësish po shpejtojnë për në shtëpitë e tyre. Një plak afrohet dhe ca pranë nesh. Siç duket makinat e reja dallohen shpejt në fshat. Nga autostrada Fier-Lushnjë, Verria nuk është më shumë se 2 kilometra. “E shtruan rrugën para pak muajsh, por nuk duket të ketë shumë përmirësim”, thotë një prej banorëve. Situata duket se vazhdon të jetë shqetësuese. Mjetet nuk janë larguar ende nga toka që planifikohej të ndërtohej inceneratori i plehrave. Dikush prej banorëve ka bërë sërish rojen. Sakaq, të tjerë tregojnë shqetësimet. “Ju jeni gazetarët? – po i themi zotërisë që drejtohet.

“Ju lutem, përtej kësaj që po shihni këtu, ejani të shihni edhe ndotjen time. Unë e vuaj përditë në shtëpi. Si unë dhe im vëlla, fëmijët edhe gjithë të tjerët që rrinë këtu pranë”, thotë Vangjel Bita. Shtëpia e tij dhe e të vëllait, Petraq, nuk ndodhet më tepër se 300 metër larg një pellgu nafte. Banorët tregojnë se këtu para 4 vitesh ka qenë bërë fontana dhe gazi është përhapur gjithandej. Shqetësimi i tyre shtohet edhe më tepër kur rrëfejnë se gjithë fëmijët dhe familjarët janë me karbon në gjak. Ata thonë se nuk e meritojnë të goditen edhe një herë nga shteti, duke bërë ndërtimin e inceneratorit të plehrave në këtë fshat.

“Nuk mendon njeri për popullin, kanë miqtë e tyre, kanë fisin e tyre. Këtu marin para. Janë 7 veta që marrin nga 50 mijë lekë dhe ruajnë ndotjen time. Unë këtë e ruaj për 500 lekë. Janë 6 kulla. Po këto kush i mori. Marri 300 mijë lekë në muaj. Me to mund të bësh bahçe me lule. Ashtu do bëhet dhe landfilli atje, si kjo këtu”, thotë i shqetësuar Vangjel Bita. I moshuari tregon se shteti nuk e ka përkrahur asnjëherë. Dëshpërimi i tij vijon edhe më tej, kur kujton se shumë prej familjarëve janë të sëmurë dhe po e vuajnë ende pasojë e të pasurit kaq afër një ndotje të madhe. “Po nuk ka shtet që të na përkrahë. Ne paguajmë 100 lekë për televizionet dhe nuk vjen askush prej mediave.

Po na çojnë në burg dhe historikisht kjo zonë ka pasur probleme të kësaj natyre. Këtu nuk jeton dot. Ne jemi gjashtë familje. Të gjithë jemi me sëmundje kancerogjene dhe nga frymëmarrja. Ka shumë probleme. Iu kemi thënë deputetëve, por këtu nuk durohet dhe një kilometër larg. Si do ia bëjmë landfillit larg banesave tona. Ne nuk kemi ujë të pijshëm, lajmë me ujë pusi si në mesjetë. Nuk ka të ardhura. Kemi një pus uji 6 metër dhe atë pijmë. Nuk shkumon as shampoja.

Kush vjen në ndihmë këtu?! Nuk ka shans. Iu kemi thënë gjithë institucioneve, të majtë dhe të djathtë. Ne nuk mbushemi me frymë. Një vit po bëjnë gurët, por imagjino veshkat dhe mushkritë tona”, thotë Vangjeli, teksa me duar tregon edhe gurët që ishin pranë pellgut të mbushur me naftë. Ishin gurë të vyshkur, tamam si ngjyrat e vjeshtës. “Nga shteti presim të marë masa. Le të heqë këtë pisllikun këtu që ne ta mbjellim pemë dhe të marrin frymë mushkritë tona”.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet