Qeveria kërkon “kokën” e kreut të KQZ-së dhe të kryebashkiakut

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Isuf Kurtaj

Kryeministri miraton kërkesën e Ballës për nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, dhe të kryetarit të bashkisë së Mallakastrës

Zguri pretendon se nuk ka asnjë ankimim deri tani në Kolegjin Zgjedhor nga subjektet politike lidhur me vendimin e institucionit te tij

Shefi i qeverisë mbështeti fillimin e procedurave të nisura nga socialistët për shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri, i cili u emëruar në bazë të marrëveshjes së 18 majit mes kryeministri Edi Rama dhe kreut të opzoitës Lulzim Bashës. Socialistët si shkak për ta shkarkuar po përdorin fshehjen e vendimit të prokurorisë për kryebashkiakun e Mallakastrës Agron Kapllanajn, që sipas tyre ka bërë Zguri.

Vendimi

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Rama krahas mbështetjes së kërkesës së PS-së për largimin e Zgurit nga kreu i KQZ-së deklaroi se do të shkarkojë dhe kryebashkiakun e Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Sipas shefit të qeverisë, ai preket nga ligji i dekriminalizimit, pasi është dënuar nga gjykata në Itali. “Me ekspertët e Kryeministrisë po shikohet edhe mundësia e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës si i ndëshkuar nga gjykata italiane që përbën objekt dhe subjekt të ligjit të dekriminalizimit. Fakti që ka në xhep teserën e PD-së nuk e bën as me imunitet ndaj ligjit as virgjëreshë në raport me veprën që ka kryer. Kryetari i KQZ-së me paramendim ose në ndikimin e PD vendosi që të fshehë vendimin e prokurorisë për Agron Kapllanajn. Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit duke shtyrë jetën politike të zgjedhurit të PD.

Shembull konkret i pa tolerueshëm. Kapllanaj është i dënuar me dy vite burg për vjedhje në Itali. Është konfirmuar që ky dënim e bën të papajtueshëm dhe të pavlefshëm mandatin. Duhet që kryetari i KQZ të bënte shqyrtimin në KQZ, Zguri nuk e shqyrtoi. Megjithatë grupi i PS ka ndjekur të gjithë procedurën dhe ka monitoruar rastin dhe sot jemi në situatën që grupi i PS duke konstatuar që një zyrtar i lartë shkel ligjin duhet të marrim një vendim për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të KQZ. Kryetari është për shkak të besimit që kemi investuar te ky njeri, lidhur me marrëveshjen e 18 majit për zgjedhjet e 25 qershorit. Ne duhet të fillojmë procedurat për shkarkimin e Zgurit”.

Reagimi

Pas deklaratës se kryeministrit Edi Rama para grupit të PS-së për shkarkimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga detyra me pretendimin se ka shkelur ligjin, ka reaguar dhe Klement Zguri. Jashtë sallës ku po zhvillohet mbledhja e Komisionit te Ligjeve, ku u shqyrtua projektbuxheti i vitit 2018 për KQZ, Zguri theksoi se nuk merret me deklarata politike. Kreu i KQZ tha se për të nuk ka asnjë ankimim deri tani në Kolegjin Zgjedhor nga subjektet politike lidhur me vendimin e institucionit te tij.

“Gjithsesi në respekt tuajin mund të them diçka shkurt. Që dje në një deklaratë timen kam kërkuar që të ruaj statusin tim dhe të jem funksionar publik, dhe ti qëndroj kësaj. Por do ti përgjigjem kësaj pyetje; Kush është institucioni që vlerëson një vendim të KQZ që është apo jo i ligjshëm?Asnjë subjekt zgjedhor se ka ankimuar vendimin e KQZ në Kolegj. Ai është kolegji zgjedhor dhe gjykata. Fakti që nuk ankimohet do të thotë se në brendësi ai vendim pranohet dhe s’ka pse të diskutohet.

Ka procesverbale, e vendime. Gjithçka që verifikohet dhe është publike”, tha ai. Dy ditë më parë,  kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi shkarkimin e Klement Zgurit nga detyra e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas debatit të krijuar për kreun e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, të cilin KQZ-ja nuk e shkarkoi ndonëse PS-ja pretendonte se ishte dënuar në Itali. Balla u shpreh se asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë në atë detyrë.

“Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit duke shtyrë jetën politike të zgjedhurit të PD. Shembull konkret i pa tolerueshëm. Kapllanaj është i dënuar me dy vite burg për vjedhje në Itali. Është konfirmuar që ky dënim e bën të papajtueshëm dhe të pavlefshëm mandatin. Duhet që kryetari i KQZ të bënte shqyrtimin në KQZ, Zguri nuk e shqyrtoi. Megjithatë grupi i PS ka ndjekur të gjithë procedurën dhe ka monitoruar rastin dhe sot jemi në situatën që grupi i PS duke konstatuar që një zyrtar i lartë shkel ligjin duhet të marrim një vendim për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të KQZ. Kryetari është për shkak të besimit që kemi investuar te ky njeri, lidhur me marrëveshjen e 18 majit për zgjedhjet e 25 qershorit. Ne duhet të fillojmë procedurat për shkarkimin e Zgurit”, tha dy ditë më parë Balla.

KQZ kërkon fonde shtesë, Fino i përgjigjet Zgurit

Fondi prej 128 milionë lekë nuk është i mjaftueshëm për institucionin e KQZ. Në Komisionin e Ligjeve, kryetari i KQZ, Klemend Zguri ka shprehur shqetësimin për disa çështje që kanë të bëjnë me logjistikën, duke kërkuar fonde shtesë. Ai tha se KQZ në të gjithë Republikën ka 2 furgona të vitit 1994 dhe 3 makina të vogla.  “Në total pr/buxheti parashikon 128 milionë lekë. Janë kërkuar fonde shtesë. Kemi nevojë për një magazinë.

Është e pamundur që për shkak të sasisë së materialeve që kemi në dispozicion për ti sistemuar në magazinat që kemi aktualisht. Duam një kat ose dy kate shtesë rreth 500 metra katror në institucionin e KQZ-së. Nuk përballojmë fluksin e njerëzve. Një moment tjetër ka të bëjë me makina. Unë e di që nuk ka ndonjë vëmendje të madhe, por duhet të them jemi në zero mundësi. Furgon të vitit 1994, mjete në rrugë. Është gjithë Republika, janë dy furgona dhe 3 makina të vogla që janë të gjitha të zeruarua. Institucionet përkatëse nuk na pajisin dot me leje dhe me taksat.

Nuk i paguajmë dot për të qenë normal”, tha Zguri. Ndërsa deputeti i PS-së, Bashkim Fino tha se KQZ është financuar gjithmonë dhe qeveria është e gatshme ta mbështesë. “Ne kemi financuar gjithmonë KQZ. Me këtë projekt buxhet është në rregull, janë shtuar dhe 6 punonjës në KQZ, është shtuar dhe fondi i pagave. Problemet janë çështje të dorës së dytë. Nëse ka nevojë për një magazinë e ja japim se kalon direk me VKM”, tha ai. Por përfaqësuesi i opozitës në komision, Oerd Bylykbashi tha se Parlament nuk i ka  dhënë fondet të mjaftueshme për këtë institucion. “Flasim për ata që është sot, një gur themeli është administrata, dhe duhet t’i menaxhoj jo vetëm në vitin zgjedhor. Kemi tentativa për zhbërjen e pavarësisë së këtij institucioni. Këto që kërkon janë bazë, magazinat për ruajtën e materialeve është primare. Gjithmonë ka qenë në vështirësi. Duhet të pajiset me çdo gjë që kërkon”, tha ai.