Ilir Pojani, artisti që sjell klasicizmin në pikturat bashkëkohore

Foto 1 nga 6 Pas Para

“Duke eksploruar të padukshmen”, ekspozita që gërsheton klasiken dhe bashkëkohoren duke pasur në fokus njeriun, sjell në Tiranë piktorin Ilir Pojani. Grimca nga krijimtaria e artistit të vlerësuar nga kritika e huaj në një rrëfim ndryshe

Anila Dedaj

Studentët e tij e cilësojnë si pedagogun artist që e kishte kapërcyer “trarin mendor të izolimit” dhe që në një kohë aspak favorizuese për Shqipërinë nxirrte në dritë potencialet e tyre. Piktorin Ilir Pojani, ata e konsiderojnë si kapitenin e tyre. “Kapiteni im”, siç shprehet Adrian Isufi, sot kurator i ekspozitës së tij “Duke eksploruar të padukshmen”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 28 shtator në Galerinë “Kalo”. Një ekspozitë ku piktori, kthen sytë ndaj artit madhështor klasik duke u përpjekur të gjej të bukurën në to, për ta sjellë në mënyrë kontemporane, por jo duke e dekonstruktuar.Unë nuk dua të shkatërroj, por të kthej kokën nga drita”, shprehet artisti  në një intervistë për “Shekullin”. Pojani rrëfen se si lind piktura e tij, jashtë kornizave të parashikimeve, duke pritur që të jetë vepra ajo që sugjeron se për çfarë ka nevojë, por mbi të gjitha duke qenë besnikë i vetvetes. Ndërsa rrëfen ekspozitën dhe krijimtarinë e tij, artisti sjell edhe një mesazh për të rinjtë që e shikojnë artin si të ardhmen e tyre: “Mundohuni ta gjeni bukurën tek vetja!”.

Zoti Pojani, si ka ndryshuar piktura juaj në vite?

Piktura ime fillon seriozisht në vitin 1990. Sigurisht që kam pikturuar edhe më parë, por kam ekspozuar shumë pak. Gjatë fillimit të viteve ‘90, si në çdo fushë tjetër edhe në art shumica e artistëve filluan të përpiqeshin të gjenin lirinë dhe t’i përshtateshin. Ishte tendenca abstrakte ajo që përfaqësoi, jo vetëm punën time por në përgjithësi në ato vite. Ato gjëra që nuk na lejoheshin më herët nisën të bëheshin në atë periudhë, madje edhe pak me tepricë. U hodhën poshtë shumë tabu, u ndërtuan tabu të tjera pastaj. Kjo ishte pak a shumë situata e viteve ’90. Ishte një lëvizje e ethshme në përgjithësi në artin shqiptar, kjo u ndje edhe tek unë. Tek veprat e mia të asaj periudhe ndihet ekspresionizmi, një gjysmë abstraksionizëm (asnjëherë nuk kam qenë tërësisht abstrakt). Me kalimin e kohës masandej, vitet 2000 koinçidojnë edhe me pjekurinë artistike e moshën. Pasi u largova jashtë shtetit fillova që të kthej vështrimin nga punët e mia më të hershme. Piktura u bë më figurative, ato gjysmë abstrakte filluan t’i lënë vendin figurave më të qarta.

Cilat janë gjinitë që ju rrinë më përzemër?

Portreti më ka interesuar gjithmonë, qëkurse kam qenë i ri, më ka tërhequr shumë. Më pëlqen gjithashtu edhe figura, por preferoj portretin sepse është statik, nuk ka lëvizje, flet me anë të syve, me psikologjinë si dhe me elemente të brendshme. Kur punon me figurën mund ta trajtosh më shumë, kurse tek portreti do të punosh më shumë me anën psikologjike dhe të brendshme. Më pëlqen të trajtoj edhe figurën e njeriut, herë pas here peizazhin apo arkeologjinë e qyteteve.

Si vjen klasicizmi në pikturat tuaja?

Pas viteve 2005-2010 filloi që, në pikturat e mua të kristalizohet diçka që e kam pasur qysh në rini, por në këtë periudhën nisi të qartësohet. Bëhet fjalë për një lloj tendence për të kthyer kokën pas ndaj artit madhështor klasik. Në rininë tonë ne kemi qenë të ushqyer me artin klasik, me muzikën klasike, me mjeshtrit e mëdhenj të artit. Asokohe e shikonim si të ndarë, ata që bënin art modern veçmas nga klasicizmi. Ndërsa unë që prej viteve 2010 po përpiqem t’i gërshetoj të dyja. Ky është një burim frymëzimi, një burim real, që sigurisht nuk vjen duke kopjuar pikturën klasike. Megjithatë piktura klasike i jep veprave një tjetër peshë, një prezencë të jashtëzakonshme. Ka sot rryma arti që përpiqen të marrin klasicizmin, të marrin vepra madhore të së kaluarës dhe t’i dekonstruktojnë. Unë nuk bëj këtë, unë përpiqem të gjej të bukurën në to. Unë nuk dua të shkatërroj, por të kthej kokën nga drita. Nuk kam nevojë të shikojë errësirën, por të bukurën. Bukuria, nuk është thjesht një bukuri estetike, por është një bukuri e brendshme.

Njëkohësisht është edhe sfidë e gjitha kjo nismë…

Po, është edhe një sfidë ndaj vetes sime, pasi njeriu nuk mund të matet me ata kolosë të asaj periudhë, mirëpo ndodh që të të thërrasin. Dalëngadalë më është sqaruar kjo në kohë dhe e kam krahasuar me atë që ndodhi në periudhën e Rilindjes. Ishte një fazë paqartësie, para kësaj periudhe, ishte mesjeta e errët. Kishte krizë identiteti, fetare, sociale, politike si dhe luftëra. Mirëpo pikërisht në këtë fazë dolën njerëz të shquar, dolën gjeni të cilët kthyen kokën pas ndaj klasicizmit të parë, atij grek e romak, me arkitekturën e hatashme dhe skulpturat e mahnitshme të antikitetit. Kjo i dha dorë atyre dhe, kështu lindi Rilindja që prodhoi artin më të mirë të të gjitha kohërave. Duke bërë paralelizëm me kohën tonë kam përshtypjen se edhe ne jemi në një periudhë ku, bota është në një fazë paqartësie shumë të madhe, me probleme që mesa duket po përsëriten. Pra, më duket sikur ka ardhur koha që të kthejmë përsëri sytë nga e kaluara për të parë veprat dhe mënyrën se si kanë punuar kolosët e mëdhenj që mbijetojnë ende sot. E gjitha kjo punë nuk erdhi se unë e kërkova, por në mënyrë fare të natyrshme. Tani që ka filluar të kristalizohet kuptoj se arsyeja paska qenë kjo që sapo rrëfeva.

Ç’mund të na thoni rreth figurës femërore që mbizotëron në këtë ekspozitë?

Sigurisht që figura femërore përbën pjesën më të madhe, edhe pse herë pas here del edhe figura e burrit. Por mbizotëron gruaja, pasi është bukuria e natyrës. Dhe tek gruaja njeriu shikon edhe nënën e tij, vajzën, gruan. Pra, unë, kur nis të punoj, nuk mendoj të realizoj një grua të bukur (apo të shëmtuar), nëse ajo del e tillë është sepse vjen natyrshëm, është diçka e brendshme. Kam gjithashtu edhe portrete trupi, nudo, peizazhe floreale ndoshta më pak, por do të më pëlqente të bëj një cikël me to, pasi publiku i gjen edhe më sintetike.

Sa ka ndikuar fakti që jeni larguar në SHBA në mënyrën sesi ju e kultivoni pikturën?

Këtë nuk mund ta them me bindje, sepse është diçka që ndoshta do të duhet ta kisha provuar, mbase po, mbase jo. Por qenia në Amerikë më ka ndihmuar për disa gjëra. Jam në kontakt më shumë me artin, në kontakt të përditshëm me galeritë, muzeumet, me çka flitet dhe çfarë shkruhet. Sigurisht kjo gjë më ndihmon. Nga ana tjetër edhe artistët shqiptarë përherë dhe më tepër po komunikojnë, po dalin jashtë, po ekspozojnë jashtë, kështu që ky ndryshim sapo vjen edhe zvogëlohet. Do të vij një kohë që do të zhduket krejtësisht. Por, ajo më themelorja është fakti se, mund të jesh një artist i shkëlqyer në Shqipëri, por mund të jesh një artist shumë i dobët në Uashington, ashtu siç mund të jesh edhe një artist shumë i mirë në Uashington. Mendoj që vlera më e madhe është kur artisti shikon brenda vetvetes dhe përpiqet të gjejë veten e vet dhe zërin e tij.  Zëri, siç e lexova diku edhe po të mos jetë i bukur, mbetet zëri yt.  Nëse përpiqesh ta zbukurosh me pahir rezulton se bëhet më keq dhe duket akoma më keq. Zëri “jo i mirë” po u përdor me kujdes përmirësohet. Kështu ndodh edhe në art, apo në pikturë. Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të sinqertë në atë që bëjmë, dhe të mos bëjmë art sepse kështu duhet, sepse kjo është moderne. E shikoj këtë si gjë shumë themelore.

Studentët flasin për ju me superlativa, si i kujtoni vitet që keni punuar si pedagog?

I kujtoj si një nga periudhat më të bukura të jetës sime, vitet që kam punuar si pedagog. I kam dashur shumë studentët dhe siç thotë edhe Adriani, ndaj të cilit jam mirënjohës për kurimin që i ka bërë ekspozitën dhe për fjalët, nuk u kam folur studentëve të mi nga katedra si pedagog. Jam përpjekur t’i trajtoj me dashamirësi, duke u përçuar atyre gjërat thelbësore që do t’i ndihmonin për të ardhmen e tyre. Të gjitha këto mesa duket kanë ndikuar pozitivisht, pasi shumë nga këta studentë kanë dalë me suksese të mëdha në Shqipëri dhe jashtë vendit. Kjo është diçka që më bën të lumtur dhe jam prekur kur lexova dedikimin e Adrianit. Gjithashtu për realizimin e kësaj ekspozite i jam shumë mirënjohës Përparimit dhe Adrianës, që e kanë bërë çdo gjë në mënyrë vullnetare, duke ndihmuar jo vetëm mua por edhe artistë të tjerë.

Cilat janë projektet që keni aktualisht në duar?

Unë përgjithësisht nuk punoj me projekte të përcaktuara apo me parashikim. Kur filloj një punë nuk e kam të qartë përfundimin e saj. Duke punuar, është vepra që më sugjeron se për çfarë ka ajo nevojë. Unë ja jap çka kërkon, ndonjëherë edhe keq. Ajo e refuzon dhe unë e përsëris procesin. Ndonjëherë ja jap mirë edhe ajo më thotë: “ Kaq!”. Shpesh nuk e di nëse ka përfunduar apo jo piktura edhe e lë mënjanë, merrem me gjëra të tjera dhe mbas njëfarë kohe i rikthehem për të kuptuar nëse ka nevojë për një prekje, apo mund të quhet e përfunduar. Kjo është mënyra sesi unë punoj. Pra, unë nuk bëj atë që di, sepse mendoj që po të bësh atë që di nuk i jep mundësinë vetes për të realizuar dhe zbuluar diçka të re. Atë që dikush di, e kuptojnë dhe e dinë edhe të tjerët. Unë mundohem të them diçka dhe të zbuloj diçka të re. Piktura, natyra, puna në këtë proces më sugjerojnë. Mundohem të shikoj rreth e rrotull se ç’bëhet me artin kontemporan dhe pastaj kthehem përsëri të bëj Ilirin.

Cilat janë teknikat që përdorni më së shumti?

Ato që unë përdor janë pak a shumë teknikat tradicionale, si pikturë mbi canavas, kryesisht vaj, por më rrallë edhe akrilik. Janë këto dy teknikat kryesore. Pra, teknika tradicionale të përdorura në piktura kontemporane. Është një lloj realizmi kontemporan, që nuk është tamam realizëm, por pikturë figurative me elementë që mundësojnë kuptime dhe perceptime të larmishme.

Cili është impakti i njerëzve ndaj asaj që këto vepra përcjellin?

Më ndodh shumë shpesh që, kur dikush shikon pikturën time të gjejë diçka të cilën unë nuk e kam ditur apo perceptuar se e kam realizuar. Pra, pikturën unë mund ta konceptoj ndryshe, por dikujt mund t’i kujtojë nënën e tij, mund t’i ngacmojë një fatkeqësi që ka pasur. E njëjta pikturë, dikujt tjetër mund t’i kujtojë çaste të lumtura apo të gëzuara. Duke qenë para një pikture shumë të ngurtë ajo duket sikur të thotë: “Unë jam dhe ti duhet të më marrësh mua kështu siç jam”. Ndryshe nga kjo, unë kam dëshirë që kur që kur realizoj një pikturë, ku të tjerët të mundohen të gjejnë veten e tyre. Pra, siç ndodh në ato sallat me mijëra pasqyra ku secili shikon veten dhe kjo është diçka shumë e bukur. Mundohem që në mënyrë kategorike të mos bie në grackën e “trukut”, që duket e bukur, duket interesante.

Për të rinjtë shqiptarë të talentuar që duan të ndjekin rrugën e artit, a keni një këshillë që do t’i inkurajonte?

Unë do të preferoja të mos jepja shumë këshilla ( qesh). Në qoftë se do të jepja një këshillë, në qoftë se do të mundohesha të tregoja diçka që unë përpiqem ta bëj për veten time, është që: Jini besnik të vetvetes, mundohuni ta gjeni bukurën tek vetja! Përpiquni të bëni sa më pak ose aspak “truqe”, pasi këto të fundit e bëjnë punën të ngjajë e bukur vetëm në një moment të caktuar, që duket sikur i përshtatet kohës. Kjo është shumë thelbësore. Një nga strategjitë që mund të ndiqet për të realizuar këto është që të mos na vijë turp nga vendi ku jemi e të shikojmë rreth e rrotull, sepse bukuria gjendet kudo. Frymëzimi gjendet kudo edhe ndoshta më shumë këtu në Tiranë, sesa atje ku jam unë. Nëse përpiqemi të bëjmë këtë edhe të huajt do ta shikojnë me më shumë vëmendje punën tonë. Sepse, në qoftë se unë tani do të përpiqem të bëj si ai piktori gjerman, ose si ai në Paris, apo si ai në New York, çfarë do t’u jap atyre unë, çfarë do t’u tregoj?! T’u tregoj atë që ata kanë përditë atje?! Mendoj se duhet të jemi më shumë krenar për vendin tonë, jo mendjemëdhenj se kemi shumë probleme, por të mos shikojmë vetëm gjërat e këqija. Po vërej, se po flitet vetëm për gjërat e së kaluarës, ngjarjet negative që kanë ndodhur. Mendoj se këto ngjarje nuk duhen harruar, por duhet parë e sotmja. Asnjë nuk e ka arritur lumturinë duke parë anën negative të së kaluarës. Unë, kur përpiqem të shikoj të kaluarën, sepse nuk është kontradiktë që përpiqem të shikoj nga e shkuara, mundohem të shikoj atë dritën, atë bukurinë që mund të më frymëzoj. Në qoftë se do të shikoja vetëm frymën negative ajo do të helmonte edhe punën time. Kjo që ndodh nuk është faji i brezit të rinj, mirëpo mendoj se u takon atyre, artistëve të rinj të përdorin frymën pozitive. Ka shumë gjëra të bukura tek njeriu që kemi afër! Mendoj se kjo është shpresa më e madhe dhe e realizueshme.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet