Akademikët: Do të reformohemi, na jepni fondet për 2018-n

Publikuar më 01. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Mblidhet asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ata diskutojnë për reformën që duhet bërë në këtë institucion. Gudar Beqiraj është pro, që institutet e kërkimit shkencor të jenë në varësi të Akademisë. Fuga shprehet se kjo është mënyrë sovjetike dhe nëse ndodh kjo, ai jep dorëheqjen, si anëtar i ASH-s

Situata aktuale e reformës së kërkimit shkencor në vend, e posaçërisht ardhmëria institucionale e Akademisë së Shkencave mblodhi sërish bashkë akademikët. Për më shumë se një orë ata diskutuan dhe dhanë mendimet e tyre për rrugën që duhet të ndjek ky institucion, në mënyrë që të dalë nga gjendja ku është. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, i cili ende nuk është dekretuar si kryetar nga Presidenti Ilir Meta, shprehu mendimin e tij për situatën se ku gjendet sot Akademia e Shkencave. Beqiraj shpreh besimin se reforma do të bëhet edhe se nuk do të ketë asnjë ndërprerje fondesh. Ndërsa, akademiku Apollon Baçe (i zgjedhur edhe si kryetar komisioni për reformën), mendon se pas goditjes që i bëri Sali Berisha para 10 vitesh Akademisë, kjo është goditja e dytë, në 45 vite ekzistencë.

Profesor Artan Fuga, i cili ka qenë një zë kritik përsa i përket reformës, që duhet bërë në Akademi, duke i konsideruar zgjedhjet e bëra para pak kohësh për kryetar nga kryesia, si të parregullta, i mëshon fort idesë që ky institucion duhet reformuar. Ndërsa, përsa i përket deklaratës së kryeministrit se do t’i heq fondet këtij institucioni, ai mendon se kurrsesi fondet nuk duhet t’i hiqen, pasi në këtë mënyrë nuk do të ketë më akademikë të pavarur. Fuga deklaron se nëse institucionet e tjera kërkimore do të kthehen në varësi të Akademisë së Shkencave (siç kanë qenë), atëherë ai do të japë dorëheqjen, si anëtar i ASH-së.

Gudar Beqiraj: Reforma në Akademi nuk mund të bëhet pa para

Pas mbledhjes së Asamblesë Gudar Beqiraj u shpreh për mediet se gjatë këtij takimi me dyer të mbyllura u diskutua për reformën në Akademi, gjë që e ka kërkuar edhe vet kryeministri i vendit. “Ne jemi të gjithë unison, që të bëjmë reformën në ASH, duke bashkëpunuar me qeverinë. Kjo është ajo çka diskutuam. Përsa i përket asaj që thuhet, për ndërprerjen e buxhetit për Akademinë së Shkencave ai mendon se nuk do të ketë heqje fondesh. Sipas tij, kryeministri me këtë ka nënkuptuar që në Akademi të Shkencave duhet bërë reforma. “Reforma në Akademi nuk mund të bëhet pa para.

Mbi 21 akademikë ishin në unision për reformën, edhe pse në këndvështrime të ndryshme, sepse disa kërkojnë, që ASH të jetë me institutet, siç ka qenë më herët dhe disa jo. Unë jam që ASH të jetë siç ka qenë”. Gudar Beqiraj shton se në të gjithë botën janë dy modele, i pari është modeli që institutet janë në varësi të Akademisë së Shkencave, edhe modeli i dytë është pa institute, siç është sot ASH. “Mariglen Verli (drejtor i Akademisë së Studimeve Albanologjike) deklaroi që unë jam dakord, siç të dojë qeveria, nuk ka asnjë problem nëse jam nën ombrellën e Akademisë së Shkencave apo jo”.

Apollon Baçe: Goditjen e parë Akademisë ia dha Sali Berisha, kjo është goditja e radhës  

Akademiku Apollon Baçe pas takimit u shpreh se pas pak ditësh është 45-vjetori i krijimit të Akademisë së Shkencave. “Në momentet kur kjo Akademi lindi drejtonte regjimi komunist, por goditjen e parë ky institucion e ka marrë 10 vjet më parë nga Sali Berisha, i cili i hoqi institutet dhe bëri një skemë që nuk qëndron. Ndërsa, goditja e dytë po i vjen tani”. Baçe për këtë gjendje bëri një paralelizëm me atë çka ndodh në një fis afrikane.  “E krahasoj këtë që po ndodh me një fis të Afrikës, të cilët u japin vajzave për çdo datëlindje nga një unazë, për ta vënë në qafë. Një vajzë 25 vjeç ka 25 unaza.

Nuk ka dënim me vdekje atje, mjaft të heqësh unazat. Është atrofizuar dhe vdes. Thuhet që do hiqen fondet, atëherë më mirë të mbyllet akademia. A ndodh apo nuk ndodh kjo, nuk mund të them, por kjo nuk mund të bëhet me një vendim qeverie. Duhet të mblidhet parlamenti, i cili ka fuqinë e kartonëve. Parlamenti mund të vendosë edhe që lopa cicërin dhe zogu pëllet. Do të ishte një det shumë i madh. Na thuhet që jemi një nëndetëse sovjetike, e cila po ndryshket nën rërë.

Në fakt ky është modeli i leopoldianës së Hales, ku ka qenë anëtare edhe Merkel. Dhe ajo ka thënë që një nga pesë prioritetet, sipas saj, që Shqipëria të hyjë në BE është të bëhet jo vetëmbarazimi i ekonomisë, por edhe barazimi i mendimit. Kërkohet 3.5 të jetë buxheti shkencor dhe të rriten investimet. Nuk besoj se nëse nesër do të thonë që mbyllet akademia do të jetë një arritje e jona, por një humbje”, rrëfen Baçe. Ndërsa, përsa i përket reformës në Akademi, Baçe thotë se mendohet që të kemi një Akademi me institute që funksiononte, ose një Akademi pa institute, siç është.

Artan Fuga: Nëse institutet kthehen në varësi të Akademisë, jap dorëheqjen si anëtar i Akademisë së Shkencave

Profesor Artan Fuga, kësaj here i pranishëm në mbledhjen e Asamblesë, u shpreh pas takimit se, Akademia e Shkencave ndodhet në ditët e saj më të errëta, sepse ekzistenca e saj vihet në diskutim, edhe kjo gjë merret vesh nëpërmjet deklaratave në medie. “Akademikët janë mbledhur për të diskutuar se si e gjykojnë ata këtë paralajmërim, që është i barabartë me mbylljen e këtij institucioni të rëndësishëm të shkencave shqiptare, si një institucion autonom dhe që ka një rol shumë të madh në përfaqësimin e komunitetit shkencor”.

Nëse ndodh, që edhe burimet e saj shumë, shumë të vogla i hiqen, atëherë opinioni publik duhet ta dijë, mendon profesori, se një institucion i pavarur në Shqipëri është mbyllur, edhe se Shqipëria humbet një aktor shumë të rëndësishëm në jetën publike edhe në hapësirën publike.

Fuga ka qenë kundër edhe për mënyrën se si ASH është pozicionuar gjatë viteve të fundit, për këtë ka bërë kritika publike, sikundër ka bërë edhe kritika brenda asamblesë, por edhe i ka dërguar dy letra para disa muajve kryeministrit të vendit, duke i kërkuar që institucionet që ai ka nën drejtim të bëjnë ç’është e mundur, që Akademia të reformohet. “Ka qenë një iniciativë e imja, duke dalë edhe kundër procesit të zgjedhjeve, që e konsiderova të parregullt edhe të padobishëm nga ana shkencore, duke kërkuar një reformim.

Sigurisht që, unë e kam një pikëpamje timen për mosreformimin, por kam thënë që në këtë përgjegjësi për mosreformimin e Akademisë ka përgjegjësi shumë të madhe edhe Ministria e Arsimit, komisioni që është ngritur edhe personalisht ministrja e Arsimit, zonja Lindita Nikolla, e cila e ka shtyrë, pasi nuk kanë qenë të aftë për ta bërë në kohën e duhur”, shprehet akademiku. Ai mendon se nëse Akademia duhet të reformohet kjo gjë nuk nënkupton që t’i ndërpriten fondet.

“Duhet që të ndryshojë ligji, të diskutohet ligji dhe pastaj të ndërpriten fondet. Thashë edhe një herë që një ligj qëndron më lart se çdo politikë e ditës, gjithashtu ne jemi në kuadrin e reformimit të tërë kuadrit shkencor, të pritet që të bëhet ky ligj i ri, të bëhet kuadri ligjor, të merren mendimet edhe të atyre forcave, siç jam unë, por edhe kolegëve të tjerë në akademi, që jemi censuruar nga Ministria e Arsimit edhe nga kryesia e Akademisë, duke mos u dëgjuar në pikëpamjet tona. Pastaj të mendohet që të alokohen fondet në drejtime të tjera”.

Ndërprerjen e fondeve profesor Fuga e konsideron një gabim total, sepse në këtë mënyrë shkelen një sërë të drejtash, ku mbi të gjitha nuk do të ketë më akademikë të pavarur në Shqipëri, që të mund të shprehin zërin e komunitetit. “Unë kam qenë gjithmonë kundër, që ASH t’i rikthehet modelit monist, ku ASH të drejtojë institutet. Jo, institutet e kërkimit shkencor janë sipas ligjit të pavarura. Grupet e kërkimit shkencor janë të pavarura. Institutet kanë senatet e tyre.

Nuk ka mundësi që një grup shkencor të ketë drejtorinë, mbi drejtorinë të jetë senati i institutit, dhe mbi këtë të fundit të jetë asambleja e akademisë, e mbi këtë kryesia e ASH-së. Kjo nuk bëhet më. Nuk ka sens. Është e pamundur mënyra tjetër që ASH të funksionojë, si një forum i pavarur edhe i zgjedhur nga shkencëtarët e Shqipërisë, të jetë partner i qeverisë për drejtimin shkencor edhe strategjitë shkencore të vendit. Të ketë monitorimin të arritjeve shkencore dhe të ketë vlerësimin për punën shkencore që bëhet në Shqipëri, jo vetëm në institucione, por edhe në universitete. Pra, ASH jo si një zyrë apo një institucion, që në mënyrë vertikale, në mënyrën sovjetike të drejtojë institucione. Kjo duhet të jetë siç është në shumë vende të botës, si Franca, Italia, Belgjika e SHBA. Ky është modeli perëndimor edhe ky funksionon”.

Profesori mendon se nëse institutet do të jenë nën varësi të Akademisë, ky është model i vendeve të lindjes, që nuk duhet të përsëritet. N”ë qoftë se ASH hyn në rrugën e dominimit të instituteve, unë po ju them publikisht, që në atë çast do të jap dorëheqjen, si anëtarë i Akademisë së Shkencave”.