Shkëlqim Ruçaj: Gjimnazet, problematikat me tekstet shkollore, pengesë për Universitetin

Publikuar më 06. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Shkëlqim Ruçaj, mësuesi nga Fieri rrëfen jetën e tij profesionale dhe problematikat në arsim. Si zbehen tekstet e matematikës, duke shkaktuar formim të cunguar tek nxënësit që ndjekin fakultetin

“Nxënësit nuk kanë ndonjë ngarkesë shumë të madhe për ta përvetësuar një material, por në përgjithësi lënda është e ezauruar nga nxënësit dhe mësuesit. Nuk është niveli i duhur për këto klasa. Nxënësit sot nuk bëjnë ekuacionet esponenciale, ndërsa në brezat e mëparshëm bëheshin”

Jeta e një mësuesi nuk është aspak e lehtë, pasi të merresh më fëmijët duhet durim dhe shumë profesionalizëm. Shkolla është institucioni më i rëndësishëm, pas familjes për edukimin e nxënësve, por puna që bën mësuesi është unike. Prandaj një rritje e shëndoshë profesionale e nxënësve, bëhet e mundur vetëm nga një marrëdhënie e ngushtë prindër-mësues. Ndërsa brezat ndryshojnë, bashkë më to, ndryshon mentaliteti si dhe vlerësimi që kemi për figurën e mësuesit. Nëse dikur nxënësit e kishin shumë të shenjtë respektin ndaj mësuesit, sot rrëfimet tregojnë se është zbehur, pasi respekti ndërtohet nga interesi. Nxënësit përshëndesin vetëm mësuesin që i jep mësim, kështu tregon për “Shekulli-n” mësuesi i matematikës, në qytetin arsimdashës të Fierit Shkëlqim Rucaj, që ka një jetë që punon në arsim. Ai sot është 71 vjeç, dhe pavarësisht faktit që ka dalë në pension, Shkëlqimi tregon se ende punon, pasi pasioni për këtë profesion e mban të lidhur ngushtë me nxënësit, i cili transmeton me shumë dashuri dijet e tij, që mungojnë dhe në tekstet aktuale, por nxënësit kanë fatin të marrin leksione të vyera prej tij. Në këtë intervistë profesori na tregon eksperiencën e tij si mësues, por dhe problematikat e shumta si zbehja e teksteve, si dhe mungesa e regjistrave, duke krijuar mundësi për abuzim në vlerësimin e nxënësve.

Pak rrëfim nga jeta juaj z. Ruçaj, si ka qenë fillimi i karrierës dhe jeta juaj si student?

Unë e kam filluar punën që në shkollë të mesme. Nga viti 1998 deri sot kam punuar në Fier, jam mësues i merituar, ku kam dhe një medalje me titull “Naim Frashëri”, klasi i parë. Kam zënë disa vende të para në shkallë Republike. Aktualisht jam në pension ,por vazhdoj të punoj. Matematikën e kam pasur prirje, studioja me shumë pasion pa e ndjerë lodhjen, madje në vit të katërt të gjimnazit ju bëja konsulta shokëve të klasës, pasi e dashuroja këtë lëndë dhe doja të bëhesha mësues matematikë. Në Fier, u zgjodhëm unë dhe një shok, për të ndjekur studimet e larta për këtë degë. Ditën e parë të fakultetit, pasi mora leksionet shkova të studioja, kështu kam vazhduar gjithë kohës. Jam munduar të jem shumë korrekt me nxënësit, sidomos ata që vinin nga fshati me një nivel të ulët, kisha dëshirë ti ndihmoja.

Në fakt, matematika është një lëndë e vështirë. Cila ka qenë strategjia juaj për t’i lidhur sa më shumë nxënësit me këtë lëndë?

E vështirë është kur mësuesi nuk di ta shpjegojë atë lëndë. Mësimdhënia është art më vete dhe nuk e fiton dot me shkollë. Unë e kam pasur pasion, duke ndikuar që nxënësi të ndjehet komod me mënyrën time të shpjegimit. Por, nuk ka munguar as investimi maksimal në orën e mësimit, pasi unë nuk e njoh karrigen, sepse nuk mbaj mend të kem shpjeguar ndonjëherë ulur, edhe tani në këtë moshë që jam.

Ju tashmë keni fituar të drejtën e pensionit, por ende punoni. Cila është arsyeja që nuk hiqni dorë nga mësimdhënia?

Nuk e kam lodhje, pasi me këtë profesion me mban të lidhur pasioni. Po nuk e dashurove profesionin, nuk e bën dot.

Duke qenë se ju vini nga një sistem tjetër, mund të bëni një lloj krahasimi në kohën kur keni qenë student dhe mësues njëkohësisht, dhe si është sot, parë në vlerat dhe kultin e mësuesit?

Sot ka shumë ndryshime, po të flasim për vlerat e mësuesit. Nxënësit janë bërë shume të vështirë, po nuk i dhe mësim nuk të përshëndet as në shkallë. Ai i flet vetëm mësuesit që i jep mësim. Tani gjimnazi ka rënë shumë poshtë në nivelin e njohurive, ku matematika, fizika, kimia, biologjia, janë të një niveli shumë të ulët. Ka dhe anët pozitive, sepse niveli që ishte më përpara e vriste shumë rininë, pasi lëndët ishin shumë të ngarkuara, gjë që të merrte shumë kohë për të studiuar dhe tani pjesa me e madhe i marrin njohuritë që në klasë. Një problem tjetër që kanë shkollat është mungesa e regjistrave. Unë kur bëj provime, kam një fletore time personale dhe aty vendos notat e nxënësve. Në fund të 3-mujorit, në regjistër vendoset vetëm një notë për vlerësim të vazhduar dhe nota e provimit.

Pse nuk përdoren regjistrat, keni bërë apel për këtë problem?

Sigurisht që po. Regjistri përdoret vetëm për të shkruar emrin dhe mbiemrin e nxënësit, sepse kështu është sistemi i ndërtuar nga Ministria e Arsimit. Domethënë, po të vish pas një viti dhe të hapesh regjistrat, shikon vetëm mungesa dhe tema. Kjo të jep shkas për të abuzuar. Për mua është shumë negative dhe ministria duhet ta rregullojë këtë problem.

Ky fenomen ndodh vetëm në shkollën tuaj?

Ndodh kudo, është në shkallë Republike, por nëse unë në fletore vendos notë vlerësimi tetë dhe përfundimtaren e nxjerr nëntë, kush e verifikon këtë? Pra, mësuesi mund të abuzojë me notat me këtë sistem vlerësimi, pa regjistër. Unë jam i ndërgjegjshëm, por jo të gjithë mund të jenë njësoj.

Si është krahasimi i tekstit të klasës së 10-të me atë të 11-ës?

Nxënësit nuk kanë ndonjë ngarkesë shumë të madhe për ta përvetësuar një material, por në përgjithësi lënda është e ezauruar nga nxënësit dhe mësuesit. Nuk është niveli i duhur për këto klasa. Nxënësit sot nuk bëjnë ekuacionet esponenciale, ndërsa në brezat e mëparshëm bëheshin.

Nga njëra anë ju po thoni që këto tekste janë të mira, pasi përvetësohen më lehtë nga nxënësit, por nga ana tjetër ndikojnë negativisht. Cilat janë pasojat që shoqërojnë të ardhmen e tyre?

Ky është problem i ministrisë, pasi kanë dalë tekstet e klasës së 10-të dhe 11-të, por nuk e kam tekstin e 12-ës në dorë. Ata do kenë vështirësi, ta përballojnë këtë nivel njohurish në shkollë të lartë.

Nëse ministria e ka bërë në këtë lloj forme, që ka tekste më të lehta tani në klasë të 11-të dhe nuk është shfaqur akoma teksti për klasën e 12-të. Ka mundësi që nxënësi në klasë të 11-të, të mësojë gjëra elementare që mund ti mësonte dhe më parë. A është kjo një formë që nxënësit të drejtohen drejt kurseve private dhe prindërit të shpenzojnë më shumë për ta?

Nuk flas dot, sepse nuk e di sesi është teksti i 12-ës. Nëse 12-ta do të jetë në këto nivele sigurisht që do ketë tendenca shumë të mëdha për kurse private. Edhe në Fier bëhen kurse private. Unë ju bëj nxënësve, sepse janë ata që interesohen për të thelluar njohuritë e tyre. Por, punoj me licensë që më jep këtë të drejtë. Paguaj taksën e bashkisë dhe sigurimin 6500 lekë në muaj. Kursi që unë bëj, i shërben maturës shtetërore, matematikës së avancuar dhe universitetit të inxhinierisë. Niveli i lëndës është pak më i lartë, sesa libri i shkollës së mesme. Tani që është rritur mesatarja, shumë nxënës preferojnë të bëjnë kurse me mësuesit e tyre, pasi duan të marrin nota të mira që të rrisnin mesataren për të shkuar në universitet

A ndodh të dilni jashtë teksteve aktuale për t’ju shpjeguar ushtrime më të avancuara, në përputhje me nivelin e tyre?

Patjetër që e bëj këtë përpjekje, madje mundohem që t’i afroj paksa me programin e vjetër, aq sa më lejohet mundësia gjatë orës së mësimit. Kam shpjeguar ekuacionet eksponenciale që nuk i ka libri. Unë iu nxjerr ushtrime për të thelluar njohuritë qe nuk i marrin dot nga lënda. Por ndodh, që prindërit mund të kundërshtojnë, pasi nuk duan ti ngarkojnë fëmijët më ushtrime që nuk i ka libri.

A janë të ndërgjegjësuar prindërit me këtë nivel njohurish që ofrojnë tekstet?

Jo, nuk është niveli i prindërve për të bërë vlerësime të tilla. Nuk janë më programet që kanë qenë dikur. Mbaj mend, disa vite më përpara, program i gjimnazit ishte i tillë që e përgatiste nxënësin për në shkollë të lartë, dhe nëse unë i kisha vendosur 10 në gjimnaz, në fakultet e kishte të garantuar notën 8-të e lart. Të njëjtat probleme ka dhe fizika, pasi nuk ka formula, ndërsa kimia në vit të katërt nuk bëhet fare. Unë e pranoj, që tani janë të lehta për nxënësit këto programe, por më shqetëson fakti, sesi do ta përballojnë shkollën e lartë.

Si është niveli i nxënësve dhe sa kohë i kushtojnë sot studimit? Çfarë problematikash evidentoni tek ky brez në raportin që ata kanë me librin?

Në çdo kohë ka nxënës të mirë, pasi vjet në maturë, nga 24 veta që kisha, 16-të prej tyre morën notën dhjetë, katër morën nëntë. Ka goxha nxënës të mirë, ashtu siç ka dhe disa që nuk janë aq të përkushtuar. Brezi i ri nuk i kushtojnë kohë studimit sa ne, pasi ndikon teknologjia, telefoni që po e largon nga libri. Një problem tjetër është dhe marrëdhënia e dobët e prindërit me fëmijën, krahasuar me kohën time. Ata, janë shumë të ngarkuar nga stresi dhe problemet ekonomike, duke i kushtuar më pak kohë fëmijës.

Si janë marrëdhëniet me koleget e punës?

Njerëzit janë distancuar, pasi kanë probleme të ndryshme. Tani nuk ka më njerëz që bëjnë vizita, pasi ka mënyra të reja argëtimi. Ka mospërputhje mentaliteti, marrëdhëniet nuk janë ato që kanë qenë dikur. Unë kam mall të vijë dikush, për një kafe, por sot mungon kjo ndjenjë sociale.