Ndrenika në mbrojtje të Teatrit Kombëtar: Këtu vjen era kusari, këta duan të na vjedhin tokën!

Foto 2 nga 3 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Artistët mblidhen sërish për të protestuar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Robert Ndrenika e konsideron këtë situatë të krijuar, hajdutllëk për pronën. Drejtori i TK Hervin Çuli shkel detyrimin ligjor dhe mbyll dyert artistëve

Arti rri kokulur përballë shtetit, si skllavi përballë pronarit. Është i zbehtë pa ngjyrë, nga vitet i vrarë, i lënë në harresë. Paradoksi ndodh në godinën e Teatrit Kombëtar, e cila në krah të saj ka një godinë me rëndësi, e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të krahasosh këto dy godina të së njëjtës periudhë, duket gati e pamundur, nga njëra anë të shfaqet ndërtesa e mirëmbajtur, muret e fortë, dyert e dritaret e reja, me bojën ende të freskët nga lyerja, që largqoftë të mos ngjasojë në asnjë detaj me godinën invalide përbri.

Muret anësorë të godinës së Teatrit Kombëtar, të ngjasojnë me shpitë e braktisura të fshatit, në to ka gropa që bërtasin për ndihmë. Bërtasin gjithashtu përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, se kjo godinë përbën rrezik për artistët dhe artdashësit, që e frekuentojnë, nuk bëhet fjalë për muaj, por për vite të tëra… Po nëse rreziku ka qenë dhe është kaq i madh, pse janë rrezikuar dhe vazhdojnë të rrezikohen jetët e njerëzve, përse nuk merren masa konkrete? Është kjo pyetja që ngriti ditën e djeshme në dëgjesën e gjashtë publike për mbrojtjen e TK, pedagogu i Shkencave të Komunikimit, Ervin Goci.

Ndoshta, duhet të ndodhte tragjedia, ose ndoshta pritet të ndodhë një tragjedi më e madhe për Teatrin Kombëtar, “zhdukja” e tij. Ndoshta, është pritur partneriteti me privatin, që përtej mbrojtjes së kësaj godine historike, kërkon të bëjë biznes. “Këtu vjen era kusari, këta duan të na vjedhin tokën”, thërret i madhi Robert Ndrenika. Është 76 vjeç, një nga legjendat e kinemasë dhe teatrit shqiptar, po fjalën e tij duhet ta thotë në shi, jashtë shtëpisë së tij artistike, pasi drejtori i Teatrit, Hervin Çuli, ka vendosur të mos i hap dyert e Teatrit Kombëtar. E megjithatë, ai qëndron aty, pasi do me çdo kusht të mbrojë këtë truall dhe kërkon, që nëse nuk investohet për Teatrin, atëherë të mos vihen duart mbi të. “Po e përsëris, le të na lënë kështu siç jemi se, do vemi edhe 70 vite të tjera!”.  Aktori gjatë dëgjesës publike, u bëri thirrje përfaqësuesve të instancave shtetërore të mos qëndrojnë indiferent ndaj kësaj që po ndodh.

“Pse nuk flet për shembull ministri i Financave, të thotë edhe ai një fjalë, do apo nuk do?”, shtoi më tej Ndrenika. Aktori këmbëngul që ky territor i destinuar për kulturën dhe teatrin, të vazhdojë të mbetet i tillë, përpara kompromiseve jo fitimprurëse për artin ai preferon që godina të mbahet në këmbë qoftë edhe me metoda, që nuk e vrasin xhepin e shtetit, të mbushur nga taksapaguesit shqiptarë. “Kiço Londo këtu, tek Teatri Eksperimental, ka gjetur dy ustallarë dhe e ka mbajtur shumë mirë teatrin. Këtu vjen era kusari, vjen era hajdutllëk. Nuk po kuptohet tjetër gjë tani”, konkludoi Ndrenika. Në fjalën e tij në mbrojtje të Teatrit, aktori Arben Derhemi shprehu ndër të tjera indinjatën ndaj drejtorit të rizgjedhur, Hervin Çuli, për faktin se dje zgjodhi të mbyllë dyert për të pranishmit dhe shfaqjen e një dokumentari, që rrëfen mbrojtjen e një teatri në shtetin fqinjë, Italinë.

“Do të na falni sot, jemi këtu në shi, sepse s’patëm mundësi të hynim brenda pasi drejtori, ai që ka lëpirë katër vjet, dhe do të lëpijë edhe katër vjet të tjera pasi ai u rizgjodh, dhe vepra e tij e radhës është se na mbylli derën”, u shpreh Derhemi. Aktori nënvizoi faktin se Çuli e ka për detyrim ligjor ndaj sindikatës së Teatrit dhe qytetarëve të Tiranës të hapë dyert, ndërkohë që zgjedh të bëjë të kundërtën. Për të është e pakonceptueshme që dyert mbyllen nga një artist, regjisor, që “shembja” kërkohet nga një artist, piktor, kur këta të fundit, sipas tij, duhet të ishin aty përpara godinës së TK, të luftonin që kjo ndërtesë të trashëgohej ndër breza për vlerat historike dhe kulturore që ka. Por, kjo është Shqipëria e paradokseve. Ndryshe nga çdo vend që i trajton institucionet e artit, si “fëmijët e vet”, tek ne arti e kultura ndrydhet, institucionet që e prodhojnë atë “shemben”, në emër të PPP (Partneritetit-Publik-Privat).

Kjo ndërtesë është vendosur të shembet, dhe Kryeministri u shpreh gjatë prezantimit për projekt-idenë e re, se nuk do të pranojë të dëgjojë më asnjë fjalë apo diskutim rreth saj. “Por, shqiptarët paguajnë taksa dhe për këtë çdo qytetar e veçanërisht artistët duhet të pyeten kur merren vendime të një rëndësie të tillë”, u shpreh kështu aktivistja Edlira Qepani. Me vete ajo kishte edhe vajzën e saj të vogël për të dhënë një mesazh ndryshe për qytetarët, të cilët duhet të mbrojnë kauzat e drejta dhe njëkohësisht për qeveritarët, që të zbatojnë detyrimet e tyre, më së paku, të dëgjojnë.

Një pamje e trishtë, ajo e fëmijës që pikturon në një fletore aty para godinës së Teatrit, teksa i madhi Ndrenika mbledh energjitë jo për shfaqjet e tij të fundit, po për të ndalur një tragjedi, atë të shembjes se TK. Nuk është film, është realitet shqiptar. Mesazhi i zonjës Qepani ishte i qartë: “Nesër do të shkojë në teatër vajza ime, është vajza ime që do të kërkojë llogari, përse prindërit e saj nuk folën, por e lanë Shqipërinë deri në këtë pikë. Por e lanë vendin derisa shkatërruan çdo gjë që kishin në dorë. Problemi është që ne duhet që të flasim sot, edhe të gjitha kategoritë”, shtoi ajo. Në dëgjesën e gjashtë publike, të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të pranishëm ishin edhe fëmijë të tjerë, prindërit kishin zgjedhur që ata sot të gjendeshin aty, pasi ky brez ka nevojë ta njoh trashëgiminë kulturore dhe historike e ta çojë përpara. Por, ata ende nuk janë të vetëdijshëm se sot Ndrenika po luftonte për Teatrin Kombëtar, të cilin ata në të ardhmen nuk do të mund ta gjejnë më, sepse kështu vendosi Shteti.

Profesor Hysenmedin Feraj: Politikanët tanë, po sjellin tragjedi në jetët tona ccdo ditë!

“Erdha të flas, jo si mik i mirë i teatrit, as sepse më pëlqen arkitektura e kësaj ndërtese apo se mendoj se gjithmonë teatri ka realizuar vlera të mëdha brenda kësaj arkitekture, aq sa të nxiste patjetër mbështetjen time. Por, sepse të gjitha këto janë arsye të mjaftueshme, që ta mbështes plotësisht ruajtën e kësaj ndërtese edhe të këtij mjedisi ku vlerat, do të përplasen njëra me tjetrën, derisa të realizojnë plotësisht veten e tyre. Erdha që të ftoj të gjithë ata qytetarë që janë si unë, jo aq të lidhur ngushtë me TK, por sepse janë qytetarë. Këtu përfshijë të gjithë institucionet, që janë zhdukur, sicc janë për shembull kinematë. Prandaj, si polis na detyron, që të gjithë qytetarëve të mbështesim qytetin. Nëse gjendet ndonjë person politik me mundësi ndikimi le të nisë që të ruajë TK, qoftë kjo edhe parti politike. Por, fatkeqësisht ata që janë përfaqësues të politikës janë rrënues të qytetit. Qeveritë tona dëgjojnë me sy dhe jo me vesh. Ata dëgjojnë vetëm kur shohin tym, si panë në tunel apo në kuvend.

Të dëgjojnë pak edhe nga veshët jo vetëm nga sytë. Para shumë kohësh një ish-ministre e Mbrojtjes i ka thënë një shokut tim se, i urren armët. Ka gjasë, që edhe ministrja e Kulturës, të ketë marrë këtë post pikërisht, sepse e urren kulturën. Mesa duket është rregull i qeverisë, që të emërojë ministra nga ata që e urrejnë fushën, që duhet të zhvillojnë. Politikanët tanë duan ta mbyllin teatrin, sepse tragjedinë e kanë nxjerrë jashtë tij, në qytet, në jetën tonë. Politikanët nuk mundet që ta zëvendësojnë teatrin, sado që luajnë rolet tragjike. Nuk mundet që ta zëvendësojnë teatrin, sepse ata janë të varfër në zhaner të këtij arti. Ata luajnë në zhaner vetëm tragjedinë e këtij vendi, që ne për fat të keq, ne e zbusim, duke e përjetuar si komedi të zezë. Por, politikanët nuk janë komedianë, nuk na bëjnë për të qeshur. Ata në fakt, vetëm po sjellin tragjedi përditë jashtë teatrit dhe në jetët tona. Prandaj, ju bëj ftesë të gjithë qytetarëve, që janë vërtet janë pjesë e polisit, për të mbrojtur atë që është pjesë e tyre, e jona. Edhe në këtë pjesë është një TK, që përcjellë vlera, për të cilat kemi shumë nevojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Dyert e mbyllura

Nga Enver Robelli Ka 100 arsye për të kritikuar politikat e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit. Në vitin 2003…

Abissnet