Një përzgjedhje cilësore të drejtorit të shkollës

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Saba Lama

Ka vite që është thënë që drejtuesit e shkollave do të emërohen me testim, në bazë të meritave profesionale dhe jashtë çdo lloj ndikimi partiak. Këtë e ka theksuar edhe kryeministri aktual z. Edi Rama, veçanërisht kur ai ka folur për përmirësimin e cilësisë në administratë ( në aspektin drejtues ), në kuadrin e vazhdimësisë së reformave për përmirësimin e jetës në vend. Kjo gjë u reflektua edhe në muajin nëntor të këtij viti ( në fillim të muajit ) për drejtuesit dhe zv/ drejtuesit e shkollave të arsimit parauniversitar, me anë të një anketimi që u bë me të gjithë mësuesit për të marrë opinionin tek ata, lidhur me performancën e drejtuesve dhe zv/drejtuesve të tyre në punën e përditshme. Po si u bë ky anketim? Le të ndjekim zhvillimin e procesit. Anketimi ishte i fshehtë. Ai zgjati dy ditë. Fillimisht u bë me drejtoritë arsimore rajonale, më pas me zyrat arsimore.

Për mbarëvajtjen e këtij anketimi, institucionet e specializuara të arsimit kishin hartuar edhe një formularë tip, të cilin ua shpërndanë të gjithë mësuesve pjesmarrës për ta plotësuar. Formulari ishte me këtë përmbajtje: jepni mendimin që keni për drejtorin tuaj, lidhur me performancën në punën e tij të përditshme duke dhënë vlerësimin : shumë mirë, mirë dhe dobët. Gjithashtu për mbarëvajtjen e procesit, procedurat e anketimit, në ç’do njësi arsimore vendore u monitoruan edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit. Mendoj se matja ishte e përgjithshme, e zbehtë dhe e përciptë. Pra jo aq korrekte dhe e predispozuar për të parë me përgjegjësi performancën e punës së drejtuesit dhe zv/drejtuesit në shkollat ku ata punojnë dhe drejtojnë.

Nisur nga përmbajtja dhe mënyra e të konceptuarit të anketimit të zhvilluar, të bën të mendosh se ishte një dukuri sa për të kaluar radhën dhe sa për të krijuar imazhin se edhe në këtë sektor po bëhen përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e administratës në drejtimin e shkollës, ose ndoshta përmes kësaj skeme fshihej diçka tjetër ( për drejtues të veçantë ) për ndryshim, në drejtimin administrativ për sektorin që bëhet fjalë. Gjithashtu nuk u bë e qartë se pas administrimit të rezultateve të anketimit nga Ministria e Arsimit, se si do veprohej me ato drejtues dhe zv/drejtues, që do të reflektonin rezultate të dobëta. Pra do ndodhte shkarkimi apo trajnimi i tyre për të qenë në lartësinë e duhur të detyrës, nisur nga rezultatet.

Kjo praktikë mendoj se nuk i shërbente sa duhej transparencës dhe motivit që kishte ky anketim dhe ja disa nga argumentat: a) Për drejtorin që bëhet fjalë, do shpreheshin pozitivisht ato mësues që në aspektin e punës së përditshme, për një arsye apo për një tjetër, kanë ndërtuar marrëdhënie të mira me ta, pavarësisht se si është cilësia e tij si drejtues ( varet sa është masa e mësuesve që e mbështesin ), ndërsa pjesa tjetër e mësuesve, që për arsye se ky drejtor mund ti ketë bërë vërejtje me të drejtë lidhur me punën do të shprehen negativisht, pasi nuk u ka ardhur mirë nga vërejtjet e bëra, pavarësisht se drejtori mund të jetë i aftë si drejtues. Pra siç vihet re në të dyja rastet, vlerësimi i punës së drejtorit nga mësuesit, nuk është objektiv, i besueshëm dhe transparent, por thjeshtë i lidhur me interesat e tyre sipas raporteve që kanë me drejtorin. Gjithashtu dua të nënvizoj se performanca e drejtorit, parë në tërë aspektet e punës së tij si drejtues, matet edhe me tregues të tjerë, nisur nga hapësira, ambienti i punës dhe i komunitetit me të cilët ai përballet. Duke marrë shkas nga ky realitet dhe nga natyra e problemit që diktojmë, gjej rastin të jap dhe unë disa nga mendimet dhe sugjerimet e mia, për një vlerësim sa më objektiv dhe për një përzgjedhje sa më cilësore të drejtorit të shkollës. Le ti ndjekim variantet që përvijojnë si më poshtë : Krahas anketimit të punës së drejtorit, përmes masës së mësuesve me të cilët ai punon dhe drejton, që siç theksova edhe më sipër nuk është i plotë dhe eficientë, pozicioni i tij si drejtues matet edhe me tregues të tjerë nisur nga natyra e punës që ka dhe përbërja e komunitetit në shkollën ku ai punon dhe drejton.

Në këtë drejtim evidentojmë parametrat që vijojnë : 1. Rezultatet dhe arritjet e punës së tij ndër vite në shkollat ku ai ka punuar ( si drejtues apo dhe si mësues ). Lidhur me këtë parametër duhet të kemi parasysh matjen e punës së drejtuesit në dy aspekte : a) si mësimdhënës dhe edukator. Dihet që një drejtues i mirë duhet në radhë të parë të jetë një mësimdhënës dhe një edukator i mirë në punën me nxënësit, më pas ti besohet detyra e drejtuesit të shkollës. Ai duhet të ketë një përvojë të pasur në këtë drejtim. Pa dyshim të ketë dhe arritje të suksesshme. Jo pa qëllim kur është fjala për vlerësimin e drejtorit të shkollës në raport me mësuesit, drejtuesi është vlërësuar si mësuesi i mësuesve dhe model për ta, pasi ai do të kontrollojë punën e mësuesve dhe të ketë një shpalosje të tillë profesionale, që këta të fundit do të marrin përvojë nga ai. b) aftësitë e tij si drejtues, menaxhues dhe organizator, që pa dyshim është e domosdoshme për një drejtues shkolle, por dhe e vështirë. Ky aspekt përbën një art më vete në fushën e drejtimit. Nëse një drejtues shkolle, nuk ka aftësitë e duhura drejtuese e menaxhuese, pa dyshim nuk do jetë i suksesshëm edhe në drejtim, pasi ai nuk është në gjendje ta ketë situatën në dorë dhe shkollën nën kontroll. 2. Opinioni që ai ka te komuniteti i shkollës ku punon.

Është fjala për marrjen e opinionit te qeveria e nxënësve. Qeveria e nxënësve duhet vlerësuar shumë pasi nxënësit që e përbëjnë atë, i shprehin sinqerisht mendimet e tyre sa herë merren opinione për qëllimet që ka shkolla. Vërtetë nxënësi nuk di të masë punën e drejtorit si një specialist i fushës së arsimit, por edhe ai din të masë e të japë mendim për pjesën që i takon. E rëndësishme është mënyra se si e përgatisim anketën për marrjen e një opinioni sa më real tek ata. Sigurisht anketa duhet të jetë e fshehtë. Pra ajo të mos e përmbajë emrin e nxënësit, që ky i fundit të shprehë lirisht dhe pa hezitim mendimet dhe opinionin për drejtuesin e shkollës, sipas përmbajtjes që dikton anketa e përgatitur. Opinonin e nxënësve lidhur me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, e ka vlerësuar shumë dhe mësuesi dhe edukatori i shquar rus Makarenko. Ai nxënësin e ka vlerësuar si elementin më të sinqertë dhe më të besueshëm, për mendimet që shprehin lidhur me trajtimin që u bëhet në fushën e edukimit nga mësuesit dhe drejtuesit e tyre.

Opinioni tjetër po aq i rëndësishëm, është edhe vlerësimi i opinionit nga komuniteti i prindërve të nxënësve. Praktika gjithnjë ka treguar vlerën pedagogjike të këtij parametri, pasi prindërit e nxënësve e krijojnë opinionin për drejtorin e shkollës përmes opinionit dhe rrëfimeve të fëmijëve, gjatë kontakteve me prindërit e tyre në shtëpi, si dhe kontakteve të vetë prindërve me drejtorin e shkollës, kur ky i fundit i thirr ata për probleme të ndryshme të mbarëvajtjes së fëmijëve në shkollë, apo të vetë prindërve kur paraqiten në shkollë sipas problemeve dhe interesave që kanë lidhur me fëmijët e tyre. 3. Rezultatet e punës së drejtuesit nga kontrollet e përjetuara nga instancat eprore të arsimit në qendër dhe në bazë. Këtu është fjala kur drejtuesit e shkollave përjetojnë kontrolle nga instancat eprore të arsimit në qendër ( Ministria e Arsimit, Inspektoriati Shtetëror i Arsimit ) dhe në bazë ( Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore ) për problematika të caktuara. Edhe ky parametër duhet vlerësuar si tregues i besueshëm për të matur cilësinë e punës së drejtorit të shkollës, pasi këta janë institucione të specializuara të arsimit dhe padyshim shërbejnë për të hedhur akoma dhe më mirë dritë në cilësinë e punës së drejtuesit të shkollës. Sigurisht parametrat që diktuam mendoj se e plotësojnë më mirë kuadrin e performancës së drejtorit të shkollës lidhur me punën e tij si drejtues.

Gjithashtu rezultatet e këtyre parametrave e bëjnë më të besueshme pozicionimin e tij në detyrën që bëhet fjalë. Pra nisur nga anketimi që u zhvillua në fillimin e muajit nëntor të këtij viti, nga ana e Ministrisë së Arsimit për matjen e performancës së punës së drejtorit në shkollat e sistemit arsimor parauniversitar, parë në të gjithë aspektet e zhvillimit të tij. mendoj se ishte një paradoks. Madje me këtë rast dua të nënvizoj edhe faktin se për emërimet dhe shkarkimet e drejtuesve të shkollave të arsimit parauniversitar, ka vite që është miratuar edhe një ligj ( Ligji nr. 69, miratuar në vitin 2012 “ Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë “, Neni 55 : Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor“). Shpresojmë në të ardhmen se procesi i matjes së performancës së drejtuesve të shkollave të arsimit parauniversitar në punën e tyre, për përmirësimin e cilësisë në drejtimin e shkollës, të përfshijë treguesit që diktuam, si dhe kriteret e ligjit të miratuar prej disa vitesh, enkas për këtë qëllim.