Ilia Shyti, “njolla” në biografi që i mohoi titullin “Artist i Popullit”

Publikuar më 04. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Dhimitër Shtëmbari

Jeta e artistit myzeqar, ish-antifashist dhe ish-partizan, që u deklasua pas arratisjes së vëllait. Mbledhja në Teatrin Popullor  dhe mbrojtja që i bënë kolegët, aktorë të shquar të kohës. Artisti që ishte edhe piktor i mirë dhe tregimtar përrallash në radio

Edhe pse në mjaft vepra skenike e në filma ishte në role të dyta, aktori Ilia Shyti të mbetej në kujtesë. Edhe pse në mjaft raste ishte episodik në teatër apo në film, me rolin e vogël që i jepej ai i shtonte një vlerë të madhe veprës artistike. Qoftë edhe vetëm rolin e memecit te komedia “Prefekti” të kujtosh, në mendje do të të vijë një qytetar i “vërtetë” i ardhur nga jeta dhe i ngjitur në skenë. Teksa e shikoje në skenë e harrroje Ilian – aktor dhe “merreshe” me memecin. Ilia Shyti, lindi në Lushnje më 19 korrik të vitit 1929 në një familje të mirënjohur qytetare, Ilia do të rritej me frymën atdhetare të njerëzve të shquar të fisit të vetë dhe të atyre që vazhdonin t’i kontribuonin Atdheut.

Edhe pse i vogël, vetëm trembëdhjetë – katërmbëdhjetëvjeçarë, ai do të ishte veprimtar i dalluar i Rinisë Antifashiste në Lushnje e më gjërë. Mbushur pa mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, mori pushkën dhe u radhit rreshtave partizane të Brigadës XVI Sulmuese. I spikatur si talent që në rreshtat partizane, Ilia Shyti pas çlirimit do t’i kushtohej vetëm artit. Dhe shumë shpejt do të ishte drejtor i Shtëpisë së Kulturës të rrethit të Lushnjës. Atyre viteve që do të drejtonte sektorin e kulturës në rreth, ai do të ishte, ndërkohë, shkrimtar, aktor, regjisor, skenograf.

Në veprimtaritë lokale dhe në ato kombëtare, Ilia Shyti do të shquhej, ndër të tjera, jo thjesht si organizator, por si aktor me talent të spikatur. Ishte kjo arsyeja, që qysh në vitin 1951 e aktivizojnë në Teatrin Popullor për të luajtur role të ndryshme. Kur u pa se djaloshi nga Lushnja kishte shumë ç’t’i jepte artit kombëtar, më 1954 e marrin përfundimisht në Tiranë, ndërkohë qe ishte vetëm 25 vjeçar. E emrojnë aktor pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Siç kujtonte vet i ndjeri Ilia, roli i parë në Teatrin Popullor ishte ai i xha Veliut te drama “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës, vënë në skenë në vitin 1952 nga regjisori i mirënjohur, Pandi Stillu.

Fjalët e mira të këtij regjisori dhe, sidomos, duartrokitjet e zjarrta të spektatorëve i ngrohën zemrën aktorit të ri. I rritën besimin në vetvete. Me dëshirën e ndezur të atij që ëndërron të bëhet dikushi në Teatër, Ilia Shyti vazhdoi t’i hidhte të sigurta hapat e veta në rrugën e bukur të aktrimit. Tashmë do të luante në shumë drama e komedi, si në “Votra e huaj”, “Familja e peshkatarit”, “Orët e Kremlinit”, “Karavidhet”, “Karnavalet e Korçës”, “Shtëpia me dy porta” etj.  Teksa ishte në të përpjetën e rrugës së tij si aktor, i ndodhi ajo që nuk e kish menduar asnjëherë: i arratiset vëllai jashtë shtetit!

Tashmë ai do të tronditej shpirtërisht. Sepse nga çasti në çast mund ta degdisnin atje ku i patën dërguar disa nga kolegët e vetë. Nisën ta shikonin “si vëllai i të arratisurit”! Filluan t’i qëndronin disi larg dhe ftohtë me merakun, se mos “vëllai i të arratisurit” do të mund t’i ngatërronte me ndonjë fjalë të rrezikshme. Ndërkohë, emri i këtij aktori ishte përfshirë në listën e zezë që i dërgohej Komitetit Qendror të PPSH për ta larguar nga Teatri Popullor! Projektohej për t’u dërguar në Berat “për të ndihmuar kulturën në këtë qytet”! Erdhi një çast dhe në kolektivin e Teatrit Popullor organizohet një mbledhje e posaçme kushtuar Ilias – “vëllait të të arratisurit”!

Synimi ishte, që këtij t’i jepej një “mësim” i mirë, por të paralajmërohej ndonjë tjetër që e kishte mizën nën kësulë. Por ndodhi ajo që nuk pritej nga lart: mjaft nga kolegët e vetë e mbrojtën ish-antifashistin dhe ish-partizanin Ilia. E mbrojtën Naim Frashëri, Ndrekë Luca e Ndrekë Shkjezi, Sulejman Pitarka e Gjon Karma, Lazër Vlashi e të tjerë. E mbrojtën për tërë atë kontribut që kishte dhënë  atyre viteve që kish punuar në Teatër. Gjithësesi, ndaj Ilias nisi të mbahej qëndrim i ftohtë. E kishin të vështirë t’i jepnin role. Kështu për afro dy vjet. Ishte regjisori i madh Piro Mani, që do të guxonte t’i jepte një rol të rëndësishëm, atë të Franit në dramën “Cuca e maleve”.

Dhe që nga kjo kohë Ilias do t’i besoheshin role të tjera, sidoqë jo të dorës së parë. Do ta ftonin në filmat e tyre regjisorë të tillë, si Viktor Gjika, Xhanfiso Keko, Muharrem Fejzo, Rikard Ljarja, Sajmir Kumbaro e të tjerë.  Por Ilia, si Ilia: vazhdoi të punonte si askush tjetër. Nuk kish nge të dëgjonte çfarë flitej për Të. Dhe ata që mendonin ta thërrisnin për t’i dhënë ndonjë lajm të mundshëm të zi, nuk kishin se ku ta gjenin. Sepse Ilia nuk njihte pushim: në skenën e teatrit Kombëtar për prova, në sheshxhirimet e filmave, në studiot e Radios për të treguar përrallën e mbrëmjes si Gjysh i fëmijëve, në shtëpi duke pikturuar…

Një jetë vetëm me gjuhën e artit

Teatri iu bë shtëpia e tij e dytë. Shkonte në punë dhe nuk dihej se kur mund të kthehej. Harrohej mbas punës së vetë si aktor. Dhe arriti që gjatë gjithë jetës së tij artistike në Teatrin Popullor të interpretonte mbi 100 role. Në moshën 65-vjeçare, në vitin 1994, luajti dramën e tij të fundit në Teatrin Kombëtar, titulluar “Fando dhe Lis”. Edhe pse partizan, edhe pse jashtëzakonisht i përkushtuar, “njolla” në biografi e ndoqi Ilia Shytin tërë jetën. E tregonte me dhimbje një çast, kur kish filluar të xhirohej filmi “Vitet e para”. Ilias i ishte caktuar të luante rolin e inxhinier Mborjes. Kur u mor vesh “lart” se kush luante në këtë film, menjëherë u ndërprenë xhirimet!

Vetëm mbas një viti, mbas një këmbënguljeje të pandërprerë të regjisorit të mirënjohur Kristaq Dhamo, shok i Ilias, u rivendos që ky aktor i shquar ta luante atë rol!  Në vazhdim të jetës së vetë artistike Ilia Shytit i jepeshin vetëm role të dyta! Episodike! Kryesisht negative. E, megjithatë, falë talentit që kishte, ai trondiste skenën sikur të donte të thoshte: ja ku jam. Spektatori, që atyre viteve dyndej dyerëve të Teatrit Popullor për të ndjekur shfaqjet, e duartrokiste, pa menduar se çfarë biografie kishte ky aktor. Dhe ndodhte kështu, sepse ky artist krijonte karaktere; “zhdukej” si Ilia dhe veç kur shfaqej tjetër njëri në skenë; herë si punëtor e herë si nëpunës, herë si prift e herë si hoxhë, herë si intelektual e herë si kuadër, herë si drejtor e herë si kulak dhe, gjithëherë – figurë e besueshme.

Filmat ku luajti Ilia Shyti

“Dashuria e fundit” (1995), “E diela e fundit” (1993), “Unë e dua Erën” (1983), “Vitet e pritjes” (1989), “Djali elastik” (1989), “Treni niset më shtatë pa pesë” (1988), “Tre vet kapërcejnë malin” (1988), “Këmishët me dyllë” (1987), “Një vit i gjatë” (1987), “Rrethi i kujtesës” (1987), “Botë e padukshme”  (1987)

“Tela për violinë” (1987), “Gabimi” (1986), “Kronikë e atyre netëve” (1986), “Asgjë nuk harrohet” (1985), “Shirat e vjeshtës” (1984), “Zambakët e Bardhë” (1984), “Era e ngrohtë e thellësive” (1982),”Vëllezër dhe shokë” (1982), “Intendenti (1980), “Liri a vdekje” (1979), “Në shtëpinë tone” (1979), “Pranverë në Gjirokastër” (1978)

“Rrugë të bardha” (1974), “Qyteti më i ri në botë” (1973), “Brazdat” (1973) “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Mëngjeze lufte” (1971), “Vitet e para” (1965), “Toka jonë” (1964), “Detyrë e posaçme” (1963), “Debatik” (1961), “Fortuna” (1959), “Tana”  (1958), “Koncert në vitin 1936”, “Dollia e dasmës sime”, “Gëzhoja e vjetër”, Vrasje në gjueti”, “Pesha e kohës” etj.

Në rolin e Franit te “Cuca e maleve”. Në rolin e skalitësit te filmi “Kohë e largët”. Në rolin e xha Rizait – drejtor i postës, te filmi “Rrugë të bardha”.

Shyti, edhe piktor dhe tregimtar përrallash

Të shumta janë rolet, ku Ilia Shyti ka lënë pas vetveten. Ata që e kanë pas ndjekur dramën “Familja e peshkatarit” nuk ka se si të mos u kujtohet Veipi i Ilia Shytit. Në rolin e Paput, te pjesa e dramatizuar prej romanit “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, Ilia dha një prift real, nga ata që njohim si njëri të perëndisë, por edhe si mëkatarë të njerëzisë. Në rolin e kulakut Daut te drama “Shënomëni dhe mua” të Hamza Minarolit, Ilia krijoi tipin e plotë të atij që është nënshtruar e poshtëruar prej frikës, por që thellë – thellë zemrës fsheh ndjenjën e natyrshme të pronës private. Figurë bindëse krijoi Ilia edhe në rolin e zotit Leon te komendia “Njëriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut.

(Sa mirë do të qe sikur kjo komedi të mund të shfaqej edhe sot, se do të mund të gjente paralele me jetën dhe veprimtarinë e disa prej kryetarëve aktual të Bashkive tona. Ilia Shyti është një nga artistët që e ka shoqëruar prodhimin kinematografik shqiptar nga lindja e tij e deri në fund të shekullit të kaluar. Ai ka luajtur në mbi 50 role, nisur nga filmi i parë shqiptar, “Tana”, vazhduar me filmin “Vitet e para”, xhiruar në vitin 1965, e deri në filmin “Tingujt e harresës”.  I talentuar siç ishte dhe punëtor siç dëshmohej, Ilia Shyti ftohej nga të gjithë regjisorët për t’u bërë pjesë e staf it të aktorëve për të xhiruar një film artistik. Të gjithë e donin ta kishin aktor në filmat e tyre. Qoftë edhe në rolet episodike, ai të nderonte. Para këtyre kërkesave të shumta, në ndonjë rast ai do t’i duhej që të punonte njëherësh në tri – katër filma.

Ndërkohë që ishte aktor i shquar, Ilia Shyti ishte edhe një piktor shumë i mirë. Me sa dukej, ish në genin e vetë familjar. Edhe i vëllaj, Zoi, që ka pas banuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një piktor i njohur. Si njëri i penelit, ai realizoi portretet e shumicës së aktorëve të Teatrit Popullor. Në vitin 1986 hapi një ekspozitë të veçantë me 100 portrete artistësh, nisur nga ata që patën luajtur në “Teatrin Partizan”. Këtë ekspozitë e pat çelur edhe në qytetin e Lushnjes, me të cilin e lidhnin shumë kujtime.

Artist shumëplanësh, Ilia Shyti ishte edhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Radiotelevizionit Shqiptar. Në një orë të caktuar të mbrëmjes, Gjysh Ilia u tregonte fëmijëve të Shqipërisë përralla shumë interesante. Zëri i tij karakteristikë i bënte për vete fëmijët në atë orë të këndshme për ta. Në rreth 40 vjet ai interpretoi mbi 2.000 përralla në emisionet e “Radio Tiranës”. Ndërkohë, pat organizuar emisione interesante televizive në Televizionin Shqiptar, duke i “shëtitur” të vegjëlit në vende të ndryshme historike e turistike.

Paralelisht me këto shkruante dhe luante në radiodramatizime, duke i bërë jehonë heroizmit të popullit tonë.  Si rrallë tjetër artist myzeqar, Ilia qe i lidhur ngushtë me vendlindjen. Shkonte rregullisht dhe bëhej pjesëmarrës në veprimtari të ndryshme kulturore. Ai qe dhe mbeti një mik i dashur i bashkëqytetarëve të vetë. Ja pse edhe këshilli bashkiak i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi i Lushnjës”. Për kontributin që pat dhënë si aktor në teatër dhe në kinematografi, Ilia Shytit i qe dhënë titulli “Artist i Merituar”. Ata që e kanë pas njohur nga afër shprehen, se “ceni” në biografi i mohoi titullin më të lartë, Artist i Popullit. U nda nga jeta më 26 nëntor të vitit 2003.