Rama shton koncesionet: Janë pak!

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Pothuajse gjysma e kostove vjetore të gjithë kontratave me mbështetje buxhetore do të shkojë për 4 koncesionet më të lakuara. Mazhoranca kërkon ndalimin e kontratave për kompanitë e parajsave fiskale 

Koncesionet po rëndojnë gjithnjë e më shumë faturën që duhet të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Për vitin 2018, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet, nga të cilat pothuajse gjysma do të ndahet për 4 shërbime në  sektorin e shëndetësisë. Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se në vendin tonë janë lidhur 213 kontrata koncesionare, nga të cilat më efikaset kanë rezultuar ato në shëndetësi, si për kostot ashtu edhe për shërbimin që kanë sjellë në popullatë duke parandaluar dhjetëra vdekje.

Sipas ministrit, qeveria do të ndërmarrë një masë vetëkufizuese, përmes së cilës do të detyrohet të jetë transparente ndaj Kuvendit. Sipas tij, kostoja për këto kontrata nuk do të kalojë 5% e të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. “Gjithë debati për PPP-të duket sikur Shqipëria ka devijuar. Jo që s’kemi devijuar, po ne nuk kemi filluar ta ushtrojmë këtë instrument. Nuk kemi filluar ta ushtrojmë aq sa duhet këtë instrument, të kontratave PPP me privatin.

Nuk kemi filluar ta ushtrojmë, akoma. Dhe prandaj punojmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që të jemi shumë të strukturuar në menaxhimin e risqeve fiskalë. Dhe më besoni që jemi larg 5 përqindëshit akoma. Në mos gabohem s’kemi shkuar as 3%, 2.4% jemi, as 3% s’kemi shkuar. Pra kemi dhe një 2.6% për të ezauruar për të qenë në nivelin maksimal i lejuar nga ligji organik i buxhetit. Elementin e 5% do ta kontrollojë Ministria e Financave, qeveria, ka ligj organik të buxhetit, që thotë 5% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës dhe nëse kalohet, brenda 2 viteve korrektohet”, tha ministri Ahmetaj. Por nga kryetari i komisionit Erjon Braçe, është kërkuar një kontroll më i madh i këtyre marrëveshjeve nga ana e Kuvendit.

“Nuk do të ishte më mirë që në kontrata të tilla afatgjata të përfshihet edhe Kuvendi në vendimmarrje. Por jo në atë vendimmarrjen “o merre o lëre”. Se kjo është propozuar edhe me atë nismën e fundit, që Kuvendi të ketë rolin e noterit të fundit, ku zakonisht përgjegjësia bëhet kolegjiale dhe nuk mban më përgjegjësi kurrkush për atë kontratë që keni nënshkruar. Që nga çasti që qeveria mendon se do të hyjë në një marrëdhënie koncesionare, bëhet pjesë e transparencës së gjithë procesit, garës gjithashtu, negocimit të kontratës dhe pastaj ju bëni çfarë të doni, po ama Kuvendi të jetë pjesë e procesit, jo e noterizimit të një procedure ku s’ka qenë kurrë pjesë, madje s’ka pasur as dijeni fare në këtë pjesë”, tha Braçe.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka konsideruar paaftësi të qeverisë që shumë shërbime po i kalon tek privati. “Fatura e koncesioneve është totalisht e papranueshme rritja me këtë ritëm kaq të lartë duke pasur parasysh se janë të gjitha kontrata shërbimesh, që nuk keni aftësinë juve t’i zbatoni dot si qeveri. Dhe detyrimi që do të lindë në kontratën prej 1 miliard, që opozita ka shqetësimet e saj se nga do të financohet, paratë e drogës dhe hashashit që përmenden shpesh do të futen në ekonomi nëpërmjet kësaj kontrate, janë rreziku më i madh që i kanoset buxhetit të vitit 2018”, u shpreh Tabaku.

Debatet

Seanca e këtij komisioni mbi koncesionet është shoqëruar me debate, sidomos për mënyrën e funksionimit apo kostot që i japin buxhetit të shtetit këto marrëveshje. Ndër më të debatuarit ishte koncesioni i check-up, markimi i karburanteve, skanimi, pullat fiskale dhe kompanitë që fshehin të ardhura në parajsa fiskale. Mazhoranca ka propozuar që kompanitë off shore të ndalohet të jenë pjesë e kontratave koncesionare. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, duke iu referuar kompanisë që ka tagrin e markimit të naftës në vend, e cila u përfshi në skandalin Panama Papers, deklaroi se situata aktuale është shqetësuese dhe për këtë duhet të merren masa.

E keni të vështirë kur hyni për të negociuar apo për të monitoruar kontratat që të gjeni pronarët realë të këtyre kompanive që zotërojnë këto kontrata dhe vinë nga parajsa fiskale? Shqip, ore me kë flisni? Nuk ka ardhur koha që me ligj të kufizohet qeveria që të lidhë kontrata koncesionare me kompani që vinë nga parajsa fiskale, veçanërisht kur kontratat janë në shërbime, apo veçanërisht kur kontratat janë edhe të llojit të vetëm, thuajse monopol në treg”? Kreu i Komisionit paralajmëroi se do të propozojë ndryshime në ligj për të rritur më tej dhënien e koncesioneve dhe monitorimin e tyre nga parlamenti.  “Nuk do të ishte më mirë që kontrata të tilla afatgjatë të përfshijnë dhe Kuvendin në vendimmarrje por jo në atë vendimmarrjen ose merre, ose lëre”, tha Braçe.

Ndërkohë, Ahmetaj u shpreh se Nuk ka ligj që të ndalojë origjinën e parave përveç atyre që vijnë nga terrorizmi, droga trafiqet etj. Instumenti i parajsës fiskale nuk është i ndaluar në Shqipëri. Legjislacioni shqiptar, nuk e ndalon sot që flasim, nuk ndalon pjesëmarrjen e kompanive në procese jo vetëm në Shqipëri por në shumë vende. Ju referoni markimin, unë referoj sektorin e naftës që vinte nga parajsa fiskale. Do ja jap unë me listë edhe pse s’është detyrë e ministrisë së Financave, do ua bëjmë me dije gjithë listën për 200 e kusur koncesionet, e do tua japim. A ka ardhur koha për ligj a jo, këtë nuk e di.

Në vend, aktualisht numërohen 213 kontrata koncesionare, prej te cilave 65 janë lidhur nga qeveria Rama pas vitit 2013. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë fatura e koncesioneve në shëndetësi do të kushtojë plot 3.97 miliardë lekë. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë apo check up-it do të kushtojë në 2018-n, 876 milionë lekë. Ofrimi i shërbimit të sterilizimit kushton në 2018-n 1.56 milardë lekë; ofrimi i shërbimit të dializës 655 milionë lekë dhe shërbimet laboratorike 886 milionë lekë.

Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore. Gjatë vitit 2018 do të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Bashkisë Tiranë.

Opozita deklaroi se fatura e koncesioneve po rritet ndjeshëm ndërsa konsideroi një rrezik në këtë drejtim edhe bashkimin e dy Ministrive. “Në qeveri duhet të ketë dhe oponencë për koncesionet, duhet të ketë dhe një Ministri që i miraton dhe një Ministri tjetër që merr parasysh risqet fiskale dhe rreziku i bashkimit të Ministrisë së Ekonomisë me Ministrinë e Financave është pikërisht ky”, propozoi deputetja e djathtë Jorida Tabaku, para se të braktiste sallën.  

“Me programin e kontrollit bazë (Check-Up) do të arrihen të kursehen kosto për shpenzime shëndetësore 15.5 mld lekë”.
42 % e totalit të faturave koncesionare në vitin 2018 do të shkojnë për sektorin e shëndetësisë. Koncesionet në Infrastrukturë dhe Energji do të kushtojnë 2.8 miliardë lekë apo 28 për qind e totalit të fatura për koncesionet

9.4 mld lekë është fatura e koncesioneve/PPP-ve që duhet të paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Kjo shumë është 30% më e lartë se e vitit të kaluar, ku fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë.

Dilema e koncesioneve, maturimi dhe financimi

Sipas ministrit Ahmetaj, koncensionet kontabilizohen sipas Standardeve ESA 95, ku fatura e tyre mbetet jashtë bilancit, por regjistrohet si shpenzim vjetor (korrent) në fund të vitit. Edhe sipas standardit e ESA 2010, faturat e koncesioneve do të mbeten jashtë bilancit, por do të regjistrohen si shpenzim korrent. Por sipas deputetes së opozitës Jorida Tabaku, e cila ESA 2010, kërkon vendosje e një Footnote për detyrimet që do të ketë qeveria ndaj koncesionarit. Në standardin e IPSAS 32, koncesionet duhet të njihen si borxh në momentin që lidhet kontrata koncesionare, duke reflektuar kështu detyrimin e qeverisë, shtoi gjatë diskutimeve në Komision zonja Tabaku. Duke iu referuar studimit nga Njësia Inteligjente e “The Economist:, ku vlerësohet mjedisi i PPP-ve në Europën Lindore, Tabaku tha se kontratat koncesionare shfaqin problem për sa i përket maturimit dhe financimit. Në raportin e Njësisë Inteligjente të “The Economist”, Shqipëria renditet e fundit në rajon për sa i përket maturimit të kontratave koncesionare, duke shënuar vetëm 33 nga 100 pikë. Sipas raportit kontratat janë të pamaturuara dhe janë pa studim fizibiliteti. Për sa i përket Financimit, sipas zonjës Tabaku shqetësuese është edhe përdorimi i garancive në kontratat koncesionare. Duke iu referuar studimit mbi koncesionet, pagesat e qeverisë për garancitë, të cilat i mundësojnë investitorit mbrojtje, janë përdorur në mbi 70 për qind të Projekteve me PPP në pesë vitet e fundit.