Hahn në Beograd, Vuçiç sheh Himalajet përpara, Kosovën në majë!

Publikuar më 07. 02. 2018 nga Agim Popoci

“Himalajet i kemi përpara”. Kështu, në mnëyrë metaforike u shprehë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas takimit me komisionerin për zgjerimin, Johanes Hahn në Beograd, duke shtuar se kjo nuk është për fajin e serbëve, por siç tha, ka ardhur koha për vendime, që të paguhen çmime të caktuara nga e kaluara dhe të merren vendime për të cilat me vite të tëra mungonte guximi.

”Detyrat më  të vështira janë para Serbisë, nuk kemi prekur disa nga pikat e rëndësishme, dhe këto i kemi përpara,” deklaroi Vuçiç, e për atë që ai e quajti, “zingjir i pengesave malore”, tha se duhet të bisedohet.

“Kjo para së gjithash është çështja e Kosovës, përkatësisht Beogradit dhe Prishtinës. Këtu nuk bëhet fjalë për çështjen e emrit, por shumë më shumë, disa mijëra kilometra katrorë, por edhe njerëz, që është shumë më e rëndësishme. Gjithashtu , është e qartë se duhet të zgjidhim problemet me Bosnje Hercegovinën dhe Kroacinë në lidhje me kufijtë. Këto janë pengesat tona,” tha ai i bindur që nëse zgjidhen problemet politike, ekonomikisht Serbia “do të rritet si raketë”.

BE e dëshiron Serbinë në familjen e saj, por a e duan vetë serbët vendin e tyre në Bashkimin Evropian, për këtë presidenti i Serbisë tha se do të vendosin serbët. “Ne do të dalim me propozime se si e shohim të arrdhmen e vendit tonë, në fund vendimin do ta marrin qytetarët. A duam në BE, por duhet të paguajmë çmimin, ose do të vazhdojmë kështu të na ikin edhe gjysma e qytetarëve. Mendoj se është e ndershme të dalim para njerëzve, t’u themi si është puna, dhe ata të vendosin,” tha Vuçiç.

Han: Nuk jam këtu rastësisht

Komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn tha se në Beograd nuk është rastësisht dhe tashmë anëtarësimi në BE është në duart e Serbisë.

“Ju presin reforma të rëndësishme, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit. Nuk është fjala të kënaqim orekset e ca zyrtarëve në Bruksel, por të përmirësohet jeta e njerëzve,” tha Hahn duke shtuar se BE ishte e qartë se nuk mund dhe nuk do të importoj konteste dypalëshe. “Ato duhet të zgjidhen, dhe padyshim të zbatohet marrëveshja me Kosovën,” tha Hahn ndërsa falemnderoi Vuçiçin, që siç tha ai, inicoi dialogun e brendshëm për Kosovën sepse ai nuk ka të bëjë vetëm me të arrdhmen e Serbisë por për paqen dhe sigurinë në gjithë Ballkanin.

Komisioneri për zgjerimin e BE, Johanes Hahn ka zhvilluar një takim edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç me ç’rast u firmosën edhe dy dokumenta të rëndësishëm: Marrëveshja financiare për mbështetje buxhetore për menaxhimin e integruar të kufirit dhe Kontrata për donacion në mes të BE dhe Serbisë për ndihmë në zgjidhjen e krizës së emigrantëve./A.P./