I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes: Bisedat janë bërë në një moment dobësie

Nga Bleona Metushi

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës ndaj Sadetin Sulës, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij. Në seancën e djeshme ai dëshmoi para trupit gjykues, ndërsa nuk pranoi krimin dhe tha se kishte marrëdhënie të mira më gruan. Më tej akuzon kunatat se i kanë marrë fëmijët për të përfituar ekonomikisht

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës ndaj Sadetin Sulës, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Suela Sula rreth dy vite më parë, në ambientet e biznesit të tyre në Shkodër. Nën akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, kryer në bashkëpunim”, i implikuar si fillim nga dëshmitë e dyshimta para grupit hetimor dhe së fundmi edhe nga disa regjistrime audio të gjetura në telefonin e viktimës, ai mohon të ketë gisht në vrasje. Në këto regjistrime, të dëgjuara disa javë më parë në sallën e gjyqit, dëgjohej i pandehuri Sadetin Sula duke folur me të punësuarin e tij, Fatjon Karmeshtna. Ky i fundit i arrestuar dhe akuzuar si vrasësi real i Suela Sulës, por që sipas prokurorit të çështjes, i paguar dhe urdhëruar nga Sadetin Sula. Në këto biseda ata diskutonin se si mund ta hiqni qafe me anë të magjisë, e ndër të tjera ata diskutonin se nëse magjia nuk bënte punë atëherë do të duhej që ta vrisnin. Në seancën e djeshme vetë i pandehuri, Sadetin Sula, dha deklarimet e veta në lidhje me çështjen dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij. Në një kohë që ai mohon të ketë urdhëruar vrasjen e saj, sa i përket përgjimeve, Sadetin Sula as i pranon, por as i mohon ato regjistrime.

Dje në sallën e gjyqit, ai u shpreh se nuk i mbante mend ato biseda, ndërsa shtoi se edhe nëse janë bërë, ato janë bërë në një gjendje shumë të rëndë psikologjike. Dhe në këto kushte, nuk janë prova që të vërtetojnë se ai ka porositur vrasjen e nënës së tre fëmijëve të tij. Më tej, gjatë dëshmisë së dhënë, ai ka hedhur akuza edhe ndaj motrave të ish-bashkëshortes, që sipas tij i kanë marrë fëmijët dhe i kanë manipuluar ata në lidhje me ngjarjen e ndodhur. “Kur u kujtuan tezet për fëmijët e mi?! Ato më parë nuk u blinin asnjë akullore. Më kanë marrë fëmijët dhe unë ndodhem në kushtet kur nuk ia kam idenë se ku ndodhen dhe çfarë bëjnë. Unë nuk e di nëse fëmijët e mi janë gjallë apo jo.”-tha Sadetin Sula, dje në sallën e gjyqit. Ndërsa nëpërmjet avokatit të tij, Theodhori Sollaku, i cili bëri kërkesë që të prokuroria t’i vinte në dispozicion të gjitha DVD-t ku janë regjistrimet audio, ai pretendon se aty ka edhe pjesë ku ata shkonin mirë. Mbrojtja ka pretendime, se organi i akuzës paraqiti në sallën e gjyqit, ato pjesë të regjistrimeve që i interesonte për vërtetimin e akuzës.

Duke shtuar më tej se edhe interpretimi i bërë nga ana e prokurorit të çështjes, Henrik Ligori, në lidhje më regjistrimet, është bërë në një këndvështrim që i shkonte për shtat akuzës së ngritur. “Ne kërkojmë të na vihen në dispozicion të gjitha DVD-t e regjistrimeve të gjetura në telefonin e të ndjerës, që të mund ti dëgjojmë edhe ne. Kjo pasi ne duam të bëjmë një analizë të tyre, sepse prokurori paraqiti këtu, vetëm ato pjesë që i shërbenin për vërtetimin e akuzës së tij, po ashtu edhe interpretimi i bërë prej tij ishte në shërbim të kësaj akuze. Duam ti bëjmë edhe ne një analizë, e nëse gjejmë diçka me vlerë për procesin, do të kërkojmë të drejtën për ta paraqitur në sallën e gjyqit.”-tha avokati i Sadetin Sulës, Theodhori Sollaku. Por prokurori i çështjes u shpreh kundër kësaj kërkese, me pretendimin se çdo akt që i është vënë në dispozicion gjykatës, i është vënë edhe mbrojtjes. Dhe kështu avokati, sipas tij, kishte mundësinë dhe kohën ta bënte këtë analizë. “Të gjitha aktet që janë në fashikullin e gjykimit, i janë vënë në dispozicion si gjykatës ashtu edhe mbrojtjes. Nuk mendoj se duhet të pranohet kjo kërkesë pasi çdo gjë ka qenë e qartë. Edhe provat e paraqitura nga mbrojtja janë gjetur në këto DVD. Të gjitha fotot dhe videot e paraqitura nga mbrojtja në seancën e shkuar janë marrë prej aty.”-tha prokurori i çështjes. Por gjykata pasi dëgjoi pretendimet e palëve dhe pas këmbënguljes së avokatit, sipas të cilit, kjo kërkesë nuk do të bëhej pengesë për procesin, pranoi kërkesën duke vënë në dispozicion të mbrojtjes të gjitha DVD-t.

Kështu, në seancën e radhës pritet që mbrojtja të paraqis para gjykatës ato pjesë që do të evidentoj, nëse do të ketë të tilla. E ndërsa seanca e djeshme u shty me kërkesë të prokurorit, Henrik Ligori, për të marrë kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, të cilat do të lexohen para trupit gjykuese në datën 26 Mars. Kujtojmë se në një procedim të lidhur, për të njëjtën çështje po hetohet edhe shtetasi Fatjon Karmeshtna, i cili u arrestua në fillim të këtij viti. Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ai rezulton të ketë kryer vrasjen, duke e mbytur me duar të ndjerën Suela Sula, në tualetin e mobilerisë. Ndërsa ka qenë materiali biologjik i gjetur në thonjtë e saj, që ka nxjerr zbuluar Karmeshtnën para organit të akuzës, ku i pyetur më herët kishte dhënë dëshmi të rreme. Gjithashtu, Fatjon Karmeshtna ishte i thirrur si dëshmitar i akuzës në seancën e kaluar për të dhënë dëshminë e tij, por ai ka zgjedhur të hesht dhe të flas në një moment të dytë.

Vrasja

Ngjarja e rëndë për të cilin dyshohet se autor janë Sadetin Sula dhe Fatjon Karmeshtna ndodhi në 18 prill të vitit 2016. Suela Sula, bashkëshortja e Sadetin Sulës u gjet e pajetë në tualetin e biznesit të familjes, mobilerisë së tyre në Shkodër. Një ditë pas ngjarjes Policia e Shkodrës arrestoi biznesmenin Sadetin Sula si i dyshuar për vrasjen e gruas së tij, nënë e tre fëmijëve. Policia dyshoi për ngjarjen për shkak të mungesës së provave bindëse në vendin, ku u gjet trupi i pajetë, duke hedhur dyshime se ajo mund të ishte zhvendosur aty nga një vend tjetër. Në fillim Sadetin Sula ka njoftuar policinë duke pretenduar se bashkëshortja kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, por më pas, ka ndryshuar dëshminë, duke deklaruar se bashkëshortja e tij mund të ketë vrarë veten. Për shkak të dëshmive konfuze të bashkëshortit, ekspertët e policisë këqyrën trupin e viktimës, ku u konstatuan shenja të shumta dhune. E ndërsa sipas hetimeve të mëtejshme u vërtetua se Suela kishte gjetur vdekjen nga asfiksia. Kështu hetuesit provuan se Suela Sula ishte mbytur me duar dhe dyshimet në atë kohë ranë mbi bashkëshortin, i cili u arrestua nën akuzën “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Por me zbulimin e të dhënave të reja çështja mori një rrjedhë tjetër ndërsa Sadetin Sula akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, kryer në bashkëpunim.”

 

Dëshmia e plotë

Sadetin Sula: Kunatat më kanë marrë fëmijët për përfitime ekonomike

Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Sadetin Sula nuk e pranoi krimin e duke e distancuar vetën tha se kërkon të gjendet autori. Ai tregoi për jetën e tij me bashkëshorten, duke rrëfyer për një tjetër tablo nga ato që tregonin regjistrimet audio. Gjithashtu, ai tha se është viktimë e kunatave dhe se ato i kanë marrë fëmijët për të përfituar ekonomikisht.

Dëshmia

Të nderuar anëtarë të trupit gjykues në familjen dhe biznesin tim ka ndodhur një tragjedi. Unë dhe Suela jemi martuar në vitin 1999, ajo ishte mësuese matematike. Pas martese erdhën edhe fëmijët tanë, ndërsa në vitin 2005 bashkë me Suelën vendosëm që ajo të shkëputej nga puna, për shkak të fëmijëve, por edhe të angazhimeve te biznesi ynë. Pasi Suela la punën si mësuese, të dy filluam të merreshim me biznesin tonë, që po ecte shumë mirë. Që në vitin 2009 ne kemi qenë bashkë në çdo vend dhe pothuajse në çdo gjë. Çdo gjë që e bënim, e bënim bashkë dhe kështu vazhdoi deri në fund. E kujtoj edhe sot, kur Suela më thoshte se pse unë nuk bëhesha xheloz për të. “Unë bëhem gjithmonë xheloze për ty kur ti shkon në panaire, po ti pse nuk bëhesh asnjëherë xheloz për mua?”-më thoshte. Unë i thosha që nuk kam pse, sepse e dija shumë mirë se kush ishte ajo dhe se nuk do të binte kurrë në ato nivele. Dua të them që gjatë gjithë kohës, ne kemi pasur ndihmë  prindërit e mi. Ata e dinin që ne ishim të zënë me punët e biznesit dhe me shtëpinë dhe punët e shtëpisë, apo edhe fëmijët merreshin ata. Për të na lehtësuar ne.

Së bashku me Suelën, 50 ditë para ngjarjes kemi qenë në panair në Kinë, ndërsa fëmijët i kanë mbajtur prindërit e mi. Të gjithë kanë debate dhe zënka, por ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin, kemi qenë miq, bashkëshort dhe ortak me njëri-tjetrin. Suelën e kam dashur sepse ishte gruaja ideale, ajo më ka dhënë pasurinë më të madhe, 3 fëmijët e mi. Për marrëdhënien që kishim e gjithë Shkodra na kishte zili, na merrnin si shembull. Sa për regjistrimet audio, unë nuk e di nëse janë të vërteta, nuk i mbaj mend, por ato janë bërë rreth 300 ditë para ngjarjes. Kështu që edhe po ti marrë të mirëqena, do të thosha që janë bërë në një moment dobësie. Njeriu ndonjëherë ndihet i dobët edhe flet shumë gjëra, por ato muhabete janë të kota. Nuk kam menduar ndonjëherë të heq qafe as me magji dhe as ndryshe Suelën. Sa për Fatjon Karmeshtnën, e njohë në cilësinë e punëdhënësit, unë nuk kam paragjykime dhe i mbaj të gjithë pranë. Nuk bëj dallime të racës apo ngjyerës, për mua njerëzit janë të gjithë njësoj. Por nuk kam ndonjë marrëdhënie shumë të ngushtë me të. E ndërsa, sa për tezet e fëmijëve të mi, kur u kujtuan ato për fëmijët e mi?! Ato më parë nuk i blinin asnjëherë as edhe një akullore. Unë kam 700 ditë në paraburgim dhe nuk i kam parë fëmijët. Ato i morën fëmijët nga prindërit e mi, nga një shtëpi ku i kishin të gjitha kushtet dhe i çuan në një shtëpi ku ata nuk kanë ku të flenë. Tezet i kanë marrë fëmijët e mi për të përfituar ekonomikisht.

Unë jam viktimë e kunatave. Nuk e di se ku i kam fëmijët, mi kanë marrë në ditën me diell, jam duke vuajtur. Gjysmën e zemrës ma ka marrë Suela, gjysmën fëmijët. Dëshmitë e fëmijëve janë marrë shumë vonë dhe ato kanë pasur kohë ti manipulonin ata për situata që nuk kanë ekzistuar. Bisedat e regjistruara, nuk e di sa të vërteta që janë, por ato janë regjistruar shumë kohë më parë se të ndodhte ngjarja. Ne kemi pasur një marrëdhënie të mirë. Dhe në fund, dua të them se unë nuk e kam bërë krimin dhe nuk e kam porositur krimin. Dua të kapen autorët dhe të vihen para drejtësisë.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet