Ilir Daja: Pas pushimit, të kapim ritmin

Publikuar më 12. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Tonin Frroku

Skënderbeu luan sot ndeshjen delikate ndaj Laçit, sfidë që për trajnerin e korçarëve Ilir Daja, është mjaftë e rëndësishme. Tekniku i Skënderbeut, Daja ka theksuar se ekipi që ai drejton duhet të kapë ritmin pas pushimit të gjatë. Kujtojmë që Skënderbeu është në vendin e parë në tabelën e klasifikimt me 10-të pikë të grumbulluara në katër javët e para.

Kishit kohën e mjaftueshme për të studiuar Laçin, cilat janë pikat e forta dhe të dobta?

Natyrshëm që e kemi studiuar sepse ne fokusohemi vetëm tek përballja e radhës. I kemi nxjerrë informacionet e nevojshme dhe sot paradite, kemi parë pikat e forta dhe të dobta të kundërshtarit, idetë i kemi të qarta, por duhet që lojtarët të jenë të motivuar  maksimalisht dhe të bëjmë atë që bëmë në katër javët e para.

Katër ditë, dy ndeshje është ngarkesë e madhe para asaj ndeshje të Europës?

Të gjithë bashkë me grupin jemi të përqendruar vetëm tek Laçi pasi çdo lloj shpërqendrimi do të ishte në dëm të zhvillimit sa më të mirë të ndeshjes. Tashmë jemi mësuar me këtë ngjeshje të ndeshjeve dhe me intensitet të lartë, prandaj mendoj se nuk do të jetë problem.

Si do t’i menaxhoni forcat?

Nesër (sot) përveç lojtarëve të dëmtuar do t’i japim mundësi edhe lojtarëve që vijnë të impenjuar me kombëtaren përmes rrotacionit. Mundemi ta bëjmë këtë gjë pasi kontigjenti është i zgjeruar tashmë dhe na jep dorë për të ruajtur forcat sa më mirë.

Është e përballueshme në këtë mënyrë?

Besoj që deri tani e kemi përballuar me sukses dhe mendojmë që të bëjmë të njëjtën gjë në javët që do të kemi më shumë ngarkesë se në të tjerat. Për mendimin tim është e përballueshme sepse kontigjenti është i plotë dhe i dubluar. Laçi ka treguar se është një ekip i rezikshëm me të mëdhatë.

I druheni?

Nëse ne do të motivohemi dhe do ta vlerësojmë Laçin aq sa duhet vlerësuar ky kundërshtar nuk mendoj se do të na e bëjë ndeshjen e vështirë. Nëse do të ndodhi e kundërta pastaj jam dakord me ju se Laçi di të bëjë mirë me ekipet që janë pretendente për titull. Por shpresoj që të mos ndodhë që lojtarët e mi të mos kenë përqëndrimin maksimal pasi do të na duhet të ndërhyjmë që në pjesën e parë nëse do të shohim nëse një individ nuk do të jetë atje ku e duam ne.

Përsa i përket kapjes së ritmit është e vështirë të rinisesh ashtu siç e mbyllët?

Ky është problem jonë kryesor. Kemi tre pikë diferencë me kundërshtarët dhe besoj se duhet të tentojmë të thellojmë diferencën në mënyrë që rrugëtimi jonë duke pasur parasysh edhe impenjimin në Europë të jetë më i mirë në të dyja kompeticionet. Laçi fillimisht dhe më pas Lushnja.

Daja kërkon 6 pikë?

Unë mendoj fillimisht që kam një ndeshje me Laçin pasi i kemi trajtuar vetëm lojtarët e Laçit dhe lojën e tyre. Kur të kalojmë këtë takim do të bëjmë bilancin dhe do të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Barazimi do të ishte dramë?

Futbolli i ka të tria rezultatet. Nëse bëhet një lojë e mirë me të njëjtin ritëm që kemi luajtur në këtë kampionat dhe rastet e krijuara do të thotë që ekipi është në rrugën e duhur.