Studentët: Kemi frikë dhe pasiguri për të ardhmen tonë profesionale (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Lindita Bushgjokaj

11 studentët tregojnë shqetësimet e tyre për problemet që po kalon universiteti. Mospërfaqësimi në vendimmarrje, frika për të ardhmen e profesionit nga imazhi i ulët që ka universiteti, mungesa e kushteve në cilësinë e mësimdhënies

Studentët e Universitetit të Tiranës kanë reaguar në lidhje me situatën ku ndodhet institucioni. Të pyetur nga gazeta “Shekulli”,  ata kanë reaguar me një sërë problematikash që kanë të bëjnë më cilësinë e mësimdhënies, rritjen e tarifave, si dhe frikën që i shoqëron në të ardhmen e tyre profesionale, në punësim dhe në kërkimin e mundësive të reja jashtë vendit. Shqetësimi i tyre përkon me vlerësimin e dobët të Universitetit të Tiranës.

Shekulli: Jeni informuar për problemet që po kalon Universiteti i Tiranës, si pasojë e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe konflikteve të brendshme. Cili është shqetësimi juaj në lidhje me situatën e krijuar në universitet?

Aurela Ramaj (gjeografi): Pedagogët po luftojnë për veten e tyre  

Unë kam dëgjuar për problemet që po kalon Universiteti i Tiranës në media, por nuk besoj se po merren parasysh interesat e studentëve në gjithë këtë histori, pasi rritja e tarifave do të ndikojë negativisht në ekonominë tonë, ndërsa pedagogët po luftojnë për veten e tyre. Ne kemi një pedagog që ka hequr orët e seminarit për të cilat paguhet dhe ka marrë orë shtesë të një pedagogu tjetër. Kjo do të thotë se ai merr rrogën më të lartë.

Ambra Sinani: Akreditimi i UT më pengon që të aplikoj jashtë

Unë po flas për shqetësimin tim që lidhet me tarifën. Studentët që janë me një prind ju kërkohen disa dokumente, që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Gjatë plotësimit të dokumenteve më kanë krijuar probleme, sepse nëse merr një pension familjar, universiteti të kërkon edhe një ndihmë ekonomike, ndërkohë që këto të dyja sipas ligjit bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, pasi nëse merr njërën nuk mund të marrësh tjetrën. Ky ka qenë një shqetësim jo vetëm i imi, por i gjithë studentëve gjatë gjithë këtyre viteve. Për studentët që kanë një prind në master paguajnë gjysmën e tarifës, ndërsa në bachelor përjashtohen fare nga detyrimi i pagesës.

Vitin e parë nuk ma njohën këtë të drejtë, dhe gjatë dy viteve të tjera kam luftuar shumë duke e kërkuar të drejtën time neper rektorate, pasi justifikoheshin me këtë arsyetim që ju përmenda. Problemet që po kalon universiteti do të mendoja se vijnë si pasojë e atyre që e drejtojnë, ndërsa studentet nuk bashkohen asnjëherë kur cenohen problemet e tyre. Uroj që të bëhet diçka me Akreditimin e Universitetit të Tiranës, sepse po shikoj për një mundësi jashtë për të vazhduar karrierën time. Unë nuk kam kartonin nga Ministria e Kulturës që tregon se kam mbaruar studimet për arkeologji.

Xhuliana Prenga (gjuhë-letërsi): Më shqetëson rritja e tarifave

Kam dëgjuar për mospagimin e pedagogëve dhe rritjen e tarifave. Sigurisht që më shqetësojnë të dyja, por më shumë rritja e tarifave dhe fajin e ka Ministria e Arsimit, sepse ata janë ligjvënësit dhe duhet t’i rregullojnë këto probleme që po kalon Universiteti i Tiranës.

Mimoza Ndoj: Nuk na njihet diploma jashtë

Unë jam e shqetësuar për tarifën, pasi është shumë e lartë. Jam në përfundim të studimeve dhe nuk e di sesa do të na vlejë diploma. Përsa i përket reformës arsimore, mendoj se nuk është në të mirë të studentëve, por është një mënyrë për të mbushur arkën e shtetit dhe interesat e tyre personale. Ka disa pedagog që mendojnë për interesat e studentëve, por ka edhe nga ata që mendojnë për interesat e tyre. Mendoj se universiteti duhet fokusuar pak te problemet e kurrikulave  që janë të pjesshme.

Ka pedagog, të cilët japin mësim këtu dhe në privat, duke reduktuar orët e mësimit,  ka përsëritje të lëndëve që kemi bërë në bachelor, ndaj duhet të futen programe të reja. Një problem tjetër që po kalon Universiteti i Tiranës ka të bëjë dhe fakti se pedagogët bëjnë plagjiaturë, pra thjesht përkthejnë librat e universiteteve të huaja dhe kjo është arsyeja që diploma nuk njihet jashtë, pasi është e pjesshme dhe kemi program mësimor të pjesshëm. Kështu që janë 5 vite shkollë të shkuara dëm, pa llogaritur pjesën e tarifës dhe gjithçka tjetër.

Said Bushi: Problemet janë ekzagjeruar

Unë shikoj që ka një mosbashkëpunim midis Universitetit të Tiranës dhe instancave shtetërore dhe mendoj se është më shumë problem i Ministrisë së Arsimit në vetvete, e cila gjithnjë e më shumë është duke ndjekur politika që dëmtojnë pedagogët dhe studentët. Unë mendoj se çdo lloj problematike nuk vjen prej vetvetes, prandaj edhe Rektori nuk është i vetëm në këtë mes dhe problematika nuk qëndron vetëm te ai, pasi edhe nëse vjen një Rektor tjetër nuk mendoj se do jetë kjo zgjidhja. Zgjidhja vjen nga bashkëpunimi i mirë ndërmjet instancave shtetërore dhe Rektoratit dhe kjo e fundit me dekanët e universiteteve. Ndërsa për problemet e brendshme që po kalon universiteti nuk jap dot një mendim, sepse nuk na kanë informuar, por kemi dëgjuar nga media. Mendoj se problemet janë ekzagjeruar më shumë seç duhet, dhe e gjitha për të humbur vëmendjen nga ngjarjet politike dhe afera korruptive.

Iri Muharremi:Imazhi i UT, pasiguri për punësim

Unë mendoj se përderisa nuk vlerësohen pedagogët që janë liderët tonë të dijes, ne jemi zero. Pedagogët nuk vlerësohen sa duhet nga shteti dhe vonesa e pagës ishte një tregues i këtij realiteti. Me gjithë këto probleme që po kalon Universiteti i Tiranës, më krijon frikë dhe pasiguri, që pasi të mbaroj studimet do kem vështirësi për të gjetur një vend pune, sepse në rrugën e nisur duam të dalim në jetë për degën që kemi studiuar, kështu që vështirësia lidhet me imazhin jo të mirë që ka krijuar universiteti.

Kur kam zgjedhur Universitetin e Tiranës për të ndjekur studimet, kam menduar që është më i miri në lidhje me pedagogët që ka, por në lidhje me kushtet mësimore dhe klasat lë pak për të dëshiruar, duke menduar që është universitet dhe jo shkollë 9-vjeçare. Teknologjia mungon.

Esmeralda (gjuhë-letërsi): Për ne nuk është ngritur zëri ndonjëherë

Ne nuk kemi kushte, s’kemi auditor të mjaftueshëm për të gjithë studentët, por ulemi 4-5 nxënës në një bankë. Tarifat janë të larta. Kemi dëgjuar në media problemin që kaluan pedagogët për pagat. Kur kam zgjedhur këtë universitet, e mendoja si një ndër më të mirët në vend. Unë jam nga Durrësi, por zgjodha Universitetin e Tiranës. Për situatën e krijuar kam tjetër mendim, pasi u desh të liheshin pedagogët pa rrogë që të ngrinin zërin, sepse për ne nuk është ngritur zëri ndonjëherë.

Olsian Alikaj: Po financon xhepi ynë

Lëvizja që ka krijuar Forumi për Liri Akademike është e drejtë dhe ne e mbështesim me aq sa kemi fuqi, pasi nuk mund të shkojmë dot në instanca më të larta. Ne mbështesim çdo grevë që peshon mbi xhepin e studentëve. Frika imë më e madhe është te rritja e tarifave dhe shërbimi që marrim nga pedagogët, shërbim që përkthehet në cilësinë e mësimdhënies. Problemet që po kalon universiteti normalisht që i ndjejmë, le të marrim shembull ekspeditat që bëjmë, nëse nuk ka grande nuk i bëjmë dot.

Kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë po financon xhepi jonë. Në gjithë këtë luftë që po kalon universiteti nuk e dimë ende se cili interes po përfaqësohet, por këtë do ta shikojmë kur të kemi një produkt ose një reformë. Unë do të kërkoja që studentët të jenë më shumë aktiv në vendimmarrjet e universitetit, duam të rritet pesha jonë. Po të shikojë zgjedhjet për universitetin, vota e 400 studentëve përbënte votën e një pedagogu. Kjo është e papërfillshme për në si student.

Enxhi (gjuhë-letërsi): Ku shkojnë paratë që paguajmë?

Nuk kemi video-projektor që të prezantojmë detyrat tona dhe biblioteka është shumë e varfër, sidomos për degën tonë, gjuhë-letërsi. Nuk e kuptoj se ku shkojnë tarifat, pasi duhet të përdoren për të plotësuar kushtet tona. Kjo situata e pagave shërbeu tani për të kujtuar se bëhet padrejtësi edhe për studentët. Zëri i studentëve nuk është dëgjuar ndonjëherë, një këshill studentor që as e njohim dhe kur vjen pjesa e votimit nuk njohim as kandidatët.

Elmaz Bogdani (gazetari): Frikë se tarifat do të rriten

Pedagogët kanë diskutuar në auditor për problemet e Ligjit të Arsimit të Lartë dhe erdhi momenti që ky problem të diskutohej sot, ndërsa pedagogët na thonë: “Ne po i marrim lekët nga ju”, ky është problemi me ligjin e arsimit. Mendoj se problemi vjen nga lart dhe frika jonë është se tarifat do të rriten.

Dashmir Shehu: Problemet e UT nuk përfaqësojnë interesat tona

Kam dëgjuar në lidhje me vonesat e pagave të pedagogëve dhe gjithë ky konflikt është krijuar nga mospagesa e qeverisë 3 muaj pagat e tyre. Ka një moskomunikim midis qeverisë dhe pedagogëve të cilët na kanë thënë se një pjesë të pagës së tyre e paguajmë ne. Kjo situatë shpie në rritjen e tarifave tona dhe nuk është e mirë për pedagogët dhe studentët, pasi e gjithë barra bie mbi kurrizin tonë. Konfliktet që janë krijuar brenda universitetit mendoj, se janë të lidhura më shumë me interesa vetjake dhe nuk përfaqësojnë interesin tonë si studentë të Universitetit të Tiranës.

 

Opozita: Arsimi në kaos! Nikolla: Probleme të brendshme

Seanca plenare e djeshme nisi me interpelancën urgjente të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, të thirrur nga deputetët e LSI për reformën në arsimin e lartë. Deputetja Kejdi Mehmetaj deklaroi se reforma krijoi kaos dhe konflikt, ku janë rritur taksat, janë hequr bursat, janë shkelur 5 nene. Nga ana e saj, ministrja ka mohuar që universitetet janë në kaos për shkak të ligjit të arsimit të lartë. Ajo theksoi se do të miratohet strategjia e re për arsimin e lartë, ku janë ngritur qendra e shërbimeve arsimore, agjencia kombëtare, akreditimi ndërkombëtar.

Mehmetaj: Reforma në arsimin e lartë, shkolla e dija, pasuri që duhen të ruhen, në 5 vite tarifat janë rritur, tarifat e universitete janë rritur, qeveria ka hequr bursat, reforma krijoi kaos dhe konflikt, janë shkelur 5 nene, dhe ka rritur kostot, universitetet po bien, qeveria hoqi bursat për studentët, e ardhmja e universitet është në dorë tonë.

Nikolla: Të vërtetat e punës sime, në këto 5 muaj kam qenë 6 herë në dëgjesa, kam qenë në dispozicion të deputetëve, në dy raste për shkak të angazhimeve kam treguar përgjegjësi, kam shumë për të thënë për reformat që janë bërë, 3 grupe pune me ekspertë më të mirë në vend, ambasada italiane ka dhënë ndihmesë për këtë proces, miratoi VKM për gradat dhe janë vetëm 3 VKM pa u miratuar, për hartimin e strategjisë për arsimin e lartë, ka sjellë sfida askush nuk mund të thotë që zbatimi i një reformës kërkon ndryshimin e mentalitetit, asnjë universitet publik nuk është në kaos prej ligjit të arsimit te lartë, problemet që has sot janë probleme të brendshme, në ushtrimin e përgjegjësive që unë kam nisur inspektimin e ligjshmërisë dhe do miratojmë strategjinë e re për arsimin e lartë, janë ngritur qendra e shërbimeve arsimore, agjencia kombëtare, akreditimi ndërkombëtar, jemi duke përmbyllur ngritjen e një tjetër agjencie.

Mehmetaj: Ka ardhur mbas 2 seancash duke kthyer përgjigje, neni 85 duke përfshirë në procesin e pranimit, akreditimin e emëron kryeministri dhe janë shqiptarë ata që japin vlerësimin final. Akreditim 5-vjeçar, ju bën përgjegjëse dhe për konfliktin që është bërë sot në Universitetit të Tiranës, mos i delegoni te profesorët përgjegjësitë tuaja, në Universitetin e Tiranës ka autonomi dhe vetëm aty e dëgjoni këtë problem ju keni emëruar shumicën e bordit që janë politikë dhe dalin dhe bëjnë dhe fushatë, nuk ka probleme vetëm në UT, në bordin e universiteteve ka emërime politike, një pikë tjetër në vitin 2018 kapitulli që jep fonde publike universiteteve private, nuk do nxirrni një kornizë ligjore, nuk është vetëm tarifa, por janë dhe bursat e karta e studentit, kredinë studentore, keni cenuar rëndë, nuk është për arsye politike kjo seancë.

Të tjera

Abissnet