“Maturantët, kujdes në zgjedhjen e lëndëve, matura e fundit me kurrikulën e vjetër”

Nga Lindita Bushgjokaj

Drejtoresha e QSHA, Rezana Vrapi,  tregon se nuk do ketë ndryshime për maturantët, kujdesi që duhet gjatë plotësimit të formularit dhe të informohen mbi kriteret e pranimit nga fakultetet. Penalitete për maturantet që thyejnë rregullat

Matura Shtetërore parashikon masa të rrepta dhe ndëshkime për maturantët që thyejnë rregullat gjatë provimit. Rezana Vrapi, Drejtoreshe e Shërbimit të Arsimit në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se matura 2018 nuk do ketë ndryshime në modelin e testimit, vlerësimit dhe konkurrimit, por këshillon maturantët që të bëjnë kujdes gjatë aplikimit të formularit.

Matura Shtetërore është akumulim i dijeve gjatë viteve të shkollimit dhe testi kërkon të jesh origjinal në përgjigje, tha Vrapi. Gjithashtu foli për risitë që parashikon matura e 2019, do të ndryshojë kurrikula dhe kjo do sjellë ndryshime në testim, vlerësim dhe pyetjet që do ketë testi i vitit pasardhës për maturantët, ndërsa nga pesë provime do jenë vetëm katër, tha ajo

Znj.Vrapi, cilat do jenë risitë për maturën e vitit 2017-18?

Nuk do ketë ndryshime, sepse nuk ka ndryshime në kurrikul dhe nuk mund të bëjmë ndryshime në test. Testi vlerëson te nxënësit njohuritë që ka marr gjatë viteve. Ne kemi një format testi, por do të ndryshojë vetëm natyra e pyetjeve ose fragmentet e tij. Është matura e fundit që vazhdon me kurrikulën e vjetër.

Si është konceptuar formati i testimit dhe pyetjet për maturën e këtij viti?

Janë 3 provime të detyruara; gjuhë e huaj që është i pari nga renditja, gjuhë shqipe dhe matematika. Këto teste vlerësohen me nga 30 pikë secili prej tyre, ku 13 pyetje do të jenë me alternativa dhe 12 janë me zhvillim. Në testin e gjuhës shqipe do përfshihet eseja që vlerësohet me 8 pikë. Testi me zgjedhje vlerësohet me 40 pikë dhe nxënësit i nënshtrohen dy provimeve brenda të njëjtës ditë, i cili zgjat 3 orë, do jenë 10 pyetje me alternativa dhe 10 pyetje me shtjellim.

Në të gjitha rastet, nxënësit kalues duhet të marrin 20% të testitit, këto janë parametrat kryesore. Testet bazohen në programet orientuese dhe janë të detyruara që të bazohen në gjithçka që ka bërë nxënësi gjatë viteve të shkollës së mesme, është detyrim i jonë që të vlerësojmë te nxënësi njohuritë që kanë dhe në nivelin që i zotërojnë. Agjencia e testeve bazohet në kurrikul dhe programe. Programi orientues bazohet në gjërat kryesore. Nota maksimale është nga 46-50 pikë, ndërsa nota kaluese është 10 pikë e sipër.

Sa do jetë distanca e provimeve me detyrim dhe me zgjedhje?

Është menduar një javë nga njëri provim te tjetri.

Si do bëhet vlerësimi i provimeve?

Do të jetë siç ka qenë vitet e tjera, janë mësues të certifikuar të cilët kanë një përvojë jo më pak se 5 vjet. Në muajin mars do të hapim konkurrimin për mësuesit që duan të vijnë, mësues që kemi kapur me gabime i kemi larguar nga korrigjimi, pavarësisht përvojës që kanë pasur. Testi korrigjohet nga dy persona, nëse drejtuesit shikojnë se një korrigjues nuk ka qenë ashtu siç duhet në standardin tonë, ne e largojmë menjëherë.

Ku do të bëhen korrigjimet?

Do jenë 5 qendra korrigjimi; Tirana, Elbasani, Shkodra, Fieri, Durrësi.

Si do monitorohet procesi i testimit dhe çfarë penalizimesh do ketë në rast se shikoni parregullsi?

Rregullorja për Maturën Shtetërore përcakton distancat, kohën kur futen në provim, celularët. Nëse kapen me celulare quhen automatikisht mbetës, por jemi duke diskutuar për disa masa shtesë për të pasur një kontroll shumë më të rreptë dhe të prerë ditën e provimit. Nëse nxënësi kapet jo vetëm duke kopjuar, por edhe me celular përjashtohet dhe quhet ngelës, kur tezat janë të njëjta në përgjigje quhet e pavlefshme.

Znj.Vrapi, ka ndonjë aplikim të veçantë për maturantet e vjetër?

Ata do të aplikojnë duke iu nënshtruar rregullave të këtij viti. Kur të dal udhëzimi për pranimin në shkollat e larta, i cili nuk ka dal akoma, duhet t’i nënshtrohen patjetër aplikimit me formularin A1Z, të cilët do të njoftohen për datat, në mars dhe prill do jenë aplikimet me A1 dhe A1Z.

Si do jetë aplikimi në formularët për degët përkatëse, do ketë risi?

Çdo universitet ka autonominë e plotë që të shpalli kriteret në përputhje me vendimet që merr senati dhe departamentet. Mbi bazën e kësaj, në diskutimet që do të bëjë ministria me universitetet përkatëse në ditët në vijim, do të përcaktohet kalendari dhe mënyra e aplikimit. Njoftimi do të jetë në kohë për maturat e këtij viti dhe kandidatët e viteve të kaluara. Qeveria vitet e kaluara vendosi si kriter mesataren, poshtë notës gjashtë nuk aplikon dot në programe tre vjeçare ose të integruara që janë degët e mjekësisë.

Ky është vendimi i qeverisë, ndërsa çdo universitet në përputhje me politikat dhe vizionin e vet, vendos kritere të tjera shtesë dhe maturantët e kanë detyrim ligjor që t’a zbatojnë. Maturantët duhet të futen në faqet e universiteteve dhe të shikojnë në detaje çdo program studimi, çdo kriter që kanë shpallur, kështu do të kenë mundësi të përzgjedhin lëndët me zgjedhje që do t’i pranojnë në degët përkatëse. Po nuk e respektuan këtë rregull, do futen qorrazi në këtë proces.

Cilat janë gabimet që bëjnë maturantët dhe që këshilloni t’i shmangin?

Një pjesë janë shumë të qartë dhe të orientuar, por disa mund të jenë konfuz. Ata duhet të qartësohen vetë për aftësitë e tyre, por kjo duhet të përputhet me rezultatet që kanë pasur, sepse unë mund të dua mjekësinë, por me mesatare shtatë nuk shkoj dot. Duhet të kenë një përputhje të asaj që duan me mundësinë që kanë për t’a kapur, është ky ekuilibri që duhet të kenë parasysh. Së dyti; Duhet të kenë kujdes në përzgjedhjen e lëndëve për të arritur qëllimin e tyre, duhet të bëjnë llogarinë e mesatares dhe të këshillohen me prindërit dhe mësuesit, duhet të lexojnë dhe mos t’i lënë në momentin e fundit.

Do ketë ndonjë risi në lidhje me aplikimin e maturantëve që zgjedhin të studiojnë jashtë Shqipërisë?

Maturantët që duan të konkurrojnë jashtë vendit i kanë bërë kërkesat që në fillim, por kur të aplikojnë në formular duhet të kenë shumë kujdes, sepse ka një opsion për diplomën jashtë që thotë: E doni diplomën më përpara? Këta maturantë e duan ta printojnë pak kohë më përpara, prandaj duhet të klikojnë opsionin po dhe ne e printojmë të paktën 10 ditë para maturantëve të tjerë, që mos të bëhemi pengesë për përmbushjen e kërkesave të tyre në kohë.

Sa është numri maturantëve që zgjedhin të ikin me studime jashtë Shqipërisë?

Vitin e kaluar kanë qenë rreth 7 mijë, ndërsa këtë vit ende nuk ka filluar aplikimi i A1

Si do jetë aplikimi për shkollat profesionale?

Nuk ka ndryshime. Është e njëjta maturë si për shkollat profesionale dhe gjimnazet, por testi i tyre do të jetë në përputhje me programin e shkollës. Pra, gjuha shqipe është një test për gjimnazin dhe një për shkollat profesionale e njëjta gjë dhe për matematiken.

Kur duhet të fillojnë maturantët fazën përgatitore për provimet e shtetit?

Duhet ta kishin filluar, por nuk ka një fazë fikse dhe duhet të hiqet koncepti i të mësuarit vetëm për provim. Matura Shtetërore është investimi që një maturant ka në të gjitha vitet e shkollimit, nuk është puna e një muaji. Ai mund të freskojë apo saktësojë disa gjëra në muajt e fundit, pasi është fundi i ciklit parauniversitar dhe nuk mund ta mbulojë brenda dy javëve apo 10 ditësh.

Çfarë këshilloni gjatë plotësimit të formularit që mos të bëjnë gabime?

Qetësia. Duhen edhe programet orientuese, por duhet të kenë parasysh disa gjëra; njohuritë në testin e gjuhës shqipe ose në testin e anglishtes zotërohen falë studimit sistematik, një ese nuk mund ta mësosh tani, pasi është një punë që e zotëron duke punuar dhe ushtruar në të shkruar gjatë viteve të shkollimit. Nuk ka përgjigje të gatshme në gjuhën shqipe, nxënësit duhet të kuptojnë të jenë origjinal në përgjigje.

Pyetjet kërkojnë kompetenca të nxënësit, teksti nuk është i dhënë nga librat e tyre, por janë fragmente të ngjashme me natyrën e teksteve në shkollë, të panjohura për ta dhe nuk ekzistojnë përgjigje të gatshme, si formula matematikore. Gjatë plotësimit të formularit, të kenë kujdes me plotësimin e të dhënave si; emrin, atësinë, vendin ku kanë lindur, pasi duken gjëra të vogla por nëse është gabim në diplomë, nuk do ketë vlerë. Diplomat i marrin automatikisht nga sistemi dhe të dhënat i shkruan nxënësi, të kenë kujdes me hedhjen e lëndëve me zgjedhje, sepse ato janë kriteri që vendosin edhe vazhdimin e tyre për në universitet.

Ju keni thënë se ndryshimet e mëdha për maturën shtetërore i takojnë vitit 2019. Cilat do jenë ndryshimet që do ndërmerrni?

Po, është e vërtetë. Ndryshon numri i lëndëve, nga pese do jenë katër lëndë, 3 të detyruara dhe një me zgjedhje. Shkurtohet numri i lëndëve me zgjedhje, supozojmë se nëse nxënësi zgjedh kiminë, ajo nuk do të jetë më në dy forma, por një kimi e integruar brenda të njëjtit test. E njëjta gjë edhe për lëndët histori-gjeografi. Jemi ende duke diskutuar numrin e pikëve, të pyetjeve dhe çështjen e kohës, por është në fazë pilotimi dhe do ta bëjmë publike shumë shpejt.

MASR ka marrë të gjitha masat që maturantët e vitit 2019 të informohen në kohë për çdo ndryshim që do të ketë sistemi i provimeve të MSH (Udhëzimi i MSH 2019 është përgatitur që më 14 shkurt 2018 dhe shkollat po informohen). Modeli i testit te MSH 2019, për të gjitha lëndët, do t’u vendoset të gjitha shkollave në dispozicion nga QSHA në një kohë tepër të shkurtër, me qëllim që maturantët ta dinë kohë më parë se si do të jetë natyra dhe përmbajtja e testit.

Kriteret e pranimit në Fakultetin Ekonomik për Maturën Shtetërore e 2018-19

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule,  tregon për “Shekulli”-n kriteret më përqindje për maturantët që kërkojnë të studiojnë në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Ai tha gjithashtu se 50% do të përbëhet nga nota mesatare e shkollës së mesme dhe 50% nota mesatare e gruplëndëve për gjitha vitet, ku përfshihet dhe Matura Shtetërore.

Këto kritere janë bazuar në përvojën e viteve të kaluara të Fakultetit Ekonomik, por duke iu referuar dhe përvojës së shkollave jashtë vendit.  Kriteret e pranimit të studentëve të Ciklit të Parë të Studimeve në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës për vitin akademik 2018-2019 do të përbëhen nga 50% nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e Maturës Shtetërore,(mesatare e thjeshtë) dhe 50% nota mesatare e gruplëndëve( për të gjitha vitet ku shtrihen lëndët dhe nota mesatare e Maturës Shtetërore). Sqarojmë se nëqoftëse maturanti ka zhvilluar gjithsej 30 lëndë gjatë studimeve të shkollës plus 5 provime në maturën shtetërore(3 të detyrueshme dhe 2 me zgjedhje), 50% e vlerësimit total do të përbëhet nga kjo mesatare e thjeshtë: formulë:

Në gruplëndë përfshihen lëndët e mëposhtme me peshat përkatëse: Matematika, me një peshë 15%. Nëse maturanti ka zhvilluar edhe lëndë të tjera të gruplëndës “Matematikë”, do të merret mesatarja e thjeshte e të gjitha notave të këtyre lëndëve, gjatë viteve të studimeve të shkollës së mesme dhe ato të maturës shtetërore. “Ekonomi”, me një peshë 15%. Nëse maturanti ka zhvilluar edhe lëndë të tjera të gruplëndës “Ekonomi”, do të merret mesatarja e thjeshtë e të gjitha notave të këtyre lëndëve, gjatë viteve të studimeve të shkollës së mesme përfshire dhe ato të maturës shtetërore. Fizikë, me një peshë 10%. Nëse maturanti ka zhvilluar edhe lëndë të tjera të gruplëndës “Fizikë”, do të merret mesatarja e thjeshtë e të gjitha notave të këtyre lëndëve gjatë gjithë viteve të studimeve të shkollës së mesme, përfshirë dhe ato të maturës shtetërore. Gjuhë e Huaj, me një peshë 10%. Në gruplëndën “Gjuhë e Huaj”, përfshihen të gjitha lëndët e “gjuhëve të huaja” të zhvilluara nga maturanti. Këto kritere janë përzgjedhur bazuar në eksperiencën e viteve të kaluara në Fakultetin e Ekonomisë, si dhe ato të shkollave jashtë vendit, si lëndë të rëndësishme në formimin e logjikës ekonomike dhe njohurive të nevojshme për vazhdimin e studimeve në Ekonomi dhe degët e profilet përkatëse.

Të tjera

Abissnet