I ngordhin të gjitha shpendët, fermerit nuk i japin dëmshpërblim

Rreth 500 shpendë kanë ngordhur në një ferme në Krujë. Qazim Gjoni nga fshati Bubq i Krujës, prej 25 vitesh mbarështon pulat dhe gjelat e detit. Por, këtë vit ai ka pasur dëm të madh pasi kanë ngordhur gjysma e tyre, ndërsa sëmundja e rëndë nuk parandalohet dhe pritet të prekë të tjerë shpendë

Erjon Dervishi

Qazim Gjoni është fermeri i cili që nga tetori i vitit 2018 është përballur me një situatë pazakontë, nga një sëmundje që ka zhdukur gjysmën e shpendëve në pularinë e tij me gjela deti. Ai kërkon që të ketë një dëmshpërblim nga qeveria për ngordhjen e disa qindra krerëve të pulave të setit. Aktivitetin e tij Z. Gjoni e ushtron në fshatin Budull të Qarkut të Durrësit. Fermeri ka bërë të ditur rastin, në disa institucione, por është përballur me neglizhencën e tyre. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Gjoni tregon për problemet që ka hasur me institucionet shtetërore, deri në kërcënimin e shëndetit të tij. Z. Gjoni shprehet i gatshëm edhe për një përgjysmim të dëmshpërblimit vetëm për faktin që të fillojë edhe një herë aktivitetin e tij, pasi i duhet të zëvendësojë të gjitha krerët e shpendëve të groposur në tetor 2018.

Z. Gjoni si qëndron problemi juaj?

Quhem Qazim Gjoni, nga Njësia Bubq dhe fshati Budull. Kam 29 vjet që rris pulat e detit. Asnjëherë nuk kam dështuar me pulën e detit. Sepse i kam mjekuar dhe i kam rritur në natyrë. Kam blerë të gjitha ushqimet bio dhe përfundimin e kam pasur të shkëlqyeshëm. Përveç vitit 2018. Rreth fundit të muajit tetor, shikoj simptoma të pulave të cilat nuk i kisha në rregull. Hap listën, i kisha bërë të gjitha vaksinat. Kjo ishte një sëmundje disi e papritur. I bëjë analizat tek Instituti i Kërkimeve Veterinare, për të zbuluar paraprakisht shkakun. Pra, si rezultat pulat nuk kishin asgjë. Kthehem në shtëpi dhe gjej 50 krerë shpendë të paralizuara nga koka tek këmbët. Alarmohem, marr pesë pula dhe i çoj tek Instituti i Kërkimeve Veterinare për të marrë gjakun dhe për të parë se çfarë kanë. Nuk më dha asnjeri ndihmën e nevojshme. Ngordhja vazhdonte çdo ditë. Alarmohet Drejtoria e Bujqësisë së Krujës. Drejtoria e Bujqësisë së Durrësit vjen tek unë. Si drejtori edhe zootekniku, të cilët dihej që i kisha miq. Por ata nuk dolën të atillë. Nga frika apo ndoshta nga mos pritja ime “e mirë”, që gjithmonë i kam pritur me derën hapur. Nuk e di se ku kam bërë gabim tek drejtori i Bujqësisë së Durrësit, Z. Agron. Këtë e vërtetova më vonë. Ai për të mbrojtur veten e vet, refuzoi një të drejtën time që unë shpresoj që mos e humbasë drejtësia. Erdhi Drejtoria e Bujqësisë së Krujës. Në prezencë të mjekut filluan groposjen e pulave, të cilat janë të konfirmuara dhe të dhëna nga çdo stacion televiziv. Ato u groposën në gropën që hapi Bashkia. Çdo ditë groposeshin nga 20-30-40 pula deti. Ngordhja e këtyre pulave vazhdoi tri javë.

Këto i groposte bashkia?

Po i groposte Bashkia.

Po ju ishit dakord që ato të groposeshin?

Po, sigurisht që isha dakord. Sepse sëmundja ishte e tillë që mund të përhapej.

Po ti e besoje sëmundjen, apo thjesht çfarë thoshin ata?

Po çfarë thoshin ata. Nga Instituti i Kërkimeve Veterinare marr një përgjigje që thotë që, kemi të bëjmë me parametrat e pseudopestit. Por vetëm Pseudopest nuk kanë pasur pulat e mia. Sepse kam 27 vite që u bëj vaksinën. Më vonë më vijnë disa shokë dhe miq, edhe njerëz që kanë dalë sot në pension, që janë veteriner të vjetër, duke më thënë që pulat nuk kanë Pseudopest. Më vonë më vijnë dy shokë, një nga Italia dhe një nga Durrësi dhe më konfirmojnë diagnozën që ju e keni përpara. I shkrova Zv/kryeministrit. I shkrova Ministrit të Bujqësisë. U shkrova që të gjithëve. Askush nuk u mor me punën time. Sepse procesi u montua që në Drejtorinë Bujqësore të Durrësit. Ndërsa ndryshe flet Drejtoria e Bujqësisë së Tiranës për diagnozën e pulava të mia, të cilët thonë se nuk është pseudopest. Ndryshe flet Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Ministrinë e Bujqësië, Z. Sotiraq Papa dhe ndryshe flasin të tjerët. Procesi im është i montuar. E drejta duhet të dalë. Por me këtë diagnozë që kanë pulat e mia, që kanë ngordhur nga Pseudopesti, të pyesim edhe mjekë të tjerë të vjetër, nuk del e tillë. Por këtu janë dokumentet dhe çdo gjë është e zeza mbi të bardhë. Të shikohen të gjitha analizat. Pse Instituti i Kërkimeve Veterinare, nuk ka pasur këmbënguljen për ta cuar deri në fund këtë diagnozë. Ky ilaç, i cili është përshkruar në dokument, nuk ekziston fare nëpër farmacitë bujqësore. Shteti dhe të gjitha drejtoritë e Bujqësisë Veterinare, duhet që ta shikojnë këtë lloj sëmundje. Sepse sot më ra mua me 500 krerë, por të mos harrojmë se ka rënë edhe në Shkodër me 1500 krerë dhe nuk e kanë bërë alarm. Kanë rënë edhe në Fushë Krujë. Të jeni i sigurt se pulat e detit preken nga këto sëmundje një herë në 1000 vjet. Kjo nuk ka qenë Pseudopest sepse unë kisha edhe pula të tjera fushe, të cilat hanin me pulat e detit. Ato nuk ngordhën. Kurse këto ngordhën. Se si ka ardhur kjo sëmundje që quhet Aviar 2 ose sëmundja e Neëcastell, këta kanë ardhur nga pëllumbat. Që ta dinë mirë këtë zotërinjtë, të cilët janë mendjemëdhenj dhe nuk i përgjigjen fare realitetit. Aty ku hanin pulat e mia vini edhe pëllumbat. Ose mund të ketë ardhur ndonjë virus nga makinat që, për shkak të ndryshimit të rrugës për në Fushë-Krujë, mund të jetë hedhur ndonjë mikrob nga një makinë. Shteti nuk ka kryer detyrën që i takon. Ata këmbëngulin se pse ia kë bërë vaksinat vetë. Por ata harrojnë se mjekët tanë në fshatin tonë vijnë me çanta. Ato ilaçe mund të jenë të skaduara. Kurse unë ilaçin e kam marrë në farmaci, është e dokumentuar. Edhe po ta bëja me 300 lekë për gjilpërën dhe 600 krerë pule, i bie me 180 mijë lekë ilaçe. Ku do t’i gjejë unë 180 mijë lekë për katër herë. Në një kohë që unë jam mjek i palicencuar. Pra më ka bërë koha më ka bërë situata.

Por ata kanë të drejtën e tyre që të thonë që këto shpend kanë nevojë për mjekun veteriner.

Po, por mjeku veteriner nuk vjen.

Nuk vjen mjeku?

Ku është mjeku? Sepse mjeku më thotë që unë nuk jam për pulat e detit. Unë jam për lopë, për dele.

Nuk ka zooteknik për shpendët?

Jo. Ka një ndihmës mjek veteriner që është pa shkollë. Ka vetëm shkollën e mesme. Ku di ai më shumë se unë që kam 29 vjet që merrem me pulat e detit.

Sa është dëmi që të është shkaktuar?

Mbi 30 milionë lekë. Pra 30 kuintal mish. Këtë i jap unë shtetit çdo vit. Unë jam me nipte. Kam edhe dokumentet e fermerit. Unë kam paguar taksat. Kjo është një neglizhencë nga ana e Drejtorive vendore për të mbuluar gabimet e tyre. Le të merren me këtë zotërinë që kanë firmosur këtu. Cila është diagnoza paraprake.

Skënder Tivari çfarë është?

Skënder Tivari është veteriner i licencuar në Itali, në Milano.

Ky e bëri raportin pa e bërë gjendjen fare apo ishte prezent?

Po, po e ka parë gjendjen se ka qenë aty ai. Ai pa edhe shenjat. Po ky është raporti i saktë. Është depozituar në Ministri dhe ministria nuk e çan kokën fare. Kjo ndodh që të mos më japin mua dëmshpërblim. Ia kanë lënë Pseudopestit. Por nuk është pseudopesti. Ia kam bërë vetë. Po mirë supozojmë se janë nga Pseudopesti. Por si shpjegohet që nuk më ngordhën pulat e fushës. Mua nuk më ngordhi asnjë.

Zyrtarët e Ministrisë, me diagnozën e Pseudopestit shmangin dëmshpërblimin?

Po, po, sigurisht.

Çfarë do të bëni tani?

I kam kërkuar Kryeministrit dhe nuk më kthejnë përgjigje. Sepse po ta dijë kryeministri ai do të heqë shumë persona nga puna. Unë do të shkoj edhe në Gjyqin e Hagës. Dua që të angazhohet ekspertiza, të ribëhet edhe një herë analiza. Të fillojë procesi nga e para. Gjithsej janë groposur 570 krerë. Kurse të dokumentuar janë 456 me procesverbal. Të drejtën time e dua. Por lind një pyetje tjetër. A do të mund të mbajë unë pula deti sivjet? Sepse nëse unë nuk kam një diagnozë të saktë dhe ilaçe, ato do të ngordhin përsëri. Drejtoria qendrore e farmacisë së Veterinare duhet të sjellë ilaçet, ta marrë ajo përsipër. Për këtë sëmundje ka ilaçe vetëm në Itali. Unë këmbëngulë që Drejtoria e Durrësit nuk ka qenë krah meje. Veterineri i fshatit nuk ka qenë krah meje.

Proces verbali

Me datën 31 Tetor 2018, u ngrit një komision për të vlerësuar dëmin e shkaktuar nga rënia e sëmundjes. Komisioni përbëhej nga Pronari, i cili kryente edhe rolin e Mjekut Veteriner, Qazim Gjoni, veterineri në Njësitë e qeverisjes vendore, Shefqet Dolli, veterineri zyrtar i shërbimit veterinar rajonal, Erson Dhimëspiro dhe përfaqësuesi i administratës së njësisë vendore, Lutfi Neziri. Duke qenë se në komision ishte vetë i pranishëm edhe Qazim Gjoni, nuk pati kundërshtim për vendimin që shpendët në fjalë të groposeshin. Zyrtarisht numri i krerëve të groposur është 456. Me anë të këtij procesverbali, palët dhe pronari i këtyre shpendëve binin dakord për groposjen e tyre, por pa e përcaktuar qartë se nga çfarë sëmundje ato ishin të prekura. Me qëllim kjo gjë është lënë jashtë, për faktin që Z. Gjonaj të mos kishte mundësi reagimi apo edhe ankese në instancat përkatëse. Ky procesverbal tregon nga ana tjetër edhe gatishmërinë e Z. Qazim Gjoni për bashkëpunim me autoritetet vendore. Duke marrë masën më ekstreme, e cila ka të bëjë me eliminimin fizik të tyre, pra në këtë rast me groposjen.

Shpendët ngordhën nga një virus tjetër

Qazim Gjoni nuk e la me kaq reagimin e tij. I vetëdijshëm se do të haste në neglizhencën e autoriteteve vendore dhe kombëtare, Gjoni fillimisht vendosi të kontraktojë një Veteriner privat. Ai ishte Z. Skënder Tivari. Ai është një veteriner i licencuar nga shkolla e italiane. Aktivitetin e tij e ushtron në Durrës. Skënder Tivari përgatiti një raport për këtë çështje. Nga analiza e tij doli si përfundim se shpendët nuk ishin prekur nga sëmundja e Pseudopestit. Në raportin e mbajtur më 14.11.2018, thuhet se: Simptomat e shpendëve ishin të tilla si, temperaturë e lartë, debolesë, frymëmarrje e vështirë, krampe, përdredhje e qafës së kokës. Si diagnozë mjeku veteriner theksonte se: Në mungesë të provave laboratorike dyshoj se kemi të bëjmë me Sem. Virale Paramyxo, Virus Aviar, që shkakton sëmundjen e Pneuomencefalopatisë Aviare që quhet edhe sëmundja e Neëcasellit. Shpendët janë vaksinuar, por jo 9 nëntipet e tij. Si rrjedhojë virusi është përhapur shpejt tek shpendët. Raporti thekson se: Nuk kemi Pseudopest, Influencë Aviare. Si konkluzion raporti thekson se: U lanë detyra për lirimin e stallës, pastrimin e dezinfektimin e saj. Sipas mendimit tim, sëmundja është shkaktuar nga mos vaksinimi i Virusit të Paramyxo Virus të sëmundjes së Neëcasellit në javën e parë të jetës së zoogjeve të sapoçelur.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe veterinarie

Një reagim në favor të Z. Qazim Gjonaj ka ardhur edhe nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë në Tiranë. Në bazë të rezultateve që ky Institut ka kryer, nuk rezulton që të ketë pasur virus të Pseudopestit. Rezultatet kanë dalë negative. Analizat e tyre janë bërë më 25.10.2018. E njëjta përgjigje ka dalë edhe nga analizat e datës 30.10.2018. Rezultatet kanë dalë negative.

Bashkia Krujë

Në përballjen që Z. Qazim Gjonaj ka pasur me institucionet lokale, ka pasur një reagim negativ nga ana e tyre. Në përgjigjen që ata i kanë dhënë, Z. Gjoni, rezulton se: Këshilli Bashkiak në mbështetje të kërkesës nr. 7623 prot, datë 18.12.2018. Për ngordhjen e 456 krerëve, pulave e gjelave të detit, nuk mund t’ju ndihmojë, përveç rasteve të Emergjencave Civile, siç janë: Përmbytjet, Tërmetet, Djegie Banese (nga zjarri) dhe këto paraqiten në Këshill me dokumentet përkatëse, Projekt Vendim dhe Relacion.

Drejtoria e Bujqësisë

Të njëjtin reagim negativ ka marrë Z. Gjoni edhe nga Drejtoria e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë. Por këtë herë preteksti u gjet tek mungesa e vaksinimit. Në kthimin e përgjigjes thuhet se: Fermeri sipas raportimit nuk ka vaksinuar gjelat për sëmundjen e pseudopestit. Vaksinimi për sëmundjen e pseudopestit përballohet nga vetë fermerët. Procesi i vaksinimit, teknikisht kryhet nga shërbimi veterinar privat, i pajisur me leje për ushtrimin e profesionit. Sëmundja e pseudopestit, e konfirmuar si shkaktare e dëmtimit të 567 krerë gjela deti, nuk është e përfshirë në listën e sëmundjeve të programit të profilaksisë shtetërore veterinare, të cilat mbështeten nga buxheti i shtetit, për rrjedhojë dëmshpërblimi nuk mund të realizohet nga buxheti i fondit të veterinarisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet