Suela Bako: Guximi i shoqërisë sonë për të denoncuar, dinjiteti ka koston e vet, ende punojmë për një kafshatë!

Nga Suela Bako

Ajo mendon që lajmet që na vijnë nga përtej oqeanit për ngacmimet seksuale, tashmë kanë marrë një vrull të madh, dhe po kthehen në një “gjueti shtrigash” po cenojnë jetën dhe karrierën e shumë njerëzve të nderuar në fushën e tyre, por që “cene” të tilla, po i shpartallojnë. A janë të gjitha të vërteta? A kanë pjesën e tyre dhe të ashtuquajturit e abuzuar? A po kërkojnë vëmendje mediatike disa prej “të abuzuarve”? Aktorja Suela Bako tregon për “Shekulli”-n se sot çdo ditë e më shumë “skandalet” shndërrohen në promocion, e sa më të mëdha skandalet, aq më i madh promocioni… Kjo me sa duket do jetë dilema më e madhe e showbizz-it të këtij çerekshekulli, dhe do të kërkojë shumë kohë për t’u kuptuar dhe reflektuar. “E rëndësishme është që dyshemeja nën këmbët e disa “njerëzve” po lëviz fort, askush nuk është më Zoti, dhe për këtë duhen falënderuar ata të parët që patën guxim të flasin”.

Zonja Bako, cili është mendimi juaj për ngacmimet seksuale gjatë punës?

Mendoj që kanë ekzistuar që me lindjen e marrëdhënieve të punës, d.m.th, asgjë e re nën këtë diell. Thjesht tani, “mori zë”. Sigurisht që është një fenomen i urryer, s’mund të ketë më një marrëdhënie normale pas kësaj, për asnjë arsye, nuk mund të ketë normalitet.

Gjatë, krijimtarisë suaj, a keni dëgjuar raste, të tilla, pa dëshirë, që kanë shkatërruar moralisht një individ?

Nuk mund të them që nuk kam dëgjuar, sigurisht që kam dëgjuar, për fat individët ja kanë dalë mbanë të shpëtojnë pa “u shkatërruar” plotësisht moralisht, por kam bindjen se e kanë vështirë e kanë të gjejnë qetësinë…

Mendoni se një shqiptare (artiste apo në çdo profesion tjetër), mundet që ta bëjë lehtësisht publike një ngacmim të tillë, apo ne ende vazhdojmë, të mos flasim, për diçka që opinioni menjëherë fajin ja vë femrës?

Duhet të themi, që ka ndodhur në fakt edhe këtu të ketë denoncime, para disa vitesh pati një “skandal”, por “A ishte i vërtet”? A duhet të besojmë njërën palë apo tjetrën? A është shoqëria jonë gati të pranojë të vërtetën?! Dyshoj… Më duhet të them, që të tilla çështje janë tejet delikate dhe personale, sigurisht duhen bërë publike që përmes një rasti të marrë vlerë kundërsulmi, dhe palët abuzuese (që shpesh kanë dhe pushtetin apo paranë më vetë, të vihen me shpatulla për muri apo me pranga në gojë, se në duar është më e pakta), por që të bëhen publike duhet guxim dhe vetëmohim i madh, nuk besoj që ne si shoqëri e gëzojmë këtë guxim, përderisa punojmë ende për një kafshatë buke. Dhe të drejtën të them, dinjiteti ka koston e tij, jo çdokush mund ta paguajë. Me këtë nuk dua të jem as fataliste as pesimiste, thjesht realiste. Pastaj morali dhe mendësia e hapur (por jo e shqyer) janë pjesë e pandashme e zhvillimit të shoqërisë, ne nuk gëzojmë një shoqëri të zhvilluar.

Dhe së fundmi, kush janë të parët që duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e këtyre “viktimave”, të cilat shpeshherë as në familje nuk kanë përkrahjen e duhur?

Ju i quani “viktima” unë nuk dua t’i quaj kështu, viktimat bëhen të tillë, kur nuk bëjnë asgjë për të dalë nga kjo situatë, nëse ata ngrenë zërin, do jenë akuzues dhe kaq.

Të parët që duhet të ngrenë zërin patjetër duhet të jenë ata. Është kauza e tyre, e duhet ta mbrojnë, ose të heshtin dhe ta pranojnë në heshtje kokulur sfidën e përuljes ndaj të ashtuquajturit “Fat”, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq “të vjelin frytet” dinjitetit “të shitur”.

Të tjera

Abissnet