“Identiteti dhe rrënjët e mia, gjendet në veprat e kompozitorëve shqiptarë”

Publikuar më 13. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Ajo u rikthye në skenën e Universitet të Arteve për të interpretuar “Koncert për piano” të Çesk Zadejes. Plot elegancë, nëpërmjet lojës së saj në piano e shoqëruar nga kori dhe orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit, i dhuroi publikut të pranishëm emocione. Bëhet fjalë për pianisten Dhurata Lazo, e cila erdhi nga Gjermania enkas për të qenë pjesë e këtij koncerti. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, Lazo shpjegon se për të ky koncert krijon hapësira të reja në muzikën shqiptare, sepse nëpërmjet ndërthurjes dhe harmonizimit të konceptit klasik me atë të muzikës popullore del në pah mjeshtëria artistike dhe qartësia e mendimit muzikor të Zadejes. Ndonëse, për pianisten nuk është hera e parë që e luan këtë pjesë. Ajo sërish thotë se, muzika shqiptare është ushqimi i saj, se me të është edukuar, prandaj nuk do të resht kurrë së dhëni nga vetja për promovimin e saj, brenda dhe jashtë vendit.

Riktheheni në skenën e Universitetit të Arteve për të interpretuar nga Çesk Zadeja, “Koncert për piano”. Çfarë mund të na thoni për emocionet që përjetuat pas interpretimit të kësaj pjese?

Sa herë kthehem në mëmëdhe përjetoj emocione të forta, sa filloj me provat e para, bashkëbisedimet me miq artistë dhe sigurisht ato më të fortat janë te salla “magjike” e Universitetit të Arteve, pikërisht në atë sallë, ku jam diplomuar dhe më pas do vazhdonte rrugëtimi im profesional.

Në atë sallë kam interpretuar dhe në moshë fare të re, si gjithë miqtë e mi që ëndërronim pa fund për të ardhmen. Është sallë “misterioze” e gjithë artistëve, njeh shumë emocione e sekrete njerëzore, sallë që ka pritur në gjithë kohërat dhe ka bashkuar shpirtrat.

Prandaj dhe emocionet janë më të forta, sepse aty çdo njëri nga ne, ka një histori që e mbart me vete atë më të bukurën e jetës, mjafton ideja që publikun e njeh; të përgëzojnë profesorët që ke pasur. Miqtë e shkollës përzihen bashkë me nostalgjinë dhe adrenalina është tejet e lartë, aq sa të prek, si një fëmijë që loton nga gëzimi. Këto janë arsyet që e quaj sallë “magjike”. Arti i bukur i tingujve është gjuha e shpirtit, që depërton ose ngacmon shpirtrat e tjerë nëpërmjet tingujve. Edhe tani që flasim së bashku ende kam emocione!

Nëse riktheheni në kohë, ju keni pasur mundësi që të luani edhe herë tjetër pjesë të Zadesë. Si e kujtoni atë periudhë?

Në programin e shkollës së pianos e jo vetëm, kemi studiuar përveç kompozitorëve botërorë edhe muzikën e kompozitorëve shqiptarë, madje atëherë kishin shumë rendësi. Jam rritur me veprat e tyre qysh nga këngët më të vogla, deri te veprat në formë më të mëdha, si koncept.

Koncertin për “Piano e orkestër” të Zadesë e kam luajtur disa herë, me orkestrën e Liceut Artistik, kur jam diplomuar në klasën e prof. A.Tartari, më mbrapa me orkestrën e RTSH-së me dirigjent Ermir Krantja, dhe këtë radhë me orkestrën e TOB-it, nën drejtimin e E.Doko.

Koncerti për piano zë një vend të veçantë në krijimtarinë koncertale të kompozitorit. Karakteri lirik që përshkon 2 temat dhuron elegancë të tingëllimit të përgjithshëm, shquhet për melodiken e frymëzuar e shumë shprehëse me një logjikë të qartë harmonike e funksionale. Nëpërmjet planeve tonale krijon ngjyrime të pasura emocionale, tingëllime origjinale, të cilat janë shprehje e individualitetit të tij krijues. Ky koncert krijon hapësira të reja në muzikën shqiptare, ndërthurja e harmonizimit të konceptit klasik muzikor me specifikat e muzikës popullore, edhe nxjerr në pah mjeshtërinë artistike dhe qartësinë e mendimit muzikor, ngjyrimet orkestrale, kristalizimin e figurave artistike në tingëllimet plot sharm të muzikës popullore, por të trajtuar në mënyrë rikrijuese dhe si vepër bashkëkohore.

Muzika shqiptare ka qenë ushqimi ynë, jemi edukuar ta duam dhe ta interpretojmë bukur nga profesorët tanë, madje kam gjithë shënimet e tyre. Sot, edhe të interpretosh ndryshe, sepse gjithçka shkon përpara, pjekuria, përvojat ashtu si dhe kompozitorët botërorë, jo në çdo kohë luhen njësoj, sepse thelbi ngelet, në njohjen e thellë të folklorit, të veçantitë dhe karakteristikat e tiparet dalluese të trevave që ato përfaqësojnë.  Më kujtohet kur studionim folklorin shqiptar në konservator (siç e quanim atëherë).

Po rrëfej një detaj të veçantë të jetës, si më ka rrahur zemra fort atë ditë, kur profesor Çesku erdhi në klasën e pianos, hapi çantën e vendosi mbi piano 5 pjesë në vitin 1989, të cilat ende nuk i kishte përfunduar dhe m’u drejtua “Një dedikim për Ty!”. Edhe kur jam larguar nga Atdheu në vitin 1990 për në Itali, i mora me vete shkrimet e shënimet e tij pa e ditur se, çfarë do të ndodhte në jetën time, por një gjë e dija: “Ishin të miat…, sa herë e kujtoj prekem, buzëqesh, ndihem mirë. Cikli është botuar dhe me dedikimin në emrin tim.

Po Zadejen, si njeri si e kujtoni?

Profesori ishte shumë njeri i butë. Dialekti i tij shkodran më kënaqte, edhe pse unë jam me origjinë gjirokastrite. Ishte i dashur edhe kur bënte vërejtje ose jepte këshilla. Kishte një takt elegant dhe ishte shumë njerëzor. E kujtoj të rrethuar mes artistëve e studentëve të tij, ishte një burrë me zemër të madhe dhe shumë pozitiv. Ai dhe bashkëshortja e tij, Alma, janë përkujdesur edhe për shëndetin tim, ndihesha si në shtëpinë time, ku kemi kaluar së bashku momente të mrekullueshme. E kam dashur shumë, e dëgjoja shumë, më dhuronte partitura. Ruaj shumë kujtime që do të ngelen përjetësisht në kujtesën time, të cilat i mbart kudo me vete.

Ju jeni një nga artistet shqiptare, që ndër të tjera i keni vënë qëllim vetës, që edhe të promovoni muzikën shqiptare. Por, si është kur luan në skenën që je diplomuar?

Ne jemi edukuar dhe ushqyer me muzikën shqiptare qysh në moshën 6-vjeçare e mbrapa, ngelet qëllim, mision për ta promovuar kudo. Kam regjistruar një CD-i me autorë botërorë, por edhe “Temë e variacione” të Tonin Harapit, dhe ciklin për piano të Çesk Zadeja. Më pas kemi regjistruar në Zyrih me violinistin K. Sahatci albumin e titulluar “Albanian Memories” me vepra te kompozitorëve shqiptarë për violinë e piano.

Po kur luan jashtë vendit një pjesë shqiptare, si ndihesh?

Kur interpretoj jashtë atdheut vepra shqiptare ndiej krenari, aty gjej identitetin tim, rrënjët e mia, por ekziston dhe dëshira e shpresa e madhe, që të njihet e të studiohet. Gjithë studentët e mi njohin një vepër apo miniaturë nga muzika jonë, madje dhe kolegët e mi kanë pasur interes dhe ua kam dhuruar. Në një periudhë kam interpretuar në shumë qytete të Italisë muzikën tonë dhe dekani në konsevatorin e Padovës, muzikant i mrekullueshëm, sidomos në stilin barok e vlerësoi dhe Cd-ja ndodhet në bibliotekën, po kështu në Udine. Jam ndierë veçse mirë! Kur interpretoj në mëmëdhe muzika jonë është në ajër bashkohem me publikun na tërheq e njëjta gjuhë, qarkullon në ajër ndihet, duke e mbyllur: “Na bashkoi kënga popullore!”.

Biografia

Pianistja Dhurata Lazo ka lindur në Gjirokastër. Që në moshën 6-vjeçare ka studiuar për pianoforte në qytetin e lindjes. Studimet e larta i mbaroi në Akademinë e Arteve të Bukura nën drejtimin e prof. A.Tartari. Në vendlindje ka luajtur koncerte me muzikë dhome, edhe si soliste me orkestrën e RTSH-së, qysh në vitin 1987 nën drejtimin e dirigjentit Ferdinand Deda (koncert n.3 të Beethoven) dhe me orkestrën Filarmonike të Tiranës (1989), koncertin në LA min, të E.Grieg.

Është vlerësuar me çmime të ndryshme dhe në vitin 1989 kompozitori Çesk Zadeja i dedikon ciklin e tij të fundit pianistik. Në shtator të vitit 1990 transferohet në Itali dhe u diplomua në Konservatorin “G.Verdi” të Milanos. Studion në Akademinë e Chopen-it nën drejtimin e pianistit polak, maestro Marian Mika, ku specializohet për “muzikë dhome” dhe sofistike F.Chopin etj. Ka luajtur koncerte recital pianistik dhe muzikë dhomë në Europë, si Itali, Austri, Slloveni, Francë, Gjermani, Zvicër, Luksemburg, Poloni, Ukrainë, Kosovë, Shqipëri, USA etj.

Ka qenë e ftuar dhe ka interpretuar në festivale ndërkombëtare, si Re-Muzika në Kosovë, Festivali Chopin Kosovë, Festivali “Different Training” në Tiranë, Festivali i Muzikës së Dhomës në Durrës, Festivali Ndërkombëtar Pianistik Chiogga Venecia, Festivali Pianistik Ndërkombëtar, Udine në Itali.

Në vitin 2004 ka realizuar CD-në e saj pianistike për Phoneix të titulluar “concerto Lanfranchi”. Ka regjistruar në Zürich CD-në “Albanian Memories” me violinistin K. Sahaçi, me vepra të kompozitorëve shqiptarë për muzikën violinistike, me vlerësim për nivel të lartë interpretimi. Ministria e Kulturës në Tiranë dhe Akademia e Shkencave e kanë vlerësuar me çmimin “Muza”. Në vitin 2016 ka regjistruar me bashkëshortin e saj, Zija Bushi Bejleri CD-në “Fantasie” te Fazioli “Concert Hall” me vepra të repertorit francez për saksofon dhe piano.

Është promovuese e muzikës klasike shqiptare nëpër botë dhe promovuese e Piano Fazioli në disa premiera. Është vlerësuar nga mediet edhe kritikët e huaj. Kritiku gjerman Gabi Treiber (në RHEINPFALZ) shkruan: “Tingujt e pianos së Dhurata Lazos, katër herë Chopin, katër herë mishi kokërr, muzika e luajtur nga kjo pianiste e jashtëzakonshme ofroi një kënaqësi akustike, ajo shkonte mbas tonit dhe na ledhatonte shpirtin, duke luajtur me një teknikë të lartë dhe të admirueshme, kënaqësi e pafundme”.