Gafuri kthehet në një problem për Flamurtarin

Publikuar më 29. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Skuadra e Flamurtarit ka zhvilluar një merkato shumë intensive si në hyrje ashtu edhe në dalje. Një nga përforcimet, mesfushori Argjent Gafuri nënshkroi pak kohë më parë një kontratë për një vit e gjysmë me vlonjatët. Distanca e madhe mes qytetit bregdetar dhe familjes së tij në Maqedoni ka bërë që lojtari të largohet nga klubi. Ai ka nxjerrë justifikimin për gjendjen shëndetësore jo të mirë të nënës së tij.

Ai i ka komunikuar vendimin e tij trajnerit Shpëtim Duro. “Nuk mund të qëndroj dot larg familjes. Kam nënën të sëmurë, ndaj mirë do të ishte që t’i qëndroj sa më pranë. Nuk mund të qëndroj më në Vlorë”, ishin fjalët e lojtarit. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi ka theksuar se lojtari është larguar në Maqedoni për arsye familjare, por nuk mund të ikë dot nga skuadra pasi është nën kontratë.

“Gafuri iku urgjentisht në Maqedoni se kishte një hall familjar. Si fëmijë që është, ai vajti që të shikonte nënën e tij, e cila ishte e sëmurë. Nuk e di unë se kush jua thotë ju që ka ikur. Ai iku dje (pardje), pasi kishte një hall familjar, e ke këtu në Vlorë shumë shpejt. Nuk ka shanse që ai të ikë. Gafuri është në kontratë dhe është lojtar i Flamurtarit. Nuk ka lojtar që ikën nga Flamurtari”, përfundoi Idrizi.