Ekspozita/ Objekte industriale të komunizmit këndojnë te “Turbina” (FOTO)

Publikuar më 03. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Artisti shkodran Sadik Spahija çel në Tiranë ekspozitën “Vox Machine”. Disa makineri industriale, të shkëputura nga konteksti dhe nga funksioni i tyre fillestar pranë ish-fabrikave të ndërtuara ndër vitet e regjimit komunist në Shqipëri u jep jetë në trajta animiste, përmes ndërhyrjeve

Në ambientet e skenës së re- “Turbina” ( ende pa përfunduar) u çel ekspozita “Vox Machine” e artistit Sadik Spahija. Materialet e përdorura prej tij për realizimin e veprës janë mbetje industriale të marra nga fabrikat e periudhës së diktaturës. Spahija kërkon që të përçojë te publiku mënyrën se si ne e ndërtojmë jetën tonë, sesi në periudha të caktuara sillemi karshi njëri-tjetrit, se si reagojmë karshi asaj që na rrethon, ndaj mjedisit. Artisti, Sadik Spahija ka 3 vite që punon për këtë projekt. “Vox Machine” është kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci, Rosella Pelliçiotti, Melissa Becovic.

Sadik Spahija:

Artisti Spahija e konsideron të veçantë këtë eksperiencë, duke e krahasuar me eksperiencat e kahershme, ku mbyllet në studio për të nxjerr në dritë atë që i kërkon profesioni. Ai na rrëfen se kësaj radhe ka bërë një punë kërkimore edhe eksperimentale, për të sjell afër publikut një kumt, që shqetëson shoqërojnë shqiptare sot, duke e sjellë atë në formë alternative, jo duke dhënë përgjigje, por duke shtruar pyetje. Shtron pyetje, që ne ia bëjmë përditë vetvetes, të cilat gjejnë përgjigje, por përgjigjet janë afatshkurtra. “Ideja e kësaj ekspozitë është pikërisht që përpjekja dhe mundi ynë ka shpeshherë afate shumë të përkohshme, që na dëmtojnë në jetën tonë, në udhëtimin tonë të brezave.

Natyrisht që unë kam marrë në konsideratë në tematikë të caktuar, që ka të bëjë me sjelljen tonë karshi produktit tonë. Tema nuk është lokale edhe nuk i takon vetëm një territori të caktuar, por është për mënyrën se si njeriu përgjatë progresit të vet, për benefiqet e veta, përgjatë përdorimit të teknologjisë, lë mbrapa shumë rrënoja, shumë dëme në jetët njerëzore edhe e instalon në territorin tonë”. Ai ka kërkuar pothuajse në të gjithë Shqipërinë objekte të regjistruara me kontratë dhe ka bërë biseda të pafundme me njerëzit, për të kuptuar se si ata reagojnë karshi këtyre objekteve edhe materialeve.

Edhe vet kur është marrë me këtë projekt ka kuptuar se brenda tyre është dendësuar një punë e pafundme, një djersë e pafundme, një djersë e bërë nga prindërit tanë. “Natyrshëm që kam i kam bërë pyetje edhe vetes, sepse më dukej sikur po bëja stop, për disa gjëra që po humbnin në një humnerë të padukshme. Duke e parë që këto objekte kanë një vlerë, për t’u përkthyer në një dobi të caktuar në një mjedis të caktuar, në një hapësirë publike, e kanë edhe një shans të fundit për të kënduar këngën e tyre. Pavarësisht, se në pamje të parë janë në trajtën e një kafshe të padëshiruar, sepse për këtë kam folur shumë me njerëzit, që unë ua bleja ose m’i jepnin para se t’i çonin në skrap.

Ata kishin pasur një marrëdhënie, një histori me to. në një farë kuptimi në të gjitha këto objekte ndodhet një lloj identifikimi, një lloj historie njerëzore për të gjithë”. Pyetja që bëjmë çdo mëngjes thotë Stahija është: Çfarë do të bëjmë sot? Si do të sillemi edhe çfarë do të lëmë në të përditshmen tonë ne vet te njerëzit? “Nuk i takon një periudhe të caktuar, një historie të caktuar, nuk i takon vetëm diktaturës, pasi diktaturat mund të riciklohen në forma të ndryshme. Por i takon edhe sjelljeve tona të përditshme. Prandaj koncepti i kësaj ekspozite evokon sjelljet tona pa kufi dhe pa limite”.

 

Vox Machina e Spahisë na zhvendos në kohë përmes premtimeve të ideologjive të vjetra e të reja

Edi Muka (kurator i Vox Machina)

Vox Machina është një projekt skulpturor në formën e një instalacioni hapësinor nga Sadik Spahija. Një numër makinerish industriale janë shkëputur nga konteksti dhe nga funksioni i tyre fillestar pranë ish-fabrikave të ndërtuara ndër vitet e regjimit komunist në Shqipëri. objektet kanë përfituar trajta animiste, përmes ndërhyrjeve të artistit. Ato nuk janë thjesht ready-made (objekte të gjetura,  por objekte të shndërruara në mbartëse të një kumti në kohë. Ato përfitojnë cilësi monumentesh, por ndërsa monumentet përgjithësisht ngjizen si objekte përkujtimore të një ngjarjeje, epoke apo personi, objektet e paraqitura nga Spahija, shkojnë përtej çastit të përkujtimit.

Spahija i rikuperon objektet e dënuara me harresë dhe zhdukje për të ndërtuar një reflektim mbi atë çka ato përfaqësojnë dhe çka mund të na mësojnë. Ai ndërhyn në to duke i shtuar pjesëza qeramike, të cilat si për nga materiali i tyre (baltë e pjekur) ashtu edhe nga forma e zgjedhur i japin makinerive trajta të reja me gjymtyrë të kalcifikuara të këtyre qenieve të çuditshme, që duket sikur janë zbuluar nga gërmimet e një epoke që shtrihet diku përtej, në një mugëtirë ku e shkuara përzihet me të ardhmen e largët.

I yshtur nga një kuriozitet i tij, për t’i parë ato si instrumente muzikore mbartëse të një ideologjie, Spahija kalon nga akti i rikuperimit në një akt shndërrimi. Në bashkëpunim me koreografin Gjergj Pervazi dhe kompozitorin Hajg Zaharian, Spahija i jep zë edhe jetë objekteve duke i shndërruar në instrumente dhe qenie tingull-lëshuese, që duket sikur lëngojnë në hapësirë. Megjithëse çdo objekt ka karakteristika të qarta skulpturore, ato mund të kuptohen vetëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin, si një instilacion gjithëpërfshirës hapësinor. Tytat prej qeramike që duket sikur kanë mbirë në trupat metalike në bëjnë të mendojmë për një lloj fanfare, e cila në pamje të parë i thur këngë një epoke të shuar, por në të vërtetë i jep zë qenieve të pakallura të këndojnë një kumt të mistershëm. Të animuar nga lëvizje automatike dhe nga ndërhyrjet artistike ato lëshojnë hungërimën e tyre mekanike, një lloj Vox Machina, një zë që vjen nga thellësia e kohës industriale për t’u  zhvendosur në të ardhmen jo të largët,, kur makinat dhe njerëzit do njësohen dhe ndërtupëzohen.

Vox Machina e Sadik Spahisë na zhvendos në kohë përmes premtimeve të ideologjive të vjetra e të reja, që kontrolluan dhe kontrollojnë destinon tonë nga e shkuara komuniste në të tashmen globale të mjegullt e pa trajta, drejt një të ardhmeje të panjohur, ku muzgu i njerëzimit mund të shndërrohet në agimin e makinës.

Bio

Sadik Spahija (1959) i lindur në Shkodër. Jeton dhe punon në Tiranë. Është artist tejet aktiv me pjesëmarrjet në epo ndërkombëtare dhe kombëtare. Eksperiencat profesionale; 1983-1989 Mësues në Liceun Artistik “Prenk Jakova” Shkodër; 1989-2006 Pedagog në Akademinë e Arteve,Tiranë; 2001- Shef i Seksionit të Qeramikës në Fakultetin e Arteve të Bukura; 2001 Kryetar i Shoqatës së Artistëve Qeramistë të Shqipërisë; 2008 Dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura. -Ekspozitat kolektive: 2014 Ekspozitë kolektive “Informal Mind” Metalurgjik Elbasan; 2010 “Kopshti i Ëndrrave”Galeria Miejska bva ë Bydgoszczy Poloni; 2010 Bienale: “Tina B” mobilnale Pragë, Çeki ; 2007 “Dialog” Ekspozita Ndërkombëtare e Qeramikës Bashkëkohore, GKA 2005 ArtMar Biennalde la Mediterrania, Barcelonë 2005 Galeria e Vogël, Tiranë/ 2005 Goteborg, Workshop, Suedi; 2004 Konkursi Ndërkombëtar “Onufri 04”GKA,Tiranë; 2003 Ekspozitë kolektive në Qytetin e Artit, Paris; 2002 Ekspozitë Ballkanike, Athinë. 2002 Ekspozitë Ndërkombëtare e Qeramikës Bashkëkohore, GKA,Tiranë; 2001 Ekspozita Ndërkombëtare “Onufri 01” GKA,Tiranë; 2000 Ekspozita Ndërkombëtare “Onufri 00” GKA, Tiranë; 1999 Ekspozitë Ndërkombëtare “Onufri” GKA,Tiranë. 1998 Ekspozite Kolektive, Athinë; 1997 Ekspozitë Kombëtare “Onufri”, GKA ,Tiranë. -| Ekspozita Personale;2012 Ekspozite personale “Nën Trysni” Galeria FAB , Universiteti i Arteve, Tiranë; 2003 Ekspozitë personale në Cite Internationale des Arts, Paris; Ekspozitë personale, Halle dhe Berlin (1995).