Gosti “arti” në Shkup, rrëfehet kuratori: Ja përse Ibrahim Kodra nuk “vjen” në Shqipëri (FOTO)

Foto 1 nga 8 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Shkup/ Ekspozohen për herë të parë në Galerinë Kombëtare 59 vepra të Ibrahim Kodrës. 9 prej tyre shohin dritën e ekspozimit për herë të parë. Në këtë 100-vjetor të lindjes së piktorit, Fatos Faslliu, kurator i testamentit, president i fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano, rrëfen dashurinë e madhe të Kodrës për shqiptarët e kudondodhur. Ndalet edhe tek zvarritjet burokratike, që i bëjnë institucionet e Tiranës për çeljen e një ekspozite për të

Në “Çarshinë e vjetër” të Shkupit, ku ndërthurja e kulturave, gjuhëve, e të resë dhe të vjetrës, si edhe panorama ndjellëse, që të krijojnë një gjendje të paqtë, ne u gjendëm këtë fundjavë, për të festuar 100-vjetorin e lindjes, së Ibrahim Kodrës. Entuziazmi për t’u bërë pjesë e kësaj ceremonie, që nderon kolosin shqiptar të pikturës, u pasurua nga mikpritja e ngrohtë dhe organizimi i detajuar. Mbrëmjen e së shtunës, Galeria Kombëtare e Maqedonisë, kishte marrë një tjetër hijeshi. Intelektualë, artistë, gazetarë dhe dashamirës të artit, ishin mbledhur për të marrë pak nga mrekullia e një gjeniu, si dhe për ta përcjellë artin e tij, në shenjë mirënjohjeje dhe krenarie. “Hamami është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV, si pasuri e lënë nga ish-Beu.

Për herë të parë përmendet në dokumentet e vakëfit të xhamisë së Isa Beut në vitin 1531…”, shkruhet në hyrje të Galerisë. Brenda saj atmosfera është magjike! Pikturat e “Nderit tonë të Kombit” i kanë dhënë galerisë një madhështi të pashoq, ku mbi të gjitha reflektohet dashuria për artin. “Miku shqiptar” i Pikasos, që aq shumë e deshi pikturën, poezinë, artin, njerëzit dhe mbi të gjitha Shqipërinë edhe shqiptarët do të ndihej i lumtur nga kjo fotografi historike, ku të gjithë përpiqen në një mënyrë apo në një tjetër ta falënderojnë kolosin e fundit të kubizmit evropian, duke e uruar: Gëzuar 100-vjetorin e lindjes! Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Fatos Faslliu, kurator i testamentit, president i fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano, rrëfen meritat e mjeshtrit të madh të pikturës, Ibrahim Kodra, por nuk lë pa ndalur edhe tek brengat e tij. Në galeri ekspozohen rreth 60 vepra, ku 9 prej tyre vizitorët kanë mundësi, që t’i shikojnë për herë të parë.

Zoti Faslliu, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Ibrahim Kodrës, gjendemi sot në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë. Çfarë rëndësie ka kjo ekspozitë për publikun maqedonas? 

Kjo ekspozitë është iniciativë e Fondacionit “Kodra” në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, pasi 100-vjetorin e lindjes së Kodrës, po e festojmë qysh nga muaj nëntor. Kemi ekspozuar në Muzeun Modern të Milanos, por edhe në Durrës, ku prej pak kohësh kemi hapur sallën muzeale, për të arritur këtu ku jemi, në Shkup. Këtë tur ekspozitash do ta vazhdojmë në Kosovë, Romë, Zvicër dhe sërish në Milano.

Ndërkohë, ju nuk na përmendët Tiranën?!

Fatkeqësisht deri tani, Galeria Kombëtare e Tiranës nuk ka dhënë asnjë lloj shenje jete.

Ju i keni bërë kërkesat zyrtare për të çelur një ekspozitë?

Patjetër, që u kemi bërë kërkesën zyrtare, mirëpo nuk na kanë kontaktuar ende.

Përse kjo heshtje?

Për këtë, duhet pyetur drejtori i ri i GKA-së, Erzen Shkololli.

Janë rreth 10 vepra të ekspozuara për herë të parë sot… Çfarë periudhe i përkasin dhe çfarë vendi zënë në krijimtarinë e tij?

Një nga ciklet më të bukura të Kodrës është për Positano-n. Për këtë e kanë nderuar me titullin Qytetar Nderi, pasi e ka bërë të njohur në Itali. Veprat për këtë vend janë perla, edhe “Peshkatarët” ja kushton Positanos. Por, janë edhe dy vepra më te hershme të vitit 194ë, dizenjo, të cilat nuk kanë qenë më parë të ekspozuara. Kanë qenë të harruara, pasi i kanë koleksionistët, prandaj tani po e shikojnë dritën.

Cilën do të veçoje, prej tematikave më “të rrahura” prej tij…

Veprat e tij ndahen në periudha të caktuara dhe janë të ndryshme. Për shembull, “Lufta për pushtet” është një kryevepër e tij, pasandaj, “Peshqit”, “Muzika” etj. Më tej vazhdon  me Positanon, ku ka kaluar një periudhë të rëndësishme të krijimtarisë së tij etj.

Kemi dëgjuar edhe për imitim të veprave të tij… Si i identifikoni ?

Vepra e Kodrës nuk imitohet! Ne kemi ngritur një komision, që identifikon veprat. Për shembull, koleksionisti Kozma Dashi ka rreth 30 vepra, të cilat janë të arkivuara.

Por, ju nuk gjendeni rastësisht në Shkup, pasi kujtimet tuaja me të nuk janë të pakta. A mundet të na tregoni për kujtimet që ruani për të?

Vitet e fundit të jetës së Ibrahim Kodrës kam qenë shumë afër, sepse jetoja bashkë me familjen time në Milano.

Po si ishte Kodra, si njeri përtej artistit?

Të gjithë artistët janë njerëz humanë! Në kohën e Ibrahim Kodrës kishte vetëm fjalë të mira për çdo njeri, për paqen, për bukuritë dhe natyrës. Nuk i dilte asnjë fjalë me zili. Përherë, thoshte se: “Sa më i madh të jetë njeriu, aq më i thjeshtë është”.

Kishte brenga?

Brenga kishte si çdo njeri, por nuk i shprehte!

Po për Ishmin, çfarë thoshte?

Për Ishmin? Unë e di se ju dëshironi të pyesni për varrin e tij, por unë mendoj se për këtë nuk mundet të flasin njerëz, që nuk i kanë qëndruar pranë.

Atëherë Shqipëria, çfarë vendi zinte në jetën e tij?

Shqipërinë dhe Kosovën nuk i ndante. Unë nuk kam njohur atdhetar më të madh se Ibrahim Kodra. Veprën e tij historike, “Shqipëria fantastike” (1997), e ekspozuar edhe në këtë galeri tregon shumë për lidhjen e tij me Shqipërinë. Por, ai kishte mall edhe për arbëreshët, Kalabrinë, pasi kontaktet më të mëdha i ka pasur me ata dhe kosovarët.

Çfarë duhet bërë më tepër për të, në mënyrë institucionale?

Ka shumë shembuj në botë, por nëse institucionet nuk bëjnë atë, që kanë bërë spanjollët me Pablo Pikason, i cili sot është shumë i njohur vetëm falë tre muzeve, që janë ndërtuar për të, atëherë do të humbasim shumë.

Janë bërë përpjekje për një muze?

Patjetër që janë bërë përpjekje individuale, në Durrës sapo është hapur një sallë muzeale, por pa ndihmën e institucioneve është e pamundur të ndërtohet një muze. Megjithatë, unë mendoj se me kalimin e viteve njerëzit do të binden për vlerat e Kodrës. Pasi ky artist ndihmon shumë edhe për turizmin shqiptar. Këtu janë ekspozuar 59 vepra dhe thonë se janë 6000 të tilla, por unë jam i bindur se kur të kalojnë shumë vite, do të jenë mbi 20 mijë vepra të Kodrës. Unë besoj në këtë!

Ka falur apo shitur më shumë vepra?

Ka shitur shumë, mirëpo është punë e stërmadhe, që të arrish të identifikosh punët e tij. për shembull, vetëm gjatë muajve të fundit janë identifikuar rreth 180 vepra të reja të Pikasos.

Kur flasim për vlera artistike, flasim edhe për vlera monetare të këtyre veprave… Ka një matës për këtë?

Vlerat monetare janë fakultative, sepse ka pasur piktorë shumë të mirë, që nuk ua blinin veprat. Vlerat monetare janë ato që ndërrojnë përditë, ndërsa vlerat artistike janë ato që mbeten. Është shumë pozitive, që shumë koleksionistë shqiptarë në Kosovë edhe në Itali po lëvizin shumë veprat e tij. Puna e veprave është një lëvizje, të cilën ne nuk e kontrollojmë dot, pasi janë privatë që i shesin dhe i blejnë. Qëllimi ynë është, që mos të kemi vetëm shtëpinë “Muze” në Milano, por edhe një tjetër.

Ku mendoni se duhet të jetë ky muze?

Nuk e kam menduar, pasi nëse institucionet nuk do të marrin pjesë, s’mund të bëhet. Në Kosovë do hapet Muzeu i Ibrahim Kodrës, që inaugurohet në fund të këtij viti. Dëshira ime ishte që të hapet në Tiranë, por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi edhe në Berat do të ishte shumë mirë. Por, Tirana është qendër shumë e rëndësishme, prandaj është shumë bukur të ndërtohet një muze për Kodrën në kryeqytet. Mendoj se do të kalojnë edhe shumë vite për këtë, pasi ne nuk na përbëjnë përshtypje as skandalet.

Quani skandal, debatet për amanetin e tij, për varrin në Ishim?

Jo, kjo çështje është amplifikuar, pasi të rëndësishme janë veprat e Kodrës. Skandal unë quaj anulimin e ekspozitës në GKA, që ishte vendosur me vendim të bordit të vitit të kaluar, që në datë 22 prill ekspozita të çelej në Tiranë (me rastin e 100-vjetorit). Por, pasi u ndërrua drejtori u ndërrua dhe bordi dhe gjërat kanë ndryshuar.

Mendoni se drejtori do ta marrë në shqyrtim kërkesën tuaj, që ta bëjë pjesë të kalendarit dhe një ekspozitë për Kodrën? Ja keni shtruar këtë kërkesë?

Këtë kërkesë e kam bërë, por kam marrë ende asnjë përgjigje konkrete, vetëm se njëherë për njëherë nuk mund të vendosej. Mendoj se një ekspozitë me veprat e Kodrës në Shqipëri do të ishte më madhështore, pasi ka dhe shumë koleksionistë privatë, që kanë vepra të tij. Nga arkivimet që kemi bërë në Shqipëri ka më shumë sesa 100 vepra të Ibrahim Kodrës, që ndodhen në duar të koleksionistëve shqiptarë.

Ibrahim Kodra në kujtimet e 25-vjeçareje

Është vetëm 25 vjeçe, ka kryer studimet për ekonomi, por prej disa vitesh është duke u kujdesur për veprat e Ibrahim Kodrës. Bëhet fjalë për vajzën e koleksionistit Fatos Faslliu, Raisën, e cila na rrëfen se Kodrën e kujton që fëmijë, si një njeri shumë të dashur, përpos të qenit artist. “Mjeshtri Kodra është piktori më i madh shqiptar, por nuk është mjaftueshëm i vlerësuar në Shqipëri”, thotë Raisa, teksa shton se ky piktor duhet të studiohet, sepse gjatë jetës së tij ka provuar shumë stile artistike në pikturë. “Besoj se në Shqipëri nuk ka artist si Ibrahim Kodra, prandaj mua më vjen keq që institucionet shqiptare nuk interesohen për ta promovuar. Por, prej tyre ka vetëm heshtje totale”. Ai është i vlerësuar në Itali, por jo vetëm. “E kujtoj dhe sot, kur kam qenë e vogël, që e shihja pothuajse, si gjysh, pasi ishe shumë i thjeshtë dhe shumë i dashur”.

Ibrahim Kodra, kolosi i fundit i kubizmit evropian

Dita Starova Qerimi (drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë)

Në Itali, vendi i titanëve të artit të pikturës Mikelanxhelo dhe Da Vinçi, në vendin ku mbi themelet e artit antik, u ndërlidhën shtyllat e proceseve evropiane të Renesancës, është vështirë të imagjinohet, që një i huaj të ndërlidhet me krijimtarinë artistike të tij. Këtë do të arrijë piktori italian dhe evropian me prejardhje shqiptare Ibrahim Kodra (1918-200ë). Galeria Kombëtare e Maqedonisë, në bashkëpunim me Galerinë Nacionale të Kosovës dhe Fondacionin “Ibrahim Kodra”, nga Italia, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së artistit, për herë të parë para publikut artdashës maqedonas, me një ekspozitë të pavarur e prezanton piktorin e madh, i cili konsiderohet si njëri nga kolosët e fundit krijues të post-kubizmit në Evropë, piktor i rangut Pablo Pikaso. Historianët italian të artit, vendin në artin figurativ italian të shekullit XX, si piktorë avangardë dhe origjinal.

Ibrahim Kodra i lindur në afërsi të Durrësit (Ishëm) orët e tij të para të pikturës i realizoi në një shkollë të pikturës në Tiranë, nën udhëheqjen e skulptorit të famshëm, Odhise Paskali. Në vitin 1938 ai largohet në Itali, ku kreu Akademinë Brera, ndërsa pas saj shpërngulet në Milano, ku jeton dhe krijon deri në fund të jetës së tij. Ai u ngjit në piedestalin e artit, avangardë italian dhe europian. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe vendosjes së demokracisë, si dhe përfundimit të izolimit dhe realizmit socialist, Kodra u ftua më vitin ‘9ë, të vizitojë Shqipërinë, dhe ta pranojë dekoratën “Nderi i Kombit”. Ai të te shpreh dëshirë pas vdekjes të varroset në vendlindjen e tij Ishëm, afër Durrësit dhe valëve të detit. Kjo ekspozitë e Ibrahim Kodrës, në galeri me reputacion të Hamamit, të Daut-Pashës vlerësohet pas ekspozitave të tij në Romë, Milano, Venecia, Paris, Nju Jork, Beograd dhe qytete të tjera të botës. Ka ekspozuar dhe ka pasur marrëdhënie të afërta me kolosët e artit evropianë, si Pablo Pikaso, Mark Shagai, Anri Matis, Renato Gutuso, Salvador Dali, Dufi, Ernst, Levy, Kokoshka etj.

Me një talent të lindur dhe me vokacionin e poetit ka pasur marrëdhënie të ngushta dhe ka bashkëpunuar me nobelistin dhe fituesin tonë të Kurorës së Artë të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, Eugjenio Montale, Kuasimodo, Pol Eliar, Dino Buzati etj., në librat poetikë të të cilëve e ka gërshetuar edhe artin e tij të pikturës. Konsiderohet se Ibrahim Kodra, gjatë karrierës së tij si piktor, ka krijuar rreth ë mijë vepra, nga të cilat vetëm 2000 janë regjistruar edhe një pjesë e madhe e tyre gjenden në galeritë të njohura, dhe koleksione private në mbarë botën. Veprat e tij, gjenden në muzeun e Vatikanit, në Parlamentin e Italisë dhe më vende të tjera në botë. Në mënyrë të veçantë janë dy miqësi në jetën dhe krijimtarinë e Kodrës, njëra me piktorin Pablo Pikaso, ndërsa tjetra me poetin Pol Eliar. Me Pikason është njohur në Romë, në vitin 1948, që të dy të pranishëm në kongresin e Paqes dhe që atëherë kanë pasur lidhje të ngushta miqësore.

“Kodra është miku im shqiptar”, është kjo konsiderata e Pikasos dhe titulli i ekspozitës. Ibrahim Kodra është dekoruar me një sërë çmimesh dhe mirënjohjesh, është shpallur Qytetar Nderi në shumë qytete italiane. Është dekoruar me Medaljen e Artë të Akademisë Franceze. Me këtë rast, u dekorua me mirënjohje, sepse “arriti që në botën tonë kaotike, të zbulojë mundësi të reja figurative në mënyrë që të kuptohet më morë forma artistike, pa ndërhyrje në strukturat kromatike, e që nënkupton hapje të horizonteve të reja në pikturën kontemporane, duke i shërbyer me besnikëri edhe realitetit të pikturës”. Poeti francez Eliar, në pikturat e Ibrahim Kodrës, zbuloi një nga “zërat e qytetërimit të rinj”.

Evropianizimi i Kodrës, paraqit një meditacion të thellë artistik për kubizmin dhe perceptimet e tij të ndryshme, por edhe prezencën, e premisave të kulturës lindore dhe botës së bizantit. Konsiderohet se figura totemike në pikturat e tij, idhujt, mbetjet e memories kolektive, banorët përreth detit, padyshim jam reminishenca të së kaluarës shqiptare, të shprehura në zgjidhjet më të lumtura. Megjithatë, linjat, trekëndëshat, rrethet, format miniature do të shkrihen në format e shprehura të pikturës së tij. Në imagjinatën ideale të pikturës së tij, ndërthuret toka shqiptare, në gjelbërimin e saj, kaltërsinë e detit, në një lloj sinteze, të globalizimit, të pikëpamjeve të tij ndaj botës. Në kritikën e pikturës italiane, në stilin e Kodrës dhe në udhëtimin e tij, si piktor, shohim vlerë të kultivuar magjepsëse autentike; në të e identifikojmë dritën, pasurinë e ngjyrave, frymën, materien dhe mitin në konfluencën magjepsëse, me prezencën e antikes dhe kontemporanes, oksidentit dhe orientit.

Ibrahim Kodra në moshë të re u largua nga atdheu i tij dhe zbuloi një atdhe të ri, i cili nuk ishte i tij, por sidoqoftë ai zbuloi atdheun e përjetshëm të artit. Në të vërtetë kërkimi i tij është për një atdhe, të cilin e gjeti me anë të një pikture, si një odise i ri, që e shpjegon historinë universale të botës. Kodra ndërroi jetë në 7 shkurt të vitit 200ë në Milano. Ai la amanet që të varroset në Shqipëri. Arti i Ibrahim Kodrës është në nivelet më të lartë të artit kontemporan dhe europian. Por në periudhën e realizmit socialist ishte i ndaluar në Shqipëri, megjithatë fati deshi që ai të kthehet në atdheun e tij pas rënies së regjimit Enverist, 199ë, ku ju bë një pritje dinjitoze ndërkombëtare. Ai plotësoi kështu dëshirën e tij për të pikturuar atdheun dhe pse një gjë të këtillë e kishte krijuar në një mënyrë tjetër, duke lënë gjurmë në artin universal. Për nënshkrimin e Ibrahim Kodrës, Pablo Pikaso është shprehur: “Edhe nënshkrimi yt nuk është nënshkrim, por vepër artistike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet