Paralajmërimi i banorëve për shembjen e urës së Ali Pashës

Publikuar më 08. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Paralajmërimi i banorëve për shembjen e urës 200-vjeçare e Hoshtevës, monument kulture i kategorisë së parë. Kjo urë përveç vlerave arkitekturore dhe historike, kishte funksion praktik për banorët, të cilët kalonin në të dy anët e luginës së Zagorisë. Specialistët fajësojnë Kumbaron

Shkatërrimi i urës në fshatin Hoshtevë ishte paralajmëruar. E megjithatë, për këtë nuk u bë asnjë ndërhyrje, veçse u premtua nga ministrja e Kulturës dhe nga ekspertët e monumenteve, se do të restaurohej gjatë 2018-s, sepse pas inspektimit të tyre 2 dytë para shembjes, niveli i rrezikshmërisë nuk ishte i lartë.

Për këtë ministrja Mirela Kumbaro ishte shprehur, se “Kam deklaruar tashmë disa muaj më parë, që ndërhyrja konsoliduese në urën e Hoshtevës është në radhën e planeve të vitit 2018. Padyshim që e kam në vëmendje! Siç kam në vëmendje edhe shumë objekte të tjera në të gjithë Shqipërinë, sepse kjo është detyrë e Ministrisë së Kulturës. Por kjo bëhet me planifikim dhe jo me improvizime. Ministria në planet e veta të ndërhyrjes dhe të investimeve vepron me radhë prioritetesh dhe jo sipas zhurmës së ditës.

Ura e Hoshtevës (monument kulture i kategorisë së parë ishte rreth 200-vjeçare) konsiderohej, si një ndër monumentet e rralla të periudhës së ndërtimeve të Ali Pashës. Monumenti kishte një vlerë të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe dëshmi e shkëmbimeve tregtare, të Mesjetës në këtë krahinë. Arsyetimi se ura është shembur për shkak të rrëshqitjes së dherave ka qenë i papranueshëm për banorët e zonës, të cilën e kishin sinjalizuar prej kohësh ministren e Kulturës.

Arkitekti Besnik Aliaj

“Ura historike e Hoshtevës në Zagori është  shembur dhe nuk ka mbetur asgjë nga bukuria e saj dhe nga vlerat e saj të trashëgimisë kulturore. Në kushtet e një moti me shi të rrëmbyeshëm banorët e zonës janë bërë dëshmitarë të shembjes së urës mbi 200-vjeçare të fshatit të tyre, monument kulture. Një lajm tepër i hidhur nga Zagoria! Ura historike e gurtë e Hoshtevës rrezohet!”, shkruan në “Facebook” arkitekti Besnik Aliaj. Sipas arkitektit dhe urbanistit është kërkuar para një muaj që të ndërhyhet me emergjencë për të forcuar bazamentin, më pas të bëhej rikonstruksioni. “Nga përvoja ime dhe eksperteve shirat e radhës do ishin fatale! Por për fat të keq qeveria vendore, rajonale dhe qendrore më injoruan! Dikush fatkeqësisht mendoi se e bëra për politikë! Ndërkohë Ministria e linjës dhe ekspertët rajonalë të saj çuditërisht dhanë garanci se ura nuk ka shans të shembet! Por sot ura me vlera historike dhe praktike nuk ekziston më! Do të doja të kisha qenë unë gabim! Por fakti sot është kokëfortë dhe i hidhur! Ura nuk është më! Historia dhe trashëgimia jonë lokale e kombëtare ka një pasuri të çmuar më pak! Ky është mallkim që vjen nga kllapia e shoqërisë dhe mosvëmendja totale e autoriteteve! Nuk kam fjalë të shpreh trishtimin dhe protestën”, shkruan Aliaj, i cili ka postuar edhe fotografi para shembjes së urës.

Forumi i Trashëgimisë Kulturore

Për këtë reagimi i Forumi i Trashëgimisë Kulturore shkruan në faqen e vet jo vetëm për Urën e Hoshtevës, por edhe atë të Orgockës, “Ura e Orgockës në Kolonjë, Monument Kulture i Kategorisë së Parë është shembur. Një tjetër fatkeqësi mbi trashëgiminë tonë. Pak ditë me parë u shemb një tjetër urë, monument kulture, ajo e Hoshtevës në Zagori. Me atë rast deklaruam që nuk është as monumenti i parë dhe as i fundit që shembet përgjatë epokës Kumbaro. Fatkeqësisht thënia jone u vërtetua brenda dy ditësh. Sigurisht që Kumbaros fajin ja kanë herë shirat e herë tërmetet. Por realiteti mbetet një, ajo do mbajë rekordin për humbje monumentesh gjatë qeverisjes së saj. Mjerë ne në dorë të kujt ka rënë trashëgimia. Presim të dëgjojmë prononcimin e saj për rastin në fjalë”.

Inspektimet e DRKK-së në Gjirokastër

DRKK Gjirokastër gjatë inspektimeve të saj në këtë monument ka konstatuar problematika në krahun e urës nga ana e fshatit Hoshtevë dhe terrenin përreth saj.

Nisur nga këto problematika të evidentuara si dhe nga shqetësimet e ardhura nga Bashkia Libohovë po edhe nga komuniteti, Ministria e Kulturës ka deklaruar financimin për restaurimin e urës në buxhetin e vitit 2018, shoqëruar me projektin e ndërhyrjes i cili është hartuar bazuar në konsultimet me specialistë dhe ekspertë të fushës. Një ekip i Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare, në Gjirokastër, shoqëruar edhe nga një ekspert i jashtëm profesionist ka inspektuar monumentin dhe përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme nisur edhe nga gjendja e re e krijuar në monument pas reshjeve të shumta të fundvitit dhe nisi menjëherë puna për rikualifikimin e projektit. Ndërhyrjet në krahun verior të urës nga ana e fshatit Hoshtevë dhe në vetë bazamentin e saj, do të kërkonin dajakosje të krejt harkut, dajakosje që do të mbështetej në shtratin e lumit. Për arsye të prurjeve të shumta dhe të rrëmbyeshme të lumit në këtë periudhë të vitit, plus rrëkeve të ujrave gjatë gjithë shpatit dhe rrugës gati të paaksesueshme, shumë e vështirë për këmbësorë dhe kafshë nga fshati Hoshtevë deri te ura dhe krejt e pamundur për mundësi transporti me mjete motorike, ishte krejt e pamundur që këto ndërhyrje të kryheshin në këtë periudhë të vitit, prandaj u konkludua që ndërhyrja të kryhej në një periudhë tjetër, më të shpejtë të mundshme të përshtatshme.

Menjëherë me sinjalizimin për dëmtimin e urës në dt. 4.02.2018 e në vazhdim, një grup specialistësh të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe DRKK Gjirokastër shkuan në objekt për të verifikuar situatën dhe analizuar shkaqet. Siç u përmend edhe më sipër rruga/monopati deri te ura ishte mjaft e vështirë dhe në një terren të aksidentuar. Gjatë gjithë rrugës dhe shpatit nga fshati Hoshtevë deri poshtë në arat buzë lumit kishte rreke uji të cilat jo vetëm vështirësonin lëvizjen por poshtë te arrat krijonin ujëra nëntokësorë duke frynë gjithë brezin e butë të dheut të arrave, i cili është i vendosur mbi shtrat e flishit dhe shtufeve të rrëshqitshme. Kjo është lehtësisht e dallueshme në shpatin e lumit nga krahu i fshatit Hoshtevë

Nga inspektimi në vend u konstatua se :

Harku dhe mbështetja veriore e urës ishin shkatërruar totalisht dhe gjendeshin si grumbull gurësh në shtratin e lumit, ndërsa qëndronte vetëm mbështetja jugore e saj. Nga vrojtimi rezulton gjithashtu se mbështetja e krahut verior të urës ishte realizuar duke veshur shkëmbin me gurë në pjesën e poshtme dhe në pjesën e sipërme mbështetej në formacion dheu me prani të lartë të ujërave nëntokësorë. Këto ujëra rridhnin gjatë gjithë shpatit duke krijuar shkarje dhe presion të lartë mbi tërë shpatin e lumit dhe mbi vetë urën dhe si pasojë shkëputje masive të formacionit të dherave të shpatit verior të lumit në një shtrirje rreth 80 m, duke përfshirë edhe mbështetjen veriore të monumentit. Rrjedhja e ujërave nëntokësorë dhe shkëputja e formacionit të dherave vazhdonin edhe në dt. 5.02.2018. Prurjet në lumin e Zagorisë ishin në sasi të konsiderueshme dhe mjaft të rrëmbyeshme. Referuar konstatimeve të mësipërme grupi i ekspertëve konkludoi se: Pavarësisht problematikave të dukshme në bazamente, shkaqet që kanë sjellë humbjen e qëndrueshmërisë, prishjen e skemës statike dhe shkatërrimin e urës janë shkëputjet masive të dherave në pjesën e sipërme në pjesën veriore.

“ Përgjegjësia për shembjen e urës së Hoshtevës, e ministres së Kulturës”

“Jam këtu për të shprehur indinjatën e thellë, nga zhdukja në hartën e monumenteve të kulturës të dy urave shumë të rëndësishme, siç është Ura e Hoshtevës në zonën  e Libohovës një urë e periudhës Osmane, e përdorshme edhe sot nga banorët e Zagorisë. Dhe ura tjetër e krahinës së Orgockës, edhe kjo një urë e periudhës osmane që i takon Qarkut të Korçës, që si deputete e Partisë Demokratike ta përfaqësoj në Parlamentin e Shqipërisë. Këto dy ura janë të trashëguara nga 300 vjet më parë, të ruajtura me shumë fanatizëm nga banorë të zonës, por edhe nga specialistë shqiptarë që e kanë dashur kulturën dhe brenda dy ditësh, si rezultat i vërshimit të lumenjve, ato zhduken jo vetëm nga harta e monumenteve të kulturës, por edhe nga harta e gjeografisë së Shqipërisë për të mos i parë më kurrë. Sado premtime të ketë se ato do të rindërtohen, ato nuk mund të bëhen ashtu sikundër kanë qenë.

Janë ura unikale dhe që banorët e këtyre zonave, specialistë të trashëgimisë kulturore, kanë kohë që trokasin në derën e Ministres së Kulturës për të ndërhyrë urgjentisht në riparimin e tyre, por derë e saj ka qenë e mbyllur. Përgjigja e Ministres së Kulturës ka qenë arrogante, qeveria Rama nuk ka reaguar në kohën e duhur për restaurimin e këtyre veprave kaq të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare. Kam pasur fatin të vizitoj shumë ura të tilla në vendet e Ballkanit, ku qeveritë e Ballkanit shpenzojnë pothuajse dyfishin e parave të qeverisë Rama për t’i ruajtur ato. I ruajnë ato dhe nuk i shkatërrojnë ashtu sikundër ndodhi në Shqipëri. Prandaj jam këtu, që në emër të Partisë Demokratike, të dënoj papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama. Në mbrojtje të institucioneve të kulturës sonë kombëtare, si elementë, si pasuri e madhe e kulturës sonë kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”, tha Duka.