Dhimbja e kokës për shkak të qafës, si bëhet trajtimi

Publikuar më 26. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Arlinda Gjypi

Nga kërkimet studimore rezulton që dhimbja e kokës me burim shkaku qafën përbën 4% deri në 22% të gjithë dhimbjeve të kokës. Fizioterapisti Petrit Drini flet lidhur me dhimbjet e kokës që vijnë për shkak të problemeve me qafën, si dhe trajtimin e saj

Dhimbja e kokës prej qafës ose, siç njihet ndryshe në fushën mjekësore, dhimbja e kokës cervikagjenike, është një problem sekondar i dhimbjes së kokës. Me fjalë të tjera, dhimbja e kokës në këtë rast shkaktohet prej problemit në vertebrat e qafës. Ajo çfarë është pozitive për t’u theksuar, është fakti që duke zgjidhur problemin me qafën, dhimbja e kokës do të lehtësohet. Nga kërkimet studimore rezulton që dhimbja e kokës me burim shkaku qafën përbën 4% deri në 22% të gjithë dhimbjeve të kokës. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+” fizioterapisti Petrit Drini flet lidhur me dhimbjet e kokës që vijnë për shkak të problemeve me qafën, si dhe trajtimin e saj.

Çfarë e shkakton dhimbjen e kokës me burim qafën?

Dhimbja e kokës mund ta ketë burimin nga struktura të ndryshme muskulor-skeletore dhe neuro-vaskulare të pjesës së sipërme të qafës, duke përfshirë këtu tre vertebrat e sipërme të qafës, diskun C2/3, palcën kurrizore dhe muskujt e qafës. Një çrregullim në këto zona shkakton sinjale dhimbjeje që përcillen për tek bërthama trigeminocervikale në trurin e mesëm. Ky informacion më pas transmetohet në tru dhe përkthehet si një dhimbje koke.

Vertebrat e sipërme të qafës

Burimet më të mundshme të dhimbjes së kokës që vjen prej qafës është mosfunksionimi i rregullt i vertebrave të sipërme të qafës, muskujve ose nervave në qafë. Shkaku më i hasur i çrregullimeve që shkakton dhimbje koke janë problemet me tre vertebrat e sipërme të qafës që përfshijnë: Vertebra Altanti- Oksipital (O-C1); Vertebra Atlanti-Aksi (C1/2) dhe Vertebrat Cervikale C2/C3. E thënë thjesht, vertebrat e qafës mund të shkaktojnë dhimbje koke ose dhimbje nëse janë të bllokuara ose lëvizin më shumë se duhet (p.sh. të liruara dhe të pambështetura nga muskuj të dobët të qafës) ose janë të bllokuara në një pozicion anormal të vertebrës (p.sh. fashetat e bllokuara të vertebrës ose një posturë/qëndrim jo i duhur). Kur vertebrat e qafës janë të stresuara dhe shkaktojnë dhimbje, sinjalet e dhimbjes përcillen në bërthamën trigeminocervikale në trurin e mesëm, duke bërë kështu që ju të ndjeni një dhimbje koke të shkaktuar nga qafa ose në disa raste ndjeni dhimbje në fytyrë. Fizioterapisti në këtë rast është personi i përshtatshëm për vlerësimin dhe korrigjimin e problemit me vertebrën e qafës që sjell dhe dhimbjen në kokë. Diagnostikimi profesional është thelbësor për ata që vuajnë nga dhimbja e kokës me burim qafën.

Muskujt e qafës

Muskujt e qafës dhe të shpatullës shkaktojnë dhimbje nëse ato mbipërdoren, pësojnë përdredhje ose kanë spazma.  Disa nga muskujt tuaj të qafës mbipërdoren kur përpiqen të mbrojnë apo ruajnë vertebrat e dëmtuara të qafës. Ndërkohë, muskuj të tjerë të qafës dobësohen nga mospërdorimi, i cili krijon kërkesë të mëtejshme mbi muskujt e sforcuar, duke dhënë simptoma lodhjeje të muskujve. Muskujt e qafës punojnë në mënyrë optimale kur kanë një tension, gjatësi, fuqi dhe forcë normale në gjendje qetësie. Fizioterapisti është eksperti që vlerëson dhe korrigjon çrregullimet në muskuj që bëhen shkak për dhimbjen e kokës.

Nervi cervikal dhe oksipital

Nervat në pjesën e sipërme të qafës mund të ngacmohen direkt prej zgjatimeve kockore si shkak i artritit apo hernieve diskale cervikale. Këto mund të sjellin ngacmime të nervit ose reduktim në lëvizjet neurale të njohura si ndjeshmëri neuro-mekanike ose neuro-dinamike anormale. Ngacmimi i strukturave në pjesën e sipërme të qafës transmetojnë mesazhet e dhimbjes përgjatë nervave dhe shkaktojnë dhimbjen e kokës. Me fjalë të thjeshta, qafa juaj është “çelësi”, nervat janë “përcjellësit” dhe dhimbja e kokës është si “drita” kur ndizet.

Cilat janë simptomat e dhimbjes së kokës me burim qafën?

Dhimbjet e kokës me burim qafën shpesh mund të diagnostikohen ose të ngatërrohen me burime të tjera të dhimbjes së kokës, përfshi migrenën, pasi dhimbja në kokë ndihet pothuajse në të njëjtat zona si në rastin e migrenës. Fizioterapisti bën një interpretim prej kombinimit të të gjitha simptomave dhe konkluzioneve të nxjerra nga ekzaminimi fizik për të konfirmuar diagnozën e dhimbjes së kokës.

Zakonisht, personat që vuajnë nga dhimbja e kokës me burim qafën ndiejnë dhimbje në pjesën e sipërme të qafës në bazë të kafkës, bllokim të qafës ose një vështirësi të lehtë në lëvizjen e saj, edhe pse ndonjëherë është shumë e lehtë dhe duhet të konfirmohet gjatë ekzaminimit fizik që kryen fizioterapisti. Një nga ndryshimet kryesore midis dhimbjes së kokës me burim qafën dhe migrenës është që trajtimi i qafës me anë të fizioterapisë është në gjendje që të ndryshojë ose çlirojë dhimbjen e kokës menjëherë.

Karakteristikat e dhimbjes së kokës me burim qafën

Simptomat e mëposhtme karakterizojnë një dhimbje koke me burim qafën. Ju mund të keni çdonjërën ose disa nga këto simptoma: Dhimbja e kokës mund të duket që vjen nga pjesa e pasme në drejtim të pjesës ballore të kokës. Dhimbja e kokës mund të nxitet ose lehtësohet nga një lëvizje e caktuar e qafës, një posturë/qëndrim i caktuar, të fjeturit përmbys ose nga kthimi i kokës në njërën anë. Dhimbja e kokës mund të përkeqësohet në njerën anë të kokës. Kjo anë është zakonisht konstante dhe dhimbja nuk kalon në anën tjetër. Dhimbja e kokës mund të lehtësohet përkohësisht kur ju ushtroni presion ose masazhoni qafën ose zonën në bazë të kafkës. Nëse keni ndonjë nga simptomat e mësipërme, me shumë mundësi vuani nga dhimbja e kokës që ka si burim shkaku qafën. Fizioterapisti duhet informuar në mënyrë që t’ju ndihmojë.

Çfarë ndodh nëse qafa nuk ju dhemb?

Edhe nëse qafa nuk ju dhemb apo nuk është e lënduar, ju mund të përjetoni përsëri dhimbje koke për shkak të qafës. Është e rëndësishme që të dini se vertebrat e qafës mund të mos shkaktojnë dhimbje kur janë në qetësi, por mund të jenë të ndjeshme ndaj prekjes ose shkaktojnë dhimbje gjatë lëvizjes.

Vertebrat e qafës që shkaktojnë dhimbje në qetësi janë shumë të ndjeshme ndaj prekjes dhe japin dhimbje ekstreme gjatë lëvizjes. Natyrisht, ky është rasti i një dhimbjeje koke shumë të fortë.

Nëse keni vuajtur prej dhimbjes së kokës ose migrenës për vite dhe nuk keni kryer ekzaminim të qafës, është e rekomandueshme të bëhet një kontroll i detajuar i qafës që është i domosdoshëm për të konfirmuar dhe trajtuar dhimbjen e kokës me burim qafën ose për të përjashtuar një çrregullim të qafës si shkak të dhimbjes së kokës.

A duhet grafia (rrezet X), skaner apo rezonancë magnetike (MRI)?

Ju mund të vuani nga kjo dhimbje koke me ose pa rezultate anormale nga rrezet X apo skaneri. Në mënyrë të ngjashme, anomalitë që rezultojnë prej skanerit nuk do të thonë që ju duhet të keni dhimbje koke.

Megjithatë, grafia me rrezet X mund të identifikojë struktura të cilat me shumë mundësi mund të shkaktojnë dhimbje në qafë ose kokë. Është e rekomandueshme që të kryeni të paktën një grafi me rreze X në pjesën cervikale të shtyllës kurrizore nëse keni vuajtur nga dhimbjet e kokës për një periudhe të gjatë kohe.

Çfarë ndodh nëse fizioterapia nuk mund t’ju ndihmojë?

Duke qenë se ka më shumë se 300 shkaqe për dhimbjen e kokës, dhe dhimbja e kokës që shkaktohet nga qafa mendohet që të ndodhë me afërsi në 20% të rasteve, mund të ndodhë që dhimbja juaj e kokës të shkaktohet nga ndonjë problem që trajtimi i qafës të mos jetë në gjendje ta ndihmojë. Ju mund të vuani nga një dhimbje koke me shkaqe të shumta ose të përziera. Në këto raste, mund të zgjidhet shkaktimi i dhimbjes së kokës prej qafës, por një burim tjetër i dhimbjes së kokës mund të vazhdojë të ekzistojë. Fizioterapisti do t’ju këshillojë nëse keni simptoma që mund të jenë tregues për një shkak tjetër të dhimbjes së kokës. Në këto raste, ai do t’ju drejtojë dhe këshillojë për ekzaminime të mëtejshme, të cilat mund t’ju ndihmojnë në diagnozën tuaj dhe trajtimin e duhur.

Si mund t’ju ndihmojë fizioterapia?

Fizioterapia cilësore e qafës mund të ketë efekte të menjëhershme për lehtësimin e dhimbjes së kokës me burim qafën. Çelësi për një trajtim më të mirë është konfirmimi i diagnozës. Klinika jonë ka përvojën e duhur për diagnostikimin dhe trajtimin e dhimbjeve të kokës me burim shkaku qafën. Pasi të keni kryer ekzaminimin dhe vlerësimin përkatës, do t’ju jepet mundësia për trajtimin e duhur me anë të fizioterapisë që do të zgjidhë problemet tuaja.

Trajtimi i dhimbjes së kokës me burim qafën mund të përfshijë të gjitha ose disa nga teknikat e mëposhtme:

  • Vertebrat e bllokuara të qafës mund të kenë nevojë që të lirohen ose zhbllokohen nëpërmjet mobilizimit të vertebrave (teknika të lehta rrëshqitëse), që të ushtrohet një tërheqje e vertebrave ose në raste specifike një teknikë e lehtë dhe e lokalizuar për manipulimin e vertebrës.
  • Vertebrat hiper- të lëvizshme (ose të paqëndrueshme në dinamikë) mund të kenë nevojë për ushtrime forcuese të muskujve të thellë të qafës për të stabilizuar, kontrolluar dhe kufizuar lëvizjet e tyre.
  • Muskujt e kontraktuar ose shumë aktivë mund të kenë nevojë për masazh tërheqës ose teknika të tjera relaksuese.
  • Muskujt e dobët mund të kenë nevojë për ushtrime specifike forcuese. Kjo mund të përfshijë muskujt e posturës, të shpatullave dhe qafës.
  • Çrregullimet nervore mund të adresohen prej fizioterapistit në varësi të rezultateve prej ekzaminimit specifik. Ndjeshmëria nervore është një nga gjetjet që haset më shpesh dhe që duhet trajtuar me kujdes profesional.
  • Korrigjimi i posturës/qëndrimit mund të rekomandohet nëpërmjet ushtrimeve specifike, teknikave për posturën, fashimit ose mjeteve të tjera për ruajtjen e posturës.
  • Këshilla të nevojshme se si të parandalohen çrregullimet e qafës në të ardhmen, p.sh. shmangia e pozicioneve të vështira për qafën dhe posturën.

Çfarë rezultatesh do të prisni?

Lehtësimi i dhimbjes së kokës që ka burim shkaku qafën, është zakonisht i shpejtë. Nëse dhimbja e kokës shkaktohet vetëm prej qafës, do të ndjeni lehtësim menjëherë sapo të dilni nga klinika.

Në varësi të ndjeshmërisë dhe shkaqeve specifike që shkaktojnë dhimbjen e kokës, shumë persona që vuajnë do të përmirësohen nga kjo lloj dhimbjeje koke në një kohëzgjatje prej disa ditësh deri në pak javë. Përveç lehtësimit të dhimbjes së kokës, qëllimi i fizioterapistit është që të adresojë arsyet pse ju shkaktohet dhimbja e kokës nga qafa. Por mbi të gjitha qëllimi është që t’ju ndihmojë në shmangien e dhimbjeve të kokës dhe ky është një komponent shumë i rëndësishëm për rehabilitimin tuaj.