“Shafrani dhe Kepi i Rodonit më bënë të lë Gjenevën për Shqipërinë” (FOTO)

Foto 1 nga 5 Pas Para

Nga Xhensila Demollaj

Rudina Hyka, mësuesja e arteve të bukura rikthehet pas 15 vitesh në Shqipëri

Dëshira për të jetuar në atdhe. Investimi në mbjelljen dhe kultivimin e shafranit. Si të dallojmë cilësinë e një shafrani të cilësisë së parë

Kur Rudina Hyka erdhi në Shqipëri pas një periudhe 15 vjeçare studimi dhe punë në Zvicër nuk e kishte menduar kurrë se do të punonte dhe investonte në bujqësi. Por, fati dhe rastësia vendosën diçka tjetër për të. Pas vitit 2011, duket se gjërat morën një rrjedhë ndryshe. Ish- studentja e arteve të bukura, lë Gjenevën dhe i kthehet tokës së Shqipërisë dhe punës së prekshme të saj. “Për mua erdhi momenti i një jete më të thjeshtë që vetëm Shqipëria mund të ma ofronte”, thotë Rudina me buzëqeshje. Ajo është e dashuruar pas këtij vendi. Qendron krah tokës së saj të pjerrët për të mos u larguar kurrë nga kjo zonë.

Duket sikur ka lindur për të qenë përherë aty. Është e vëmendshme dhe nuk largohet as në ditët më të vështira të dimrit. “Më duket sikur këtu kam një pjesë shumë të rëndësishme të timen. Nuk do e lija për asgjë”. Rudina ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën e pikturës konceptuale. Ishte viti 2002 kur ajo vendos të largohet për në Gjenevë, në Zvicër për të vijuar atje studimet në degën e saj të preferuar. Duket se emigrimi studentor qe i gjatë dhe i vazhdueshëm deri dy vite më parë, kur Rudina gjeti veten në Kepin e Rodonit. “Në vitin 2002 u largova nga Shqipëria për studime.

Në atë kohë isha studente në Akademinë e Arteve në degën e pikturës konceptuale. Isha në të njejtën kohë studente në përgatitjen e diplomës dhe nuk ishte e detyrueshme të isha 100% aty. Më tej, përfitova të bëj një konkurs në shkollën superiore të arteve të bukura në Gjenevë, të cilën e fitova, shumë thjesht për ne studentët shqiptarë. Që nga ai moment u largova në Gjenevë ku mbarova studimet e larta atje dhe specializimin e bëra në Lozanë. Në vitin 2010 isha mësuese në shkollat fillore dhe 8-vjeçare në Gjenevë për artet e bukura gjithmonë. Më pas, vjen një kontratë në shkollën e arteve”, thotë Rudina.

Kanë qenë pikërisht këto kohëra kur Rudina u ngacmua për gjetjen e një arsyeje shumë të fortë për rikthimin në Shqipëri, bimën e shafranit. “M’u duk se realizova gjithçka ato 15 vite, me një eksperiencë paralele gjatë studimeve të mia në gastronomi dhe hoteleri ku njoha shumë mbi kuzhinën franceze dhe të botës dhe fillova të ndiej këtë tërheqjen ndaj shijes ndaj përgatitjes, ndaj sublimitetit të produktit ku njoha dhe shafranin. Diku nga viti 2006 kam biseduar me dikë dhe kam thënë: uau, si mund të bëhet shafrani në Shqipëri? Pasi, nuk e imagjnoja që një ditë do e bëja në Shqipëri.

Erdhi nevoja e një domosdoshmërie të një jete me më këmbë në tokë se sa arti me filozofinë e tij. Që në momentin që zbulova Kepin e Rodonit në vitin 2011, punova me qëllimin që të ngulesha vërtetë këtu, përfundimisht deri sa e arrita në 2015”, thotë Rudina, teksa me humor e nostalgji kujton bisedën telefonike me prindërit e saj, të cilët e njoftuan për Kepin e Rodonit. “Unë mora një apartament të vogël në Gjirin e Lalsit, duke menduar që të jetë apartamenti i pleqërisë sime dhe prindërit e mi u aventuruan një ditë si një çift i dashuruar që janë dhe thonë: të shohim çfarë ka në atë kodrën atje lart? Zbuluan Kepin e Rodonit dhe më telefonojnë, ndërkohë unë isha në Gjenevë- “Rudina, kur të zbulosh çfarë ka këtu, ti do të çmendesh vërtetë!”.

Kjo ishte fjalia që më ngacmoi. Kur erdha pas disa javësh, zbulova këtë vend dhe nuk pushova së menduari për të”. Që nga ai moment, Rudina i kishte synimet e qarta. Duhet të gjente një tokë ku të mbillte shafranin dhe të bënte realitet ëndrrën e saj. “Unë pata vetëm tërheqjen dhe pasionin e lules dhe sot unë e bëj dhe mendoj se mund ta cilësoj veten se jam ndër të rrallat që këtë punë e bëj për dashurinë e lules. Njerëzit mund të thonë që po po, për atë e bën duke marrë parasysh dhe çmimin, por unë jetoj dhe punoj për dashurinë e lules.

Unë kam investuar kursimet e mia personale të 15 viteve dhe i kam hedhur në këtë tokë, aty ku bëhet shafrani i mrekullueshëm i Kepit të Rodonit.  Unë kam punuar për të blerë tokën. Bleva fillimisht 1500 metra, për të punuar më tej për të marrë parcelën e dytë rreth 4050 metra. Për të mbjellë së pari 9000 bulba, që më tej u bënë 18 mijë rrënjë shafrani dhe për një vit më vonë bleva 10 mijë bulba, më tej kurseva sërish dhe bleva 25 mijë bulba. Pra, asnjëherë, nuk kam pasur mundësinë që ta kuptoj se kam kaq gjendje leku dhe do ta investoj në Shqipëri. Ndoshta do ishte më mirë ta dija, por janë ekonomitë e 15 viteve që janë bërë duke punuar me qëllimin kryesor të arritjes së këtij synymi”, tregon ajo.

Përdorimet

Shafrani është erëza e vlerësuar dhe përdoret në pothuajse gjithë botën, ndërsa shpesh e quajnë “mbreti i erëzave”. Edhe pse është më i njohur si një erëza, për shkak të ngjyrës specifike të verdhë, përdoret edhe si një ngjyrues natyror në industrinë ushqimore dhe për qëllime mjekësore. Librat e vjetër përmendin se shafrani i përzier në qumësht mund të përdoret si një kompresë për sytë e lodhur dhe se preparate të ndryshme ndihmojnë në trajtimin e inflamacioneve, dhimbjeve, ngërçeve tek foshnjat dhe të tjerët. Ai gjithashtu mund të përdoret për astmën dhe kollitjen, stimulimin e qarkullimit të gjakut dhe menstruacionet e dhimbshme. Pjesa shëruese e shafranit janë stigmat. Ato sipas të dhënave shkencore  përmbajnë fitokimikate të shumta si krocina, pikrokrocina, likopena, karotenoidet dhe alkaloidet. Vaji esencial përmban safranal, i cili ka efekt qetësues, heq dhimbjen dhe ngërçet.

Vizita e parë në fshat dhe mbjellja e shafranit

“Unë kam ardhur në fshat, kur nuk vinte askush nga Tirana. Kisha dy mundësi: ose të vija si një i huaj nga gjetiu me arrogancë, ose si një njeri i vërtetë me gjithë vlerat e tij popullore që ne të gjithë i kemi në thelb dhe të shkrihesha me këtë zonë. Dhe pse vija vetëm unë fillova të pij kafen në kafenenë e fshatit, aty ku kishte vetëm burra. Po, si do më pranin? Më shihnin. Por, njerëzit këtu janë të mrekullueshëm. Dhe kur njerëzit nga kryeqyteti më thonin: çbën ti në majë të malit e dyshoja: mos kanë të drejtë, thoja me vete. Më pas, isha shumë e hapur. Kur fillova të mblidhja shafranin mora zonjat e fshatit, traktoristin këtu. Askush nuk kishte dëgjuar më parë këtu për shafranin.

Unë i tregoja teorikisht si ishin kushtet e shafranit, ata punonin dhe e bënin”, tregon Rudina momentet e para kur ka ardhur në fshat dhe është njohur me gjithë njerëzit e zonës, të cilët sot janë miqtë e saj më të mirë. Rudina ecën dhe vepron njësoj si ta. Ashtu edhe buzëqesh e përshëndet blegtorët. Duket sikur ka jetuar përherë këtu. “Do të doja ta ndërtoja një shtëpi këtu, por duhet shumë punë”, thotë ajo, ndërsa vijon të na tregojë edhe për vitin e parë të shafranit të mbjellë. “Shafranin e parë e kam mbjellë në 2016. Të kisha mundur ta mbillja kur e mendoja do ishte sot një mrekulli, por jo. M’u desh të investoja, të zgjidhja tokën e duhur, të pastër se ne kemi probleme në Shqipëri, me dy pronarë toke, me pronarë të vjetër.

Pra, kisha frikë nga këto gjëra. Qëlloja në agjenci të shitjes së tokës dhe nuk më pëlqenin kontaktet. Në momentin që kërkova kontaktin e fermerëve këtu, gjeta tokën që m’u përshtat për këtë gjë. Në 2016 mbolla dy dynym me shafran, me 18 mijë rrënjë, tej mase gjere. Doja të bëja një shafran të lumtur. Nga frika e sëmundjes së kërpudhave që rrezikon, mora masa. Teorikisht e njihja shafranin, por tokën nuk e kisha punuar. U mësova si me tokën dhe fermerët. Nuk i kisha prekur kurrë mjetet e punës me dorë, por isha pranë natyrës në mënryë pasionante, mbledhje kërpudhash, peshkim, por vetë jo. Madje, më dukej sikur nuk e kisha dorën e gjelbër kur punoja me vazot në shtëpi. Sa herë i vija pleh, ajo nuk ishte më e shëndetshme seç kishte qenë.

Ndërsa, mbjellja e vitit të dytë ishte fantastike. Mësova nga ato që më sillnin mua vështirësi në mirëmbajtje. Isha e aftë të kuptoja nevojën e terrenit tim dhe të bimës. Ajo që është shumë e bukur, është se i dëgjova pa masë gjithë fermerëve. Të gjithë më thonin mos flit për këtë lule sepse shumica në Shqipëri do mbajnë në mend çmimin, do mendojnë sa e pasur do jesh ti. Unë nuk e pashë kështu. Personi që do punojë me mua duhet të kuptojë se sa dashuri kërkon lulja e shafranit.

Nuk më bëri shafrani të lë Zvicrën, por ky vend i mrekullueshëm bashkë me shafranin. E kam zhvilluar profesionin në Zvicër, por që në qershor 2017 nuk e bëj më. Kërkoj të punoj në profesion që të mirëmbaj ende investimin tim te shafrani. Jam me të njejtat problematika si çdo shqiptar që të punoj diku që të jem në gjendje të paguaj disa ditë pune të punëtorëve”.

Çmimi i shafranit dhe dallimi i cilësisë së parë

Për shafranin, flitet së është ndër produktet më të shtrenjta në historinë e njerëzimit, si bimë. Madje, këtë e pohon edhe Rudina Hyka, shafranierja, e cila tregon se është më i shtrenjtë se floriri. Rudina na njeh me çmimet e tregtimit të shafranit, vlerat e tij si edhe konsumimin dhe dallimin e cilësisë që duhet të bëjë secili prej nesh. Ajo tregon emocionin e lulëzimit të lules së parë të shafranit si edhe dashurinë me të cilën kujdeset për këtë bimë. “Ishte tetor i 2016 dhe parcelën e vëzhgonte një zonjë e fshatit. E prisnim me frikë lulen e parë, por aq na mjaftoi. Lulëzimi u pre shumë shpejt se pati një ciklon shumë të fortë, saqë shkatërroi lokalin, urën e Kepit të Rodonit. Atë shafran e dhurova, që mora në vitin e parë.

Shafrani është një bimë e fortë, por lule shumë delikate. Çel dhe lulëzon kur do vetë. Nuk llogaritet sa do të sjellë. Vitin e dytë rritet lulëzim, qendron stabël 3-4, pastaj bie. Rendimenti është në bazë të luleve. Duhen 200 lule dhe më tepër për të bërë një gram shafran. Pra, mbi 200 mijë lule për 1 kg. 1 pistil që përban 3 fije, nuk ka peshë dhe kur e than duhet të dezidratohet mbi 80% të peshës së tij. Për shafranin duhet folur për vlerat e tij, që janë në miligram dhe këtë asnjë bimë tjetër nuk e jep si fuqi. Janë 0.03 gram që duhen përdorur në ditë nga çdo njeri që të japin vlerë të jashtëzakonshme, jo përditë, por herëpashere. Me 1 gram mund të bëni 100 çarja, pasi ka mbi 200 lule, 600 fije dhe 6 fije për një çaj”, tregon Rudina, ndërsa na njeh dhe me çmimin e shafranit. “Duhet kuptuar diçka. Shafrani quhet floriri i kuq.

Është shumë i shtrenjtë, po ndoshta dhe kjo. Asnjë produkt nuj ka qenë më i shtrenjtë në historinë e njerëzimit, aq sa shafrani. Madje tejkalon çmimin e floririt. Çmimin e tij në gram, por përdorimi i tij është në mili-miligram. Një racion me 30-40 euro grami, sot një çaj nuk kushton as 50 lekë të vjetra, pra 30 cent. Në Tiranë nuk e gjen një kafe 50 lekëshe. Çmimi në botë i shafranit cilësohet nga kategoria. Elementët e tij kanë një shkallë që cilësohet nga laboratori. Kudo në botë nuk shitet shafran i cilësisë së parë. Tregun botëror e ka mbytur sarani i iranit. Por, Irani nuk ka pasur të drejtë të tregtojë as në Amerikë, as në Europë për një dekadë.

Sot, shet një shafran të vjetër që ka humbur vlerat e tij dhe shitet me një çmim në mënyrë shumë konklurente. Shafrani cilësor duhet të bërë me fermerë të vegjel. Në zvicër, itali shafrani prodhohet në parcela të vogla. Filohet as me 500 metra dhe fermeri prodhon në kontakt me klientelën. Fermeri që më ka shitur më tha se nuk prodhon më shumë shafran se ç shes. Ai ishte tre gjenerata shafranier dhe nuk prodhonte më shumë se 1.5 kilogram”. Por, çfarë duhet pasur parasysh kur blejmë shafran. Ja disa këshilla. “Të synohet shafrani pistil.

Për hir të çmimit të tij ësht produkti më i manipuluar. Janë analizuar përbërje pluru tullash në shafran, spec i kuq. Sa më i errët të jetë do të thotë se tharja është bërë shpejt. Duhet një tharje e gjatë në kohë që të bëhet mirë. Ka aromë mjalti, nga shija në gatim, nga ngjyra e tij. Nëse keni 4-5 lloje e dalloni. Pistili duhet të jetë i plotë. Shafrani më i mirë është ai i një viti më parë. Kur miqtë e mia nga jashtë vlerrësuan produktitn edhe shqiptarët filluan të bëjnë të njejtën gjë”, tregon shafranierja.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet