Sanremo 2018, pezullohet kënga e Ermal Metës

Nga Valeria Dedaj

Kantautori shqiptar merr pjesë në Sanremo në duet me Fabrizio Moro-n. Kënga e tyre “Nuk më keni bërë asgjë” cilësohet, si plagjiaturë nga mediet italiane. Organizatorët rishikojnë vendimit, për qëndrimin në garë të konkurrentëve

“Një vepër e madhe arti”. Falë rezultateve të shkëlqyera të mbrëmjes së parë të Festivalit të Sanremos (edicioni 68) për këtë vit, drejtori i “Raiuno”-s Angelo Teodoli ka festuar kështu debutimin me Claudio Baglioni-n. Një festival i denjë “për këngën”, ishte premtuar. Dhe kështu u bë! Pak stolira, aspak Hollywood, një ndërfutje e çmuar e komedisë me Fiorello-n, shumë muzikë, këngë dhe artistë. Nuk ishte parashikuar që një spektakël i tillë t’i mbante spektatorët italianë (por jo vetëm), ngjitur pas ekranit. “Shumë e konsiderojnë Sanremon si një ‘terror’ dhe për këtë qëndronin larg tij. Mirëpo unë kam zbuluar se mund të jetë shumë argëtues. Jam i lumtur për rezultatin por ani është detyra jonë ta çojmë përpara këtë festival të pajtuar me artin e varfër të këngës.”, është shprehur drejtori artistik Baglioni për mediet italiane.

Kënga “Nuk më keni bërë asgjë” e Ermal Metës dhe Fabrizio Moros

Pas natës së parë të Festivalit të Sanremos 2018, mori jehonën çështja: kënga “Nuk më keni bërë asgjë” e Ermal Metës dhe Fabrizio Moros është e përafërt me “Heshtje”, një këngë e prezantuar në “Sanremo Giovani”, të vitit 2016 nga Ambra Calvani dhe Gabriele De Pascuali. Gjatë konferencës për shtyp të ditës së djeshme, organizatorët e festivalit sqaruan:

“Nuk ka asnjë scoop rreth Metës dhe Fabrizio Moro-s, nuk bëhet fjalë për plagjiaturë. Vetë autori Andrea Febo e kishte deklaruar ripërdorimin e një pjese të vjetër dhe rregullorja e lejon të risjellësh edhe këngë jo të vetat me kushtin që të mos kalojë 30 % të tekstit. Meta dhe Moro janë në garë. Nuk ka asnjë risk për eliminim”. Rreth kësaj çështje është shprehur edhe Claudio Baglioni “Nga ajo çka kam kuptuar nuk bëhet fjalë për plagjiaturë, por për vetëcitim të një pjese të kompozuar disa vite më parë”.

Nga ana tjetër, siç shprehen mediet italiane dueti i Ermal Metës dhe Fabrizio Moro-s, është më e preferuara deri më tani, ka arritur kulmin e shpërndarjes (“share”) në 57,94% dhe në “Spotify” është në vendin e parë për vendin e parë krahasuar me këngët e tjera në konkurrim. “Nuk më keni bërë asgjë”, rrëfehet frika që shoqëron njerëzimin në ditët e sotme, ajo ndaj terrorizmit.

Rishikimi i vendimit

Pas një dite me polemika rreth këngës pjesëmarrëse të duetit Ermal Meta dhe Fabrizio Moro-s në Festivalin e Sanremos, mbrëmjen e djeshme u pezulluan nga gara. Akuza që u është bërë qëndron në faktin se kënga “Nuk më keni bërë asgjë” është publikuar më parë. E megjithatë mëngjesin e djeshëm “Rai” kishte konfirmuar se këngëtarët do të qëndronin në garë. Mirëpo me sa duket kanë vendosur t’i shkojnë edhe më tej kësaj çështjeje dhe në pritje të një vendimi të mëtejshëm “organizatorët e Festivalit, të dakortsuar me drejtorin Artistik, Claudio Baglioni, ka vendosur të pezullojë performimin e dy artistëve, të parashikuar për mbrëmjen e djeshme”. Në vend të tyre, midis 10 këngëtarëve “big” që interpretuan mbrëmjen e kaluar, doli në skenë Renzo Rubino.

Ermal Meta: Ne nuk kemi ardhur në Festival për t’u tallur me njerëzit

“Është koha të themi tonën. Kemi dëgjuar të flitet për plagjiaturë përsa i përket këngës sonë pjesëmarrëse në Sanremo dhe kënga e ngjashme në fjalë është e shkruar nga Andrea Febo që e ka prezantuar në Përzgjedhjet e Sanremos për kategorinë e të rinjve 3 vjet më parë, ajo u eliminua dhe nuk u komerçializua Kurrë. Fabrizio, unë dhe Andrea kemi ruajtur një pjesë të asaj kënge për të mos sakrifikuar diçka të bukur dhe të tre së bashku kemi shkruar një këngë të re me një kuptim krejtësisht të ndryshëm. Plagjiaturë do të thotë të kopjosh, por është tërësisht qesharake duke konsideruar se Andrea Febo e ka shkruar së bashku me mua dhe Fabrizio-n këngën “Nuk më keni bërë asgjë”. Ndërkohë të dy jemi autorë prej shumë vitesh dhe kemi shkruar shumë këngë duke kontribuuar në suksesin e të tjerëve dhe tonin. Kush na njeh e di. Kur vendosëm të rrëfejmë një gjendje shpirtërore të përgjithshme me këtë këngë nuk e kemi bërë tu prezantuar në Festival, por për të folur për paqen. Na vjen shumë keq për këtë që po ndodh, sepse ne nuk kemi ardhur në Festival për t’u tallur me njerëzit, por për t’i përqafuar. Jemi të sigurt se gjithçka do të shkojë mbarë.”

Teksti i këngë Nuk më keni bërë asgjë”, në shqip

“Në Kajro nuk e dinë sa është ora tani/Dielli në Rambla sot nuk është i njëjti/Në Francë ka një koncert/Njerëzit po argëtohen/Dikush këndon fortë/Dikush bërtet deri në vdekje/Në Londër bie shi gjithmonë por sot nuk bën asnjë dëm/Qielli nuk i bën ulje asnjë funerali/Në Nice, deti është i kuq nga zjarri dhe nga turpi/Nga njerëzit në asfalt dhe gjaku në kanal/Dhe ky trup i madh që ne quajmë Tokë/E plagosur në organe nga Azia deri në Angli/Po ajo më e rëndësishmja është hapësira e një përqafimi/Nga nënat pa bij, nga bijtë pa baballarë/Nga fytyra të zbehta si mure pa piktura/Minuta heshtjeje të thyera nga një zë

Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë

Kjo është jeta ime që vazhdon/Përtej gjithçkaje, përtej njerëzve/ Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Sepse gjithçka shkon përtej luftërave tuaja të kota/

Ka nga ata që bëjnë kryqin/Nga ata që luten në tapete/Kishat dhe xhamitë/

Imami e gjithë priftërinjtë/

Hyrje të ndara të së njëjtës shtëpi/Miliarda njerëz që shpresojnë në diçka/

Krahë pa duar/Fytyra pa emra/Le ta këmbejmë lëkurën/Tek e fundit jemi njerëz/

Sepse jeta jonë nuk është një kënd vështrim/Dhe nuk eksitojnë bomba paqësore/

Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Kjo është jeta ime që vazhdon/

Përtej gjithçkaje, përtej njerëzve/Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Sepse gjithçka shkon përtej luftërave tuaja të kota/Luftërat tuaja të kota/ Do të bien gradaçelat/Dhe metrotë/Muret e kontrasteve të ngritura për bukën/Por kundër çdo terrori që pengon rrugën/Bota ngrihet/Me buzëqeshjen e një fëmije/

Me buzëqeshjen e një fëmije/Me buzëqeshjen e një fëmije/Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/

Sepse shkon përtej luftërave tuaja të kota/Nuk më keni bërë asgjë/Luftërat tuaja të kota/Nuk më keni bërë asgjë/Luftërat tuaja të kota/Nuk më keni bërë asgjë/

Luftërat tuaja të kota/Jam i ndërgjegjshëm se të gjitha nuk do të kthehen më

Lumturia fluturonte/Siç fluturon larg një flluskë.

Biografia

Ermal Meta (1981) lindi në qytetin e Fierit, ku ka studiuar në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa”. Në vitin 1994 u transferua së bashku me familjen në Bari të Italisë, ku në vitin 2007 themeloi grupin “La fame di Camilla”, me të cilin realizon tre albume. Në albumin e tij të parë përveçse një kënge në gjuhën shqipe ai trajton edhe tematika të emigracionit. Grupi do të ishte ndër më të vlerësuarit nga kritika, ndërsa Ermali një nga komponentët më me rëndësi dhe shumëdimensional pasi ai shkruan tekste, këndon, i bie pianos dhe kitarës. Në 2012 Ermali do të nisë një karrierë të suksesshme si kantautor, që do ta çojnë në bashkëpunime me këngëtarë italian të njohur, si Marco Mengoni, Francesco Renga, Emma Marrone, Annalisa Scarrone, Chiara Galiazzo, Patty Pravo (me të cilën edhe këndon “Non mi interessa”) etj. Talenti i tij qoftë si kantautor, apo edhe si këngëtar i ka hapur atij dyert e “Sanremos” për vite me radhë. Skenës së “Sanremos” ai i ka dhënë nga vetja edhe si kantautor, në bashkëpunime me këngëtarë të suksesshëm, si Annalisa me këngën “Non so ballare”, dhe Chiara me “Straordinario”. Në 2006 merr pjesë për herë të parë me grupin Ameba4. Për t’u rikthyer në 2010 me grupin “La fame di Camilla”. Ka qenë pjesë e “Sanremos së të rinjve”. U vlerësua me çmimin gjatë vitit të kaluar edhe do të rikthehet sërish në “Sanremo 2018”.

Të tjera

Abissnet