Konferenca Ministeriale e OBT-së në Buenos Aires dhe Shqipëria

Publikuar më 08. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Riva Goga

Në datat 10- 13 dhjetor 2017, Ministrat e Tregtisë dhe Ekonomisë të 164 vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) do të mblidhen në Buenos Aires për Konferencën e 11 Ministeriale (MC11) të organizatës (nga disa vende, përfaqësimi do të jetë në nivel të Ministrit të Punëve të Jashtme). Konferencat e OBT, që zhvillohen si rregull një herë në dy vjet, nuk kanë qenë asnjëherë të lehta, në kuptimin që, për arritjen e rezultateve konkrete –Deklarata Ministeriale dhe Vendimet e marra-delegacionet kanë debatuar shumë dhe, zakonisht, një lloj marrëveshjeje është arritur vetëm në minutën e fundit madje dhe gjuha e saj shpesh ka qenë e paqartë.

Të tilla kanë qenë në MC9 në Bali, ku Paketa e Vendimeve është arritur në ditën e fundit dhe mjaft problematik ka qenë zbatimi i saj; Ose, në MC10 në Nairobi, ku çështja e “eleminimit të Axhendës së Doha, dhe dakortësimi me Indinë për “Public Stockholding” janë arritur me shumë vështirësi dhe se debati për to vijon akoma intesivisht në selinë e OBT në Gjenevë. Për shumicën e analistëve ekspertë, MC11 mund të jetë një “zhgënjim edhe më i madh”. Përveç një vazhdimësie apo traditë të vështirë për arritjen e konsensusit në çështjet e tregtisë shumëpalëshe, MC11 po ndeshet me qëndrimin apo pozicionimin e ri të SHBA, të cilët historikisht kanë udhëhequr botën drejt liberalizimit të tregtisë.

Por, Administrata e re amerikane, me propozimet më të fundit për rikthim në politikat e Proteksionizmit, duket se do të rrisin tensionet në negociatat tregtare dhe ulin shanset për sukses të MC11. Prandaj, mendohet se Konferenca do të jetë ndryshe nga çdo konferencë tjetër e mëparshme, jo vetëm me dyshime për vendimmarrjen, por edhe me “fatin e saj si Chapeau e vetme” në sistemin shumëpalësh të tregtisë ndërkombëtare. Tensionet në negociatat Kur thuhet “tensione në negociata”, ekspertët e tregtisë ndërkombëtare konsiderojnë vështirësitë në gjetjen e konsensusit për një seri çështjesh (tarifore dhe jo tarifore) që përmbajnë marrëveshjet e shumta që negociohen në kuadër të OBT, të cilat synojnë tregtinë e lirë të mallrave dhe shërbimeve.

Sigurisht, nëse dakortësia mes delegacioneve për shembull për “domestic support” arrihet, atëherë pasoja nuk është vetëm liberalizimi i tregtisë, porse vendet marrin një shpërndarje të pabarabartë të përfitimeve që rrjedhin nga zbatimi i saj. Negociatat në shumë fusha kanë vite dhe madje dekada që zhvillohen, duke mos prodhuar akoma – në pjesën më të madhe të tyre- rezultate konkrete. Në këto kushte, nuk mund të pretendohet që çështjet, të cilat nuk janë zgjidhur ndër vite, të zgjidhen brenda 3-4 ditëve në një Konferencë Ministeriale.

Por, nga ana tjetër, nën një traditë zhvillimi të Konferencave Ministeriale dhe nën një vullnet politik të qeverive të vendeve anëtare mund të shpresohet se MC11 të përbëjë një oportunitet për të filluar një proces reformimi të OBT, por që të mbetet nën mandatin dhe platformën e një organizate efektive në bashkëpunimin ndërkombëtar të tregtisë dhe ndërtimit të konsensusit.

Në terrenin konkret, ndër çështjet më të debatueshme është ajo e “Special and Differential Treatment” (S&D), sipas të cilit 2/3 e vendeve anëtare të OBT kanë statusin e “developing countries/vend në zhvillim” – një përcaktim ky që u jep atyre të drejtën të mbajnë tarifat tregtare ekzistuese (të para negociimit) edhe për një periudhë më të gjatë kohe. Lidhur me këtë status, vetë OBT nuk ka ndonjë dispozitë të qartë dhe që, nëpërmjet treguesve apo indikatorëve të caktuar, të shpreh se kur një vend anëtar duhet të heq dorë nga statusi i S&D.

Kjo është një çështje shqetësuese për vendet me status “developed/të zhvilluara”, pasi ndër vite apo dekada (S&D është prezantuar për herë të parë në vitin 1979) asnjë vend me status “developning/në zhvillim nuk është akoma “developed/i zhvilluar”! Për më tepër, ky grup vendesh nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë që të tregojë se ata janë të gatshëm të heqin dorë nga përfitimet që iu sjell mbajtja e këtij statusi. Madje, kjo nuk ka ndodhur edhe për negociatat ndaj mallrave dhe shërbimeve që përfshijnë degën e industrisë (NAMA), ku produktet me origjinë nga këto vende janë shndërruar në konkurrues në tregun ndërkombëtar.

Në këto rrethana, kur OBT nuk mund të argumentojë se “përse të gjitha vendet në zhvillim duhet të gëzojnë privilegjet në të gjithë sektorët e ekonomive të tyre, vendet anëtare me ekonomi të zhvilluar shpesh kundërshtojnë koncesionet tregtare brenda organizatës, duke preferuar madje hyrjen në negociata në kuadër të forumeve të tjera me preferencë marrëveshjet plurilaterale apo ato rajonale. Ndërtimi i konsensusit Puna për arritjen e konsensusit gjatë negociatave tregtare ka qenë dhe mbetet një temë shumë e ndjeshme në OBT. Sipas rregullave dhe dispozitave në fuqi të OBT, shumica e vendimeve mund të miratohen edhe me shumicë votash.

Por, në praktikë, të gjitha vendimet janë marrë vetëm me konsensus, me shpresën se kjo rrugë apo mënyrë do ta fuqizonte më tej organizatën. Në realitet, nga njëra anë fryma e konsensusit ka ndikuar në sinergjinë kolektive të aktiviteteve por, nga ana tjetër, ka penguar vendimmarrjen dhe ka bërë që negociatat për marrëveshjet tregtare të zgjasin me dekada. Analistët e marrëdhënieve tregtare dhe sidomos ata që merren posacërisht me OBT konkludojnë se konsensusi, pavarësisht vështirësive, është një “gjetje e mençur dhe nuk duhet të ndryshojë”.

Megjithëse ndërtimi i konsensusit mund të jetë i ngadalshëm dhe shpesh tepër i vështirë (psh kur një delegacion vendos veton), ai mbetet mënyra e vetme për të krijuar legjitimitetin për vendimet e OBT. Në fund të fundit, vendimmarrja me shumicë votash do të vinte në dyshim kapacitetet e OBT për të zgjidhur mosmarrëveshjet, duke i gjykuar të drejtat dhe detyrimet e vendeve anëtare sipas madhësisë së tregjeve dhe interesave politike.

Prandaj dhe konsensusi mbetet i rëndësishëm me kushtin qe ai të funksionojë si një detyrim të gjithë vendeve anëtare që ata të negociojnë drejt interesave të përbashkëta të organizatës dhe të kundërshtojnë formalisht çdo vendim i cili bien ndesh me interesat themelorë të OBT. Ky detyrim sigurisht shpresohet të shfaqet në MC11 në Buenos Aires ku Ministrat do të diskutojnë për të siguruar funksionimin e OBT, në mënyrë që organizata të përshtatet në mënyrë efektive me një mjedis ndërkombëtar në ndryshim dhe zhvillim të përditshëm.

Problemet që u trajtuan më lartë si S&D dhe vendimmarrja me konsensus janë çështje të vetë OBT, por ato nuk kanë marrë theksimin e duhur ndër vite. Meqenëse aktualisht çështja e reformimit të organizatës është temë e ditës, ato duket se do të marrin rëndësi të veçantë në negociatat ministeriale, në MC11. Deri tani, nuk ka indikacione se Shqipëria do të përfaqësohet në MC11, në Buones Aires, duke shprehur kështu indiferencën e saj ndaj kësaj organizate. Nëse kjo ndodh, Shqipëria ruan kështu të njëjtin status (mospjesëmarrës) ashtu siç është vepruar edhe në MC10, në Nairobi, ku Shqipëria ishte ndër vendet e vetme pa përfaqësim zyrtar.