“Universiteti në alarm, të ndryshojë Ligji i Arsimit të Lartë”

Nga Lindita Bushgjokaj

Padagogia tregon pasojat e rënda që ka sjellë Ligji i Arsimit të Lartë në Universitetin e Tiranës, mosfunksionimi i qëllimshëm i Bordit të Administrimit dhe heqja dorë e shtetit nga detyrimet financiare të universitetit shtetëror

Pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë treguar se nuk është problemi i vonesave të pagave që ka nxitur qëndrime të ndryshme nga ana e tyre, deri në paralajmërim për grevë. E gjithë situata e mospagesave ka treguar diskriminimin e qeverisë shqiptare ndaj klasës intelektuale, të cilët kanë sjellë në vëmendje një analizë të plotë të gjendjes alarmante të krijuar në universitet, për shkak të mosfunksionimit të Ligjit për Arsimin e Lartë. Ky është një problem qe i ka detyruar pedagogët e Universitetit të Tiranës që të mblidhen dhe të diskutojnë për të ardhmen e universitetit, i cili rrezikohet të kërkojë fonde nga studentët, pasi shteti nuk i përgjigjet detyrimeve financiare që ka ndaj këtij institucioni të lartë. Pedagogia e Universitetit të Tiranës, znj.Dhurata Shehri, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ka treguar dobësitë e ligjit, rrezikshmërinë që ka skema e re financiare për universitetin, një situatë që e ka detyruar stafin pedagogjik të Universitetit të Tiranës të shtrojnë disa kërkesa imediate për kryeministrin dhe Ministrinë e Arsimit, ku thelbi i tyre qëndron në amendimin e ligjit përmes negociatave, përndryshe situata do të paralajmërojë grevë masive, shprehet Shehri.

Znj. Shehri,  cila është shkalla e rrezikshmërisë që parashikon Ligji për Arsimin e Lartë në të ardhmen e Universitetit të Tiranës?

Rreziku i parë është mosfunksionimi i universitetit, i cili po ndodh për disa arsye; nuk janë disa kryesore dhe disa të nënrenditura, por janë të gjitha të njëjtit plan. Së pari vetëm si renditje po e vendos që janë mospajisja me aktet nënligjore të Ligjit për Arsimin e Lartë, që ka çuar në bllokimin financiar të universitetit, ka çuar në bllokimin e punës shkencore për mos financimin nga Agjencia e Financimit të Arsimit të Lartë, e cila ende nuk është krijuar, në mosfunksionimin e mënyrës sesi do të organizohet mësimdhënia në universitet, për mosardhjen e disa udhëzimeve që lidhen me normat e reja mësimore, promovimi i punës shkencore në fakultet të cilët nuk kanë mundësi të behën as profesor të asocuar, as profesor doktor, po ashtu kjo ka të bëjë dhe me mbylljen e doktoraturave prej katër vitesh. Pamundësi edhe për miratim të ndryshimeve në programet mësimore meqenëse kemi mungesë të akteve nënligjore. Problemi i dytë ka të bëjë brenda Universitetit të Tiranës, me mungese transparence me mënyrën sesi menaxhohet universitetit në bllokim total të elementëve financiar, pasi vetëm 9% e buxhetit të Universitetit të Tiranës këtë vit është zbatuar nga 100% e buxhetit. Kjo ka të bëjë me faktin, që ky keq menaxhim ka çuar ne mungesë funksionimi në nivel të pritshmërisë së Universitetit të Tiranës, që do të thotë; mungesë totale të teknologjisë së universitetit, pajisjes së bibliotekave të reja me libra të rinj apo me financimin shkencor brenda universitetit, qoftë dhe me elementët më banal në pamje të parë, si; mungesë letre, mungesë bojë, fotokopjesh.

Çfarë nënkupton kjo krizë financiare për Universitetin e Tiranës?

Nuk ka ku shkon më keq, thotë populli. Gjendja është alarmante në universitet, por mendoj që ajo që po ndodh me mungesën e financimit të arsimit publik nga buxheti i shtetit, ka filluar duke u rënduar dhe akti i fundit i mos kalimit të pagave është vetëm një shenjë e fundit e këtij mosfunksionimi. E gjithë kjo situatë do të shkojë deri atje, sa në fund farë universitetet publike do të shkojnë drejt vetëfinancimit, deri sa të hiqet dorë totalisht nga financimi i arsimit dhe i punës shkencore. Kjo do të çojë në mënyrë të natyrshme, rritjen e tarifave deri në tkurrje të arsimit universitar në Shqipëri. Studentët nuk do të jenë më të aftë të paguajnë tarifat e larta, nga të cilat shteti do të heqë dorë.

Znj.Shehri, cila është një nga pikat më të domosdoshme që doni t’i shtroni kryeministrit dhe ministres së Arsimit për të negociuar?

Duam të negociojmë disa gjëra: Së pari duam që Ligji i Arsimit të Lartë të bëhet funksional. Kjo do të thotë që të dalin ato akte nënligjore që të bëhet funksional, pasi ka dy vite e gjysmë që ato akte kanë dalë. Një ligj nuk funksionon dot pa aktet nënligjore. Së dyti nëse do të dalin, duhet të konsultohen me trupat akademikë. Mua më ka ndodhur që gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, disa akte nënligjore dhe drafte kanë ardhur, janë shfaqur të premten në mëngjes, dhe të premten në ora 12 është kërkuar afati i fundit i dorëzimit të propozimeve. Nga ai moment ka kaluar rreth 1 vit e gjysmë që draftet nuk janë bërë akte nënligjore. Përmes akteve nënligjore mund të amendohen disa nga elementet e ligjit të cilat janë me probleme të rënda. Një nga elementët e fortë që duhet të amendohet në ligj është grandi paplotësuar për financimin në paga, të gjitha pagave dhe orëve shtesë të universiteteve publike Shqiptarë.

Çfarë i propozoni qeverisë Shqiptare në këto negociata që prisni të zhvilloni?

Ne i kemi propozuar qeverisë Shqiptare gjatë 3 viteve rresht një ekspertizë me problemet që do të shfaqë Ligji i Arsimit të Lartë rreth 300-400 faqe, të cilat nuk mund të përmblidhen dot në disa fjali. Prandaj, nëse Shteti Shqiptar ka dëshirë që të kuptojë se ky ligj nuk po funksionon, nëse ka dëshirë të kuptojë që universitetet publike, sidomos Universiteti i Tiranës, i cili është universiteti më i madh në vend ka një bllokim total të punës në të, duhet të kuptojë dhe t’i kthehet asaj ekspertize të madhe, të fortë dhe profesionale, që është bërë në universitetet Shqiptare për draftin e Ligjit të Arsimit të Lartë.

Mendoni të kërkoni rritje pagash për të shmangur rrezikun që parashikon skema e re financiare?

Nuk mund të flas në mënyrë personale, por Forumi për Liri Akademike pati disa propozime të cilat do t’i negociojë, deri sa të mbërrijë një deklaratë përfundimtare. Do të kërkojmë së pari që të gjejmë problemet që ekzistojnë brenda Universitetit të Tiranës, së dyti, do të kërkojmë problemet në Ministrinë e Arsimit dhe në qeverinë Shqiptare që ka lidhje me ligjin, me administrimin dhe me cilësinë e mësimdhënies dhe punës shkencore. Të gjitha këto do të negociohen dhe nëse nuk do të gjejmë mundësi negocimi, duke nisur nga brenda universitetit, në Ministrinë e Arsimit dhe deri në kryeministri, do të mblidhemi sërish për t’i bërë shqetësimet tona të dëgjueshme.

Si funksionon Bordi i Administrimit të universitetit?

Unë e di që janë katër anëtarë të Bordit të Administrimit të zgjedhur nga senati i Universitetit të Tiranës dhe 3 anëtarë që vijnë nga jashtë universitetit, që janë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, të cilët në rastin më të pakët kanë mungesë transparence dhe profesionalizmi në menaxhimin e Universitetit të Tiranës, në rastin më të keq bëhet fjalë edhe për një mosfunksionim të qëllimshëm, që situata të shkojë në këtë gjendje që ka shkuar. Buxheti i Universitetit të Tiranës është realizuar 9%, kjo do të thotë se të ardhurat e universitetit që vijnë nga buxheti i shtetit dhe nga taksat janë realizuar 9%, ndërsa në fakultetin e “Histori-Filologjisë” zëri i investimeve ka qenë zero.

Znj.Shehri, sa duhet të jetë rroga e një pedagogu?

Aq sa e kanë vendet e Rajonit.

Sa është rroga e një pedagogu Shqiptar dhe sa kërkoni të jetë?

Rroga e një profesori në Kosovë është 1.500 Euro, ndërsa një profesori Shqiptar është afërsisht gjysma.

Mendoni se do të arrini zgjidhje me anë të negociatave me qeverinë Shqiptare, për gjithë këtë ngërç që karakterizon universitetin ?

Nuk duam të paragjykojmë, t’i japim mundësi një javë grupit negociator që të merret me këtë çështje, dhe nëse pas një jave gjendja ngelet po kjo, do të ulemi sërish për të diskutuar dhe për të marr hapa të mëtejshme.

 

Pedagogët: Masa për gjendjen alarmante

Dje, pranë Fakultetit të “Histori-Filologjisë”, u zhvillua mbledhja e paralajmëruar e pedagogëve të Universitetit të Tiranës, ku u diskutua gjendja alarmante që ka universiteti. Të pranishmit shpalosën një sërë shqetësimesh që lidhen me mosfunksionimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili ka sjellë bllokim total të universitetit, dështimin e Bordit të Administrimit, si dhe shtruan kërkesën e rritjes së rrogave të stafit pedagogjik, pasi janë cilësuar si më të ulëtat në rajon. Lidhur me këtë situatë që është krijuar në universitet, pedagogët kanë shtruar disa kërkesa për qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Arsimit, nëpërmjet negociatave, ku do t’i kërkojnë; shkarkimin e Bordit të Administrimit, si dhe amendimin urgjent të Ligjit për Arsimin e Lartë. Në rast se qeveria nuk i përgjigjet këtyre kërkesave, pedagogët kanë paralajmëruar një takim të dytë, e cila do të synojë ndërgjegjësimin e opinionit publik.

Të tjera

Abissnet