Gruaja shqiptare në festivale ndërkombëtare të filmit, me Luli Bitrin arti bëhet shpresë!

Foto 1 nga 5 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Aktorja Luli Bitri rrëfehet për rolin, si protagoniste në “Derë e hapur”. Filmi është përzgjedhur të jetë pjesë e marketit në Festivalin e Kanës. Ndalet edhe tek ndjesitë, që përjeton nga teatri në film dhe anasjellas. Roli i saj i fundit në teatër është Ledi Makbeth në veprën e Shekspirit

Magjia e skenës, ndjesitë e reja që rolet i falin e veçanërisht prezenca e publikut dhe duartrokitjet që merr pas e bëjnë ta dashurojë teatrin. Të njëjtën emocion Luli Bitri ushqen edhe për kinemanë, për vërtetësinë me të cilën përjeton skenat, impaktin te njerëzit, dhe për faktin se filmi mbetet ndër vite. Aktorja, në këtë intervistë ekskluzive për “Shekullin” flet për përzgjedhjen e saj, si një nga dy protagonistet e filmit “Open door” dhe për angazhimet e tjera artistike. Pas “Ledi Makbeth” në TK, që shënonte dhe rolin e parë negativ për të, në Kanë shkon me personazhin e Rudinës te “Derë e hapur”, vajzës shqiptare që mes shumë përgjegjësish që ka mbi supe përplaset dhe me kontrastin mes Shqipërisë bashkëkohore dhe mentalitetit provincial. Një histori krejtësisht shqiptare, që është përzgjedhur, si një nga tre filmat më të mirë të rajonit, do të shfaqet përpara profesionistëve të kinemasë. Talenti i aktores dhe përkushtimi i saj, duket se po e shtyjnë trampolinën e suksesit edhe më tej për të. Historia e një gruaje tjetër shqiptare dhe kalvari i vuajtjeve të saj, si emigrante ilegale që humbet bashkëshortin, interpretohet nga Luli në filmin grek “Holy boom”. Në pritje të dy premierave që do të shfaqen në festivale të rëndësishme, Bitri rrëfen ndër të tjerë edhe për eksperiencën, si pjesë e një stafi të huaj, ku ajo interpreton në gjuhën greke.

Një histori shqiptare në Kanë. Çfarë rëndësie ka për ju, që “Derë e hapur” të jetë pjesë e marketit në këtë festival, para njerëzve të kinemasë?

Filmi në marketin e Festivalit të Kanës ka avantazhin që të shfaqjet përpara kineastëve, producenteve, distributorëve internacional. Nëse filmi do të pëlqehet apo zgjidhet nga ndonjë distributor i rëndësishëm filmi, ky i fundit do të bëjë të mundur udhëtimin e filmit nëpër festivale, kinema etj., pra kjo do të thotë më shumë vizibilitet. Kjo është kënaqësi për të gjithë ne të stafit dhe jo vetëm për ne besoj.

Filmi nuk është në konkurrim, por gjithsesi është një mundësi që jo të gjithë filmave u jepet.

Ju jeni një nga protagonistet e këtij filmi. Çfarë mund të na thoni më tepër për rolin tuaj?

Filmi është një film me metrazh të gjatë, i financuar nga Qendra e Kinematografisë shqiptare, nga Eurimag. Është filmi i parë i gjatë i regjisorit Florenc Papas me producent Eno Milkanin dhe Besnik Krapin. Në qendër të kësaj historie janë dy motra: Rudina dhe Elma (Jonida Vokshi).

Dy motra të rritura në Linë (Pogradec) në një familje tradicionale shqiptare. Rudina, rolin e të cilës interpretoj është e martuar në Tiranë. Është ajo që mban përgjegjësitë për gjithçka ndodh në familjen e saj. Bën një jetë jo të lumtur plot detyrime dhe nuk ka kohë as të reflektojë që ta ndryshojë atë. Midis punës, kujdesit për djalin e vogël 5-vjeçar ( Maxwell Guzja) ajo kujdeset edhe për vjehrrin dhe vjehrrin e saj të sëmurë. Asaj i mungon jeta emocionale, bashkëshorti që punon në Greqi është më shumë peshë sesa ndihmë për të. Babai i saj (Sotiraq Bratka), pas vdekjes së të ëmës jeton i vetëm në shtëpinë e fëmijërisë dhe Rudina kujdeset edhe për të.

Në mes të gjithë këtyre tensioneve, motra e saj e vogël Elma kthehet nga Italia shtatzënë dhe e ndarë nga babai i fëmijës. Konflikti mes tyre nis pikërisht këtu. Si do t’ja thonë këtë të atit. Në mendjen e tyre babai nuk do e pranonte kurrë një vajzë shtatzënë të pashoqëruar nga burri i vet. Gjatë rrugëtimit drejt shtëpisë së babait, ato konfliktohen, por njëkohësisht bëjnë njëra-tjetrën të reflektojnë mbi jetën që bëjnë. Për Rudinën, Elma është motra e vogël e papërgjegjshme, që kërkon gjithmonë zgjidhje për problemet nga motra Rudina.

Rudina, për Elmën është motra e madhe që ka për detyrë të zgjidh problemet e të gjithëve dhe skllave e një jete të palumtur. Ato marrin e japin me njëra-tjetrën dhe bëhen koshiente për atë që i mungon jetës së tyre. Gjatë gjithë këtij konflikti lidhja e tyre bëhet edhe më e fortë.

Jeni gjendur ndonjëherë përballë situatash në jetën reale, ku nga njëra anë është familja, më tradicionale, dhe nga ana tjetër jeni ju, që kërkoni të jeni më bashkëkohore në zgjedhjet tuaja?

Të gjithë jemi përballur në momente të ndryshme të jetës. Unë kam fatin të kem prindër shumë bashkëkohorë, që janë përpjekur gjithmonë t’i pranojnë tendencat jo tradicionale të fëmijëve, por  paragjykimet nga njerëz rrotull nuk mungojnë as sot… Personalisht kujtoj vitet e adoleshencës sime: nga njëra anë, unë si revolucionarja për mos të pranuar nënshtrimin ndaj fatit, që na ofrohej në ato vite dhe nga ana tjetër presioni, që ushtrohej nga mentaliteti i njerëzve përreth.

Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë përplasje të mentalitetit mes brezave, shtresave të ndryshme shoqërore. Në jetë s’ka receta dhe ç’është e mirë për dikë s’është për dikë tjetër, kështu që çdo njeri është përgjegjës për dëshirat dhe zgjedhjet e veta.

Dy motra, që të dyja në situata të ndryshme, por që vuajnë sjelljen e një shoqërie tradicionale. Duke qenë, se tashmë nuk jeni më vetëm aktore, por keni realizuar film, si regjisore. Ju, çfarë zgjidhje do t’i jepnit filmit nëse do të ishit regjisorja e tij?

Në këtë film jam aktore dhe as nuk i lejoj vetes ide regjisoriale. Unë jam aktore, përtej një eksperience regjisoriale që është ende territor i paeksploruar nga unë. Respektoj detyrën që më është dhënë, sugjeroj përsa më përket, pra rolit. Kaq!

Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë, si me regjisorin Florenc Papas, ashtu edhe me partnerët: Jonida Vokshi, Maxëell Guzja, Gulielm Radoja (i cili ka qenë profesori im dhe ishte kënaqësi të isha në sheshxhirimi me të) Sotiraq Bratka etj.

Nuk ka vetëm pak kohë, që keni qenë e angazhuar edhe te “Makbethi” në teatër. Çfarë rëndësie ka ky rol për karrierën tuaj artiske?

Të luash në një vepër të Shakespearit është fat për çdo aktor. Për më tepër të luash një Ledi Makbeth, në Teatrin Kombëtar jo shpesh të vjen rasti. Edhe pse e vendosur në një mënyrë jo klasike, pra formaliste, shfaqja pati një impakt të fortë për ata që pëlqejnë formën dhe estetikën në teatër. Si aktore në rolin e ledit Makbeth eksplorova në hapësirat negative të një gruaje edhe pse ishte një lloj i tillë teatri, që nuk donte të evidentonte botën psikologjike dhe shpirtërore të aktorit. Ishte roli im i parë negativ. Ledi Makbeth është gruaja e vetmuar, pa miq, pa fëmijë e etur për pushtet… I vetmi që ka është bashkëshorti i saj, Makbethi (Indrit Çobani), të cilit ajo do të dëshironte t’i jepte gjithçka. Profetisë se ai do të bëhet mbret ajo është e para që i beson, duke e shtyrë Makbethin të vrasë për të marr pushtetin. Makbethi çmendet nga vrasja e ndërgjegjes dhe vazhdon serinë e vrasjeve të tjera. Lidhja e tyre shkëputet derisa shkojnë drejt vdekjes që të dy. Me partner Indrit Çobanin, si Makbeth, u përpoqëm të bëjmë më të mirën për të sjellë një çift gjakatar makbethian sigurisht në versionin e regjisorit Kled Kapexhiu.

Nga teatri në film dhe nga filmi në teatër. Si arrin Luli të gjejë masën e duhur të interpretimit për çdonjërin prej tyre. Thuhet që aktorët janë teatralë ose filmikë. Ku e renditni më shumë veten?

E vërteta është që ne nuk kemi shkollë të veçantë për kinemanë. Aktorët që luajnë në teatër luajnë edhe në film. Mendoj se është çështje intuite gjetja e përshtatjes për çdonjërin prej tyre: Teatër apo film. Të dy i shërbejnë njëri-tjetrit dhe të dy na japin emocione si shpërblim, në mënyra të ndryshme.

Unë e dua teatrin. Sa herë ngjitem në skenë është një magji më vete, prezenca çdo natë e një publiku dhe mundësia për ta jetuar rolin çdo natë me ndjesi të reja, apo duartrokitjet që aktori merr me vete pas çdo nate shfaqjeje është diçka që filmit i mungon. Unë e dua filmin, sepse vërtetësia me të cilën jetohen skenat janë kaq jetësore dhe aktori arrin ta shijojë në maksimum. Filmi mbetet ndër vite. Nëse do të flisnim për përfitime, filmi sigurisht është ai që mbërrin më shpejt dhe më larg në audiencë. Filmi e fillon jetën nëpër festivale, ndërkohë që teatri ynë vdes e shumta, duke bërë ndonjë tur nëpër rrethe, fatkeqësisht.

“Holy brom” nga Maria Lafi, një film i tëri grek, ku ju flisni greqisht dhe luani një nga protagonistet. Pra jeni në pritje të dy premierave dhe këto priten të jenë në festivale të rëndësishme…

Kjo ishte një eksperiencë e veçantë, të luaja në një gjuhë të huaj, me një staf të huaj. Filmi në fakt është prodhim i Qendrës së Filmit Grek dhe bashkëprodhues Qendra e Kinemasë Shqiptare, me 90 production si kompani.

Luaj në rolin e një gruaje shqiptare, emigrante ilegale në Greqi. Vdekja e të shoqit bën të fillojë kalvari i vuajtjeve të saj. Përballja e saj me policinë greke, me burokracirat, paragjykimet, racizmin. Ajo bën gjithçka për të kthyer trupin e burrit të vdekur në Shqipëri. U xhirua në Athinë dhe ka përfunduar postproduksionin kështu që jemi në pritje të një premiere në ndonjë festival, të rëndësishëm shpresojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet